Podcast

Audio-Lajme shkurt 18 korrik 2019

Vettingu-Policët pyeten: A ke bolier në shtëpi?
Një ditë më parë me porosi të drejtorit të Policisë së Shtetit Ardi Veliu, ka nisur shpërndarja e formularit për vettingun në polici dhe brenda datës 27 korrik çdo polic duhet të tregojë situatën ekonomike dhe financiare.
Gazeta “Si” disponon ekskluzivisht formularët që me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm u janë përcjellë 13 mijë efektivëve të policisë, agjentëve të shërbimit të kontrollit dhe Çështjeve të Brendshme dhe Gardës së Republikës. Të gjithë zyrtarët e policisë deri te polici me gradën inspektor duhet të plotësojnë dhe të pohojnë të dhënat ekonomike. Përveç përshkrimit të tyre, ata duhet të deklarojnë edhe orendi apo sende të tjera shtëpiake me dhe pa vlerë, përshkrimi i të cilave lihet evaziv dhe i papërcaktuar.

Meta: I gatshëm të ndryshoj 13 tetorin, palët të reflektojnë
Presidenti Ilir Meta bëri thirrje edhe një herë për dialog mes mazhorancës dhe opozitës për të gjetur një zgjidhje për krizën politike. Ai u shpreh i gatshëm që të rishikonte datën 13 tetor, dekretin që parashikon zgjedhje lokale të reja, më qëllim arritjen e një kompromisi. Ky qëndrim ishte edhe një kundërpërgjigje ndaj kryeministrit Rama, i cili u shpreh se zgjedhjet lokale u mbajtën më 30 qershor, duke hedhur poshtë mundësinë edhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme.

Reeker: SHBA jo arbitër mes qeverisë e opozitës, aspak krenar me shqiptarët
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker, tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të bëhen arbitër i politikave të brendshme të Shqipërisë, duke theksuar se kohët e fundit Uashingtoni nuk është ndjerë aspak krenar për situatën politike në Shqipëri.
Zoti Reeker tha se rruga institucionale është mënyra e vetme për tejkailimin e krizës së tanishme. Ai kritikoi vendimin e opozitës shqiptare për djegien e mandateve dhe bojkotimin e institucioneve duke thënë se institucionet dhe gjykatat duhen përdorur, pasi janë mjetet me të cilat tejkalohen kohët e vështira politike.

Opozita ankimon zgjedhjet e 30 qershorit në Gjykatën Kushtetuese
Opozita ka ankimuar procesin e 30 qershorit në Gjykatën Kushtetuese. Ka qenë kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi që ka depozituar kërkesën në këtë Gjykatë, pasi sipas asaj ato ishin të paligjshme për shkak se presidenti kishte anuluar datën e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Ky është hapi i radhës së opozitës për kontestimin e zgjedhjeve, duke përmbushur kështu edhe kërkesën e ndërkombëtarëve për t’iu drejtuar Gjykatës nëse kanë kontestime mbi procesin.

Konfirmohet Kaçkini, kandidate për SPAK, shkarkohet gjyqtari Mustafaj
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë Prokuroren e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Elida Kaçkini.
Kaçkini rezultoi pa probleme në të tria kriteret e Komisionit të Vettingut. Trupa e KPK-së që ka kryer rivlerësimin e Kaçkinit përbëhej nga Valbona Sanxhaktari, Xhensila Pine dhe Etleda Çiftja.
Më 16 korrik, kur u zhvillua mbledhja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, prokurorja e Tiranës u shpall kandidate për në SPAK. Ndërkaq, KPK ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin e Tiranës, Ilir Mustafaj. Mustafaj është gjyqtar i Gjykatës së Tiranës, ndërsa prej më shumë se një viti ishte në pritje për t’u bërë gjyqtar në Kushtetuese.

Shkarkimi i Malajt, Ruçi bllokon procedurën
Shkarkimi i Arben Malajt si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë bllokohet në Parlament. Ka qenë vetë kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi që ka kërkuar që procedura e shkarkimit të mos iniciohet nga deputetët por nga vetë qeveria, pasi kështu e parashikon edhe ligji.
Më 14 korrik në Parlament u paraqit nisma me 28 firma deputetësh socialistë ku kërkonin shkarkimin e Malajt për shkelje të etikës që bindte ndesh me ligjin dhe sipas tyre dëmtonte imazhin e Bankës së Shqipërisë. Vetë Malaj i ka hedhur poshtë këto pretendime duke theksuar se nisma është për qëllime politike.

Aleanca për Teatrin nxjerr fotot: Ministria urdhëron zbrazjen e godinës
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka akuzuar Ministrinë e Kulturës se ka urdhëruar zbrazjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Aleanca ka publikuar në profilin e saj në “Facebook” disa foto ku sipas tyre po tentohet që të nxirren jashtë sendet që ndodhen brenda godinës së Teatrit Kombëtar. Ata vijojnë më tej duke thënë se kjo është vepër e kryeministrit dhe kryebashkiakut.

Finlanda: Në tetor të hapim negociatat me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut
Finlanda ka premtuar hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në muajin tetor të këtij viti.
Gjatë prezantimit të programit të presidencës finlandeze të Bashkimit Europian, kryeministri Antti Rinne tha nëse dy vendet i plotësojnë kushtet, atëherë negociatat do të çelen sa më parë. Finlanda merr presidencën e Bashkimit Europian për gjashtë muaj dhe ka deklaruar se do të punojë për angazhimin e mëtejshëm të BE-së në Ballkanin Perëndimor.
Megjithatë, kryeministri finlandez ka bërë të kuptohet se zgjerimi nuk përbën një urgjencë për presidencën finlandeze, e cila ka në fokus çështje që shqetësojnë të gjithë qytetarët europianë, si ndryshimet klimaterike dhe ekonomia europiane.

U eliminua nga Championsi, Partizani ndeshet me Sherif Tiraspol në Ligën e Europës
Partizani u mund 2-0 në fushën e Karabagut në Azerbajxhan, duke u eliminuar nga Championsi, pasi ndeshja e parë më Tiranë kishte përfunduar 0-0. Të kuqtë gabuan në dy momente në pjesën e dytë dhe u ndëshkuan, duke mbyllur llogaritë me Championsin. Ozobiç dhe Kintana shënuan golat e fitores dhe kualifikuan Karabagun për në turin tjetër. Pas pësimit të golit të parë, Partizani ndryshoi diçka në lojë dhe sulmuesi Somolon ishte shumë afër golit të barazimit, që do ta kualifikonte ekipin shqiptar, por gaboi përballë portierit kundërshtar. Edhe Asani rrezikoi me një gjuajtje nga jashtë zonës. Të kuqtë u hodhën në sulm të gjithë në shtesë pësuan edhe golin e dytë. Partizani kalon tashmë në Ligën e Europës, ku do të ndeshet me moldavët e Sherif Tiraspol. Me këtë ekip, që gjithashtu është eliminuar nga Championsi, aktivizohet ish-lojtari i Skënderbeut dhe Kombëtares, Liridon Latifi.

“Marca” zbulon: Kristiano Ronaldo, favorit kryesor për “Topin e Artë”
Kristiano Ronaldo është shumë afër “Topit të Artë”, që do të ishte i gjashti për të në karrierë. E përditshmja spanjolle “Marca” zbulon se portugezi është favoriti kryesor për çmimin prestigjioz individual, pasi analizon një sërë faktorësh. Vendimtar mund të rezultojë rendimenti i Ronaldos në sezonin e parë me Juventusin, ku ai ka fituar titullin kampion në Serinë A dhe Superkupën e Italisë. Po ashtu, ndikon edhe fakti se portugezi ka shënuar në të gjithë ndeshjet e rëndësishme të Ligës së Kampionëve dhe është i treti në listën e shënuesve më të mirë të Serisë A, me 21 gola. Pastaj, edhe fitimi i Ligës së Kombeve me Portugalinë ka peshën e vet, që mund ta çojë Ronaldon te “Topi i Artë” i radhës. Sipas “Marca”-s, rivalët më të fortë të Kristiano Ronaldos janë Mesi, Mbape, Mane dhe Van Dijk.

Vranësirat dhe shiu vazhdojnë edhe nesër
Vendi ynë vazhdon të jetë në ndikimin e rrymave ajrore të freskëta kontinentale, të cilat kanë mbajtur mot të freskët në mëngjes dhe mbrëmje ndryshe nga mesdita, ku temperaturat kanë pësuar rritje. Edhe ditën e nesërme moti do të jetë me diell përgjatë bregdetit dhe vranësira në zonat malore, ku nuk përjashtohen reshje shiu të izoluara. Temperaturat do të jenë:
Në zonat malore 13-29, gradë celsius
Në zonat e ulëta 13-35, gradë celsius
Në zonat bregdetare 18-33, gradë celsius

 

Më Shumë