Rama lobon në Bruksel, pas Hahn takon Mogherinin
Kryeministri Edi Rama prej dy ditësh ndodhet në Bruksel për të lobuar për çeljen e negociatave. Pas takimit me Donal Tusk presidentin të Këshillit Europian, sot Rama ka takuar komisionierin për Zgjerimin, Johaness Hahn dhe më pas komisioneren për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini.
Në një deklaratë për median Hahn u shpreh se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave, pasi i ka plotësuar pesë prioritetet kyçe.
Kryeministri shqiptar së bashku me homologun maqedonas Zoran Zaev po lobojnë për vendimin e Këshillit Europian, duke shpresuar te kthesa franceze.
Zaev do të dorëhiqet nëse nuk hapen negociatat me Shkupin
Kryeministri Zoran Zaev paralajmëroi nga Vjena se do të jepte dorëheqjen nëse liderët e BE-së nuk vendosin të japin dritën jeshile për nisjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut.
“U premtuam deputetëve se po të votojnë për ndryshimin e emrit, BE-ja do të hapte dyer sepse na premtoi se do të na jepte një datë për negociatat. Mendoj se tani duhet të mbajnë përgjegjësi për të mos lejuar rikthimin e nacionalizmit radikal në Shkup”, deklaroi kryeministri maqedonas në një intervistë nga Vjena.
Ai paralajmëroi presidentin francez, Emmanuel Macron se nëse nuk zbut qëndrimin ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, të dyja vendet do të zhyten në destabilitet.
Deputetët që mbështesin qeverinë e Zaev ndoshta do të mbështesin edhe një votë mosbesimi të iniciuar nga VMRO-DPМNЕ. Për t’i paraprirë kësaj stuhie politike, Zaev ka ta ngjarë të japë dorëheqjen, duke i lënë kështu vendin zgjedhjeve të parakohshme.
SHBA kërkon zgjidhjen e krizës politike
Shtetet e Bashkuara të Amerikës apeluan sërish për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Duke folur nga një Forum për Sigurinë në Beograd, zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, David Kostelançik , tha se “ka një vend për opozitën që ka dalë nga parlamenti dhe i nxisim ta marrin atë vend dhe të negociojnë me mirëbesim”.
Fadromat e IKMT rikthehen në Shkozë, banorët akuzojnë për shkelje të ligjit
Fadromat e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe forca të shumta të Policisë së Shtetit u rikthyen në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje për të shembur ndërtesat e ngritura në vijën ku do të kalojë Unaza e Madhe në zonën e Shkozës. Një shtëpi u shemb rreth orës 06:00, pavarësisht protestave të familjarëve. Banorët thonë se nuk janë kundër projektit, por kërkojnë që t’u dëmshpërblehen shtëpitë me çmimet e tregut edhe për ata që nuk i kanë pasur të legalizuara. Disa prej tyre akuzojnë strukturat shtetërore për legalizime selektive që janë bërë vitet dhe muajt e fundit. Për legalizime selektive pranë kësaj zone ka folur edhe Avokati i Popullit gjatë një raporti para Kuvendit në nëntor të 2018.
Apeli dënon me 10 vite burg Klement Balilin
Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, duke dënuar me 10 vjet burg Klement Balilin, dënim me gjykim të shkurtuar.
Klement Balili, i etiketuar ndryshe edhe si “Eskobari i Ballkanit”, do të kalojë 10 vite në qeli nën akuzat për trafik droge, për pastrim parash, fshehje të pasurisë dhe për grup kriminal.
Prokuroria kërkoi 18 vite, gjykata vendosi 15 vite, por duke qenë se u pranua kërkesa për gjykim të shkurtuar, u ul 1/3 duke u dënuar përfundimisht me 10 vite burg.
Balili nuk ka qenë i pranishëm sot në seancën e Gjykatës së Apelit, ndërsa vendimi i Shkallës së Parë u ankimua nga mbrojtja e Balilit, që kërkoi pafajësi.
Arrestimi i tij u bë më 15 janar të vitit 2019, pas dy vitesh kërkimi për trafik droge.
Çështja “Babale”, Albert Veliu drejt ekstradimit në Shqipëri
Albert Veliu, i cili është njeriu kyç në procesin e njohur si “Babalja”, është në prag të ekstradimit nga Belgjika në Shqipëri. Ministria e Drejtësisë ka komunikuar me autoritet belge për ekstradimin e Veliut, por ende nuk ka një datë fikse.
Nga ana tjetër, Prokuroria kërkoi shtyrje të seancës gjyqësore deri në mbërritje të Albert Veliut, ndërsa kërkesa e saj është miratuar nga Gjykata.
Mund të ikte jashtë, i sekuestrohet pasaporta Marsida Qatjas
Pas vendimit për të nisur zyrtarisht hetimet për Marsida Qatjan, pas vrasjes së Dritan Haxhollit dhe plagosjes së Bledar Toçi në shtëpinë e saj në Kavajë, Prokuroria ka vendosur të sekuestrojë pasaportën e 30-vjeçares.
Mësohet se Prokuroria ka pasur informacione që Marsida Qatja do të udhëtonte jashtë vendit, lidhur dhe me faktin se bashkëshorti i saj po vuan dënimin në Gjermani. Gjykata ende nuk ka dhënë vendim për masën e sigurisë, ndërkohë që Prokuroria ka regjistruar çështjen në ngarkim të Qatjas për akuzën e “përshtatjes së ambienteve për konsumim droge”. Për këtë akuzë, Qatja mund të rrezikojë pesë vite burg.
Akuzohej për korrupsion, dënohet me 3 vite burg gjyqtari Roland Hysi
Gjykata për Krime të Rënda ka dënuar me 4 vite e 6 muaj burg gjyqtarin Rolanda Hysi, i cili u arrestua pas publikimit të një videoje në emisionin investigativ “Stop”. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, gjyqtari Hysi përfiton ulje dhe do të vuajë 3 vite burg.
Gjithashtu i hiqet e drejta e funksioneve publike për 5 vite. Ndërkohë, Prokuroria kishte kërkuar në pretencë 4 vite burg.
Hysi kërkonte favore seksuale si dhe mori ryshfet nga një grua, e cila ishte në gjyq për të marrë kujdestarinë e fëmijës. Psikologia Elona Meçani dyshohet se bënte rolin e sekseres.
Gruaja ishte divorcuar dhe kërkonte kujdestarinë e fëmijës, çështje kjo e cila ishte në dorë të gjyqtarit Hysi. Ky i fundit u akuzua për “Korrupsion pasiv i gjyqtarëve dhe prokurorëve”, si dhe për “Ushtrim të ndikimit të paligjshëm të funksionarëve”. Gjyqtari i Shkallës së Parë në Fierit u arrestua më 9 janar 2019.
Shqiptarët të uritur si në vitin 2000
Sipas Indeksit Global të urisë për vitin 2019, Shqipëria bën pjesë tek vendet që nuk kanë bërë përmirësime në këtë drejtim. Të dhënat tregojnë se vendi ynë është në të njëjtin nivel urie si në vitin 2000. Ndërkohë të dhënat e përgjithshme në raport tregojnë se duhet akoma më shumë punë për të arritur në fazën “zero uri” në botë dhe një ndër shkaktarët më të mëdhenj të këtij fenomeni është ndryshimi i vazhdueshëm i klimës. Të dhënat tregojnë se bota ka nivele alarmante të urisë, duke minuar sigurinë e ushqimit në shumë rajone.
Arrihet marrëveshja për daljen e Britanisë nga BE-ja!
Bashkimi Europian dhe Britania e Madhe kanë arritur një marrëveshje paraprake për daljen e kësaj të fundit nga unioni. Marrëveshja e Brexit është arritur midis ekipeve negociuese të të dyja palëve përpara takimit të liderëve europianë në Bruksel.
Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker tha se bëhej fjalë për një “marrëveshje të drejtë dhe të ekuilibruar”. Si ai, ashtu edhe kryeministri britanik, Boris Johnson u kanë kërkuar parlamenteve të tyre përkatëse që të mbështesin marrëveshjen.
Sidoqoftë, plani i ri nënkupton që Irlanda Veriore të trajtohet ndryshe nga pjesa tjetër e Mbretërisë së Bashkuar, çka ngre shqetësime të mëdha tek partia irlandeze në Parlamentin Britanik.
Kumbulla me ekip të ri në verë, Fiorentina e para në radhë
Paraqitja e mirë e mbrojtësit kuqezi, Marash Kumbulla me Veronën në Serinë A në një moshë shumë të re, ka bërë që drejtuesit e klubeve të mëdha në Itali të nisin që tani punën për të siguruar shërbimet e qendërmbrojtësit 19-vjeçar. Shtypi italian shkruan se Kumbulla është një objektiv i klubeve “big” të Serisë, ku i pari që ka dalë hapur për blerjen e mbrojtësit të Kombëtares së Shqipërisë, është Fiorentina. Kontaktet kanë nisur dhe me shumë mundësi shkodrani do të bllokohet që në janar nga drejtuesit e Fiorentinës, për të kaluar pastaj në verë te skuadra vjollcë. Do të ishte një hap i madh për futbollistin e ri shqiptar, nëse kalon në Firence, por ka edhe klube të tjerë që po punojnë pa zhurmë për një akord të mundshëm me Veronën. Lacio, si gjithmonë, është një tjetër klub i interesuar, pasi Tare gjithmonë u ka krijuar mundësi shqiptarëve. Me kalimin e kohës pritet të mësohet më shumë për ofertat konkrete. Fiorentina ka zënë radhën e para.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.