Podcast

Audio-Lajme shkurt 16 tetor 2019

Orët vendimtare për negociatat, Rama drejt Brukselit për të lobuar
Kryeministri Edi Rama është nisur në drejtim të Brukselit për të lobuar për hapjen e negociatave. Ai do të marrë pjesë së bashku me Zoran Zaev në një tryezë të kryeministrave të majtë europianë si përpjekje për të marrë “Po”-në e negociatave. Takimi është konceptuar në një format të tillë krijuar nga Partia Socialiste Europiane, që Rama thotë se është në funksion të nevojës që kemi sot për të pasur sa më shumë aleatë në tryezën e mbrëmjes së 18 nëntorit. Në të njëjtin mesazh, Kryeministri thotë se ka mbështetjen e Kancelares Angela Merkel, por nuk shprehet as pesimist dhe as optimist se negociatat do të hapen. Ai përsëriti bindjen e tij se Shqipëria meriton hapjen e negociatave dhe se Franca mendon ndryshe për arsye që lidhen me të ardhmen e BE-së.

“Negociatat për Shqipërinë në 2020-ën!” Drafti final i Finlandës për liderët e BE
E ndërkaq, liderëve të BE-së do t’u vihet përpara një draft të enjten që propozon shtyrjen e negociatave me Shqipërinë. Dokumenti zyrtar propozon hapjen e menjëhershme të negociatave me Maqedoninë e Veriut, ndërsa për Shqipërinë e shtyn për gjysmën e parë të vitit 2020.
Ai është përgatitur nga Finlanda, e cila mban presidencën e Bashkimit Europian, pas mbledhjes së ministrave të vendeve anëtare të BE-së në takimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme.
Ky draft paraprak ndan Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut në procesin e integrimit, duke i kërkuar Komisionit Europian të analizojë edhe një herë arritjet e reformave të Tiranës. Ai i kërkon qeverisë shqiptare të forcojë reformat për sundimit e ligjit.

Si po favorizohet Arta Marku në garën për kryeprokuror
Në Gjykatën e Apelit Administrativ është shtyrë për herë të tretë seanca që do të shqyrtojë kërkesën e avokatit Lulzim Alushaj, që kundërshton vendimin e KLP që e skualifikoi nga gara për kryeprokuror. Disa burime i thanë Gazetës “Si” se shkak i shtyrjes së seancës është bërë mungesa gjyqtares Bernina Kondi, njëra nga gjyqtaret e trupës gjykuese. Kondi ka kërkuar shtyrje me argumentin se ka të atin sëmurë. Shtyrja e procesit po shfrytëzohet nga kryeprokurorja Arta Marku për pjesëmarrje në konferenca, takime e tryeza ekspertësh vendore dhe ndërkombëtare në fushën e së drejtës, që sipas rregullores së miratuar nga KLP mund t’i japin asaj deri në 4 pikë në renditjen sipas sistemit të pikëzimit të miratuar nga ky organ.

Meta nxjerr dekretin, Besnik Muçi propozohet për në Kushtetuese
Besnik Muçi është emri i presidentit Ilir Meta për anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Dekreti i presidenti u firmos sot dhe përcakton se i propozuari me detyrën prokuror zëvendëson Sokol Berberin, të cilit i kishte përfunduar mandati.
Muçi ndërkohë akoma nuk e ka përfunduar procesin e vlerësimit të Vettingut, pasi figura e tij po shqyrtohet në shkallën e dytë në Komisionin e Posaçëm të Apelimit.

KPK konfirmon në detyrë prokurorin Besim Hajdarmataj
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë prokurorin Besim Hajdarmataj, ish-drejtues i Krimeve të Rënda dhe aktualisht prokuror në këtë institucion.
Prokurori Hajdarmataj doli paraditen e së hënës para trupës gjykuese të komisionit të vettingut dhe rezultoi pa probleme.
Ish-drejtuesi i Prokurorisë për Krimet e Rënda është paraqitur personalisht në KPK pa përfaqësimin nga një avokat. Trupa gjykuese vendosi konfirmimin në detyrë të tij si dhe transferimin e dosjes penale të Përmetit për 12 ton droge për shkelje disiplinore në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë.
Besim Hajdarmataj e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe përgjatë 20 viteve, ai ka mbajtur poste drejtuese në Prokurorinë e Tropojës dhe të Kurbinit. Në maj 2015, ai u emërua prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe një vit më vonë mori drejtimin e kësaj prokurorie.

Tension në Shkozë, nis prishja e banesave që preken nga “Unaza e Re”
Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit ka nisur mëngjesin e kësaj të mërkure aksionin për shembjen e disa banesave në zonën e Shkozës, pasi preken nga projekti i Unazës së Re. Ky aksion është shoqëruar me përplasje mes banorëve dhe forcave të policisë. Banorët kundërshtojnë vendimin dhe deklarojnë se nuk do të lirojnë banesat e tyre. Në mbështetje të banorëve, të cilët protestojnë kundër prishjes së shtëpive ka shkuar edhe ish-deputeti i PD, Aldo Bumçi. Ai akuzoi qeverinë për dhunë dhe tha se kjo ndodh në mes të Europës në kohën kur pritet përgjigjja për negociatat.

“Unaza e Re”, lirohen 10 të arrestuarit, mes tyre dhe Klevis Balliu
Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për 10 të arrestuarit e “Unazës së Re”. Mes të arrestuarve ishte dhe ish-deputeti Klevis Balliu. Ata u arrestuan tri ditë më parë, pasi bllokuan rrugën te “Unaza e Re”, pasi kundërshtojnë prishjen e banesave të tyre.
Ndërkohë, Prokuroria më herët ka kërkuar “arrest me burg” për 10 të arrestuarit pas protestës së të dielës në zonën e “Unazës së Re” në kryeqytet.

Brexit, bisedimet hyjnë në fazën finale. Britania lëshon pe
Bisedimet mes Londrës dhe Brukselit për të shmangur shkëputjen e Britanisë së Madhe pa marrëveshje kanë hyrë në fazën finale. Delegacionet e të dyja palëve kanë rinisur bisedimet me shpresën se udhëheqësit e BE-së dhe Britanisë do të arrijnë një pak gjatë samitit të së enjtes. Kryeministri Boris Johnson pritet të përditësojë kabinetin mbi progresin e bisedimeve që kanë zgjatur deri në orët e para të mëngjesit të së mërkurës. Pati disa raportime ditën e martë se Londra ishte tërhequr nga çështja e kufirit irlandez, një prej pikave që ndan më shumë palët. Qeveria britanike i vlerësoi bisedimet e fundit si “konstruktive” dhe se një progres ishte arritur.

Erdogan sfidon SHBA: Nuk ndalemi ndaj kurdëve
Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Turqisë që të tërheqë trupat e saj nga veri-lindja e Sirisë dhe të ulet në bisedime me Uashingtonin për çështjen e kurdëve. Thirrja e SHBA u refuzua nga presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan. “Po na thonë ulni armët! Deklaro zjarrpushimin! Ne nuk do ta deklarojmë kurrë armëpushimin”, tha ai ditën e martë. Komentet e tij mbërrijnë para se Turqia të vizitohet nga zv.Presidenti amerikan, Mike Pence. Turqia nisi ofensivën ajrore dhe tokësore në zonat veri-lindore të Sirisë, të kontrolluara nga kurdët fill pas tërheqjes së rreth 1 mijë trupave amerikane të vendosura në kufirin turko-sirian. Ofensiva ka zhvendosur mijëra civilë kurdë, ndërsa është kritikuar nga komuniteti ndërkombëtar se po shkakton një krizë humanitare e kaos, që mund të shfrytëzohet nga ekstremistët e ISIS-it. Gjithsesi, si SHBA, ashtu edhe BE kanë kërcënuar me vendosjen sanksionesh për Turqinë, por pa marrë ende një vendim konkret.

Katalonja po vlon. Dënimi i separatistëve rindez protestat
Mijëra persona dolën në rrugët dhe sheshet e Barcelonës për të kundërshtuar vendimin e një gjykata spanjolle që dënoi ashpër udhëheqësit e protestave dhe të referendumit të shkëputjes. Policia vendase njoftoi arrestimin e të paktën 30 personave ditën e martë, pas përleshjeve të ashpra mes protestuesve dhe forcave të rendit. Qeveria spanjolle reagoi përmes një deklarate, ku minimizoi protestën duke folur për një “pakicë që synon të imponojë dhunën nëpër rrugët e Katalonjës”. Me gjithë këndvështrimin e Madridit, protestat kanë vazhduar dhe pritet që të vazhdojnë edhe në ditët në vijim në Barcelonë, Tarragona, Girona dhe Lleida, katër qytetet më të mëdha katalanase. Gjykata Supreme spanjolle dënoi së fundmi me nga 9 deri në 13 vite burg 12 udhëheqësit e lëvizjes që organizuan referendumin për pavarësi të Katalonjës në tetor të vitit 2017.

Temperaturat të larta deri në fund të tetorit
Vendi ynë vazhdon të jetë në aktivitetin e masave të nxehta dhe të thata me origjinë nga Afrika të cilat po i mbajnë larg reshjet e shiut. Moti me diell do të na shoqëroje edhe ditën e nesërme. Temperaturat parashikohen të jenë:
Në zonat malore 12-26 gradë celsius.
Në zonat qendrore 16-28 gradë celsius.
Në zonat bregdetare 25-28 grade celsius.
Edhe në javën tjetër nuk priten ndryshime në kushtet e motit, ndërkohë që parashikohet se do të jetë fundi i muajit kur do të ketë reshje shiu dhe temperaturat do të ulen gradualisht.

Shuhet Miço Papadhopulli, ish-presidenti i FSHF-së dhe kampion i madh i Partizanit
Ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare Miço Papadhopulli, ish-president i FSHF-së dhe ish-futbollist i Partizanit. Lajmi është bërë i ditur nga familjarët dhe nga FSHF-ja në faqen e saj zyrtare. Sporti dhe futbolli në veçanti humbet një nga figurat më të shquara të tij, ish-trajnerin dhe pedagogun që mbante titullin “Prof.Doktor”. Papadhopulli ka qenë për 5 vjet president i Federatës Shqiptare të Futbollit, në periudhën 1997-2002, kurse më pas ka qenë president nderi i saj. Të gjithë e njohin si “Daja” ish-futbollistin e madh të Partizanit, me të cilin ka fituar 6 tituj kampion në periudhën 1950-1960. Miço Papadhopulli është nderuar me titujt “Mjeshtër i madh” dhe “Mjeshtër i Merituar”.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë