Podcast

Audio-Lajme shkurt 16 dhjetor 2019

Gazetarët te opozita për Paketën Antishpifje, Basha: Do ta anulojmë kur të vijmë në pushtet
Një pjesë e komunitetit të gazetarëve, aktivistëve dhe anëtarëve të shoqërisë civile kërkuan nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj ndërmarrjen e protestave kundër paketës antishpifje, që mazhoranca synon të kalojë në Parlament brenda kësaj jave. Kërkesa u shpalos gjatë tryezës së organizuar nga PD dhe opozita e bashkuar këtë të hënë kundër paketës antishpifje. Të pranishmit e cilësuan alarmante situatën dhe shtrinë dorën për ndihmë edhe tek qytetarët. Në këtë takim, Lulzim Basha deklaroi se për opozitën ligji në fjalë do të jetë nul, por në rastin e parë që do të mbërrijë në pushtet do ta anulojë atë formalisht. Kreu i PD e vlerësoi si ironike faktin që e gjithë nisma ndërmerret në një kohë që Shqipëria pret të marrë Presidencën e OSBE-së.

Kryeprokurori Çela vlerëson hetimet për pasojat e tërmetit
Kryeprokurori Olsian Çela ka vlerësuar mënyrën e shpejtë të reagimit dhe të hetimit të Prokurorisë së Durrësit për pasojat e post tërmetit të 26 nëntorit ku pati 26 viktima. Gjatë një takimi me prokurorët e krimeve të rënda, Çela theksoi se rezultatet e hetimit të Prokurorisë së Durrësit janë provë e funksionimit të pavarësisë reale të prokurorëve. Prokuroria e Durrësit ka nxjerrë 19 urdhër-arreste. 9 shtetas janë arrestuar, ndërsa 9 të tjera janë shpallur në kërkim.
Takimi me prokurorët ishte në kuadër të krijimit të SPAK, pas ngritjes së të cilit Prokuroria e Krimeve të Rënda parashikohet të pushojë së ekzistuari. Prokurorët që ishin në këtë strukturë janë transferuar në prokurori të tjera, si dhe një pjesë e tyre do të jenë pjesë e SPAK.

Gjendja e fatkeqësisë natyrore të shtyhet deri në mars
Kryeministri Edi Rama i është drejtuar zyrtarisht Parlamentit që të shtyjë deri në mars të vitit të ardhshëm gjendjen e fatkeqësisë natyrore. Komisioni parlamentar i Sigurisë e ka miratuar këtë kërkesë, pasi është argumentuar se pas fazës 30 ditore të kërkim shpëtimit nis faza e verifikimit dhe rindërtimit.
Qeveria shpalli me vendim të posaçëm gjendjen e jashtëzakonshme për Tiranën, Durrësin dhe Kurbin. Zgjatja e afatit për herë të dytë, tani sipas Kushtetutës, i takon Parlamentit dhe jo Këshillit të Ministrave.

Drejtuesi i SPAK, intervistat me 3 kandidatët në 18 dhjetor
Intervistat me tre kandidatët për drejtuesin e përkohshëm të SPAK, do të zhvillohen më 18 dhjetor. Këshilli i Lartë i Prokurorisë njoftoi se intervistat do të fillojnë nga ora 9.30 te salla e mbledhjeve të KLGJ, sipas rendit alfabetik dhe do të transmetohen live me regji qendrore. Ndërkohë, një ditë më vonë, më 19 dhjetor do të betohen te presidenti Meta tetë anëtarët e “Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar” (SPAK).

Helmimi i çiftit në Librazhd, Olsi Hajdari: Në dhomë kishim mangall me prush
Për çiftin e sapomartuar nga fshati Xhyrë i Librazhdit, për të cilët u tha se ishin helmuar me fotoksinë, del një tjetër variant.
Olsian Hajdari, bashkëshorti që mundi të shpëtonte është përmirësuar dhe ka folur rreth ngjarjes pas dy ditësh në reanimacion. Ai është shprehet se “pasi kanë ngrënë darkë me familjen, janë shtrirë për të fjetur, ndërsa në dhomë kishim marrë edhe një mangall me prush”.
Ata u gjetën mëngjesin e së premtes, 5 ditë pasi ishin martuar, në gjendje të rëndë, ku 19-vjeçarja Rezarta Hajdari humbi jetën, ndërsa 27-vjeçari Olsian Hajdari përfundoi në gjendje të rëndë në spital.
Fillimisht, policia me anë të një njoftimi zyrtar tha se çifti është vetëhelmuar.
Mjekët në Spitalin e Elbasanit thanë se dyshimet paraprake të tyre ishin se helmimi i pacientit është bërë me fostoksinë.
Ndërkohë, mjekësia ligjore ka konfirmuar për prokurorët se çifti ka pirë fotosksinë.
Por, bashkëshorti i Rezartës e mohon vetëhelmimin, duke u shprehur se nuk ka pasur probleme me Rezartën.
Familjarët e Rezartës, pasi kanë kryer ceremoninë mortore të vajzës së tyre, janë shprehur se kanë bërë kallëzim në polici, pasi këmbëngulin se vajza e tyre nuk është helmuar nga mangalli me prush.

Kërcënon Erdogan: Do të mbyllim dy bazat ushtarake të SHBA në Turqi
Pas shumë dekadash bashkëpunimi ushtarak, Turqia ka kërcënuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës që t’i mbyllë një nga “portat” më të rëndësishme në Lindjen e Mesme: Bazën e Incirlikut.
Në një intervistë televizive, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka paralajmëruar SHBA-në se Ankaraja mund të mbyllë dy baza ushtarake ku janë të vendosura trupat amerikane.
Të dyja këto baza kanë një rëndësi të jashtëzakonshme strategjike për Pentagonin, pasi i ofrojnë qasje në Lindjen e Mesme, por edhe Mesdhe.
Paralajmërimi i Erdogan erdhi pas rezolutës së Senatit Amerikan për njohjen e gjenocidit armen në 1915.

Obama do që bota të drejtohet nga gratë: Problemet vijnë nga burrat!
“Nëse gratë do ta udhëhiqnin botën do të kishim përmirësim të përgjithshëm të standardit të jetës dhe të të ardhurave”.
Ish-presidenti amerikan Barack Obama është i bindur se gratë duhet të vihen në krye të shumë vendeve, sidomos atyre të botës së tretë, për të sjellë më shumë zhvillim dhe më pak pabarazi.
Duke folur në Singapor, ai tha se gratë nuk janë të përsosura, por janë “pa padiskutim më të zonja” se burrat. Për Obamën, shumica e problemeve të botës vijnë nga burrat, që mbajnë prej vitesh pushtetin.
Ish-presidenti i 44-t i SHBA-ve foli edhe për polarizimin politik dhe përdorimin e mediave sociale për të shpërndarë gënjeshtra.
Kur u pyet se a do ta konsideronte një rikthim në lidershipin politik, presidenti u përgjigj se besonte se shumë liderë duhej të ishin tërhequr me kohë. “Është e rëndësishme që liderët politikë t’i kujtojnë vetes se janë në pushtet për të shërbyer dhe nuk janë aty për gjithë jetën”, shtoi më tej ai.

Gjeniut 9-vjeçar iu refuzua diplomimi para ditëlindjes, prindërit e heqin nga universiteti
Universiteti i Eindhovenit në Holandë refuzoi që të diplomojë 9-vjeçarin Laurent Simons para datës 26 dhjetor të këtij viti, duke bërë që prindërit e vogëlushit të marrin vendimin drastik duke e tërhequr djalin e tyre nga ky universitet. Synimi i prindërve ishte që djali i tyre të merrte diplomën “Bachelor” në inxhinieri elektrike para kësaj date, për t’u bërë njeriu i parë në botë që merr një diplomë universitare nën moshën 10-vjeçare. Por, drejtuesit e universitetit thanë se kjo ishte e pamundur, pasi Laurent kishte shumë provime përpara. Si afat, universiteti u kishte propozuar mesin e vitit të ardhshëm, ofertë që u refuzua nga prindërit e vogëlushit.

Shorti i Championsit/ Guardiola kundër Realit, me fat Juve, Bajerni e Barcelona
Është hedhur në Nion shorti për fazën e 1/8-ve të Champions League, ku goglat kanë sjellë përplasje interesante. Ndër sfidat më të forta është pa dyshim ajo mes Real Madridit dhe Mançester Sitit. Për katalanasin Pep Guardiola është një derbi dhe do të bëjë ç’është e mundur për të nxjerrë nga gara një ekip ekspert Championsi si Reali. Kampionët në fuqi të Liverpulit do të ndeshen me Atletiko Madridin. Me fat janë Juventusi, Barcelona dhe Bajerni, që ndeshen përkëtësisht me Lionin, Napolin dhe Çelsin. Për Juventusin kalimi i turit mund të konsiderohet formalitet, pasi Lioni ëhstë shumë më poshtë. Edhe kundërshtari i Barcelonës, Napoli i Hysajt, këtë sezon ka vështirësi të mëdha. Bajern-Çelsi do të ishte një kryesfidë, nëse londinezët do të ishin në kushte normale, por ndalimi i merkatos i ka penalizuar shumë dhe këtë sezon. Me fat edhe Atalanta e Berat Gjimshitit, që do të ndeshet me Valencian, një nga kundërshtarët më të lehtë në këtë fazë të Championsit. PSG-ja do të përballet me Borusia Dortmundin, kurse Totenhemi me Lajpcigun.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë