Podcast

Audio-Lajme shkurt 15 tetor 2019

Negociatat, Rama: Ne i bëmë detyrat, por Franca…
Pritshmëritë e kryeministrit Edi Rama që Bashkimi Europian do të hapë negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë më 18 tetor janë të ulta, por jo të zbehta plotësisht. Përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Rama “fajësoi” presidentin francez, Emmanuel Macron për këtë. Kryeministri thotë se ky qëndrim francez nuk duhet nënkuptuar si qasje kundër Shqipërisë, por si pasojë e përplasjeve të brendshme të BE-së mbi prioritetet që duhet të ketë. Rama është i bindur se Shqipëria jo vetëm që ka realizuar detyrat e vendosura nga BE, por ka shkuar përtej dhe kjo, sipas kryeministrit, shprehet qartë në rekomandimin pa kushte të Komisionit për hapjen e negociatave.

“Kokëfortësia” e Holandës për negociatat: Jo Shqipërisë, po Maqedonisë së Veriut
Ministri i Jashtëm holandez, Stef Blok hyri në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian me bindjen e qeverisë që përfaqëson se Shqipëria duhet ndarë nga Maqedonia e Veriut sa i takon çështjes së hapjes së negociatave. Ai tha se Holanda i qëndron mendimit se çdo vend duhet të gjykohet mbi meritat vetjake. "Si Shqipëria, ashtu edhe Maqedonia e Veriut kanë bërë shumë përpjekje. Sa i takon Maqedonisë së Veriut ne mendojmë se ka një ligj të rëndësishëm që duhet të adoptohet, që është ligji për pavarësinë e prokurorisë dhe mendojmë që sapo të miratohet negociatat duhet të hapen. Për Shqipërinë, mendojmë se duhet ende të tregojë më shumë progres”, deklaroi kryediplomati holandez.

Francezët kapen edhe me Kosovën: T’i hiqet Serbisë kushti i normalizimit të marrëdhënieve
Eurodeputetja franceze e ekstremistëve të “Frontit të Djathtë”, Julie Lechanteux, përmes një letre dërguar Komisionit Europian kërkon të dijë nëse kushti i vendosur për Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën në këmbim të anëtarësimit në Bashkimin Europian qëndron ende në fuqi, apo jo. Në përgjigjen që Komisioni i ka kthyer përmes vetë Komisionerit të Zgjerimit, Johannes Hahn, konfirmohet qëndrimi se normalizimi i marrëdhënieve është kusht si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë në mënyrë që të dyja vendet të vazhdojnë avancimin në rrugën e integrimit europian.

Opozita e re në Parlament ndahet në pro e kundër Rudina Hajdarit
Opozita e re në Parlament përçahet duke u ndarë në pro e kundër deputetes demokrate Rudina Hajdari. Deputeti Korab Lita deklaroi se sot Hajdarit i është kërkuar dorëheqja si kryetare e grupit të opozitës dhe se për këtë, sipas tij, ajo ka rënë dakord. Ndërsa vetë Hajdari e mohoi atë, duke paralajmëruar se nesër do të japë një konferencë për shtyp. Demokratja pritet të dalë së bashku me deputetët mbështetës brenda këtij grupimi, duke bërë që pesë deputetë të jenë kundër dhe katër pro.

Gjobë mësuesve që nuk raportojnë fëmijët që shikojnë faqe të dëmshme në internet
Një udhëzim i përbashkët i Ministrisë së Arsimit dhe i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ngarkon me përgjegjësi ligjore mësuesit e institucioneve arsimore parauniversitare publike dhe private, që të raportojnë të gjitha rastet kur vërejnë se fëmijët lundrojnë në internet në faqe me përmbajtje të paligjshme, ose të dëmshme për moshën e tyre. Me “përmbajtje e paligjshme” udhëzimi nënkupton faqet pornografike, apo materialet e tjera të dhunshme që qarkullojnë edhe nëpër rrjetet sociale.

Korçë, alarm i rremë për bombë në makinën e gjyqtarit Markelian Kuqo
Gjyqtari i Korçës, Markelian Kuqo është kërcënuar sot nëpërmjet një telefonate, nga dikush që e njoftonte se makinës së tij i ishte vendosur bombë. Pas kontrollit të automjetit të gjyqtarit Kuqo nga ana e policisë nuk është gjetur asgjë. Mësohet se telefonata është bërë nga burgu i Drenovës, ndërsa thuhet se bëhet fjalë për një person me probleme të shëndetit mendor. Nga verifikimet e grupit hetimor nuk rezulton të këtë rrezikshmëri për gjyqtarin, pasi bëhet fjalë për një alarm të rremë. Policia ka sekuestruar kartat e telefonit.

Vrau çiftin në 1999 për një grusht dhrahmi, kapet pas 20 vitesh autori
Arratia e autorit të vrasjes së një çifti në fshatin Mbrostar të Fierit në vitin 1999 ka marrë fund pas 20 vitesh. 43-vjeçari Viktor Pelivani është ekstraduar nga Austria, pasi ndaj tij gjykatat kanë vendosur dënimin me burg përjetë për grabitjen me pasojë vrasjen e bashkëshortëve Bajram dhe Natasha Driza, 45 dhe 36 vjeç. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së 7 gushtit të vitit 1999. Bajram Driza sapo ishte kthyer nga Greqia për të festuar emrin e djalit të porsalindur. Festa u kthye në tragjedi, kur Viktor Pelivani, në bashkëpunim me Jurgen Baçjan dhe Feta Kaja kanë hyrë në banesë për t’i grabitur. Ata kanë vrarë me armë zjarri çiftin e bashkëshortëve dhe e gjitha për t’u marrë një shumë të vogël parash që i ndjeri kishte siguruar nga puna si emigrant në Greqi.

“Dhoma” bosh në burgje! Problematikë telefonat dhe lëndët narkotike
Mbipopullimi nuk është më problem në burgje, megjithëse në krahasim me 2018 ka një rritje të numrit të personave të dënuar, apo në paraburgim. Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Agim Ismaili doli para Komisionit të Sigurisë në Parlament, ku shpjegoi se si arriti të krijojë vende bosh. Ai tha se gjatë vitit 2019 në burgjet shqiptare ka rreth 5500 të burgosur dhe se është investuar tek burgjet ekzistuese dhe janë ndërtuar disa burgje të reja, që e bëjnë problemin e mbipopullimit të burgjeve një problem që i përket të shkuarës. Aktualisht ka rreth 5500 të burgosur, ose rreth 200 të burgosur më shumë se në vitin 2018. Por, pavarësisht kësaj, hapja në gusht të vitit të kaluar e burgut të Reçit në Shkodër, me kapacitet prej 780 të dënuarish e ka normalizuar situatën.

Festimi ushtarak, gjithë bota kundër Turqisë dhe Shqipëria që shpreson
Turqia po luan me “zjarrin”. Festa me sfond ushtarak pas golit ndaj Shqipërisë në minutën e fundit dhe përsëritja e saj në Francë ka sjellë një zemërim të thellë në mbarë botën. Reagimet janë të gjithanshme, sportive dhe politike. Autoritetet franceze kanë kërkuar nga UEFA një dënim ekzemplar për kombëtaren turke të futbollit që mbështet presidentin Erdogan për sulmet ndaj kurdëve në Siri. Edhe shumë vende të tjera e personazhe të njohur të sportit dhe politikës kanë dalë kundër Turqisë. Nga kjo situatë mund të përfitojë Shqipëria. UEFA mund ta përjashtojë Turqinë, nëse Erdogan nuk tërhiqet nga sulmet në Siri. Është një situatë e ngjashme me atë të ish-Jugosllavisë në vitin 1992, kur ajo, pikërisht për shkak të sulmeve në Bosnjë, u përjashtua nga Europiani dhe vendin e saj e zuri Danimarka. Kuqezinjtë kanë një arsye më shumë për të luftuar fort për vendin e tretë në Grupin H. Mund të përfitojnë për të shkuar në Europian, nëse përjashtohet Turqia. Dy ndeshjet e mbetura për Shqipërinë janë ato me Andorrën dhe Francën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë