Podcast

Audio-Lajme shkurt 15 janar 2020

Garancia e paktit me Ramën? Basha: U rikthehemi protestave

Lulzim Basha nuk i beson Edi Ramës dhe si garanci që marrëveshja e arritur së fundmi për reformën zgjedhor janë qytetarët dhe faktori ndërkombëtar. Basha e paralajmëroi rivalin e tij politik se çdo përpjekje për të zvarritur dhe sabotuar marrëveshjen do të ketë përballë qytetarët duke nënkuptuar protesta. Vetë Basha doli garant se procesi i nisur në tryezë me socialistët ka për qëllim rikthimin e votës së lirë. Basha iu përgjigj zërave kritikë që e lidhin marrëveshjen me gjyqin ndaj tij për çështjen e lobimit në SHBA dhe që akuzojnë se me këtë marrëveshje PD “rehabilitoi” Damian Gjiknurin. Të parëve nuk iu përgjigj, të dytëve u premtoi se nuk ka amnisti as për Gjiknurin dhe as për emra të tjerë që PD ka denoncuar në të shkuarën. Kreu i PD-së nuk ndjehet i detyruar në uljen në tryezë, por detyrimin e pason tek mazhoranca për shkak të presionit ndërkombëtar. Fitoren e opozitës në këtë marrëveshje e sheh tek vendosja e tre kushteve; që reforma nuk diktohet nga Qeveria, vendimet do të jenë me konsensus, parlamenti vetëm do të noterizojë formalisht marrëveshjet e tryezës politike.

Dosja “Tërmeti”, 32 të arrestuar në Tiranë, falsifikuan dokumentet

Pas arrestimeve për pasojat e tërmetit të 26 nëntorit, Prokuroria e Tiranës tha se deri më tani janë arrestuar 32 zyrtarë, ish-zyrtarë dhe ndërtues, që janë përgjegjës për shkatërrimin e shumë banesave në Tiranë.

Gjatë fjalës së saj, prokurorja e Tiranës, Elizabeta Imeraj, tha se pas ekspertimeve përkatëse janë identifikuar autorët që deri kanë shkuar në 31.

“Janë 25 godina të institucioneve të dëmtuara në Tiranë. 125 pallate të pabanueshme dhe 200 banesa private”, tha ajo.

Ndërkohë prokurori i çështjes, Erion Imeraj, tha se subjektet nën hetim kanë pasur funksione publike. Erjon Imeraj thotë se funksionarët publikë kanë dhënë leje ndërtimi në kundërshtim me ligjin, kurse drejtuesit teknikë dhe ligjorë janë disa, duke nisur nga aktet e kolaudimit te leja e shfrytëzimit të objektit, të cilat mungojnë në disa dosje të banesave të dëmtuara.

Opozita parlamentare kërkon ndryshimin e sistemit

Grupi parlamentar “Demokrat” ka zhvilluar një mbledhje, një ditë pas bërjes publike të paktit për PD-PS-LSI për të realizuar reformën zgjedhore brenda 15 marsit. Deputeti i këtij grupimi, Korab Lita deklaroi pas mbledhjes se opozita parlamentare nuk do të heqë dorë nga ndryshimi i sistemit zgjedhor dhe ky pritet të jetë kusht për votimin e ndryshimit të Kodit. Sakaq Këshilli politik i miratuar me konsensus nga tryeza 14 janarit pritet të mblidhet nesër pasdite.

PD: Rama nuk prek milionat e oligarkëve, heq investimet për shkollat dhe spitalet

Partia Demokratike vijon me akuzat ndaj qeverisë Rama lidhur me menaxhimin e parave publike.

Drejtori i kabinetit të Partisë Demokratike, Dorian Teliti në një dalje për mediat tha se paratë e buxhetit të shtetit të planifikuara për koncesionet dhe oligarkët janë të paprekshme.

Janë plot 150 milionë dollarë që janë parashikuar për PPP-të e miqve të qeverisë që nuk preken nga buxheti, pavarësisht situatës së emergjencës dhe nevojës për rimëkëmbje pas dëmeve të tërmetit, ku me mijëra qytetarë vazhdojnë të enden nëpër çadra dhe të pashpresë”, u shpreh Teliti.

Teliti tha se këto para nuk shkojnë për shkollat dhe spitalet për rikuperimin e dëmeve pas tërmetit.

Ngrica në Korçë, 5 qytetarë paraqiten në spital me fraktura

Qyteti i Korçës është zgjuar mëngjesin e kësaj të mërkure me prani të akullit në rrugë dhe trotuare. Një situatë e vështirë që ka krijuar edhe probleme te nxënësit e shkollave dhe tek automjetet.

Policia thotë se ka pasur edhe disa përplasje të lehta mjetesh me dëme materiale.

Deri tani raportohet për 3 aksidente me dëme materiale për shkak të akullit në rrugë.

Ndërkohë, 5 qytetarë janë paraqitur në spital me fraktura si pasojë e rrëzimit në akull.

Fundi i negociatave? LDK rrit tonet: VV po kërkon të na poshtërojë

Lidhja Demokratike e Kosovës duket se nuk do të rikthehet në tryezën e bisedimeve për formimin e qeverisë, nëse Albin Kurti nuk pranon të gjitha kushtet e saj. Ndërkohë që janë në një garë kundër kohës për lidhjen e koalicionit, LDK-ja ka ashpërsuar tonet kundër Vetëvendosjes.

Sinjali ka ardhur nga nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, i cili i ka cilësuar propozimin e fundit të Vetëvendosjesn për ndarjen e re të ministrive si një përpjekje për ta shkëputur LDK-në nga “trashëgimia rugoviane”.

Sipas Veliut, një nga figurat më të rëndësishme të LDK-së, veprimet e fundit të Lëvizjes Vetëvendosje nuk janë përpjekje serioze për arritjen e marrëveshjes qeveritare, por për të poshtëruar LDK-në.“E tëra jo është një përpjekje e VV-së për pushtet absolut dhe për ta nënçmuar LDK-në, dhe për të na nëpërkëmbur dinjitetin”, tha Veliu në një postim në Facebook.

Edhe pse të gjithë prisnin që LDK-ja të zbuste qëndrim pas propozimit të ofruar nga Kurti të martën, Veliu ka paralajmëruar se arritja e koalicionit do të jetë tejet e vështirë.

UEFA shpall ekipin e vitit, gjysma e Liverpulit dhe asnjë lojtar i Realit

Pas më shumë se 2 milionë votash në sitin “Uefa.com” nga tifozët, është shpallur 11-shja më e mirë e vitit 2019. Patjetër që bëjnë pjesë në të Mesi dhe Kristiano Ronaldo, ky i fundit për herë të 14-të radhazi. Bie në sy fakti se Liverpuli kampion i Europës përfaqësohet me 5 lojtarë, thuajse me gjysmën e formacionit, ndërsa këtë herë Real Madridi nuk ka asnjë lojtar mes 11 më të mirëve. 50 kandidatët janë përzgjedhur nga redaksia e “Uefa.com”, në bazë të paraqitjes së lojtarëve nga janari në dhjetor të 2019-ës. Skuadra e vitit 2019, sipas “Uefa.com”, luan me skemën 4-3-3, ky është moduli më i përdorur nga tifozët gjatë votimit. Ajo përbëhet nga: Alison (Liverpul, Brazil), Trent Aleksandër-Arnold (Liverpul, Angli), Virxhil van Dijk (Liverpul, Holandë), Mathijs de Ligt (Ajaks-Juventus, Holandë), Andi Robertson (Liverpul, Skoci), Kevin De Bryne (Mançester Siti, Belgjikë), Frenki de Jong (Ajaks-Barcelona, Holandë), Lionel Mesi (Barcelonë, Argjentinë), Robert Levandovski (Bajern Mynih, Poloni), Kristiano Ronaldo (Juventus, Portugali), Sadio Mane (Liverpul, Senegal). Alison, Aleksandër-Arnold, De Ligt, Robertson, De Jong, Levandovski dhe Mane bëjnë pjesë për herë të parë në skuadrën e vitit.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë