Podcast

Audio-Lajme shkurt 10 Prill 2019

Familjarët në morg e konfirmojnë: Trupi është i Admir Muratajt

Admir Murataj është personi i vrarë dje gjatë grabitjes së miliona eurove në Aeroportin e Rinasit. Konfirmimi i u bë nga bashkëshortja dhe i vëllai, që shkuan pranë morgut në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”.

Shoqata e Bankave: Përgjegjësia, e aeroportit

Shoqata e Bankave ka dënuar grabitjen e 10 milionë eurove të martën e 9 prillit në Aeroportin e Rinasit.

Kreu i Shoqatës së Bankave, Spiro Brumbulli, thekson se një ngjarja në fjalë është tepër e rëndë dhe përtej imagjinatës, duke vënë në rrezik edhe sigurinë e qytetarëve.

Brumbulli shtoi se përgjegjësia i takon Aeroportit të Rinasit, pasi sipas tij hyrja me makinë deri tek avioni tregon se masat lënë për të dëshiruar.

“Austrian Airlines”: Nuk transferojmë më para nga Rinasi!

Pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në aeroportin “Nënë Tereza” ku një grup i armatosur grabiti miliona euro në avionin e linjës Vjenë -Tiranë, ka reaguar edhe kompania ajrore “Austrian Airlines”.

Zëdhënësja e kompanisë së njohur austriake, Tanja Gruber, deklaroi nëpërmjet një njoftimi zyrtar se si masë sigurie do të ndërpriten të gjitha transferimet e mëtejshme të parave me Tiranën.

Grabitja në Rinas, Lleshaj: Koncesionari dështoi

24 orë pas grabitjes së parave në Aeroportin e Rinasit, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj në një konferencë për shtyp u shpreh se nuk ka funksionuar mekanizmi i sigurisë së koncesionarit.

“ Kompania kineze ka dështuar të përmbushë përgjegjësitë e saj, për sigurinë fizike”, tha ndër të tjera ministri.

Deputetët socialistë: Të rishikohet koncesioni i Aeroportit të Rinasit

Kryetarja e Komisionit të Sigurisë, Ermonela Felaj është shprehur për rishikimin e kontratës së koncesioneve, duke nënkuptuar edhe të Rinasit. “Ngjarja ishte shume e rëndë. Ajo tregoi nevojën për rishikim të koncesioneve jo vetëm në aeroportin e Rinasit por edhe në vende të tjera. Ndërsa deputetja Mimi Kodheli tha se cenimi i sigurisë kombëtare është fjalë e madhe dhe në këtë ngjarje, një cenim i tillë nuk u realizua. Edhe Deputeti i Partisë Socialiste, Paulin Sterkaj, në një prononcim për mediat, hodhi akuza për mënyrën se si operon kompania koncesionare. Ai theksoi se kompania koncesionare e Rinasit vepron me rregulla të forta për pasagjerët, në një kohë kur nuk siguron dot hapësirën e Aerodromit të Rinasit

Grabitja, Basha: Jemi në emergjencë kombëtare, t’i japim fund regjimit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha komentoi grabitjen spektakolare të një dite më parë dhe akuzoi policinë se nuk po bën detyrat e saj.  Kryedemokrati tha se policia hedh gaz lotsjellës në shtëpitë e shqiptarëve për t’i prishur ato, por grabitjet si ajo e djeshmja nuk i ndalon dot.

“Dhënia fund e këtij regjimi është sot emergjencë kombëtare”, tha Basha, i cili ftoi qyterarët që të protestojnë më 13 prill papara Kryeministrisë.

Dosjet, lista e 30 zyrtarëve si spiunë të ish-Sigurimit të Shtetit

Në Shqipëri 30 zyrtarë rezultojnë se kanë një të shkuar të errët, pasi figurojnë si bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit në kohën e regjimit komunist. Shifra del nga raporti i Autoritetit të Dosjeve i paraqitur nga kryetarja Gentiana Sula në Parlament.

Zyrtarë të lartë figurojnë në sistemin e drejtësisë, në polici, diplomaci, në SHISH dhe në disa institucioneve të tjera shtetërore.

Abuzim me tenderat, vihet nën hetim rektori i UBT

Rektori i Universitetit Bujqësor të Kamzës, Bahri Musabelliu, është vënë nën hetim nga Prokuroria e Tiranës, për abuzime me tenderat. Musabelliu e  dha sot dëshminë e tij për akuzat e ngritura. Hetimi ndaj rektorit Musabelliu ka nisur pas dyshimeve se ai ka përfituar fondet publike për rikonstruksionin e murit rrethues dhe të një porte të universitetit, për të cilat ishte lëvruar një fond prej 640 mijë dollarësh, por që një pjesë e të cilave dyshohet se janë përvetësuar.

Rregullat për plazhet: 2.5 m hapësirë nga vija e parë e çadrave të jetë publik

Qeveria ka vendosur rregulla te reja për vendosjen e çadrave te plazhit nga privatet. Subjektet që lidhin kontrata me për të marrë me qira një hapësirë në plazh për një afat nga 1 deri në 5 vite duhet të respektojnë disa kritere. Mes tyre përfshihet edhe lënia e hapësirave për pushuesit që duan plazh publik.  Hapësira nga bregu përpara brezit të parë të çadrave  do të jetë 2-7 metra dhe distancat mes çadrave ne linje vertikale me vijën e deti do te jete rreth 3 metra.      

Europiani i peshëngritjes, Beqiraj: Briken Calja u nxitua

Peshëngritësi shqiptar Briken Calja është shpallur nënkampion Europe në Batomi të Gjeorgjisë. Calja mori Medalje të Artë në shkëputje, por u ndal në të Argjendtë në shtytje dhe dygarësh. Ish-drejtuesi i Federatës së Peshëngritjes, Gudar Beqiraj, në një intervistë për Gazeta “Si”, u shpreh se Calja mori një rezultat historik, që mund të kishte qenë akoma dhe më i mirë, nëse do kishte qenë i qetë gjatë garës

 

Më Shumë