Podcast

Audio-Lajme shkurt 10 korrik 2019

Zaganjori i reziston vettingut me prova të reja: Ndonjëherë kalohen caqet
Beteja e kreut të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori me vettingun në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vijon ende. Zaganjori dorëzoi dokumentacione të reja për pasurinë e tij. “Si në seancën e datës 25, edhe sot rreth të njëjtave argumente sillen pyetjet dhe përgjigjet. Sot paraqita 10 dokumente të reja krahas atyre 23 që paraqita herën e fundit. Trupa gjykuese u tërhoq për të vlerësuar marrjen, ose jo në shqyrtim të dokumentacionit që dorëzova. Unë përpiqem të bëj më të mirën për të gjetur këto dokumente, por ndonjëherë kalohen caqet”, tha Zaganjori. Kolegji i pranoi si prova të reja dokumentacionet e dorëzuara nga Zaganjori dhe vendosi që më 17 korrik të mbajë seancën e radhës me vendimin përfundimtar sa i takon fatit të kreut të Gjykatës së Lartë në sistemin e drejtësisë.

Brenda shtatorit nis plotësimi i Gjykatës së Lartë
Këshilli i Lartë Gjyqësor parashikon që brenda muajit shtator të nisë plotësimi i vendeve vakante në Gjykatën e Lartë. Naureda Llagami, kryetarja e Këshillit dha këtë afat gjatë raportimit në komisionin parlamentar të Ligjeve, e cila theksoi se procesi i vettingut ka sjellë edhe zvarritjen në shqyrtimin e dosjeve, ku vetëm në këtë Gjykatë numri i çështjeve pezull ka arritur 33 mijë.
Gjykata e Lartë ka si 19 vende bosh – sipas Llagamit – ndërsa plotësimi pritet të nisë edhe me juristët që parashikohen të jenë pjesë e këtij institucioni.

Mbrojtja civile, Rama: Masat duhen marrë në përditshmëri, jo kur vjen emergjenca
Gjatë ceremonisë për prezantimin e reformës ligjore, strukturore e organizative për mbrojtjen civile, kreu i qeverisë Edi Rama u shpreh se do të ketë një tjetër organizim, që merr parasysh përgjegjësi specifike, por edhe sanksione për shkelësit, qofshin institucione shtetërore, apo subjekte private.
Kryeministri u shpreh se “me këtë ligj ka arsye të jemi optimist se kemi një shpërndarje të qartë të përgjegjësive, zinxhir të mirëpërcaktuar të roleve dhe po ashtu”. Ndër të tjera ai vuri theksin te masat që duhen marrë në përditshmëri e jo kur vjen emergjenca.
Kryeministri po ashtu u shpreh se deri më tani “kemi pasur rezultate shumë inkurajuese. Ministria e Mbrojtjes ka qenë e kujdesshme dhe me një qasje strategjike për të adresuar hap pas hapi parandalimin”.

Basha: Maxhorancën “Rama ik”, do ta kthejmë në kombëtare
Kryedemokrati Lulzim Basha vijon me kauzën e tij për të larguar kryeministrin Edi Rama.
Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, Basha u zotohet shqiptarëve se do ta kthejë këtë mazhorancë në “mazhorancën kombëtare të ndryshimit të madh”.
Ndër të tjera, Basha ndalet edhe në programin që PD ka me ardhjen në pushtet për luftën ndaj varfërisë e zhvillimin e ekonomisë.
“Qeveria që do të dalë nga zgjedhjet e lira, do të hapë menjëherë negociatat me Bashkimin Europian, do ta fusë vendin në rrugën e përparimit dhe zhvillimit. Rruga e përparimit kërkon një ekonomi të lirë dhe konkurrencë të ndershme”, shkruan Basha në “Facebook”.

Meta me Pendarovksin. Poston video me qenushin Darko: Përshëndes macen time Sasha
Gjatë pjesëmarrjes së tij në Samitin e Sarajevës, presidenti Ilir Meta ka takuar homologun e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovksi.
Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, Meta shkruan se të dy vendet duhet të bashkojnë përpjekjet për çeljen e negociatave për anëtarësim në tetor.
Po ashtu, Meta përcjell edhe një mesazh për palët politike në Shqipëri. Presidenti Meta thotë se në Shqipëri ka kaluar sot një muaj nga dekreti i tij për anulimin e 30 qershorit dhe askush nuk do të arrijë një zgjidhje gjithëpërfshirëse, që do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Por Meta poston një video të veçantë nga Jahorina e Bosnjës me të cilën ka zgjedhur të bëjë edhe një përshëndetje për gjithë ndjekësit e tij në rrjetet sociale.
Presidenti shihet së bashku me qenushin Darko. Ai thotë se mezi pret që Darko të takohet me Sashën, macen e tij të cilën e përshëndet nga Bosnja.

Pas Zaev, edhe Haradinaj “viktimë” e dy komedianëve rusë
Pas kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev, edhe kreu Kosovës, Ramush Haradinaj ka rënë pre e dy komedianëve rusë Aleksei Stoljarov dhe Vladimir Kuznetsov që janë hequr si ish-presidenti ukrainas Petro Poroshenko.
Të martën në një konferencë për shtyp Zaev ka pranuar se është mashtruar, duke treguar u kishte dhënë humoristëve rusë numrin e telefonit të kryeministrit Haradinaj.
Përgjimi i kësaj bisede nuk është publikuar ende, por burime nga kabineti i kryeministrit të Kosovës kanë bërë të ditur se edhe ai ishte mashtruar.
Pas kësaj bisede, Haradinaj bëri një gafë të madhe diplomatike, duke shkruar në “Twitter” se përkrahte Poroshenkon për zgjedhjet presidenciale në Ukrainë dhe i uronte fitoren kryeministrit të ardhshëm, Vovan Lexusov”. Por, në fakt, emri “Vovan Lexusov” është i rremë dhe është kombinim i emrave të dy komedianëve Vovan dhe Lexus.

Shkëndija fiton në Estoni, Feronikeli mban gjallë shpresat e Champions
Shkëndija arriti të marrë një fitore me shumë vlerë në ndeshjen e parë në eliminatoret e Ligës së Kampionëve përballë estonezëve të Kalju. Ka mjaftuar një gol me penallti në fundin e ndeshjes për Shkëndinë e Tetovës që të marrë fitoren e parë në këto eliminatore të Ligës së Kampionëve. Ekipi shqiptar nga Tetova, me statusin e kampionit të Maqedonisë iu imponua ekipit estonez, Kalju që në minutat e para dhe tregoi vendosmërinë për të fituar këtë ndeshje të parë. Ndërsa Feronikeli, ekipi i dytë shqiptar që zbriti në fushë në turin e parë eliminator të Ligës së Kampionëve patën shumë fat në transfertën e Uellsit me TNS, duke barazuar 2-2. Rezultat i mirë jashtë fushe jep besim për kalimin e turit, pasi do të mjaftonin edhe barazimet 0-0 apo 1-1 në ndeshjen e kthimit në Kosovë.

 

Më Shumë