Podcast

Audio-Lajme shkurt 1 tetor 2019

Letra për bankat, Basha: Mos financoni Milot-Balldren dhe Orikum-Llogara! Do keni pasoja

Partia Demokratike u ka dorëzuar një letër të gjitha bankave të nivelit të dytë ku i paralajmëron për pasojat ligjore që mund të kenë nëse në rast se do të zgjedhin që të kreditojnë kompani, që sipas opozitës kanë fituar përmes korrupsionit projekte sipas skemës së partneritetit publik-privat. Letra flet me emra konkretë dhe dy projektet që opozita i cilëson simbol të pastrimit të parave të pista dhe të korrupsionit të zyrtarëve të lartë shtetërorë, janë rruga Milot-Balldre dhe Orikum-Llogara, që të dyja të miratuara me ligj nga mazhoranca. Aksi i parë është fituar nga kompanitë “ANK” sh.p.k. dhe “Bardh konstruksion” sh.p.k, ndërsa aksi i dytë nga kompania “Gjikuria”.

Odiseja e 200 kg kokainë dhe pse u zëvendësua me ujë në Belgjikë

Rasti i policisë greke, që sekuestroi 137 kilogramë kokainë me destinacion Shqipërinë dhe në vend të saj vendosi pako me oriz të pajisura me përgjues dhe lokalizues (GPS), duke kërkuar që përmes “dorëzimit të kontrolluar”, policia shqiptare të arrinte tek porositësit e drogës, nuk është i pari i këtij lloji. Një skemë identike ka ndjekur në 2010 policia belge, që kishte rënë në gjurmët e një sasie prej 200 kilogramësh kokainë kolumbiane të shkrirë brenda një dërgese me vaj palme, që kishte si destinacion Shqipërinë. Belgët e zëvendësuan vajin e palmës me ujë. Në vijim të artikullit të publikuar të hënën, Gazeta “Si” solli detaje të reja nga kjo dosje, që u japin përgjigje pyetjeve se si u kontaktua nga spanjollët pala shqiptare, rrugëtimi i kontejnerit nga Belgjika në drejtim të një magazine në Gjirokastër, roli i dy kompanive shqiptare në këtë transport dhe hetimet e cunguara të prokurorisë, që për transportin e një sasie të tillë droge çoi në pranga vetëm një person, që as nuk kishte mundësinë financiare për të kryer të gjitha pagesat e transportit dhe zhdoganimit të kontejnerit.

RENEA “merr” në dorë Policinë e Durrësit

Drejtori i Policisë së Qarkut të Durrësit, Alfred Çepe është shkarkuar nga detyra dhe në vend të tij është emëruar Leonard Shehu, ish-komandant i forcave speciale të Repartit të Eleminim, Neutralizim të Elementit Armatosur, apo siç njihet shkurt RENEA. Alfred Çepe qëndronte në këtë post prej tre vitesh, kohë kur raporte ndërkombëtare e kanë vendosur Portin e Durrësit në drejtim të vendeve të Bashkimit Europian sasi të konsiderueshme kokaine. Zëvendësimi i tij me profilin e Lorenc Shehut, si ish-komandant i forcave RENEA, në vetvete konfirmon tërthorazi se problematika e krimit të organizuar në Durrës është bërë shqetësuese. Zyrtarisht nuk jepet motivi i këtyre lëvizjeve në kupolën e policisë së qytetit bregdetar, por ato mbërrijnë pak ditë pas operacionit për kapjen e porositësve të një sasie të konsiderueshme kokaine me prejardhje nga Ekuadori.

Lushnjë, biznesmeni ekzekutohet duke pirë kafe

Një 35-vjeçar është ekzekutuar në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte në qytetin e Lushnjës. I riu është vrarë teksa ishte duke pirë kafe në katin e dytë të një bari. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen “Skënder Libohova”. Dëshmitë e mbledhura paraprakisht nga policia pohojnë se në ekzekutim kanë marrë pjesë të paktën 3 persona. Dy prej tyre, të armatosur dhe me maska janë ngjitur në katin e dytë të lokalit, ndërsa i treti i priste me makinën ndezur në rrugë. Ekzekutorët kanë qëlluar me breshëri automatike ndaj 35-vjeçarit të identifikuar si Besmir Hida dhe pasi janë siguruar se ai ka ndërruar jetë kanë zbritur me shpejtësi duke u larguar me një mjet që i priste jashtë i ndezur. Makina është gjetur disa orë më vonë e djegur në një zonë periferike të qytetit të Lushnjës dhe bashkë me të edhe dy armë kallashnikovë dhe një pistoletë, që mendohet se janë përdorur në krim.

Shtyhet mbledhja e KLP, kërkohet kohë për të shqyrtuar kandidaturat

Është shtyrë mbledhja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, pasi është kërkuar më shumë kohë për të shqyrtuar kandidaturat për kryeprokuror. Mbledhja ka zgjatur vetëm pak minuta. Në garë për kryeprokuror janë tri kandidatura: Arta Marku, Olsian Çela dhe Fatjona Memçaj. Pas përfundimit të mbledhjes, nënkryetari i KLP-së, Alfred Balla u shpreh se shtyrja është një procedurë normale ndërkohë që deklaroi se tashmë janë drejt përfundimit edhe procedurat e ankimimit për kandidatët e SPAK, dhe do të jetë këshilli që do të vendosë nëse ai do të jetë funksionalë me më pak se 10 anëtarë.

Gjermania nuk do të ndërhyjë për krizën

Peter Zingraf, ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, deklaron se Gjermania nuk do të ndërmjetësojë për zgjidhjen e krizës dhe fton që kjo çështje të zgjidhjet vetë ndërmjet partive dhe institucioneve shqiptare. Në një konferencë për shtyp Zingraf duke vlerësuar tryezën e parë për reformën zgjedhore theksoi se Gjermania ka dhënë mbështetjen e saj me atë ekspertëve. Sa u përket kushteve të vendosura nga Bundestagu, ambasadori gjerman u shpreh se kushtet e vendosura nuk janë të reja, pasi kanë ekzistuar edhe më parë.

Shkupi: Franca do të na mbështesë për hapjen e negociatave

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov shprehu shpresën e tij që Franca do të aprovojë fillimin e negociatave të pranimit me Shkupin në tetor. Pavarësisht rezervave të shprehura nga Franca, Dimitrov theksoi se ai ishte “inkurajuar” pas takimit me zyrtarët e lartë francezë në Paris këtë muaj. Kreu i diplomacisë maqedonase deklaroi madje se do të ishte e pabesueshme për të që Presidenti francez Emmanuel Macron mos të mbështeste fillimin e hapjes së negociatave.

Burg amerikanit për foton Rama-Obama në vitin 2012

Çështja e fotos së famshme mes Edi Ramës si kryetar i PS dhe presidentit amerikan Barack Obama 7 vite më parë është rikthyer sërish sot në vëmendjen e publikut, pas dënimit të një shtetasi amerikan. William Argeros është dënuar me 4 muaj burg, pasi ka pranuar se në emër të tij janë depozituar në vitin 2012 plot 80 mijë dollarë në arkën e Barack Obamës, gjatë fushatës së këtij të fundit për një mandat të dytë presidencial. Lajmi është bërë i ditur nga “Zëri i Amerikës”, i cili shkruan se paratë në fakt ishin depozituar si kontribut për Obamën, që ky i fundit të realizonte një foto me Edi Ramën, në atë kohë kandidat për kryeministër i Shqipërisë. Ligji amerikan u ndalon shtetasve të huaj të japin kontribute për kandidatët federalë. Avokati John Azzarello, duke përfaqësuar zotin Argeros, tha se klienti i tij po vepronte në emër të një kandidati për postin e kryeministrit në Shqipëri, i cili dëshironte një foto të realizuar me zotin Obama. Avokati Azzarello tha se kandidati ishte Edi Rama, i cili aktualisht është kryeministër i Shqipërisë. Kur akuzat u publikuan në vitin 2016, zyra e zotit Rama mohoi të ishte burim i kontributeve.

Dhuna masive në derbi, Tirana pezullon drejtorin e stadiumit

Drejtori i stadiumit “Selman Stërmasi”, Ksenofon Haskoçela, është pezulluar nga detyra. Vendimi është marrë nga drejtuesit e klubit të Tiranës, pas dhunës masive që shpërtheu mes tifozërive të Tiranës dhe Partizanit para ndeshjes derbi të ditës së diel, ku pati edhe disa të plagosur. Haskoçela konsiderohet përgjegjës për atë çfarë ndodhi para derbit, pasi nuk kishte marrë masat e duhura për organizimin e ndeshjes pa probleme. Ajo që e rëndoi edhe më tej situatën është zbulimi i një plani të konsideruar akt terrorist i ultrasve të Tiranës, të cilët kishin hapur disa gropa pranë tribunës ku ishin vendosur tifozët dhe i kishin mbushur ato me lëndë plasëse. Një plan që u zbulua në momentin e përleshjes së tifozëve të dy skuadrave para se të niste ndeshja. Sherri masiv ndodhi pikërisht në vendin ku ishin hapur gropat. Drejtori i stadiumit “Selman Stërmasi”, Ksenofon Haskoçela, nuk është një personazh i panjohur, veçanërisht për tifozët e Partizanit. Këta të fundit e kanë akuzuar pas një derbi të majit të 2016-ës se drejtori Haskoçela kishte hedhur fishekzjarrë drejt tribunës ku ata ishin vendosur.

Shi dhe stuhi, tetori do të ulë temperaturat

Muaji tetor ka nisur me mot të qëndrueshëm pasi janë aktive masat ajrore të ngrohta mesdhetare, duke regjistruar temperatura të larta deri në 30 gradë celsius. Ditën e mërkurë gradualisht do të ndryshojnë kushtet atmosferike, moti do të nise me kthjellime, pasdite vranësirat do të shtohen duke u pasuar nga reshje të pakta shiu në Veri-Perëndim. Ndërsa, ditën e enjte vendi do të përfshihet nga kalimi i një fronti të ftohte i cili do të shoqërohet me reshje shiu intensive dhe stuhi. Temperaturat do të jenë me rënie të konsiderueshme.

Zonat malore 12-18 grade celsius.

Zona e ulëta 16-23 grade celsius.

Zonat bregdetare 18-23 grade celsius.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë