Podcast

Audio-Lajme 9 Maj 2019

Samiti në Tiranë, tre presidentë thirrje BE për anëtarësimin e Ballkanit
Bashkimi Europian duhet t’i hapë dyert vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ky ishte apeli i lëshuar sot pas samitit të udhëheqësve të Procesit të Brdo-Brijunit i zhvilluar në Tiranë. Presidentët e Kroacisë, Polonisë dhe Sllovenisë u shprehën sot njëzëri mbi rëndësinë që BE-ja, edhe pas zgjedhjeve evropiane, duhet t’u kushtojë zgjerimit dhe politikës së dyerve të hapura.
Presidenti slloven, Borut Pahor deklaroi se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit duhet të trajtohet nga BE si një çështje sui gjeneris.
Në këtë samit merrnin ku merrnin pjesë presidentët e Serbisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës u vu theksi te stabiliteti i rajonit të Ballkanit dhe nevoja e arritjes së marrëveshjeje mes Prishtinës dhe Beogradit. Presidenti Meta theksoi se duhet të punohet për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë në Ballkan, duke shtuar se Shqipëria do të mbështesë përpjekjet e institucioneve të Kosovës për t’u riangazhuar në dialogun me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.


Thaçi: Taksa do të qëndrojë në fuqi, shpresë te samiti i Parisit

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka folur për mediat pas takimit të Brdo-Brijunit theksoi se samiti i Berlinit nuk kishte koordinim me SHBA. Ai tha se taksa e Kosovës ndaj Serbisë mbetet në fuqi dhe se në samitin e Berlinit kishte kërkuar liberalizimin e vizave.
“Dialogu me Serbinë të vazhdojë pa asnjë presioni. Taksa me Serbinë mbetet në fuqi. Duhet të punojmë për paqen dhe stabilitetin në rajon. Krijimi i asociacionit të komunave serbe në Kosovë e papranueshme dhe nuk mund të ndodhë. Taksa me Serbinë ishte një vendim i ligjshëm dhe do mbetet në fuqi. I tmerruar kur u informova që në Berlin nuk kanë qenë të informuar dhe të koordinuar organizatorët me Uashingtonin. Pa rolin e Uashingtonit nuk mund te ketë dialog dhe as marrëveshje”, deklaroi Thaçi.

Sondazhi, fuqizohen euroskeptikët

Nëse zgjedhjet për Parlamentin Europian do të zhvilloheshin sot, partitë tradicionale europiane do të konfirmoheshin si forcat kryesore, por me një rënie të fortë në krahasim me zgjedhjet e kaluara, ndërkohë që ka një fuqizim të ndjeshëm të qendrës, por edhe të forcave euroskeptike. Një sondazh i publikuar së fundmi nga “Politico” jep një panoramë të përafërt mbi përbërjen e Parlamentit Europian në vjeshtën që po vjen. Të djathtët dhe të majtët tradicionalë, dy grupimet më të mëdha kanë mbështetur gjithmonë procesin e zgjerimit. Linja pro zgjerimit e tyre nuk parashikohet që të ndryshojë, por ajo që ndryshon, sipas këtij sondazhi, është numri i kartonëve. Dy grupimet parashikohet që të humbasin terren, duke mos siguruar dot shumicën në Parlamentin me 751 anëtarë. Rritje parashikohet edhe për euroskeptikët dhe populistët e udhëhequr nga Salvini.

Mbërrin në Shqipëri trupi i Zarife Hasanajt. Shpallet “Dëshmore e Atdheut”
Ka mbërritur në Shqipëri trupi i pajetë i nëntetares 32-vjeçare Zarife Hasanaj, që humbi jetën mëngjesin e 6 majit gjatë një misioni të NATO-s në Letoni.
Gjatë paradites në bazën Camp Adazi në Letoni u organizua ceremonia e lamtumirës me pjesëmarrjen e efektivëve nga 10 vendet, pjesë e misionit “Enhanced Forward Presence”.
Ndërkohë, pas kthimit nga Letonia ku u mbajtën ceremoni nderimi për ushtaraken shqiptare të rënë në krye të detyrës gjatë misionit, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka vizitoi familjen e nëntetares Hasanaj, në Babrru. Ministrja ka ngushëlluar familjarët, duke u ofruar mbështetjen e saj për çdo nevojë.
Po ashtu, nëntetarja Zarife Hasanaj është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Lajmin ministrja e Mbrojtjes ua dha personalisht familjarëve të ushtarakes.

Lleshaj mbledh Task-Forcën: S’ka shans të pengohen zgjedhjet
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, gjatë mbledhjes me anëtarët e Task Forcës Qendrore, prefektë, drejtorë të policisë, atyre të Kufirit dhe përfaqësues nga Task Forcat Vendore deklaroi se prefektët dhe Policia e Shtetit në çdo qark kanë detyrë mbarëvajtjen për organizimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.
Sa i përket paralajmërimit të opozitës për bllokimin e procesit, u shpreh se një gjë e tillë nuk ka asnjë shans që të ndodhë.
Ministri po ashtu ka folur për masat e marra në luftën kundër kultivimit të kanabisit në territorin e vendit tonë. Lleshaj u ka dhënë ultimatum të gjithë zyrtarëve të lartë të policisë datën 15 qershor për eliminimin e kanabisit në gjithë territorin e vendit. Ai tha se nëse deri në 15 qershor çdo bimë e kapur është detyrë dhe meritë e tyre, pas kësaj date, çdo gjë e kapur është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e tyre.

Partia e maqedonasve me një deputet në parlamentin shqiptar
Vasil Stejrovski, sekretari i përgjithshëm i partisë së vetme maqedonase në Shqipëri, Aleanca Maqedonase për Integrim Europian do të jetë deputet në Parlamentin e Shqipërisë.
Stejrovski ka plotësuar formularin e Dekriminalizimit dhe e ka depozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura në qershor të vitit 2017, kjo parti politike ishte pjesë e koalicionit zgjedhor të kryesuara nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Sterjovski ishte i pesti në listën e kandidatëve të LSI-së për qarkun e Korçës. Ai do të zërë vendin e deputetit të LSI-së, Edmond Panariti, si i vetmi fitues në listën e LSI-së në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 në Korçë.

Basha me të rinjtë në Pogradec: Rama, frikë nga të shkolluarit
Kryedemokrati Lulzim Basha ka vijuar turin e takimeve në qytetin e Pogradecit për të sensibilizuar qytetarët për të marrë pjesë në protestën e 11 majit përpara Kryeministrisë.
Në një takim me të rinjtë, Basha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për gjendjen e të rinjve në vend. Ai tha se Rama mban pranë vetes injorantë e kriminelë sepse ka frikë nga të aftit.
Në fjalën e tij, Basha tha se tubimi kombëtar i 11 majit ka për qellim të çlirojë Shqipërinë nga krimi dhe nga oligarkët që qëndrojnë pranë kryeministrit.
Para të rinjve, ai shpalosi edhe programin e Partisë Demokratike, duke thënë se do të ketë dyfishim të buxhetit për arsim dhe sipas tij për të gjitha prioritetet kombëtare.

Kolegji rrëzon ankimimin, “Bindja” merr pjesë në zgjedhje
Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar padinë e Partisë Bashkimi Demokrat për të çregjistruar nga zgjedhjet e 30 qershorit Partinë Bindja Demokratike.
Seanca u mbajt sot në Kolegjin Zgjedhor, me anëtarë Tomor Skerli, Artur Malaj, Lindita Sinanaj, Astrit Kalaja, Ridvan Hado dhe rrëzimi është bërë për shkak të moslegjitimitetit të padisë.
Bashkimi Demokratik Shqiptar, parti aleate e PD-së, me kryetar Ylber Valterin depozitoi më 1 maj në Kolegjin Zgjedhor ankimin për çregjistrimin e Bindja Demokratike, duke argumentuar se vendimi i KQZ-së ishte marrë në kundërshtim me ligjin, pikërisht me nenin 64 të Kodit Zgjedhor.


Të shtunën ka diell, të dielën rikthehen reshjet e shiut
Duke nisur nga dita e sotme, i gjithë vendi ynë do të ndikohet nga masa ajri të paqëndrueshme, të cilat do kthejnë reshjet e shiut. Ditën e shtunë pritet një përmirësim i përkohshëm i motit dhe rritje e temperaturave. Ndërsa duke nisur nga dita e diel i gjithë vendi do të përfshihet nga kalimi i një tjetër fronti të ftohtë, i cili do të sjellë reshje shiu intensive. Aktiviteti kryesor do të jetë në Jug të vendit në orët e para të mëngjesit të ditës së hënë.
Në Alpe do të ketë reshje bore. Temperaturat do të zbresin ndjeshëm. Zonat malore do të jenë 4/13 gradë, zona e ulët 9/17, zona bregdetare 9/16 gradë celsius.

Finale angleze, Totenhami sfidon Liverpulin në Champions League
Do të jetë Liverpul-Totenham, finalja e Ligës së Kampionëve për edicionin 2018-2019. Pas ekipit të Klop edhe “gjelat” kanë bërë mrekullinë, duke përmbysur humbjen e parë në shtëpi me Ajaksin dhe triumfuan në Amsterdam, 2-3. Ndeshja e zhvilluar në “Johan Krojf Arena” nga minuta e parë deri në fund ishte e mbushur me nota të forta dramatike. Ajaksi ishte me një këmbë në finale kur e çoi rezultatin e ndeshjes në 2-0, por Totenhami nuk u dorëzua dhe besoi deri në fund. Dhe pikërisht në aksionin final, në sekondën e fundin të ndeshjes erdhi goli i Lukas Moura, që me tripletën e tij të parë në Champions, çoi për herë të parë në histori në finale Totenhamin. Finalja e madhe e Ligës së Kampionëve në stadiumin “Wanda Metropolitano” do të luhet më datë 1 qershor.

 

Më Shumë