Podcast

Audio-Lajme 8 qershor 2019

Paralajmërimi i fortë i SHBA: Nëse ka dhunë, Basha dhe Kryemadhi do të jenë përgjegjës
Vetëm pak orë para protestës së tetë kombëtare të opozitës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës përcjellin mesazhe të drejtpërdrejta për liderët e opozitës, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi. Matthew Palmer, zëvendësndihmës-Sekretar i Shtetit deklaroi se nëse në protestat e ardhshme ka akte dhune, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi do të jenë përgjegjësit.
“Dua të jem shumë i qartë me Z. Basha, Znj. Kryemadhi dhe të tjerë në partitë e tyre: nëse në protestat e ardhshme ka akte dhune, për ne ata do të jenë përgjegjësit. Demonstratat e dhunshme po dëmtojnë përpjekjet e Shqipërisë për reforma demokratike si dhe perspektivën e vendit për të ecur përpara në rrugën drejt BE”, shprehet Palmer.
Lidhur me zgjedhjet, Palmer theksoi se do të ketë vëzhgues nga SHBA për të vëzhguar 30 qershorin. Sipas tij, kjo është pjesë e normale e punës së tyre dhe që është operuar në Shqipëri prej vitit 1992.
Paralajmërimi i fortë i zyrtarit të DASH ka ardhur edhe sa i përket qëndrimit të opozitës për të prishur zgjedhjet e 30 qershorit, duke i kujtuar se mund të ndëshkohen duke ia hequr vizat.

Policia: Kemi informacione shqetësuese. Largoni njerëzit me maska
Lidhur me protestën e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, zv.drejtorja e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj, në një deklaratë për mediat u shpreh se janë marrë të gjitha masat për të garantuar lirinë demokratike të tubimit. Është hera e parë që në një nga protestat e opozitës, Policia e Shtetit del me deklaratë pak orë para tubimit.
Zv.drejtorja e Përgjithshme, ndër të tjera, shprehet se policia disponon informacione shqetësuese dhe u bën apel protestuesve dhe organizatorëve për vetëpërmbajtje dhe të mos tejkalohen kufijtë.
Hajnaj ka sjellë në vëmendje përdorimin e mjeteve piroteknike dhe rrezikun që mbartin dhe bën me dije se policia do të reagojë në çdo akt dhune.

PD reagon ndaj Policisë: Po synon përplasje e konflikt, ne protestojmë paqësisht
Partia Demokratike reagoi ndaj deklaratës së policisë se po ka informacione se do të ushtrohen akte të dhunshme nga opozita ditën e sotme.
“Qeveria ilegjitime që qëndron në pushtet me votat e blera nga krimi i organizuar dezinformon dhe mashtron opinionin publik për qëllimin e protestës së opozitës. Dhuna nuk është dhe nuk do të jetë kurrë qëllim dhe as mjet i Partisë Demokratike. Deklaratat e Policisë së kapur nga krimi janë një sajesë e neveritshme, që synojnë përplasje, konflikt dhe frikë tek qytetarët. Partia Demokratike ka thirrur sot në protestë të gjithë qytetarëve kundër dhunës, për Shqipërinë si gjithë Europa. I sigurojmë qytetarët se Partia Demokratike është e angazhuar vetëm për protestë paqësore”, deklaroi Gazment Bardhi, sekretari i Përgjithshëm i PD-së.

Balla: Opozita ta harrojë të pengojë qoftë edhe një zgjedhës
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi nga Elbasani se zgjedhjet e 30 qershorit do të mbahen dhe opozita ta harrojë se mund të pengojë këtë proces.
“Në Shqipëri ka marrë fund, një herë e përgjithmonë, historia se mund të marrësh pushtet në tavolinë, apo mund të marrësh pushtet me forcë. Lulzim Basha e di fare mirë këtë, padroni i vet politik, Sali Berisha e di fare mirë këtë. Beteja jonë për të zhvilluar një proces normal zgjedhor brenda afatit kushtetues, 30 Qershor, është një betejë që ne do ta fitojmë”, deklaroi Balla.
Ai theksoi se kush cenon zgjedhjet do të ndëshkohet me burg si Kodit Penal, ligj që është miratuar edhe me votat e PD-së.

Rama në vendlindjen e Metës: Nuk shtyhen zgjedhjet e 30 qershorit
Kryeministri Edi Rama vijon me fushatën për zgjedhjet e 30 qershorit dhe destinacioni ishte vendlindja e presidentit Meta në Bashkinë e Çorovodës.
Duke folur për potencialet që ka kjo zonë, kreu i qeverisë nuk la pa e përmendur dhe falënderuar presidentin Meta, duke i njohur një meritë të madhe, pasi e ka prezantuar me një bukuri të madhe siç janë kanionet e Osumit.
Kryeministri ka kërkuar votën për kandidatin e Partisë Socialiste, Adriatik Mema, duke u shprehur se ajo duhet të bazohet në vepra. Por, sipas tij, kandidati në fjalë do të sjellë cilësi të reja në qeverisje. Për mandatin e dytë kryeministri bëri premtime për këtë zonë dhe i ftoi në që të votojnë për Partinë Socialiste dhe të ndahen një herë e mirë nga politika e dhunshme që sipas është opozita e dalë në rrugë. Lidhur me shtyrjen e zgjedhjeve, kryeministri sqaroi se nuk mund t’i hapet rrugë një politike qorre, pasi është në dëm të vendit. Në fund, ai nuk la pa përmendur as çështjen e përgjimeve, që është kryefjalë e këtyre ditëve. Sipas tij, ka nevojë për hetim dhe i cilëson si një shantazh ndaj Reformës në Drejtësi.

Shkodër, bllokohet punishtja e fishekzjarrëve
Në një operacion që u zhvillua 24 orët e fundit dhe pak orë para protestës kombëtare të opozitës para Kryeministrisë, policia njoftoi se ka bllokuar në Shkodër një punishte artizanale të prodhimit të fishekzjarrëve. Policia thotë se ka proceduar penalisht 2 shtetas dhe ka sekuestruar lëndë piroteknike e fishekzjarrë me fuqi të lartë shpërthyese, si dhe 85 kg saçme për prodhimin e fishekëve për armë gjuetie.
Në dyqanin e shtetasit me iniciale K. K janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi fishekzjarrësh dhe lëndë piroteknike. Ndërkohë në banesë iu gjetën dhe sekuestruan ne cilësinë e provës materiale 85 kilogramë saçme që shërbejnë për mbushje të fishekëve të armeve te gjuetisë.
Saçmat ai i përgatiste në një ambient që e kishte përshtatur si punishte artizanale, që u bllokua në cilësinë e provës materiale.

Shqiptarët kanë kulturë financiare të dobët
Shqipëria ka një kulturë financiare inferiore ndaj mesatares së vendeve të tjera.
Publikimi më i fundit i Bankës së Shqipërisë i datës 7 qershor 2019, por që i referohet hulumtimit të 2015-ës, tregon se vendi ynë ka një indeks të përgjithshëm të kulturës financiare në vlerën 12.7 nga 21 të mundshme, ose një pikë më poshtë mesatares së vendeve të OECD-së dhe 0,6 pikë poshtë mesatares së të gjitha vendeve që kanë marrë pjesë në këtë vrojtim. Banka e Shqipërisë shpjegon se këto diferenca vijnë kryesisht si pasojë e diferencës në njohuri, ndërkohë që niveli i indeksit të qëndrimeve financiare të vendit tonë është i njëjtë me atë të vendeve të OECD-së dhe ai i sjelljeve financiare qëndron lehtësisht pak më poshtë mesatares së indeksit të vendeve të OECD-së dhe mesatares së të gjitha vendeve.

Fillon seriozisht merkato, Reali 300 milionë euro për Hazard
Eden Hazard është lojtari më i ri i Real Madrid. Pas disa ditësh kontakte dhe lajme pa fund në mediet spanjolle, mbrëmja e së premtes ka sjellë lajmin zyrtar për transferimin e sulmuesit belg në Madrid. Belgu dhe 140 milionë eurot e shpenzuara për të ngre stekën e kësaj merkatoje që sipas gjasave premton të jetë goxha e nxehtë. Kalimi i Hazard te Real Madrid në të vërtetë është një mega-operacion financiar, kosto totale e tij mund të shkoj deri në 300 milionë euro. Fillimisht, “los blancos” do duhet t’i paguajnë klubit të Roman Abramoviç një shumë prej 100 milionë euro për të marrë kartonin e tij. Kjo shifër mund të rritet deri në 155 milionë euro në saj të bonuseve të vendosura dhe rezultateve që Hazard do të prodhojë në fushën e lojës. Pjesa tjetër, prej gati 150 milionë euro do të jetë rroga që është caktuar të marrë Eden Hazard në vitet e tij si futbollist i Real Madrid.

 

Më Shumë