Podcast

Audio-Lajme 8 Maj 2019

Ndryshon Kodi Rrugor, jo bllokim patentash për emigrantët e turistët
Patentat e makinave për turistët dhe emigrantët nuk do të bllokohen menjëherë nga policia rrugore shqiptare, por këta shkelës të ligjit mund ta rimarrin duke paguar një gjobë sa dyfishi i vlerës së penalitetit ligjor të parashikuar. Parlamenti votoi ndryshimin e propozuar nga deputeti i PS-së, Pjerin Ndreu, që synon një lehtësim për turistët e huaj apo dhe emigrantët që vijnë në Shqipëri në sezonin turistik. Ndryshimet e Kodit Rrugor u votuan në Parlament me 92 vota pro, 1 kundër, 5 abstenim

Mogherini në Tiranë, takon Ramën dhe merr pjesë në Samitin e Presidentëve
Përfaqësuesja e lartë për Politikën e Jashtme në BE, Federica Mogherini qëndron sot dhe nesër në Tiranë, në kuadër të Samitit të Brdo Brijunit. Vendi ynë është mikpritës i samitit të Brdo-Brijunit, më 8 dhe 9 maj, duke bërë kështu së bashku krerët e shteteve nga mbarë Ballkani.
Pas samitit të Berlinit, do të përballen sërish në Tiranë presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç. Ashtu si në Berlin, edhe në Tiranë tema qendrore pritet të jetë dialogu Kosovë-Serbi.

Haradinaj: Thaçi-Vuçiç-Rama kanë diskutuar për shkëmbim territoresh
Në prag të samitit të Brdo-Brijunit, kryeministri kosovar Ramush Haradinaj është shprehur se ekziston një dyshim i bazuar që presidenti Hashim Thaçi, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç kanë biseduar për shkëmbim të territoreve së bashku.
“Ekziston një dyshim i bazuar, se Presidenti Hashim Thaçi, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç kanë biseduar për shkëmbim të territoreve se bashku nën udhëheqjen e Përfaqësueses së lartë, Federika Mogerinit. Ekziston ky dyshim pavarësisht se unë nuk mund ta konfirmoj”, është shprehur Haradinaj.

Basha: Nuk do të lejojmë një 2017 të dytë
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ishte sot në Vaun e Dejës në kuadër të turit për të sensibilizuar qytetarët për të marrë sa më shumë pjesë në protestën e 11 majit përpara Kryeministrisë.
Në fjalën e tij përpara demokratëve të këtij qyteti, Basha u shpreh se nuk ka njeri që nuk e pranon se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme. “Nuk do të lejojmë më një 2017 të dytë. Nuk do të lejojmë e nuk do të pranojmë standard zgjedhore afrikane për shqiptarët. Asgjë më pak se standardet e zgjedhjeve të lira. Dhe, kushti i kushteve për zgjedhje të lira është qeveria tranzitore, pa Edi Ramën kryeministër”, deklaroi Basha.

Të rinjtë PD-LSI në protestë, Indrit Hoxha refuzoi sot mandatin
Sot u zhvillua seanca e radhës plenare në Parlament, ndërsa të rinjtë opozitarë të FRPD-së dhe LRI-së mbajtën një protestë simbolike para godinës. “Bashkimi Europian refuzon kryeministrin Edi Rama”, thanë të rinjtë. Dhe për të përçuar këtë mesazh, 28 të rinj të dy forumeve politike në mënyrë simbolike kanë veshur bluzën e secilit vend anëtar, ndërsa i tregojnë kryeministrit kartonin e kuq, duke nënkuptuar sipas tyre refuzimin e hapjes së negociatave.
Këtyre të rinjve u është bashkuar edhe kandidati i PD-së, Indrit Hoxha, i cili sot refuzoi të marrë mandatin e deputetit. Hoxha shprehet se e ka ndërmarrë këtë akt politik si shenjë revolte dhe neverie ndaj parlamentit ilegjitim.

U arrestua në protestën e “Astirit”, Balliu: Jam dhunuar nga policia
Ish-deputeti Klevis Balliu, që u arrestua një ditë më parë pas tensioneve dhe konfrontimeve fizike në zonën e “Astirit” akuzon policinë për dhunë gjatë shoqërimit për në Komisariatin nr. 6.
Menjëherë pasi ka mbërritur në Komisariatin nr. 6, ish-deputeti Balliu ka kërkuar ekspertë mjeko-ligjorë për të konstatuar shenjat e dhunës në trupin e tij. Pas këqyrjes së trupit, ekspertët mjeko-ligjor kanë përpiluar një raport, i cili më pas iu përcoll prokurorisë dhe do t’i paraqitet gjykatës.

Gjykata liron dy prej të arrestuarve të grupit ‘Bajri’
Gjykata ka dhënë masën e sigurisë “arrest shtëpie” për dy nga të arrestuarit e grupit të rrezikshëm “Bajri” të Shkodrës, që ranë në pranga disa muaj më parë. Bëhet fjalë për shtetasit Denis Brajoviç dhe Klaudio Hoxhalliu. Gjykata ka dalë në konkluzionin se për ta nuk provohet akuza për “Përkrahje të autorit” si dhe nuk u provua se kanë qenë të përfshirë në veprimtari kriminale. Klaudio Hoxhalliu ishte pronari i ambientit ku u arrestua Safet Bajri, i konsideruar si një nga njerëzit kryesorë të grupit. Më herët, Gjykata ndryshoi masën e sigurisë edhe për Emrah Plakun; nga arrest me burg ai u dërgua në arrest shtëpie.

Gjysma e të rinjve refuzojnë politikën. Sociologët: Shqetësuese!
Sipas një sondazhi të Rrjeti Kombëtar Për të Rinjtë në Shqipëri dhe Qendra për të drejtat e fëmijëve, gjysma e të rinjve shqiptarë nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, për shkak të zhgënjimit të tyre me politikën. 57 për qind prej tyre mendonin se Bashkia në qytetin e tyre nuk kishte punuar mjaftueshëm për ta. Ndërsa 49 për qind mendojnë se buxheti i shtetit nuk është i mjaftueshëm për të përmbushur problemet e të rinjve. Sipas sociologut Gëzim Tushi, ky raport disproporcional dhe antipatik i të rinjve me politikën, është tejet shqetësues. Ai shprehet se pas kësaj fshihen gjëra të mëdha e me përgjegjësi, për të sotmen dhe të ardhmen e rinisë dhe rrjedhimisht edhe të atdheut. Ndërsa, Altin Hazizaj, ekspert i të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve, shprehet se të rinjtë u kanë dhënë të gjitha partive politike, një platformë të gjerë për të punuar dhe për t’i mbështetur ata.

Spektakël në “Anfield” Liverpul është finalisti i parë i Champions
Liverpuli është ekipi i parë finalist i Ligës së Kampionëve për këtë sezon. Pa asnjë diskutim që ndeshja e së martës mes Liverpulit dhe Barcelonës ka hyrë në historinë e futbollit botëror. “The reds” bën përmbysjen e madhe, duke fituar 4-0 në shtëpi me Barcelonën, e cila kishte triumfuar 3-0 në ndeshjen e parë në “Camp Nou”. Me nga dy gola Vinjaldum dhe Orixhi çuan peshë gjithë stadiumin mitik “Anfield Road” dhe i japin Liverpulit finale e dytë radhazi në Ligën e Kampionëve, por këtë herë fitorja është një detyrim. Mbrëmjen e kësaj të mërkure, Liverpuli mëson edhe rivalin që do të ketë në finalen e “Uanda Metropolitano”, mes Ajaksit dhe Totenhamit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë