Podcast

Audio-Lajme 6 Maj 2019

Shpërthen mina, vdes efektivja e FA shqiptare në Letoni
Një efektive e Forcave të Armatosura shqiptare ka humbur jetën në Letoni, si pasojë e shpërthimit të një mine. Bëhet fjalë për efektiven Zarife Hasanaj, 27 vjeç. Nga shpërthimi i minës kanë mbetur të plagosur edhe dy efektivë të tjerë, gjithashtu pjesë të Forcave të Armatosura, Major Klodian Tanushi dhe rreshter Julian Kapaj.
Efektivët e FA, pjesë e grupit xhenier për demontimin e minave, po marrin pjesë në misionin e NATO-s në Letoni për demontimin e minave luftarake. Hetimet kanë nisur dhe pritet që ekspertiza të zbardhë shkakun e tragjedisë që i mori jetën 27-vjeçares dhe plagosi dy efektivët e tjerë të Forcave të Armatosura.
Ministrja Olta Xhaçka është nisur drejt Letonisë, ndërkohë që trupi i ushtarakes pritet që të mbërrijë në Shqipëri ditën e enjte, ku është përcaktuar edhe një ceremoni shtetërore varrimi.
Misionin në Letoni, ajo së bashku me një grup prej 7 ushtarakësh të tjerë të Forcave të Armatosura e nisën në janar të këtij viti në kuadër të një misioni të NATO-s. Misioni ishte 6-mujor dhe ai përmbyllej në muajin qershor. Ky ishte misioni i parë jashtë vendit për efektiven Hasanaj, që tragjikisht u shndërrua edhe i fundit.

Uji i (pa)pijshëm helmon mbi 100 veta në Bulqizë, shumë prej tyre fëmijë
Ka shkuar mbi 100 numri i personave të helmuar në Bulqizë, helmim që dyshohet të jetë shkaktuar nga uji i pijshëm. Mes të helmuarve janë edhe të paktën 24 fëmijë. Mësohet se fluksi i njerëzve ka vazhduar deri në orën 1 të natës. Ata janë paraqitur në spital me dhimbje barku, të vjella dhe dhimbje koke. Nisur nga simptomat, mjekët paraprakisht thonë se shkak i helmimit mund të jetë uji i pijshëm. Prefekti i Qarkut të Dibrës, Nexhbedin Shehu ka deklaruar se analizat e deri më tanishme thonë se shkaku i helmimit nuk është uji, megjithatë në vijim do kryhen analiza akoma më të specializuara për të vërtetuar këto dyshime.

Siguria ushqimore, Rama: 15 vite burg dhe heqje të ushtrimit të biznesit
Të gjithë ata që do të shkelin standardet e sigurisë ushqimore duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve, do të dënohen me deri në 15 vite burg, do të paguajnë një gjobë dhe do t’u hiqet përjetësisht e drejta për të ushtruar këtë lloj aktiviteti. Kjo ishte deklarata e kryeministrit Edi Rama në një takim konsultativ me përfaqësues të bizneseve kryesisht të prodhuesve ushqimorë, që diskutoi sot me ta ndryshimet në Kodin Penal për garantimin e sigurisë ushqimore. Duke folur për problematikat në lidhje me sigurinë ushqimore, ai i vuri gishtin Kodit Penal, i cili nuk parashikon ndëshkim për ata që rrezikojnë shëndetin e njerëzve.

Haradinaj pret aleatët e Lulzim Bashës
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj priti në një takim disa drejtues të partive opozitare të Shqipërisë. Fatmir Mediu, Agron Duka, Vangjel Dule dhe Nard Ndoka u takuan me Haradinajn në Prishtinë. Se çfarë u diskutua në këtë bisedë mes tyre, Kryeministri i Kosovës e përmblodhi zyrtarisht përmes një postimi në rrjetet sociale. Nga formati i takimit gjasat janë që pjesë e bisedës të ketë qenë edhe kriza politike e Tiranës. Opozita në Shqipëri doli në krah të Haradinajt në debatin mes tij dhe Edi Ramës sa i takon diskutimeve në samitin e Berlinit. Haradinaj akuzoi Kryeministrin e Shqipërisë dhe Presidentin e Kosovës se në biseda informale i kanë ushtruar presion edhe më shumë se vetë Aleksandër Vuçiç për heqjen e taksës 100 për qind ndaj prodhimeve serbe. Për opozitën shqiptare, Ramush Haradinaj dhe samiti i Berlinit rrëzoi projektin, sipas saj, të dyshes Rama-Thaçi për ndarjen e Kosovës.

Kriza politike, Soreca: Ndërmjetësimi, jo agjendë e Mogherinit
Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca hedh poshtë mundësinë e ndërmjetësimit mes mazhorancës dhe opozitës të zyrtares së lartë e KE-së, Federika Mogherini me qëllim zgjidhjen e krizës politike në vend. Komisionerja e Lartë pritet të vizitojë Tiranën, si e ftuar nderi ftuar nderi në samitin e presidentëve të rajonit të Ballkanit në Tiranë, ku pritet të ketë takime dypalëshe për autoritetet me të larta të Shqipërisë, si kryeministrin Edi Rama dhe kryedemokratin Lulzim Basha. “Misioni ka qenë i parashikuar dhe ne i përmbahemi asaj. Ndërmjetësimi nuk është në axhendë për momentin. Pra janë partitë politike, qeveria, opozita që duhet të gjejnë atë urë që ekziston në mënyrë që të tejkalojnë këtë ngërç në të cilën gjendemi dhe nga kjo të përfitojnë qytetarët e Shqipërisë, pra përfaqësimi i plotë në zgjedhje”, deklaroi Soreca.

PD refuzon Ruçin: Nuk marrim pjesë në komisionin e reformës
Partia Demokratike refuzon të caktojë anëtarin vëzhgues pranë komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi me anë të letre zyrtare drejtuar Kuvendit e argumenton një vendim të tillë me faktin se pjesë e këtij komisioni janë ata deputetë që duhet të ishin në burg për shkak të bashkëpunimit që kanë kryer me krimin e organizuar për blerjen e votave siç rezulton në përgjimet e prokurorisë për dosjet e Durrësit dhe Dibrës.
Gjithashtu PD-ja thekson se anëtarët e komisionit nuk përfaqësojnë opozitën dhe se reforma zgjedhore nuk mund të realizohen nga institucionet që kanë humbur legjitimitetin.

Rrëzohet dekreti i presidentit për vettingun në polici
Komisioni i Sigurisë ka rrëzuar me shumicë votash dekretin e presidentit Ilir Meta për kthimin e ligjit të vettingut në Policinë e Shtetit. Deputetët që votuan pro dekretit të presidentit ishin Ylli Shehu dhe Lefter Maliqi. Gjatë seancës, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj foli me tone të ashpra ndaj kreut të shtetit, duke thënë se argumentet e sjella nga Presidenca janë përtej absurdit dhe paranojake. Po ashtu, ministri Lleshaj tha se ky ligj nuk vë në presion Policinë e Shtetit.

Tufa i përgjigjet Ramës: Të gënjyen për ligjin
Kryeministri Edi Rama, në fjalën e mbajtur me rastin e 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve, tha se ligji me të cilin është ngritur Instituti për Studimet e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit ja ndalon këtij të fundit që të ketë si objekt studimor vitet e luftës për çlirim. Deklarata e Kryeministri mori shkas nga debatet që ky Institut dhe kreu i tij, Agron Tufa janë përfshirë me disa deputetë socialistë, që e akuzojnë Institutin dhe botimet e tij se po përbaltin luftën nacionalçlirimtare. Agron Tufa iu përgjigj pak orë më vonë kreut të Qeverisë. Ai thotë se ligji mbi bazën e të cilit funksionon instituti që ai drejton nuk përjashton periudhën para 29 nëntorit 1944 si objekt të punës studimore të institutit, përkundrazi. Tufa mendon se me deklaratën e bërë së fundmi, Kryeministri po bie ndesh me qëndrimin e tij në fillim të viteve ’90 dhe se thotë se nuk u trembet kërcënimeve për mbyllje të Institutit.

Shkrumbohet gjatë natës makina e kreut të PS së Elbasanit
Është shkrumbuar gjatë natës makina e kreut të PS-së së Elbasanit, Xhevahir Budani.
Policia bën me dije se ngjarja ka ndodhur në lagjen “5 Maji” të qytetit të Elbasanit, ndërkohë që makina ka qenë e parkuar pranë banesës. Automjeti i djegur është i llojit “Ford” dhe paraprakisht dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme.
Budani aktualisht mban edhe postin e drejtorit të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor për Qarqet e Elbasanit, Korçës dhe Beratit.

FMN: Plan emergjent për shlyerjen e stokut të TVSH-së dhe detyrimeve të prapambetura
FMN e konsideron urgjente shlyerjen e stokut të rimbursimit të TVSH-së ndaj bizneseve.
Krahas rekomandimeve të tjera, ky është shqetësimi më i madh i FMN-së për mbarëvajtjen e biznesit në vend, krijimin e një klime të favorshme për të prodhuar me qëllim përshpejtimin e ritmeve të rritjes së ekonomisë në mënyrë të qëndrueshme.
Pas dy javësh në Tiranë në kuadër të monitorimit të postprogramit, Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar i sugjeroi qeverisë shqiptare një plan të menjëhershëm për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura dhe rimbursimit të TVSH-së.
Gjithashtu, në optikën e FMN-së është e këshillueshme dhe e dobishme të emetohen instrumente afatshkurtër për të shlyer borxhet me qëllim uljen e tij në nivele të kënaqshme që e lënë ekonominë të rritet.
FMN parashikon që ekonomia këtë vit të ngadalësohet e të arrijë në nivelin 3,5%, por në terma afatmesme pritet të arrijë në nivelin 4%.

Pyjet mund të na shpëtojnë për sa kohë Shqipëria mbetet e varfër!
Raporti Global i Pyjeve së fundmi ka paraqitur një pamje komplekse, për pyjet në mbarë botën. Mijëra hektar kanë humbur gjatë dekadave të fundit, për shkaqet të ndryshme natyrore dhe jo vetëm. Të dhënat e vitit të kaluar tregojnë një rënie të sipërfaqeve pyjore, në krahasim me vitet e mëparshme. Duke treguar një pasqyrim për situatën mjedisore në vendin tonë, Pr.Dr. Arsen Proko në Fakultetin e Shkencave të Pyjeve, tha për Gazetën “Si” se vendi ynë “vuan” nga fenomeni i vjeljes së materialit drusor, pasi gjatë gjithë kohës njerëzit janë edukuar në një politikë të tillë, për të siguruar të ardhura ekonomike, kështu që edhe kur dominonin pyjet, njerëzit i prisnin më shumë, se sa kujdesen për pyjet. “Aktualisht në Shqipëri mund të themi që pyjet janë dëmtuar, por nuk janë shkatërruar. Kjo lidhet edhe me zhvillimin ekonomik të një vendi. Përdorimi i pyjeve lidhet me objektivat e zhvillimit, kështu që detyrimisht, duke u zhvilluar ekonomikisht ekziston edhe risku i shkatërrimit të pyjeve”, shprehet Proko.

Instrumenti i ri nga NASA tregon nivelin e CO2 në atmosferë

Zhvillimet më të reja nga NASA tregojnë se është dërguar një instrument në hapësirë për të vëzhguar dioksidin e karbonit në atmosferën e Tokës. Instrumenti i quajtur OCO-3 u nis si një raketë nga Florida në orët e para së ditës së shtunë. I cilësuar si një nga komponentët rezervë të NASA-s, instrumenti është përdorur për të njëjtën arsye edhe në vitin 2014, por nuk funksionoi.
Të dhënat nga dy misione do t’iu japin shkencëtarëve një ide më të qartë për nivelin e dioksidit të karbonit në atmosferë. OCO-3 fluturoi rreth globit, me anë të orbitës polare, e cila bën të mundur që të vëzhgohen disa vende në një ditë.

Një milion gjallesa shtazore dhe bimore kërcënohen të zhduken për shkak të njerëzve
Një milion speciesh në planet janë të kërcënuar të zhduken nga njerëzit. Në një studim të publikuar të hënën nga Platforma Ndërqeveritare e Politikës së Shkencës mbi Biodiversitetin dhe Shërbimet e Ekosistemit (IPBES), thuhet se këtë vit janë vlerësuar humbjet më të mëdha të gjallesave që janë parë ndonjëherë.
Raporti paraqet një pamje të zymtë të një planeti me një popullësi gjithnjë e në rritje, me konsumim të pangopur që po shkatërron botën shtazore dhe bimore. Sipas IPBES, shkalla globale e zhdukjes së gjallesave, është tashmë qindra herë më e lartë se ajo që ka qenë, gjatë shekullit të kaluar.

Gjimshiti mposht Strakoshën, legjionarët shkëlqejnë në kampionatet e tyre
Vijon forma e mirë e futbollistëve të Kombëtares shqiptare që luajnë në kampionatet e huaja. Edhe në ndeshjet e kësaj fundjave, legjionarët kuqezinj kanë zhvilluar performanca të mira me ekipet e tyre, ku më shumë bie në sy Berat Gjimshiti. Mbrojtësi kuqezi luajti titullar me Atalantën në fitoren 3-1 ndaj Lacios së Tomas Strakoshës dhe nga mediet italiane është vlerësuar si ndër më të mirët për ekipin bergamask. Me nota pozitive janë vlerësuar edhe Veseli me Empolin, Xhaka me Bezelin dhe Qose në Sllovaki. Për këtë javë vlen të veçohet edhe debutimi në Serinë A në moshën 17-vjeçare i Anxhelo Ndreckës me Kievon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë