Kërkoi hapjen e kutive, kërcënohet me jetë kreu i KQZ-së
Klement Zguri, Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, është kërcënuar me jetë me anë të një mesazhi në rrjetet sociale. Komentuesi ka shkruar se do të vrasë atë dhe familjen, pasi një ditë më parë kryekomisioneri Zguri ka kontestuar procesin e 30 qershorit madje ka kërkuar hapjen e kutive të votimit.
Menjëherë Garda e Policia e shtetit pas konstatimit të këtij kërcënimi ka marrë mbrojtje kryekomisionerin dhe familjarët e tij.
PD tregon se si komisionerët votojnë në emër të emigrantëve
Partia Demokratike me anë të një video të filmuar në një qendër votimi në Kavajë tregoi se si komisionerët e PS-së në ditën e zgjedhjeve votuan në emër të emigrantëve duke plotësuar fletët e votimit, e pasi i hedhin në dy kutitë ulen në tavolinë si anëtarë të Qendrës së Votimit.
Ish-deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi duke denoncuar këtë rast flagrant theksoi se prokuroria duhet të hetojë, pasi me urdhër të kryeministrit Edi Rama u realizua mbushja e kutive të votimit.
Kuvendi mbi dy orë debat për shkarkimin e Presidentit
Parlamenti do të zhvillojë të hënën debatin për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Pasditen e së hënës janë parashikuar 130 minuta diskutime nga deputetët për nismën e firmosur nga 55 deputetët socialistë që duan ta shkarkojnë Metën për shkeljen të rëndë të Kushtetutës.
Debati do të nis pas paraqitjes së raportit të komisionit të Ligjeve, i cili kërkon që të ngrihet komisioni hetimor për shkarkimin e presidentit.
Ndërsa Kuvendi ka zhvendosur me një orë përpara seancën, për shkak se opozita ka parashikuar një protestë në mbrëmje përpara Kryeministrisë.
Samiti i Poznanit, Rama dhe Zaev me sytë nga kancelarja Merkel
Në Poznan të Polonisë vijon dita e dytë samitit të liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe shteteve kryesore të Bashkimit Europian.
Kryeministri Edi Rama, ka postuar në faqen e tij në “Facebook” një video nga Samiti i Poznanit, teksa shihet së bashku me homologun maqedonas, Zoran Zaev, duke biseduar me kancelaren gjermane, Angela Merkel.
Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev dhe kryeministri Edi Rama nuk duan të kthehen në shtëpi nga ky samit pa marrë një konfirmim nga shtetet e BE-së për hapjen e negociatave në muajin tetor të këtij viti.
Por sipas “Deutsche Welle” një gjë mund të thuhet që tani, Maqedonia e Veriut është cilësuar si nxënësja shembullore e rajonit, prandaj edhe vitin e ardhshëm ajo do të jetë organizatore e samitit të shtatë, së bashku me Bullgarinë.
Meta: Nuk kam frikë nga SPAK-u, fajin e ka Ramaforma
Presidenti Ilir Meta vijon me sulmet dhe akuzat kundër kryeministrit Edi Rama dhe ndërkombëtarëve për zbatimin e Reformës në Drejtësi. Me anë të një postimi në “Facebook”, ai shkruan se Reforma në Drejtësi u shndërrua në Rama-reformë. Meta thotë se do të tregojë me terezi se përse pas tre vitesh nuk keni asnjë anëtar të Gjykatës Kushtetuese.
Në fund të postimit, Meta shprehet se e di që do ta akuzojnë se ka frikë nga SPAK-u, por me ironi thotë se “sapo kalova edhe Spaçin” rrugës për në Tropojë.
Basha: Të hënën të gjithë bashkë kundër diktaturës
Lideri demokrat, Lulzim Basha, i ka ftuar të gjithë shqiptarët që të marrin pjesë në protestën që opozita e bashkuar do të zhvillojë më 8 korrik.
Me anë të një postimi në “Facebook”, Basha ka shpërndarë një video me filmime nga 30 qershori, ku thuhet se 85% e shqiptarëve e refuzuan politikën e Edi Ramës.
Në fund mbizotërojnë thirrjet nga protestat e kaluara “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.
Kryedemokrati Basha u bën thirrje të gjithë shqiptarëve që të bashkohen kundër diktaturës dhe të dalin në mbrojtje të lirisë.
Hapet gara për anëtarët jo gjyqtarë për Gjykatën e Lartë
Këshilli i Lartë Gjyqësor ka hapur garën për anëtarët jo gjyqtarë për Gjykatën e Lartë.
Në mbledhjen e sotme është miratuar rregullorja ku janw përcaktuar pikëzimi dhe renditja e kandidatëve jo-gjyqtarë që garojnë për Gjykatën e Lartë.
Gjykata e Lartë do të ketë 19 anëtarë dhe anëtarët jo-gjyqtarë do të përbëjnë vetëm 1/5 e trupës së kësaj gjykate.
Ndër kriteret që kërkohet është të mos ketë pasur poste politike në 10 vitet e fundit. Kandidatët duhet të jenë juristë me së paku 15 vjet eksperiencë.
KLGJ do të marrë parasysh edhe gradat shkencore të juristëve kur të bëjë përzgjedhjen.
Aktualisht, Gjykata e Lartë ka mbetur me dy anëtarë: Xhezair Zaganjorin dhe Ardian Dvoranin nga 9 anëtarë që duhet të ketë. Më herët, presidenti Meta i dërgoi letër KLGJ për plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë.
Qeveria nuk heq dorë nga kontrolli i mediave online
Qeveria ka publikuar dy projektligjet që synojnë rregulla të reja për mediat online, duke parashikuar dhe vendosjen e gjobave apo dhe heqjen e licencave në rast se nuk zbatojnë disa prek kritereve ligjore, në rast të refuzimit të kërkesave të AMA apo dhe të AKEP.
Paketa e miratuar e cilësuar si Antishpifje pritet të kontestohet ashpër nga ana shoqatave të medieve, pasi sipas tyre, qeveria nuk hoqi dorë nga kontrolli i medieve online.
Shqiptarët, populli më i pashpresë për aktualitetin në rajonin e Europës Juglindore
Shqiptarët janë populli më pesimist për situatën e tyre aktuale mes vendeve të Europës Juglindore.
Indeksi i Vrojtimit të Mendimit të Publikut në Ballkan (BPSI) i projektuar fillimisht për të monitoruar ndryshimet për situatën aktuale dhe parashikimet për të ardhmen, i cili është llogaritur si pjesë e Barometrit të Ballkanit rezulton për Shqipërinë për 2019 me një tablo të përkeqësuar nga një vit më parë.
Shqipëria ka shënuar rezultatin më të ulët këtë vit, 30 gjatë anketimit të Indeksit të Vrojtimit të Mendimit të Publikut në Ballkan, duke rënë me 7 pikë krahasuar me vitin e kaluar duke reflektuar një pakënaqësi në rritje ndaj zhvillimeve të tanishme socio-ekonomike. E ndjekur nga Bosnja, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Serbia.
Telashe për Taren, Liverpuli përgatit padinë në FIFA
Pasi refuzoi të kalonte si drejtor sportiv te Milani, ish-futbollisti shqiptar ka nisur nga puna të për të bërë gati Lacion e sezonit të ri. Por kjo verë nuk pritet të jetë e qetë për Taren, i cili tashmë do duhet të ndeshet me telashe të mëdha në ditët në vijim. Bëhet fjalë për një padi që Liverpuli ka ngritur në FIFA kundër menaxherit shqiptar në lidhje me një gabim në marrjen e një futbollisti. Vetëm pak ditë u raportua se Lacio është pranë marrjes së Bobby Adekanye, falas, pasi këtij të fundit i kishte mbaruar kontrata me kampionët e Europës. Por dy ditët e fundit mediet angleze kanë publikuar lajmin e bujshëm se Liverpuli e ka ankimuar në FIFA këtë transfertë të kryer nga Igli Tare. Klubi anglez pretendon se Lacio e ka marrë Adekanye, duke thyer rregullat e transferimit të futbollistëve nën moshën 23 vjeç.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.