Podcast

Audio-Lajme 4 korrik 2019

Përplasje bandash në Kavajë, 1 kalimtar i vdekur dhe 5 të plagosur
Një person ka mbetur i vdekur mesditën e sotme dhe 5 të tjerë janë plagosur pas një përplasje me armë zjarri mes dy grupeve në qytetin e Kavajës.
Nga informacionet paraprake mësohet se në hyrje të qytetit të Kavajës, te lagjja nr. 4, dy grupe të rinjsh janë përplasur me armë zjarri dhe ka mbetur i vdekur një shtetas rreth 50 vjeç. Ai ishte kalimtar në rrugë dhe nuk kishte lidhje me ngjarjen. Mësohet se viktima është Ramazan Hasalliu, i cili kishte dalë për të blerë bukë.
Policia ka arrestuar dy persona, teksa njëri prej tyre dyshohet se ka qenë njëri nga autorët që ka qëlluar me armë zjarri.
Për ngjarjen reagoi Presidenti Ilir Meta i cili shprehu shqetësimin e thellë për atë ndodhi në Kavajë. Kreu i shtetit thekson domosdoshmërinë e rritjes së gatishmërisë së Policisë dhe agjencive ligjzbatuese, për të marrë të gjitha masat e duhura për garantimin e sigurisë publike në vend dhe parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të tilla kaq të rënda e tragjike.
Për ngjarjen e rëndë ka reaguar edhe Partia Demokratike. Ish-deputeti Enkelejd Alibeaj shkruan se krimi sot nuk e ka më frikë qeverinë sepse ajo është zgjatim i tij. Sipas tij, krimi në vendin tonë ka imunitet nga pushteti.

Thirrja e Berishës: Protesta deri në vendosjen e pluralizmit politik
Ish-kryeministri Sali Berisha, në një prononcim për mediat pas përfundimit të mbledhjes së PD-së me Kryesinë tha se zgjedhjet e 30 qershorit ishin një farsë. Berisha deklaroi se protestat nga ana e opozitës do të vazhdojnë deri në vendosjen e pluralizmit politik. Sa i përket bojkotimit të zgjedhjeve, Berisha tha se ishte një nga aktet më të mençura të PD-së. “Nuk u bënë pjesë e farsës më të shëmtuar të narkoshtetit ku baronët e drogës dhe krimit me pushtet dhe në shpellat e drogës vendosin për fatin e qytetarëve. Është jetike që opozita të qëndrojë e papërlyer. Besnike e vlerave dhe për asnjë sekondë fasadë e një regjimi më të urryer që kanë pasur shqiptarët nga koha e Enver Hoxhës deri më sot”, u shpreh më tej Berisha.
Sipas Berishës, edhe misioni i ODIHR, me qartësi të plotë ligjore, deklaroi se këto zgjedhje janë antikushtetuese në Shqipëri.

Kryemadhi: Deri në 13 tetor kryebashkiakët janë legjitimë
Edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, në një deklaratë jashtë selisë së PD-së, deklaroi se 30 qershori është ilegjitim.
“Unë mendoj që 30 qershori është ilegjitim. Kemi një dekret presidenti që është në fuqi, kemi një datë tjetër zgjedhjesh që është 13 tetori”, u shpreh Kryemadhi.
Kryemadhi theksoi se aksioni opozitar do të përqendrohet sërish te protestat, por do të jenë paqësore.
E pyetur nga gazetarët nëse kryebashkiakët e LSI do t’i lirojnë karriget, kryetarja e LSI-së u shpreh se ata janë legjitim deri në zgjedhjet e 13 tetorit.

30 qershori, PD: Kallëzim penal për krimin elektoral
Partia Demokratike deklaron se ka të dhëna e fakte se si është manipuluar pjesëmarrja e qytetarëve në procesin e votimit të 30 qershorit. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, në një dalje për mediat nga selia blu tha se KQZ ka rritur pjesëmarrjen me mijëra votues, duke përdorur si kamikaz Denar Bibën.
Sipas tij, për zgjedhjet e 30 qershorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zhduku transparencën tradicionale të këtij institucioni.
Ai paralajmëroi se PD do bëjë kallëzim penal për këtë krim masiv elektoral, duke filluar nga nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba.

Bindja Demokratike ankimon zgjedhjet lokale
Bindja Demokratike do të ankimojë zgjedhjet lokale të 30 qershorit, pasi sipas kreut të kësaj force, Astrit Patozi, Partia Socialiste e mori rezultatin në tavolinë. Patozi thekson se ka dyshime se rezultati i votimit është deformuar dhe sipas informacioneve janë mbushur edhe kuti votimi, ndërsa në tavolinat e numërimit janë ndryshuar rezultatet e zgjedhjeve në favor të Partisë Socialiste ose aleatëve të saj.

Meta uron festën e SHBA: Shqiptarët e Amerikës, jo të lumtur me krizën
Presidenti Ilir Meta e ka nisur ditën me një mesazh urimi për ditëlindjen e SHBA-ve. Duke uruar Festën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kreu i shtetit ka dhënë dhe një mesazh të fortë.
Meta i uron festën edhe komunitetit shqiptar në SHBA, një kontribuues i raporteve shqiptaro-amerikane.
Meta thotë se shqiptarët e Amerikës nuk ndihen të lumtur me krizën ku ndodhet vendi dhe bën thirrje për reflektim e përgjegjshmëri.

Basha citon Deklaratën e Pavarësisë: Qytetarët rrëzojnë qeveritë shkatërruese
Edhe lideri demokrat, Lulzim Basha i ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës në ditën kombëtare të Festës së Pavarësisë. Për të përcjellë urimin e tij, kryedemokrati ka zgjedhur Deklaratën e Pavarësisë së Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Së bashku me urimin për Shtetet e Bashkuara, ai ka publikuar edhe një foto nga protesta e opozitës së bashkuar në Tiranë, duke i dhënë në mënyrë indirekte një mesazh edhe qeverisë shqiptare. Basha vijon më tej duke thënë se kur një qeveri kthehet shkatërruese ndaj interesave të qytetarëve, këtyre të fundit ju lindë e drejta për ta rrëzuar.

Vetëm 12% e shqiptarëve kanë mundësi të bëjnë pushime larg shtëpisë
81% e shqiptarëve nuk mund të përballojnë dot një javë pushime larg shtëpisë nëse do të dëshironin.
Anketa e KE-së 2016 është për cilësinë e Jetës në të cilën janë mbledhur të dhëna të krahasueshme dhe të besueshme në të gjithë Europën. Për herë të pare në këtë anketë është përfshirë edhe Shqipëria. Po ashtu Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia.
Anketa në këto vende është zhvilluar në periudhën nëntor 2016 – mars 2017, me një kampion të zgjedhura rastësisht prej 1,000 banorësh për shtetet e vogla dhe 1300 banorësh për shtetet më të mëdha. Në të gjithë Europën janë zhvilluar në total 36,900 intervista.
Pamundësia për të bërë pushime e shqiptarëve është më e madhe se në të gjitha vendet e rajonit. Sipas anketës së KE, në Malin e Zi vetëm 66% e të pyeturve janë përgjigjur se nuk kanë mundësi që të përballojnë një javë pushime larg shtëpisë, në Maqedoni 65%, në Serbi 60%, Turqi 48%.

Kosova u ndalon hyrjen të gjithë zyrtarëve serbë!

Pas përpjekjeve të Beogradit zyrtar për inskenimin e një krizë humanitare në veri të Kosovës, Prishtina zyrtare ka ndaluar hyrjen e zyrtarëve serbë në territorin e saj.
Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka njoftuar që asnjë zyrtar nga Beogradi nuk do t’i jepet leje për të hyrë në shtetin e Kosovës.
Jetlir Zyberaj, këshilltari i ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka shkruar në profilin tij në “Facebook” se për shkak të kërcënimeve, inskenimeve në veri por edhe çështjeve tjera, ministria e Punëve të Jashtme e ka parë të arsyeshme të marrë këtë vendim.
Mediat në Prishtinë shkruajnë se në Veri të Mitrovicës të gjitha dyqanet janë të mbyllura që nga mëngjesi i ditës së hënë. Sikur të mos mjaftonte kjo, në shenjë solidarizimi, janë mbyllur edhe kafenetë, farmacitë, pikat e karburanteve, si edhe shërbimi taksi.

Policia kundër grupeve “Radar” që shmangin policinë në rrugë
Gjatë ditës së djeshme policia e Kosovës ka arrestuar dy persona si dyshues të grupit “Radar” në aplikacionin Viber, i cili po përdoret tashmë nga mijëra njerëz për të shmangur kontrollet e policisë. U bë me dije se vetëm muajt e fundit ishin bërë pjesë e këtij grupi, rreth 7.000 njerëz. Anëtarë të grupeve i dërgojnë njëri-tjetrit informacione për kushtet e rrugës, aksidentet, përplasjet e trafikut, si dhe patrullat e policisë dhe kontrollet e radarëve. Por, arrestimi në Kosovë nuk do të thotë se ky është fundi i kësaj ideje, pasi raste të tilla janë hasur nga policia edhe në vende të tjera të Ballkanit, si Bosnja-Hercegovina dhe Serbia.

Partizani merr sulmuesin e Veronës dhe rinovon me liderin e mbrojtjes
Dy lëvizje të rëndësishme nga Partizani pak ditë para ndeshjes së parë në Ligën e Kampionëve ndaj Karabagut. Nga Verona është marrë në formë huazimi për një vit sulmuesi 19-vjeçar, Joseph Ekuban, vëllai i ish-sulmuesit të Partizanit, Kaleb Ekuban. Ai vjen në formë huazimi, me të drejtën e blerjes nga klubi kryeqytetas. Nga ana tjetër, ka rinovuar kontratën mbrojtësi Egzon Belica, një nga titullarët më të rëndësishëm dhe lider i prapavijës. Ishin dy lëvizje të paralajmëruara nga drejtuesit e Partizanit, si afrimi i Ekubanit, ashtu edhe rinovimi i Belicës. I papritur duket largimi i mesfushorit Ardit Hila, i cili ka mbyllur bashkëpunimin me ekipin e kuq. Ekuban është prezantuar me fanellën e Partizanit dhe i është bashkuar skuadrës në stërvitje. Ai është një alternativë më shumë për trajnerin Franko Lerda para ndeshjes me Karabagun, që luhet të mërkurën e ardhshme në stadiumin “Selman Stërmasi”.

E kryer, mbrojtësi i kombëtares firmos në Serinë A
Vijon të shtohet numri i futbollistëve shqiptarë në kampionatin italian, Seria A. I radhës që do të luaj në elitën italiane të futbollit, është mbrojtësi Kastriotit Dermaku. Futbollisti kuqezi ka gjetur akordin me Parmën dhe brenda pak orësh pritet prezantimi zyrtar. 27-vjeçari përflitej prej disa kohësh për këtë transferim të bujshëm, por vetëm pasi është rënë dakord që ai të provoj shanset e tij në Serinë A është firmosur marrëveshja mes të dyja palëve. Dermaku ka luajtur më herët në pjesën më të madhe të karrierës së tij në Serinë B, duke ndërruar disa ekipe dhe duket se tashmë i erdhi momenti që të bëjë hapin e madh në karrierë.

 

Më Shumë