Podcast

Audio-Lajme 30 maj 2019

Nga reformatorë, në drejtorë…
Skënder Gjinushi ishte i fundit, por jo i vetmi në serinë e disa emrave, që pasi kanë ideuar dhe marrë pjesë si protagonistë për të reformuar institucione të rëndësishme, janë vendosur vetë në krye të tyre, duke hapur një debat më shumë moral sesa ligjor. Një ndër të parët ka qenë Gent Ibrahimi, sot kryetar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Para se të katapultohej në krye të këtij institucioni të krijuar rishtas si pjesë e reformës në drejtësi, Ibrahimi ishte kryetar i Komisionit Këshillimor të Reformës në Drejtësi, që për publikun njihej si “ekspert i nivelit të lartë”. Artan Lame është një tjetër emër, por që ndryshe nga emrat e mësipërm, reformimi i udhëhequr dhe mbrojtur prej tij në Kuvend preku dy institucione. Bëhej fjalë për krijimin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si produkt i shkrirjes së ALUIZNI-t me Zyrën e Hipotekës.
Ngjashëm ka ndodhur edhe me Sokol Sadushi, i cili u rikonfirmua në krye të Shkollës së Magjistraturës, por edhe me Helidon Bendo, i cili pas ristrukturimit që kreu në Shërbimin Informativ Shtetëror, u emërua kryetar i tij.

Cakaj: BE-ja mund të shtyjë sërish negociatat me Shqipërinë!
Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka pranuar ditën e sotme se vendimi për hapjen e negociatave me vendin tonë mund të shtyhet sërish. Për Cakajn, qeveria shqiptare i ka “bërë detyrat e shtëpisë”, por sipas tij, unioni në këto momente është më i përqendruar tek problemet e brendshme dhe zgjedhjet parlamentare. I pyetur nga Gazeta “Si”, Cakaj e bëri të qartë se vendimin e hapjes së negociatave nuk e merr Shqipëria. “Duke marrë këtë mësim nga viti i kaluar se ekzistojnë raste kur gjykimet politike mund të mbizotërojnë mbi gjykimet teknike unë për të qene korrekt me ju dhe kjo qeveri për të qenë korrekt me secilin qytetar, nuk e merr përgjegjësinë për t’ua dhënë premtimin final se negociatat do të hapen në këtë datë dhe në atë datë. Përcaktimin e agjendës së Këshillit nuk e ka në dorë Shqipëria. Vendimin për hapjen e negociatave nuk e merr Shqipëria”, tha Cakaj.

CDU/CSU: Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë kusht për negociatat
Pavarësisht se Komisioni Europian rekomandon çeljen e pakushtëzuar të negociatave të Shqipërisë me BE-në, partia kancelares gjermane Anxhela Merkel shprehet se vendi ynë nuk ka plotësuar asnjë nga kushtet e lënë një vit më parë nga Këshilli i ministrave të Jashtëm të vendeve të Unionit.
Qëndrimi i mbajt nga zëvendëskryetari i grupit parlamentar CDU/CSU, Johann Uadephul deklaroi se “Shqipëria nuk ka një sistem gjyqësor funksional. Nuk funksionojnë as Gjykata Kushtetuese dhe as Gjykata e Lartë. Nuk janë krijuar as njësia antikorrupsion SPAK dhe as Byroja Kombëtare e Hetimit. Ka përparime në nivele të ulëta dhe të mesme në luftën kundër korrupsionit. Përveç kësaj, nuk është nisur asnjë procedurë ligjore ndaj politikanëve dhe kriminelëve të përgjuar në fillim të vitit për blerje të votave”.
Në deklaratën e CDU/CSU theksohet se vendi duhet të bëjë çdo përpjekje për të përmirësuar kushtet për një vendim pozitiv të BE-së në shtator.

Kriza, Meta dhe Basha vizitë në Berlin
Javën e ardhshme në Gjemani pritet të vijnë një sërë politikanësh nga Ballkani Perëndimor, ndër ta edhe kreu i opozitës së Shqipërisë, Lulzim Basha, dhe presidenti i Republikës, Ilir Meta. Lajmin e bën të ditur Dojçe Vele, e cila thekson se vizitat janë jozyrtare, por nuk përjashtohet mundësia që të flitet për mundësitë e ndihmesës gjermane për kapërcimin e krizës në Shqipëri.
Grupi parlamentar i CDU/CSU i kancelares Anxhela Merkel ka shprehur gatishmërinë për të ndërmjetësuar për kizën politike, duke kërkuar PS dhe PD të ulen në tryezë pa kushte.

Për të fituar zgjedhjet, mjafton një votë
Kodi Zgjedhor i Shqipërisë nuk kufizon vlefshmërinë e një procesi votimi me pjesëmarrjen e votuesve në të. Pra, nuk ka një prag minimal pjesëmarrjeje në zgjedhje, nën të cilin procesi të cilësohet si i pavlefshëm dhe të përsëritet. Kjo do të thotë se në zgjedhjet e 30 qershorit, gjithmonë nëse këto zgjedhje do të mbahen, kandidatët që garojnë të vetëm për kryetarë bashkie ligjërisht do t’u mjaftonte vetëm vota e vet, jo vetëm për t’u shpallur fitues, por edhe me rezultatin “bindës” prej 100 për qind të votave. E tillë është gara në 35 bashki, ku në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve garon vetëm kandidati i Partisë Socialiste, pa asnjë rival përballë.

Tirana zyrtare kundër Thaçit: Bashkimi me Kosovën s'është në agjendën tonë
Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, iu përgjigj deklaratave të presidentit Hashim Thaçi, duke thënë se Bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë nuk është në agjendën zyrtare të Prishtinës dhe Tiranës.
I pyetur nga Gazeta Si se çfarë mendon për qëndrimin e kreut të shtetit të Kosovës, Cakaj tha se “kjo është një çështje që nuk është në agjendën zyrtare të asnjërës prej vendeve, por natyrisht që Shqipëria është në përpjekje e sipër për të intensifikuar bashkëpunimin rajonal me Kosovën dhe vendet e tjera në rajon”.

Quajti shqiptarët “njerëz të trashë”, Kryeministrja serbe në “listën e zezë” të Kosovës
Kryeministrja serbe, Ana Brnabiç është vendosur publikisht në listën e zezë të personave që nuk do t’u lejohet hyrja në Kosovës. Ky është zotimi i ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili përmes rrjeteve sociale reagoi pas disa deklaratave të kryeministres serbe.Reagimi i tij mbërriti pas deklaratave raciste të Ana Brnabiç, e cila në prani të ambasadorit të Bashkimit Europian në Beograd i cilësoi shqiptarët si “njerëz mali e të trashë”.Pacolli e cilëson të pështirë këtë koment, aq më tepër në sy të ambasadorit të BE-së, Sem Fabrizi.

Ish-deputetët e PD në Prokurori, Alibeaj: Akti i sotëm i pavlefshëm
Gjashtë ish-deputetët e Partisë Demokratike që u proceduan penalisht u merren në pyetje nga prokuroria e Tiranës. Flamur Noka, Enkelejd Alibeaj, Gent Strazimi, Klevis Balliu, Xhemal Gjunkshi dhe Anton Frrokaj dhanë sqarime për ngjarjen që ndodhi pas protestës së 16 shkurtit, për dhunën ndaj policëve në mjediset e drejtorisë së policisë Tiranë.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë thotë se ka kryer hetime duke ngritur akuzë “për veprën penale të Kundërshtimit të punonjësit të policisë së rendit publik, kryer në përdorim të dhunës dhe në bashkëpunim”.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, deklaroi pas daljes nga prokuroria se janë të angazhuar për të dalë e vërteta dhe e ka cilësuar aktin e sotëm të pavlefshëm.

Nis Vetingu në polici, përzgjidhen 45 emrat e parë
Edhe policia do t’i nënshtrohet procesit të vettingut. Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit për “Për Vlerësimin Kalimtar dhe Periodik të Punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme”, ka përzgjedhur 45 emrat e parë.
Subjektet e vlerësimit janë në detyrat më të larta drejtuese. 31 punonjës në Policinë e Shtetit, 12 punonjës në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) dhe 2 punonjës në Gardën e Republikës.
Deri më tani janë tërhequr dosjet e vetëdeklarimit nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit dhe ka nisur puna në fazën e parë, ajo e shqyrtimit të deklaratave, kërkimit të informacioneve dhe verifikimeve përkatëse.
Pas procesit të hetimit administrativ, sipas parashikimeve ligjore, do të mbahet seancë dëgjimore për çdo subjekt.

Lenjani dhe Mavraj kërkojnë kohë për t’u përshtatur me Rejan
Në ditën e tretë të grumbullimit të Kombëtares, para gazetarëve në konferencën për shtyp kanë folur mbrojtësit Emir Lenjani dhe Mërgim Mavraj. I rikthyer në ekip pas përplasjes me Panuçin, Lenjani ka theksuar faktin se tashmë atmosfera është shumë më pozitive. Mbrojtësi kuqezi tha se e ka lënë pas përplasjen që ndodhi me ish-trajnerin dhe tani është i gatshëm të jap më të mirën për ekipin kudo që të jetë nevoja. Ndërsa Mërgim Mavraj që nuk luan në ndeshjen e radhës me Islandën për shkak të dënimit disiplinor që ka marrë më parë, ka folur për ndryshimet që kanë ndodhur në Kombëtare, duke filluar nga trajneri Edi Reja, të cilin e përkufizoi si një person mjaft simpatik. Të dy futbollistët e kanë vlerësuar pozitivisht trajnerin e ri, teksa kanë kërkuar kohë për të arritur te rezultatet deri në përshtatjen e plotë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë