Komisioni Europian refuzon Holandën, nuk ka rikthim të vizave për Shqipërinë
Komisioni Europian ka hedhur poshtë sot kërkesën e Holandës për rikthimin e regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë. Lajmi është bërë i ditur për Gazeta Si nga zyrtarë të Komisionit Europian, të cilët thonë se pas vlerësimit të situatës aktuale, Shqipëria nuk plotëson mekanizmat për pezullimin e vizave.
Zëdhënësi i Komisionit Europian për Politikat e Emigracionit dhe Lëvizjen e Lirë, Tove Ersnt tha për Gazetën “Si” se ekzekutivi i BE-së do të vazhdojë të monitorojë nga afër përmbushjen e kritereve për lëvizjen e lirë nga ana e qeverisë shqiptare.
“Pas një vlerësimi të kujdesshëm të përmbajtjes së kërkesës të marrë nga Holanda dhe bazuar në informacionin në dispozicion dhe të dhënat përkatëse, Komisioni konsideron se në situatën aktuale rrethanat për të rikthyer regjimin e vizave nuk plotësohen. Komisioni do të vazhdojë të monitorojë nga afër përmbushjen e standardeve të liberalizimit të vizave për Shqipërinë, si dhe për vendet e tjera që përfitojnë nga udhëtimi pa viza”, thotë zëdhënësi në një e-mail zyrtar.
Pas refuzimit të kësaj kërkese, ka reaguar edhe Ambasadori i BE-së, në Tiranë Luigi Soreca, i cili thekson se pas kësaj arritjeje Shqipëria duhet të bëjë përpara në rrugën e saj drejt integrimit në BE, ku gjithçka bazohet në përgjigjen e tetorit.
Meta, Reforma në Drejtësi dhe frika nga një pakt Rama-Basha
Presidenti Ilir Meta është vënë në një kurs përplasjeje të fortë me ndërkombëtarët, të cilët pas zgjedhjeve të 30 qershorit po këmbëngulin me ngritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe për më tepër në dialogun mes palëve. Presioni i ndërkombëtarëve, se tani është koha për të dialoguar dhe ngritur institucionet e reja të drejtësisë, sugjerojnë se Edi Rama dhe Lulzim Basha mund të shkojnë të detyruar drejt një dialogu që përjashton LSI-në dhe që mund të mbyllet me një marrëveshje që nuk do të cenojë reformën në drejtësi, që është kusht i Ramës dhe do të çojë vendin në zgjedhje të parakohëshme me një qeveri tranzitore, që është kusht i Bashës. Ndaj, ndërhyrja e Ilir Metës në këtë fazë mund të interpretohet si përpjekje për ta parandaluar këtë marrëveshje të mundshme, nëse në të nuk diskutohet rishikimi i reformës në drejtësi, të cilën prej dy ditësh Presidenti e quan “Ramaformë”.
Meta kundër Euralius: Jo gjyqtarë të përkohshëm në Gjykatën e Lartë
Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një letër Këshillit të Lartë Gjyqësor, përmes të cilës kërkon të vihet në dijeni se në çfarë faze është puna për plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë, cilëson si të pajustifikuar tejkalimin e afateve për miratimin e akteve të nevojshme nënligjore për plotësimin e këtyre vakancave dhe rrëzon propozimin e Euralius për të emëruar përkohësisht në këtë institucion gjyqtarë të niveleve më të ulta edhe pa e kaluar vettingun. Propozimi i Euralius është kritikuar edhe nga opozita, që akuzon mazhorancën se me të njëjtën skemë që kapi prokurorinë duke emëruar si prokurore të përkohshme Arta Markun, po synon që të kapë edhe Gjykatën e Lartë. Por, KLGJ reagoi duke deklaruar se dokumenti i Euralius është një mendim ligjor dhe se nuk ka asnjë vendimmarrje konkrete për këtë këshillë të ndërkombëtarëve.
BE kërkon dialog mes palëve, Meta sulmon Soreca-n
Bashkimi Europian i bën thirrje klasës politike shqiptare që veprojë me maturi dhe të ulen të bisedojmë për tejkalimin e krizës politike. Ishte pikërisht ambasadori i BE-së, Luigi Soreca i cili kërkoi që partitë politike të shohin përpara dhe të flasin për plotësimin e angazhimeve të vendosura nga BE me qëllim çeljen e negociatave, duke theksuar se implementimi i reformës në drejtësi, është pakthyeshëm.
Qëndrimet e Soreca-s sollën reagimin e presidentit Meta, i cili sulmoi ambasadorin, duke deklaruar se BE-ja nuk ndërmori asgjë për të ulur palët në dialog. Ai i drejtoi 10 pyetje Soreca-s, duke fajësuar pas SHBA-së, edhe BE-në për mos zgjidhjen e krizës politike.
Shkarkimi i Metës, Ulsi Manja do të drejtojë Komisionin Hetimor
Kryesia e Partisë Socialiste e mbledhur paraditen e kësaj të mërkure ka vendosur që Komisionin Hetimor Parlamentar kundër presidentit Ilir Meta ta drejtojë Ulsi Manja, i cili është edhe kryetar i Komisionit të Ligjeve.
Pjesë e Komisionit Hetimor do të jenë 9 anëtarë, 5 nga PS dhe 4 nga opozita e re parlamentare. Anëtarë të këtij komisioni nuk do të jenë ata që firmosën kërkesën për shkarkimin e presidentit. Mazhoranca nisi procedurat për shkarkimin e presidentit Meta, pas dekretit të tij për të shfuqizuar 30 qershorin si datë për zgjedhjet lokale.
Në 90 minuta mbledhje, Kryesia ka diskutuar edhe post 30 qershorin. Gjatë mbledhjes mësohet se është bërë një analizë të gjerë për të gjitha degët e PS në rrethe. Ndërsa, kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla në një deklaratë për mediat u shpreh se po vijojnë normalisht procedurat për shkarkimin e presidentit Meta. Balla tha se nisma e 55 deputetëve është marrë tashmë në shqyrtim nga Komisioni i Ligjeve.
Mbi 5 për qind fletë të pavlefshme
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar shifrat zyrtare mbi votat e pavlefshme për zgjedhjet e 30 qershorit. Sipas KQZ-së në total kanë votuar mbi 812 mijë zgjedhës, ndërsa votat e pavlefshme për kryetar bashkie në shkallë vendi rezultojnë mbi 45 mijë fletë. Për votat e këshilltarëve rezulton se janë rreth 50 mijë.
Sipas këtyre të dhënave rezulton se në total janë mbi 5 % e fletëve të votimit që kanë rezultuar të pavlefshme, duke rezultuar si më e lartë në çdo palë zgjedhje.
Zgjedhjet e 30 qershorit, Basha: Opozita s’i njeh dhe s’do t’i njohë
Lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka theksuar edhe njëherë se opozita nuk i njeh votimet e 30 qershorit dhe nuk ka për t’i njohur. Sipas tij, procesi është nul, pasi cenon sundimin e ligjit dhe nuk mund të prodhojë asnjë përfaqësim politik. Nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook”, ai thotë se ishin vetë shqiptarët që e vendosën një gjë të tillë duke i bojkotuar votimet.
Ndryshe nga kreu i shtetit që e gjen zgjidhjen e kësaj krize të thelluar politike te zhvillimi i tri palë zgjedhjeve më 13 tetor, lideri demokrat thotë se zgjidhja qëndron te ndëshkimi i fenomenit të shit-blerjes së votës.
PD: Kutitë u mbushën, KQZ rriti me 280 mijë votues
Partia Demokratike kontestoi shifrat e nxjerra nga KQZ-ja mbi pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.
Ivi Kaso, sekretari për Çështjet Zgjedhore i kësaj partie u shpreh se administrata e KQZ-së ka rritur pjesëmarrjen me 8 për qind, që do të thotë se kanë mbushur kutitë, duke shtuar rreth 280 mijë vota në të gjithë vendin.
Sulmi në KZAZ, arrestohet nënkryetari tjetër i PD-së në Dibër
Pas protestave në KZAZ-në e Dibrës, Policia e Dibrës ka vënë në pranga një tjetër zyrtar të Partisë Demokratike, nënkryetarin Ilir Hysa.
Ai është arrestuar pas përleshjeve të forta mes policisë dhe protestuesve më 28 qershor në KZAZ-në numër 19. Gjatë protestës së tyre, militantët e PD-së tentuan të çanin kordonin e policisë për t’u futur brenda KZAZ-së dhe për të djegur materialet zgjedhore, por u shpërndanë nga policia me gaz lotsjellës.
Lidhur me këtë incident, pak ditë më parë u arrestua edhe nënkryetari tjetër i PD-së në Dibër, 30-vjeçari Korab Muça. Policia ka bërë të mundur ndalimin e tij në pikën kufitare të Bllatës.
Rrëzohet kërkesa e Adriatik Llallës, edhe 3 muaj nën hetim
Gjykata e Krimeve të Rënda ka rrëzuar kërkesën e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, i cili kundërshtonte vendimin për të shtyrë afatet hetimore. Vendimi është marrë sot nga gjyqtari Bib Ndreca. Prokuroria ka kërkuar zgjatjen e hetimeve edhe me tre muaj për shkak se pret dy letërporosi nga Gjermania dhe SHBA, por avokati i Llallës deklaroi se organi i akuzës e ka pasur kohën e mjaftueshme për të kryer hetimet ndaj klientit të tij.
Kjo do të thotë se Krimet e Rënda kanë pranuar kërkesën e Prokurorëve për zgjatjen me 3 muaj të hetimeve ndaj ish-kryeprokurorit, Adriatik Llalla.
Ish-kryeprokurori Llalla pretendonte se deri më tani dhe pse janë zgjatur disa herë hetimet prokuroria nuk ka gjetur asnjë provë ndaj tij.
Adriatik Llalla është në hetim për tri akuza: pastrim parash, fshehje apo mosdeklarim të pasurive dhe mosdeklarim i të hollave në kufi.
Tahiri: Shqipëria ka ecur para, vetëm gjyqi im ka ngecur
Është shtyrë për herë të dytë seanca gjyqësore ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Gjykata e Krimeve të Rënda e ka shtyrë seancën, pasi prokura e një prej të pandehurve, Gjergj Kohilës nuk ishte e rregullt.
Dy të pandehurit e tjerë, Jaeld Çela dhe Sokol Bode paraqitën prokura përfaqësimi dhe kishin përcaktuar se kishin dijeni për seancën. Ndërkohë kjo gjë nuk është bërë nga i pandehuri tjetër në mungesë Kohila, i cili kishte paraqitur një prokurë për t’u përfaqësuar nga një avokat, por nuk kishte përcaktuar në të se kishte dijeni për seancën. Seanca e radhës do të mbahet më 17 korrik.
Pas daljes nga ambientet e Gjykatës së Krimeve të Rënda në një deklaratë për mediat, ish-ministri Tahiri është shprehur i keqardhur për shtyrjen sërish të seancës. Ndër të tjera, ai tha se do vazhdojë të kërkojë mbylljen e gjyqit sa më shpejt. “Keq më vjen që u shty prapë. Unë do vazhdoj të kërkoj gjithmonë një gjyq sa më shpejt se nuk ka më terezi njeri që ky gjyq të zgjatet kaq shumë. Shqipëria ka ecur para, vetëm gjyqi im ka ngecur”, është shprehur ndër të tjera ish-ministri.
Brazili në finale, Mesi shpërthen në akuza: Ata manipulojnë gjithçka!
Dy gola nga Gabriel Jesus dhe Firmino çojnë Brazilin në finale të Kupës së Amerikës. Brazili ka fituar klasiken e futbollin amerikano-latin përballë Argjentinës 2-0. Pas ndeshjes në Belo Horizonte, selecao e shikon veten në finalen e madhe, por njëkohësisht thyen ndoshta për herë të fundit shansin e Lionel Mesit për të fituar diçka me kombëtaren e tij. Brazili pret të mësojë kundërshtarin e finales nga gjysmëfinalja tjetër Kili-Peru. Zhgënjim mjaft i madh tek Argjentina dhe si kurrë më parë, Lionel Mesi ka shpërthyer me akuza ndaj gjykimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.