Podcast

Audio-Lajme 29 qershor 2019

Bashkitë e opozitës mbyllin shkollat, policia arreston punonjësit
Bashkitë e opozitës në Shkodër, Mallakastër dhe Pogradec kanë kyçur shkollat ditën e sotme, si pjesë të bindjes ndaj dekretit të presidentit Ilir Meta për zhdekretimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Policia ka arrestuar disa punonjës të administratës vendore, ndërsa ka shpallur në kërkim nënkryetarin e bashkisë së Mallakastrës. Bashkia e Shkodrës në urdhër të sajin shprehet se shkollat janë të paprekshme për sa kohë nuk ka dhënë leje për t’i përdorur.

Kurbini dhe Kombinati thyejnë heshtjen zgjedhore, kundër votimeve të së dielës
Ndërkohë që në këtë të shtunë vendi ka hyrë në heshtje zgjedhore, opozita vazhdon me kauzën e saj për largimin e kryeministrit Rama.
Mbështetësit e PD-së, në Kurbin dhe Kombinat, dolën para KZAZ-ve me pankarta në duar ku kërkonin largimin e kryeministrit Edi Rama, duke thyer në këtë mënyrë heshtjen zgjedhore.
Opozita e bashkuar në qytetin e Laçit është mbledhur në sheshin para Pallatit të Kulturës në një manifestim për të protestuar votimet që do mbahen më 30 qershor. Ata janë kundër votimeve të nesërme, pasi i cilësojnë njëpartiake.
Njëlloj si në Kurbin, ka ndodhur edhe në KZAZ në zonën e Kombinatit në kryeqytet. Edhe banorët e njësisë nr. 6 në Kombinat janë kundër zgjedhjeve të 30 qershorit dhe kërkojnë edhe largimin e kryeministrit Edi Rama.
Ata mbajnë pankarta në duar ku shkruhet “dega nr. 6 nuk nënshtrohet”, “Mbrojmë Kushtetutën”.

Tensionet në Dibër, policia arreston 12 persona dhe shpall 39 në kërkim
Policia nëpërmjet një njoftim zyrtar bën të ditur se ka arrestuar 12 persona dhe ka shpallur në kërkim 39 të tjerë si rezultat i tensioneve të ushtruar në Komisionin Zonal Zgjedhor në Dibër. Policia përdori gazlotsjellës në shpërndarjen e protestuesve, ndërsa opozita akuzon uniformat blu për ushtrim terrori dhe përdorim dhune ndaj tyre.
Opozita po organizon protesta të gjitha njësite vendore të drejtuara prej duke kontestua procesin e 30 qershorit.

Meta, mesazh shqiptarëve: Nuk ka vetëm të diel, por edhe të hënë
Ndërkohë që sot vendi është në heshtje zgjedhore, presidenti Ilir Meta e ka nisur mëngjesin duke pirë kafe me një qytetar.
Pasi Meta dekretoi datë të re zgjedhjesh 13 tetorin, sot me anë të një fotoje në rrjetin social, Meta u ka uruar qytetarëve një fundjavë të qetë sa më larg zhurmës, tensioneve dhe streseve duke iu kujtuar se nuk ka vetëm të diel, por edhe të hënë.
“Sa më larg zhurmës, tensioneve dhe streseve. Të mos harrojmë se nuk ka vetëm të diel, por edhe të hënë. Dhe përsëri kafen e mëngjesit do e pimë me njëri-tjetrin, me fqinjët tanë dhe miqtë tanë, pavarësisht nga idetë e ndryshme politike”, shprehet Meta në rrjetin social “Facebook”.

Një ditë para votimeve, komandot blindojnë ambasadat
Ushtria ka marrë në mbrojtje sot të gjitha ambasadat në Tiranë. Forca ushtarake të armatosura rëndë bëjnë roje në pika të ndryshme të zonës, për të garantuar sigurinë.
Nesër do të mbahen zgjedhjet vendore të pazakonta në vendin tonë, pasi në shumicën e bashkive janë vetëm me një kandidat. Opozita do të jetë jashtë këtyre zgjedhjeve, ndërkohë ka shumë gjasa që nesër votimet të shoqërohen me incidente në bashkitë e djathta dhe ato të LSI-së.
Ndërkohë, presidenti Ilir Meta ka anuluar 30 qershorin si ditë zgjedhjesh dhe ka nxjerrë dekretin e ri për zgjedhjet më 13 tetor.

Trump përzgjedh ambasadoren e re në Shqipëri
Gati një vit pas largimit të Donald Lu, presidenti Donald Trump ka zgjedhur diplomaten Yuri Kim si ambasadoren e re të Shteteve të Bashkuara të Amerikë në Shqipëri.
Pas nominimit të shefit të Shtëpisë së Bardhë, ajo do të marrë konfirmimin nga Senati, për t’u zhvendosur më pas në Tiranë, ku e pret një tjetër sfidë e vështirë.
Diplomatja ka shërbyer në poste në ndryshme në Departamentin Amerikan të Shtetit, duke përfshirë Drejtorinë e Zyrës së Çështjeve të Europës Jugore.
Më interesante është se e përzgjedhura e Trump ka qenë edhe anëtare delegacionit të SHBA-së në bisedimet gjashtëpalëshe me Korenë e Veriut.
Zyrtarja e lartë e shërbimit të jashtëm amerikan, e cila ka punuar në poste kryesore dhe ka mbuluar rajone të shumta, duke përfshirë Kinën, Korenë e Veriut, Turqinë, Irakun dhe NATO-n.
Ajo ka qenë Shefe e Shtabit të Zëvendëssekretarit të Shtetit, 2015-2017, si dhe ka drejtuar Zyrën për Sigurinë Evropiane dhe Çështjeve Politike-Ushtarake.

Pishinat, vendi më i “preferuar” për bakteret
Mjekët amerikanë kanë paralajmëruar se pishinat, si një vend i rrezikshëm për përhapjen e sëmundjeve, nuk duhet të frekuentohen sidomos nga ata njerëz që qenë të sëmurë me diarre për një periudhë të shkurtër, pasi mund të përhapin një bakter tepër të rrezikshëm për shëndetin e njeriut, të quajtur “crypto”. Sipas mjekëve, ky bakter mund të shumohet në prani të klorit të pishinave, duke shkaktuar shtresa të mëdha bakteresh të cilat nuk mund të eliminohen shpejt as nga dezinfektuesit dhe janë burim për një sërë sëmundjesh të tjera.

Feronikeli bën historinë, për herë të parë në eliminatoret e Champions
Ashtu siç pritej, Feronikeli e ka bërë historinë e futbollit kosovar. Skuadra nga Drenica ka fituar mbrëmjen e së premtes në stadiumin “Fadil Vokrri”, 2-1 përballë Santa Koloma, duke shkuar për herë të parë në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve. Në dy herët e para, Drita dhe Prishtina kishin dështuar që të shkonin kaq larg, por Feronikeli besoi deri në fund dhe ia doli që të bëjë realitet ëndrrën e madhe europiane.
Nuk ishte aspak e lehtë ndeshja në Prishtinë për ekipin e Feronikelit që ishte në disavantazh në fillimin e pjesës së dytë. Pas një pjese të parë të mbyllur në barazim, fraksioni i dytë ka qenw vendimtar për këtë përballje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë