Podcast

Audio-Lajme 28 qershor 2019

Pas djegies së KZAZ-së, qeveria shkarkon kryebashkiakun e Vaut të Dejës
Qeveria do të shkarkojë menjëherë kryetarin e Bashkisë së Vaut të Dejës, Zef Hila pas sulmit ndaj KZAZ-së numër gjashtë të vendosur në fshatin Bushat, territor i kësaj bashkie. Lajmin e dha ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.Në një dalje para mediave, Lleshaj tha se sulmi i së enjtes ishte kulmi i një serie shkeljesh në Bashkinë e Vaut të Dejës ku protagonist tha se ka qenë edhe kryebashkiaku, Zef Hila.15 persona janë arrestuar për sulmet ndaj KZAZ-së në Vaun e Dejës. Mes të ndaluarve janë edhe familjarë të kryebashkiakut Hila dhe punonjës të kësaj bashkie. PD akuzon Ramën për skenarë dhune dhe thotë se Hila vazhdon detyrën e tij.

Basha: Shkarkimi i Hilës, akt kriminal, Rama po kërkon viktima në 30 qershor
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mbajti një konferencë për shtyp në lidhje me situatën e krijuara para zgjedhjeve të 30 qershorit. Basha denoncoi vendimin qeverisë, duke e cilësuar si të pabazuar në ligj.
“Edi Rama ka shkarkuar sot Zef Hilën kryebashkiakun e Vaut të Dejës. Është hakmarrje personale politike, kundër një përfaqësuesi të ligjshëm, të denjë të njerëzve. Është vendim personal i Edi Ramës që përdor Këshillin e Ministrave si fasadë, dhe mercenarin Sandër Lleshi, një njeri i pa zgjedhur, i pa votuar, pa asnjë përfaqësim, për ta ndërsyer kundër njerëzve dhe opozitës. Nuk ka asnjë motiv dhe nuk ka asnjë arsye për shkakrimin e tij. Zef Hila nuk ka qenë as fizikisht dhe në asnjë mënyrë tjetër i përfshirë në incidentin e djeshëm në Vaun e Dejës”, deklaroi kryedemokrati

Molotovi në Vaun e Dejës, 15 persona në pranga, mes tyre nënkryetari i Bashkisë
Pas incidentit që ndodhi në KZAZ nr. 6 mbrëmjen e kaluar në Vaun e Dejës, ku mbetën të plagosur edhe tre efektivë policie, policia ka vënë në pranga 15 persona.
Ndërkohë, tre shtetas të tjerë po ndiqen penalisht në gjendje të lirë dhe 9 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Lajmin e ka bërë me dije zv/ drejtoresha e përgjithshme e Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj, në një deklaratë për mediat.
Ajo është shprehur se mes të arrestuarve janë edhe nën-kryetari i Bashkisë, Vau i Dejës, vëllai i kryetarit të Bashkisë si dhe punonjës të bashkisë.

Pas djegies, KQZ i ndryshon vendndodhjen e KZAZ Vau Dejës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendimin për ndryshimin e KZAZ së Vaut Dejës pas tensioneve të natë më parë që u shoqëruan me djegien e materialeve zgjedhore dhe të lëndimit të tre punonjësve të policisë.
KQZ vendosi me katër vota pro një kundër që KZAZ numër 6 të zhvendoset në një ambient privat, duke u larguar nga shkolla mesme profesionale.

BE njeh 30 qershorin: Jo dhunë në zgjedhje
Delegacioni i Bashkimi Europian me anë të deklarate për median bën thirrje për proces zgjedhor paqësore më 30 qershor, duke mos i penguar ato. “Qytetarët shqiptarë duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në mënyrë të rregullt dhe paqësore. Është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e të gjithë aktorëve politikë për të siguruar që veprimtaritë e votimit të mos pengohen”, theksohet në deklaratë.
Ky qëndrim vjen edhe si kundërpërgjigje ndaj aktit të presidentit Meta, i cili nxori një dekret të ri duke caktuar 13 tetorin si datë të re të zgjedhjeve lokale. Për ndërkombëtarët 30 qershori është në fuqi.

OSBE: Të dielën, zgjedhjet të qeta. Ndëshkoni dhunën!
Drejtuesit kryesorë të strukturave të OSBE-së kanë dalë me një deklaratë të përbashkët ku konfirmojnë 30 qershorin si datë zgjedhjesh vendore dhe kërkojnë prej të gjithë aktorëve kryesorë politikë që të punojnë për një proces votimi të paqtë dhe të drejtë. E vënë në dijeni të sulmit të fundit ndaj KZAZ-së në Vaun e Dejës, deklarata e OSBE dënon këtë akt dhe aktet e tjera të ngjashme që janë regjistruar në ditët e kaluara. OSBE thotë se çdo akuzë për shit-blerje votash dhe shantazh ndaj punonjësve të administratës duhet të adresohet dhe autorët të mbajnë përgjegjësinë sipas ligjit.

“Forza Italia”: Shqipëria në kaos, të ndërhyjmë menjëherë!
Partia e ish-kryeministrit Silvio Berluskoni, Forza Italia, e ka ndërmarrë një nismë parlamentare duke i kërkuar qeverisë italiane të ndërhynte në mënyrë të menjëhershme për të shmangur përshkallëzimin e krizës politike në Shqipëri.
Lajmi është bërë i ditur nga nënkryetarja e Dhomës së ulët të Parlamentit italian dhe deputetja e “Forza Italia”, Mara Carfagna, nëpërmjet një postimi të papritur në Facebook, ku shkruan se Shqipëria është "në kaos" dhe se Italia duhet të ndërhyjë në mënyrë diplomatike.
Sipas deputetes së “Forza Italia”, nëse Italia dhe Bashkimi Europian nuk ndërhyjnë menjëherë duke e detyruar Shqipërinë të marrë një rrugë plotësisht kushtetuese, vendi rrezikon të zhytet në paralizë institucionale.

Dekreti i dytë i Metës ngre shtet paralel dhe fut vendin në kaos
Nëse për dekretin që anuloi 30 qershorin pati dilema a e zbuste apo e përshkallëzonte krizën, për dekretin e dytë të Presidentit, pra atë të vendosjes së 13 tetorit si data e re e zgjedhjeve, nuk ka asnjë pikëpyetje: ky dekret përshkallëzon krizën politike dhe institucionale, ngre shtet paralel dhe e fut vendin në ujëra të palundruara më parë, edhe në periudhat më të vështira të tranzicionit 30-vjeçar shqiptar. Mazhoranca nuk ka ndërmend që të tërhiqet nga zgjedhjet e së dielës. 30 qershori do të nxjerrë emrat e kryebashkiakëve të rinj edhe në ato bashki që sot kontrollohen nga opozita. Por, me dekretin e Ilir Metës në dorë që anulon zgjedhjet e 30 qershorit, drejtuesit dhe administrata e bashkive të opozitës do të refuzojnë lirimin e zyrave dhe duke iu referuar dekretit të dytë të Ilir Metës do të deklarojnë se zgjedhjet janë më 13 tetor. Pra, përplasja e pushteteve në nivel qendror do të transferohet me një tjetër vrull në pushtetin vendor. Kjo situatë mund të nxjerrë jashtë funksionit bashkitë, duke u pamundësuar atyre ofrimin e shërbimeve bazike për qytetarët, siç është ai i ndihmës ekonomike apo të tjera shërbime që kryen ky pushtet.

Rama: Revolucionarët në grahmat e fundit, Meta më çoi letër dashurie me kod
Ndërkohë që presidenti Meta ka dekretuar një datë të re zgjedhjesh, kryeministri Edi Rama vijoi turin elektoral në Himarë.
Në fjalën e tij para himariotëve, kryeministri hodhi një lumë akuzash ndaj presidentit Meta për caktimin e datës së re të zgjedhjeve. Presidentin Meta tashmë e ka cilësuar si një nga udhëheqësit e revolucionit imagjinar.
“Haxhi Qametaj s’di se çfarë bën me dekretet e tij, s’di çfarë vulos. Janë vulat e panikut, e dëshpërimit dhe të grahmave të fundit të një revolucioni imagjinar që që nga dje e ka selinë në Presidencë”, tha ndër të tjera kryeministri Rama.
Sa i përket letrës që presidenti i dërgoi kryeministrit Rama, ai tha se bëhej fjalë për një letër dashurie me kod, pasi sipas tij ajo letër erdhi pasi u dogj KZAZ në Shkodër. Kreu i qeverisë e ka cilësuar 30 qershorin si ditën e ndëshkimit të opozitës që i cilëson si karnavale. Po ashtu përsëriti edhe njëherë që do të ndëshkohen të gjithë ata që kryejnë krime elektorale.

Ironia e Metës me 30 qershorin: Shijoni zgjedhjet socialiste, si në 1982
Presidenti Ilir Meta kujtoi përmes rrjeteve sociale se sipas dekretit që nxorri një ditë më parë, data kushtetuese për zgjedhjet vendore është 13 tetori. Për të nuk ka asnjë dilemë se vendimi i tij është në përputhje të plotë dhe të padiskutueshme me Kushtetutën dhe ligjet e tjera të vendit. Përballë këmbënguljes së Kryeministrit për të zhvilluar zgjedhjet këtë të dielë, Meta këshillon qytetarët që, sipas tij, të mos bien pre e provokimeve dhe të shmangin dhunën në procesin e së dielës e cilëson një proces tërësisht partiak. Presidenti nuk kursen ironizimin dhe postimin e tij me shkrim e shoqëron me një video-kronikë nga zgjedhjet e vitit 1982 në Shqipëri, proces që në kohën e regjimit pritej me këngë, daulle e valle.

Zyrtare, Milani jashtë Europa League
Milan nuk do të luajë në Europa League sezonin e ardhshëm. Në faqen zyrtare të CAS-it, doli publikimi i shumëpritur, në të cilin kuqezinjtë u përjashtuan nga sezoni i ardhshëm i Ligës së Europës edhe pse u rendit në vendin e pestë. Klubi kuqezi u përjashtua nga Liga e Europës për shkak të mungesës së përputhjes së bilanceve financiare dhe mos mbajtjen e një buxheti të balancuar mes shpenzimeve dhe të ardhurave që e kishte si detyrim nga UEFA për periudhën trevjeçare 2015-2016-2017. Për Milanin që tani do e jetë akoma dhe më të vështirë që të rikthehet kompetitiv dhe në të ardhmen do ketë ndëshkime akoma edhe më të ashpra për mosrespektimin e rregullave të “Fair Play Financiar”. Ky vendim për Milanin është një lajm i mirë për Romën dhe Torinon, të cilët kanë qenë duke pritur për të. Roma do të zërë vendin e Milanit, duke shkuar direkt në fazën e grupeve të Ligës së Europës, ndërsa Torino do të luaj në fazën eliminatore nga play off-i që fillon në muajin gusht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë