Podcast

Audio-Lajme 27 qershor 2019

Meta: Zgjedhjet më 13 tetor!
Pas takimeve me krerët e partive dhe ambasadorët e vendeve të BE-së, në një konferencë për mediat, presidenti Meta caktoi 13 tetorin si datë të re zgjedhjesh. Ai iu drejtua kryeministrit Edi Rama dhe i kërkoi që të reflektojë mbi situatën politike, në mënyrë që e diela të jetë një ditë shprese për të gjithë shqiptarët. Meta tha se axhenda e tij nuk është ajo e opozitës, por e interesit të shqiptarëve.
Gjithashtu Meta u ndal edhe te ndërkombëtarët, ndërsa theksoi se ai ua ka bërë të qartë vendimin e tij ligjor dhe kushtetues në lidhje me shtyrjen e datës së zgjedhjeve më 13 tetor.

13 tetori i Metës, Rama: 30 qershori e vetmja datë zgjedhjesh
Menjëherë pas dekretimit të 13 tetorit si datë të re zgjedhjesh nga presidenti Ilir Meta, vjen reagimi i kryeministrit. Në një postim në “Twitter”, Rama shprehet se e priste këtë çmenduri të dytë nga ana e presidentit, por sipas tij data e re nuk ka vlerë. Rama insiston në 30 qershorin.
“A ju thashë prisni çmendurinë e dytë?. Tani thjesht mëshirojeni.
30 qershori është e vetmja datë zgjedhjesh”, shkruan Rama në “Twitter”.

Zgjedhjet e 30 qershorit, ambasada amerikane dhe ajo italiane apel qytetarëve të tyre
Ambasada amerikane në Tiranë ka bërë një apel për qytetarët e saj në vendin tonë që të tregohen të kujdesshëm në datë 30 qershor për shkak të zgjedhjeve lokale që do të mbahen në Shqipëri. Në njoftimin e saj, selia diplomatike e SHBA në vendin tonë iu bën thirrje qytetarëve amerikane që jetojnë në Shqipëri që të jenë të kujdesshëm për të evituar çdo situatë përplasje që mund ndodh. Në njoftim ambasada specifikun se në ditët e fundit ka pasur disa raste dhune, të cilat mund edhe të përsëriten në datë 30 ose më vonë. Në lidhje me zgjedhjet e 30 qershorit ka reaguar edhe ambasada italiane në vendin tonë, që iu kërkon gjithashtu qytetarëve të saj që të shmangin zonat ku mund të ketë dhunë. Selia diplomatike italiane në Tiranë thekson se zonat më të rrezikshme do të jenë në veri të vendit.

Rama: Meta ka marrë drejtimin e opozitës
Teksa presidenti Ilir Meta ishte shprehur se e priste në takim deri në orën 13:00, kreu i qeverisë vijonte me takimet me banorët e njësive administrative në kryeqytet. Duke bashkëbiseduar dhe konsumuar një kafe në njësinë administrative nr. 4 në Tiranë, Rama është fokusuar te kriza politike që ka kapluar vendin që pas daljes në rrugë të opozitës. Pikë kyçe në këtë bisedë ka qenë edhe qëndrimi i presidentit Ilir Meta, që kreu i qeverisë e ka konsideruar si qëndrim të njëanshëm.
Ai tha se Meta ka marrë drejtimin e opozitës, duke qenë se kjo e fundit tashmë ka dështuar.

Shqipëria si Spanja dhe Holanda, prodhuesja më e madhe e kanabisit në Europën Juglindore
Shqipëria është renditur si vendi i parë për prodhimin më të madh të lëndëve narkotike në Europën Juglindore, bashkë me Spanjën dhe Holandën.
Ky është përfundimi i raportit të fundit publikuar nga UNODC-ja, Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimet, sipas të cilit Shqipëria rezulton të jetë prodhuesja më e madhe e kanabisit në Europën Juglindore duke nisur nga viti 2010 deri në vitin 2017.
Raporti i zyrës së OKB-së e cilëson Shqipërinë si vendi i origjinës nga ku niset kanabisi dhe më pas furnizohen të gjitha vendet e Europës dhe si një vend ku janë kapur laboratorë droge.
Megjithatë, në rang botëror Shqipëria renditet e dhjeta për nga sasia e kanabisit të asgjësuar për periudhën 2016-2017.
Nga ana tjetër, së bashku me Holandën, Shqipëria përmendet edhe për shkatërrimin e sasisë më të madhe të kanabisit në Europë gjatë viteve të fundit.

Kryepeshkopi Anastas në koncertin e Dalaras tek amfiteatri në Tiranë
Këngëtari i njohur grek, Jorgo Dalaras ishte mbrëmë në Tiranë ku dha një koncert në amfiteatrin e Parkut të Liqenit. Artisti grek me fansa të shumtë edhe në Shqipëri këndoi për gati 2 orë orë, disa prej hiteve të tij më të njohura.
Por në shkallët e amfiteatrit të liqenit u dallua dhe një spektator i veçantë. Ishte Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale shqiptare, Anastas Janullatos, i cili ka shijuar muzikën e bandës së këngëtarit 69-vjeçar.
Kjo ishte hera e parë për Jorgo Dalaras që vinte në vendin tonë për një koncert recital. Pjesë e orkestrës së tij ishte edhe një shqiptar, i cili luan në fizarmonikë.

Ndotja e ajrit ndikon në infertilitetin e grave
Një studim i fundit ka treguar se ndotja e mjedisit ndikon edhe në aktivitetin e vezoreve të një gruaje. Ekspertët thonë se gjetjet tregojnë se sistemi riprodhues i femrës ndikohet nga një sërë faktorësh mjedisorë. Studimi u krye në bazë të vlerësimit të hormonit të quajtur AMH(Anti-Mülleriane Hormone), i cili tregon sasinë e ulët të vezëve në trupin e femrës. Ata shtuan se nëse gratë vazhdojnë të jetojnë në ambiente të ndotura, kjo nënkupton se që në të ardhmen mund të kenë një periudhë më të shkurtër të jetës së tyre për të qenë riprodhuese, duke kaluar kështu shumë shpejtë në fazën e menopauzës.

Prezantohet projekti i stadiumit më të ri që do ndërtohet në Shqipëri
Pas shumë fjalësh dhe premtimesh është prezantuar edhe projekti i stadiumit më të ri në Shqipëri. Do të jetë në Fier stadiumi i radhës modern në vendin tonë, pas atyre në Elbasan, Shkodër dhe Tiranë. Pas disa takimeve që u zhvilluan mes kryetarit të Bashkisë Fier, Armando Subashi, kreut të FSHF-së, Armando Duka dhe presidentit të Apolonisë, Koço Kokëdhima është rënë dakord për projektin e stadiumit të ri në këtë qytet. Impianti i ri modern, ndryshe nga tre stadiumet e ndërtuara më herët do të jetë në periferi të këtij qyteti në rrugën që të nxjerr për në autostradën Lushnje-Fier. Ky impiant do të jetë shtëpia e re e skuadrës së Apolonisë.

 

Më Shumë