Podcast

Audio-Lajme 27 Prill 2019

Raporti/ Krime e korrupsion – Sekretet e gjyqtarëve Zaganjori, Thanza, Dvorani e Zeneli
Në raportet sekrete të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar rezulton se ish-anëtari i Gjykatës së Lartë, Artan Zeneli ka fshehur faktin se ambasada amerikane i refuzoi dhënies vizës. Në këtë raport të disponuar nga Gazeta “Si” fshehja e një fakti të tillë përbënte shkelje dhe propozohej shkarkimi nga sistemi i drejtësisë. Raporti sekret i DSIK-së kërkonte edhe shkarkimin e anëtarit tjetër të Gjykatës së Lartë Admir Thanza, i cili rezultonte si person i lidhur me përfaqësues së botës së krimit dhe i korruptuar. Këta 2 anëtarë KPK-ja i përjashtoi nga sistemi i drejtësisë.

Pashkët, kryepeshkopi Anastas: Të mposhtet padrejtësia dhe smira
Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos ka uruar të gjithë besimtarët ortodoksë për Pashkë. Në mesazhin e urimit, kryepeshkopi Anastas thotë se Ngjallja e Krishtit fuqizon shpresën se do të mposhten përfundimisht padrejtësia, smira, korrupsioni, interesat e errëta që zakonisht ecin së bashku me gënjeshtrën tinëzare dhe arrogancën e egër dhe e vrasin paqen.
Ngjallja e Krishtit është një dritë jetëprurëse, thotë ai prandaj besimtarët duhet t’i gëzohen sot paqes dhe besimit njëkohësisht.

Rama drejt Elbasanit, mbështetësit e PD i zënë rrugën, e qëllojnë me gurë
Ashtu si një ditë më parë Shkodër, kryeministri Edi Rama u prit me protesta edhe në Elbasan.
Mbështetës dhe simpatizantë të Partisë Demokratike dolën për të bllokuar rrugën.
Protesta është zhvilluar te rrethrrotullimi i Bradasheshit, ndërsa aty u mblodhën dhe forca të shumta policie. Në momentin që ka kaluar eskorta e kryeministrit Rama, në drejtim të saj është qëlluar edhe me gurë, në tentativë për ta ndalur.

Rama në Elbasan: Nuk merret pushteti me bllokime rrugësh, PS fiton gjithë bashkitë
Kryeministri Edi Rama ka vijuar turin e takimeve “Bashkia që Duam” në qytetin e Elbasanit. Fjalën e tij, kreu i qeverisë e nisi duke komentuar bllokimin e rrugës sot në hyrje të qytetit të Elbasanit. Ai i cilësoi deputetë pijanecë ata që bllokojnë rrugët dhe sjellje rrugaçërie dhe të patolerueshme për shekullin që jetojmë. Fjala e kryeministrit vijoi duke shënjestruar kryedemokratin Basha për djegien e mandateve dhe daljen nga Parlamenti. Më tej, ai ironizoi ish-deputetin Edmond Spaho dhe kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi, sipas tij e vetmja që ka ardhur në Elbasan për të blerë vota. Kryeministri Edi Rama bëri edhe prezantimin e Gledian Llatjas për Bashkinë e Elbasanit, i cili siç tha ai do të ndjekë rrugën e Qazim Sejdinit dhe u shpreh i bindur që më 30 qershor Partia Socialiste do të marrë të gjitha bashkitë e Shqipërisë.

“Bindja” regjistrohet në KQZ, Zguri kundër
Me katër vota pro dhe një kundër Komisioni Qendror i Zgjedhjeve regjistroi partinë “Bindja Dmeokratike” të Astrit Patozi për të konkurruar në zgjedhjet e 30 qershorit. Kërkesa për regjistrim u kundërshtua nga kryetari i KQZ, Klement Zguri, i cili dha dhe votën kundër.
Sipas tij, “Bindja Demokratike” nuk i plotësonte afatet ligjore për t’u regjistruar, pasi Gjykata nuk kishte dhënë një vendim të formës së prerë. Por 4 anëtarët e tjerë nuk e vlerësuan këtë qëndrim, duke votuar pro regjistrimit të këtij subjekti politik.

Tabaku: Shqiptarët të varfër, PD ofron ulje taksash
Ish-deputetja e PD, Jorida Tabaku ka hedhur akuza mbi qeverinë Rama duke thënë se shqiptarët sot janë më të varfër, ndërsa krejt e kundërta është për qeveritarët.
Nëpërmjet një statusi në “Facebook”, ish-deputetja shprehet se nga viti 2014 kur në Shqipëri u implementuan politikat fiskale rilindëse, gjendja ekonomike është përkeqësuar.
Ish-deputetja demokrate thekson se ajo çka ofron PD është krejt e kundërta; ulje e taksave dhe shpenzim i borxhit në shërbim të qytetarëve dhe të mirës publike.

Prapaskena e zgjedhjes së trajnerit të kombëtares, Guidolin rrëfen bisedën me Dukën
Tekniku italian, Francesko Guidolin, ka folur për kontaktet që pati me presidentin e FSHF-së, Armando Duka para se të zgjidhej trajneri i ri i Kombëtares. Në një intervistë për “Calciomercato.com”, Guidolin ka thënë se Shqipëria zgjodhi Rejan dhe ai është shumë i lumtur për këtë. Më tej, italiani është shprehur se presidenti Duka ishte treguar shumë i hapur dhe i sjellshëm, por ai kishte zgjedhur që të merrte më shumë kohë për të menduar deri në fundin e këtij sezoni për ekipin e ri që do të trajnojë. Përveç Guidolin për stolin e Kombëtares në javët e para të prillit u përfol edhe emri i Alberto Zakeronit, por në fund gjuha e përbashkët u gjet me 72-vjeçarin Edi Reja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë