Podcast

Audio-Lajme 27 maj 2019

Forcat pro zgjerimit – Çfarë sollën për ne zgjedhjet e reja të PE
Partitë Popullore Europiane u konfirmuan forcë e parë në zgjedhjet e fundit për Parlamentin Europian, por me një rënie të ndjeshme prej 38 mandatesh në krahasim me zgjedhjet e 2014, e po më rënie prej 35 mandatesh si forcë e dytë u konfirmuan socialistët. Numrat kanë ndryshuar, por lajmi i mirë është se forcat pro zgjerimit dhe pro Bashkimit Europian mbeten shumicë, pasi rritje të fortë ka patur Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve të Europës, një mbështetëse e fortë e zgjerimit dhe forcimit të Bashkimit Europian. Ky grupim e konsideron zgjerimin si mekanizmi më i fortë dhe më i mirë i politikës së jashtme të Bashkimit Europian dhe kreu i ALDE-s, Guy Verhofstadt shpesh ka qortuar të djathtët dhe të majtët tradicionalë për mefshtësi, standarde të dyfishta dhe burokraci të panevojshme karshi vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Partitë pro-BE marrin shumicën vendeve në PE, por ekstremistët u shtuan
Pas zgjedhjeve të Parlamentit Europian, grupet më të vjetra kanë humbur për herë të parë shumicën, ndërkohë liberalët, të gjelbrit dhe nacionalistët kanë fituar terren të konsiderueshëm.
Partia Popullore Evropiane, PPE-ja, mbetet blloku më i madh parlamentar, por pritet të formojë një koalicion për të ruajtur shumicën.
Sipas rezultateve të publikuara në orët e para të mëngjesit, PPE ka marrë 179 deputetë (38 më pak se në vitin 2014). Socialdemokratët fituan 152 vende, ndërsa të Gjelbrit ishin befasia duke marrë 67 vende.
Edhe pse partitë pro-europiane pritet të mbajnë shumicën, triumfi iu partive nacionaliste në Itali, Francë dhe vende të tjera i ka dhënë një shtysë të madhe euroskeptikëve.

Historike, fiton eurodeputetja e parë shqiptare, mbesa e Musine Kokalarit
Për herë të parë në ulëset e Parlamentit Europian do të ulet një shqiptare. Quhet Arba Kokalari 32 vjeç dhe do të përfaqësojë në PE partinë suedeze, ‘Moderaterna’. Partia në fjalë arriti të marrë 17.6% të votave në zgjedhjet europarlamentare në Suedi, duke arritur të çojë katër përfaqësues në Bruksel, njëra prej të cilave do të jetë edhe Arba.
Arba Kokalari vjen nga një familje e njohur shqiptare, mbesa e politikanes dhe disidentes së njohur të shekullit ’20, Musine Kokalari. Në reagimin e parë në rrjetet sociale pas zgjedhjes, Arba Kokalari ka shprehur edhe emocionet e saj për këtë moment historik. Nuk kanë munguar urimet për të edhe nga politikanët shqiptarë.

Pas zgjedhjeve europiane, Greqia në zgjedhje të parakohshme
Skena politike në Greqi ndryshoi krejtësisht të dielën, pasi partia opozitare Demokracia e Re triumfoi ndaj partisë së kryeministrit Aleksis Tsipras në zgjedhjet e Parlamentit Europian. Pas fitores së Demokracisë së Re, e cila është pjesë e PPE-së, Tsipras pritet të shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Konservatorët e “Demokracisë së Re” kryesojnë me 32.27%, gati 9.4 pikë më shumë sesa partia qeveritare. Në deklaratën e tij pas zgjedhjeve pak para mesnatës së të dielës, Tsipras tha se nuk do të largohej apo të jepte dorëheqjen pa luftuar. Mediat greke shkruajnë se me shumë mundësi, zgjedhjet parlamentare do të mbahen në fund të qershorit.

Hetimet për dosjet 339 dhe 184, Marku: 700 CD përgjime
Kryeprokurorja Arta Marku raportoi punën e institucionit që drejton për vitin 2018 para Komisionit të Ligjeve dhe atij të Sigurisë Kombëtare të Kuvendit. Dosjet 339 dhe 184 dominuan në këtë seancë të përbashkët të dy komisioneve. Arta Marku pranoi se për dosjet 339 dhe 184 ka patur zvarritje, por nënkuptoi se kjo zvarritje ka ndodhur për shkak të volumit të madh të përgjimeve që duhen dëshifruar. Kryeprokurorja tha se Dosja 339 po hetohet nga 2 prokurorë dhe 11 oficerë. Ka pasur 700 CD dhe video të patranskriptuara, tha ajo, duke shtuar se së shpejti do të ketë një vendimmarrje për të dyja rastet. Partia Demokratike dhe aleatët e saj akuzojnë mazhorancën se po i zvarrit qëllimisht këto dy dosje, që sipas opozitës provojnë bashkëpunimin me krimin në blerjen e zgjedhjeve. Në dosjen e parë PD thotë se përfshihet drejtpërdrejtë Vangjush Dako, ndërsa në të dytën përmend emrin e Damian Gjiknurit për procesin zgjedhor për Bashkinë e Dibrës.

Opozita shtyn protestën për shkak të Natës së Kadrit dhe Ditës së Fëmijëve
Opozita ka vendosur të shtyjë protestën e shtatë kombëtare, që ishte përcaktuar më 31 maj. Protesta do të zhvillohet dy ditë më vonë në të njëjtin orar, të dielën më 2 qershor.
Ndryshimi i datës së protestës njoftohet se bëhet në respekt të Natës së Kadrit, e shtyrja më datë 2 bëhet edhe në respekt të Ditës së Fëmijëve.
Ndërkohë për shkak të vendosjes së protestës më 31 maj fillimisht nga opozita, kryeministri Edi Rama shtyu hapjen e fushatës elektorale nga PS më 1 qershor.

Murrizi: Dorëzimi i mandateve, vetëvrasje politike
Deputeti i PD-së, Myslym Murrizi, në një intervistë për Gazeta SI shprehet se djegia e mandateve të deputetëve të pjesës tjetër të opozitës ishte vetëvrasje politike që nuk jep asnjë zgjidhje.
“Ne duhet të ishim në Parlament, duhet të ishim në protestë dhe absolutisht që nga janari duhet të kishim nisur fushatën. E po ju garantoj që do të fitonim mbi 25 bashki nga 15 që kemi sot. Do të fitonim Lushnjën, Durrësin, Elbasanin, Dibrën si bashki të mëdha”, deklaroi Murrizi.
Murrizi theksoi se opozita e re në Parlament do të votonte kundër nismës së mazhorancës për ndryshimin e Kodit Penal.

“Opozita e re”, një tjetër emër nga LSI kërkon mandatin
Një tjetër kandidat nga listat e LSI ka kërkuar të marrë mandatin e deputetit, duke dorëzuar formularin e dekriminalizimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Bëhet fjalë për kandidatin Ramazan Gjuzi nga Qarku i Tiranës. Me kërkesën e tij janë plotësuar 17 vendet duke u kryer zëvendësimi i të gjithë deputetëve që dogjën mandatet nga radhët e LSI-së.
Ndërkohë nga PD-ja janë plotësuar 23 vende, duke mbetur bosh 18 karrige. Deri më tani janë 39 deputetë të opozitës që kanë zënë karriget, nga 58 që dogjën mandatet.

Atentati në Vlorë, një i vdekur dhe një i plagosur
Një atentat me armë zjarri është shënuar në fshatin Poro të Vlorës. Dy të rinj teksa po ktheheshin me motor drejt shtëpive të tyre kanë rënë në pritë të një atentati. Si pasojë të dy shtetasit janë plagosur, ku rrugës për në spital ka ndërruar jetë 22-vjeçari Sotiraq Mëhilli, ndërsa shtetasi Eno Mata, 32 vjeç, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. 32-vjeçari Eno Mata rezulton me precedentë penalë në shtetin grek. Dyshohet se vrasja e mbetur në tentativë e Matës është porositur në shtetin fqinj, Greqi, pasi ky i fundit rezulton person me precedent penal në Greqi, ndërsa dyshohet si njëri prej autorëve të vrasjes së avokatit të njohur grek, Mihalesi Zafeiropoulos.

Gjon’s Tears, shqiptari në finalen e “The Voice of France”
Talentet shqiptarë po korrin gjithnjë e më shumë sukses në vende të ndryshme të botës. Një ndër ta është edhe Gjon Muharremaj, apo siç e njohim ne Gjon's Tears, i cili ka shkëlqyer një performancen e tij “Rocket Man”, të Elton John për “Voice of France”, duke kaluar kështu në gjysmëfinale. Ai njihet me emrin e artit “Gjon’s Tears” dhe ka lindur në Zvicer, por është me origjine nga trojet shqiptare. Karriera e tij ka nisur kur ishte vetëm 12 vjeç, kur mori pjesë në “Albania's Got Talent” për herë të parë. Tashmë Gjoni është 20 vjeç dhe vazhdon të realizojë ëndrrat e fëmijërisë, duke synuar që zëri i tij të dëgjohet edhe në vende të tjera.

Interi prezanton Konten brenda javës, Leonardo largohet nga Milani
Lëvizje të rëndësishme priten këtë javë në dy klubet e Milanos. Në gjysmën e parë të javës drejtuesit e Interit do të zyrtarizojnë shkarkimin e Luçiano Spaletit, ndërsa në gjysmën e dytë do të zyrtarizohet ardhja e Antoanio Kontes, i cili pas firmës do të udhëtojë drejt Kinës për t’u takuar me presidentin Zhang. Te Milani, lëvizja e parë pritet të jetë largimi i drejtorit të sektorit teknik Leonardo, që nuk i ka punët mirë me Gazidis dhe është gati të kthehet në Francë, te PSG-ja. Drejtuesit e Milanit ende nuk kanë vendosur për të ardhmen e trajnerit Gatuzo.

Memushaj humb finalen e Serisë A, “gëzohet” trajneri Reja
Mesfushori i Kombëtares, Ledian Memushaj, do të luajë në Serinë B edhe sezonin e ardhshëm. Shpresat për t’u ngjitur në Serinë A me Peskarën kanë marrë fund, pasi skuadra e futbollistit vlonjat u mund në fushën e saj nga Verona, me rezultatin 0-1. Ndeshja ishte e vlefshme për fazën e “play-off”-it dhe Peskara nuk mundi të kalonte në finale, ku do ta priste Çitadela, që eliminoi Beneventon në gjysmëfinalen tjetër. Eliminimi i Peskarës është një lajm i mirë për trajnerin e Kombëtares, Edi Reja, sepse do ta ketë mesfushorin më shpejt nën urdhrat e tij dhe më të freskët fizikisht për ndeshjet me Islandën dhe Moldavinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë