Këshilli i Europës anulon vëzhguesit e zgjedhjeve më 30 qershor
Këshilli i Europës ka anuluar delegacionin për vëzhgimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Lajmi bëhet i ditur zyrtarisht nga zyra e këtij organizmi në Tiranë.
“Këshillit të Evropës ka vendosur të mos vendosë një Delegacion të Kongresit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Shqipëri për shkak të paqartësisë së vazhdueshme në lidhje me organizimin e zgjedhjeve lokale në Shqipëri më 30 qershor si edhe rreziqet e mundshme të sigurisë në zona të caktuara ku do mbahen zgjedhjet”, thuhet në njoftimin e shpërndarë.
Disa ditë më parë KQZ kishte miratuar listën e vëzhguesve të Këshillit të Europës që do të monitoronin më 30 qershor.
KiE tërhoqi vëzhguesit, Basha: Vendim politik! Sinjal që s’ka zgjedhje më 30 qershor
Këshilli i Europës anuloi misionin vëzhgues të zgjedhjeve të 30 qershorit duke dhënë si arsye pasigurinë me të cilën mund të përballen vëzhguesit e këtij institucioni në disa zona të vendit. Por, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se pas këtij vendimi ka një tjetër arsye.Në një konferencë të shkurtër për mediat, Basha e cilësoi vendimin krejtësisht politik dhe sinjal i qartë dhe i prerë që 30 qershori nuk është datë zgjedhjesh.“Ky është një vendim qartësisht politik, sepse është një tërheqje që Këshilli i Europës nuk e ka bërë as për zgjedhje të zhvilluara në zona konfliktesh të armatosura, apo konflikti civil nga Ukraina në Gjeorgji nga Armenia dhe Azerbajxhani apo edhe gjatë konfliktit të armatosur në Maqedoni”, tha kreu i PD.
Ish-presidenti Moisiu dhe 21 intelektualë, apel për zgjidhjen e krizës
Ish-presidenti Alfred Moisiu ka firmosur së bashku me 21 intelektualë e personalitete të fushave të ndryshme një deklaratë ku i bëhet thirrje partive për arritjen e një pakti kombëtar për zgjidhjen e krizës politike. Në këtë deklaratë kërkohet realizimi i një reforme të plotë, duke nisur ndryshimin e Kushtetutës, sistemit zgjedhor, duke synuar një pakt të gjerë dhe që të jetë sa më afatgjatë.
Shkarkimi i Metës, votohet raporti për komisionin hetimor
Me 13 vota pro dhe 1 kundër Komisioni Parlamentar i Ligjeve miratoi raportin për t’i kërkuar Kuvendin ngritjen e komisionit të posaçëm hetimor për shkarkimin e presidentit të Republikës, Ilir Meta.
Kërkesa për shkarkimin e presidentit është firmosur nga 55 deputetë të mazhorancës dhe se ato e cilësojnë si një shkelje të rëndë të Kushtetutës, aktin e kreut të shtetit për zhdekretimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Prag zgjedhjesh, ndiqet penalisht kryetari i Bashkisë Lezhë
Policia e Lezhës ka proceduar penalisht në gjendje të lirë kryebashkiakun e Lezhës, Fran Frrokaj.
Sipas policisë, gjatë një emisioni televiziv dyshohet se kryebashkiaku ka konsumuar elementët e veprës penale “Pengim i subjekteve zgjedhore”.
Dy ditë më parë, kryetari i Bashkisë së Lezhës deklaroi se më 30 qershor do të mbrojë pronat nën administrimin e bashkisë, duke mos lejuar në këtë mënyrë lejimin e zgjedhjeve më 30 qershor.
Përplasjet për KZAZ në Kamëz, 3 në pranga dhe 3 në kërkim
Policia e Tiranës ka vënë në pranga 3 shtetas dhe ka shpallur në kërkim 3 të tjerë, pasi akuzohen për vepra penale kundër procesit zgjedhor. Mësohet se të arrestuarit janë nga Babrruja dhe kanë ushtruar dhunë në ambientet e KZAZ-së në shkollën “Ibrahim Rugova” në Kamëz.
Policia bën me dije se në pranga kanë rënë shtetasit Andon Prençi, Petrit Prençi vëllezër me njëri-tjetrin dhe Dritan Dervishi.
Ndërkohë janë shpallur në kërkim 3 shtetas të tjerë. Personat në fjalë ishin militantë të PD-së dhe kanë hapur me forcë derën kryesore të shkollës “Ibrahim Rugova” e cila ishte kthyer në KZAZ nr. 27 për materialet zgjedhore të 30 qershorit.
Shkarkohet prokurori Eugen Beci dhe gjyqtari Hasneziri
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar sot nga detyra prokurorin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Eugen Becin.
Hetimi i tij është bërë në të tria kriteret, por ka rezultuar me probleme për sa i përket pasurisë. Prokurori Eugen Beci kishte aplikuar për t’u bërë pjesë e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK).
Po ashtu, sot edhe një tjetër gjyqtar ka ngecur në sitën e vettingut. Bëhet fjalë për gjyqtarin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, Luan Hasneziri. Në vitin 2014, gjyqtarit Hasneziri iu refuzua viza nga ambasada amerikane në Tiranë. Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, gjyqtari Hasneziri ka rezultuar me probleme për sa i përket pasurisë dhe pastërtisë së figurës. Gjyqtari Hasneziri ishte kandidat për Gjykatën Kushtetuese.
Kosova e izoluar, BE nuk jep dritën jeshile për heqjen e vizave
Kosova është duke pritur dritën jeshile për heqjen e regjimit vizave, por ashtu si Shqipërinë, BE-ja ka lënë në vjeshtë edhe Prishtinën.
“Vendimi lidhur me propozimin për liberalizimin e vizave është duke u shqyrtuar aktualisht nga Këshilli”. Kjo është e vetmja që tha në një deklaratë të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian në lidhje me liberalizimin e vizave, duke shkaktuar jo pak zemërim në Prishtinë.
Ministrja e Integrimit Europian, Dhurata Hoxha është shprehur tejet e zhgënjyer me Bashkimin Evropian, duke thënë se ishte në pritje të një datë konkrete për heqjen e regjimit të vizave.
Ajo ka konfirmuar se disa shtete të BE-së, kanë dalë haptazi kundër liberalizimit të vizave.
Europa merr masa kundër të nxehtit afrikan. Në Shqipëri mbi 40 gradë, ISHP jep këshilla
Europa po përgatitet për një valë të jashtëzakonshme të nxehtësisë, pasi meteorologët kanë paralajmëruar që i nxehti afrikan do të përfshijë të gjithë kontinentin. Pritet që temperaturat do të tejkalojnë 40 gradë celsius, në një numër të madhe qytetesh anembanë vendit. Për sa i përket vendit tonë, meteorologia Rezarta Xhakollari ka thënë për Gazetën “Si” se vlerat e temperaturave gjatë ditëve në vijim do të rritet ndjeshëm, duke arritur në 40-deri në 41 gradë.
“I nxehti i jashtëzakonshëm nga shkretëtira e Algjerisë që ka goditur Europën Perëndimore do t’i afrohet edhe vendit tonë. Ditën e enjte deri e deri në javën e ardhshme, termometri do të ngjitet deri në 40 gradë në zonat e ulëta. Temperaturat e larta do të mbeten deri në fund të muajit qershor”, shton Xhakollari.
Ndërsa, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Instituti i Shëndetit Publik, kanë filluar një fushatë sensibilizimi, duke listuar një sërë këshillash për të përballuar vapën.
Merkato e lojtarëve shqiptarë, Rrahmani dhe Mavraj me ekipe të reja
Po rezulton shumë pozitive kjo merkato vere për lojtarët shqiptarë. Pas Enea Mihajt, edhe Mërgim Mavraj dhe Amir Rrahmani kanë firmosur me ekipet e reja. Kapiteni i kombëtares shqiptare, Mavraj ka firmosur me Grojther Fyrth në Bundesliga 2 një kontratë me afat dyvjeçar. Edhe Amir Rrahmani ka bërë një hap cilësor në karrierën e tij. 25-vjeçari që luan me Kosovën ka firmosur në Serinë A me Hellas Verona, duke u larguar nga Dinamo e Zagrebit për një shifër prej 2 milionë eurosh. Në ditët në vijim pritet të mësohet edhe e ardhmja e mbrojtësit tjetër shqiptar, Elseid Hysaj që kërkohet nga disa ekipe të mëdha në Europë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.