Podcast

Audio-Lajme 25 qershor 2019

Meta: Kolegji nuk ka tagër të shqyrtojë dekretin tim
Presidenti Ilir Meta në një konferencë për median ka cilësuar si të pavlefshëm vendimin e Kolegjit Zgjedhor, i cili rrëzoi shfuqizimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Sipas tij, kjo trupë gjyqësore nuk mund të shqyrtojë një gjë të tillë pasi këtë tagër nuk ia njeh Kushtetuta, qoftë për dekretin ashtu edhe për anulimin e zgjedhjeve.
“Jemi në një situatë paradoksale. Dekreti i presidentit për zgjedhjet është marrë në mbështetje të plotë me Kushtetutën, për pasojë vetëm gjykata Kushtetuese mund të shqyrtojë atë. Presidenti i bën thirrje mazhorancës të tërhiqet nga paligjshmëria. E vetmja rrugë për zgjidhen e krizës është dialogu politik”, tha Meta.
Gjithashtu ai deklaroi se nuk do ta japë dorëheqjen nga posti që mban, duke shtuar se do të qëndrojë në detyrë deri në fund të mandatit të tij, pavarësisht se ndaj tij mazhoranca ka nisur procedurat për shkarkimin e tij.

Rama i përgjigjet Metës: Zgjedhjet më 30 qershor
Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me banorët e Njësisë Administrative Nr. 2 në Tiranë, i është përgjigjur në mënyrë të tërthortë presidentit Ilir Meta, i cili gjatë konferencës mëngjesin e sotëm i mëshoi fort faktit se 30 qershori nuk ekziston si datë zgjedhjesh dhe se bëhet fjalë për një proces imagjinar.
Kreu i qeverisë është shprehur i prerë se nuk ka asnjë shans që zgjedhjet të mos zhvillohen më 30 qershor, pasi sipas tij, kush do të zgjidhet, duhet të paraqitet në zgjedhje. Sipas Ramës, kjo që po bën opozita është vetëvrasje politike spektakolare.

Prag zgjedhjesh, ambasadorët e SHBA dhe BE i mësyjnë Bashës në zyrë
Zv/Ambasadorja e SHBA Leyla Moses-Ones, ka shkuar sot paradite në zyrën e kreut të PD, Lulzim Basha, ndërsa në mesditë liderit të opozitës i ka shkuar në zyrë ambasadori i BE-së, Luigi Soreca. Menjëherë pas takimit me zv.ambasadoren amerikane, kryedemokrati Basha pati një prononcim të shkurtër me gazetarët, ku theksoi faktin se nuk preferon të komentojë bisedat me përfaqësuesit ndërkombëtarë. Në këtë mënyrë, lideri demokrat nuk ka pranuar të tregojë detaje nga takimi dhe biseda me diplomaten amerikane, Leyla Moses-Ones. “Takimet që kam me diplomatët e huaj nuk kanë qenë kurrë subjekt i bisedave të mia me përfaqësuesit e shtypit”, tha Basha. Sa i përket 30 qershorit, ai theksoi se nuk është ditë zgjedhjesh dhe nuk ka zgjedhje pa opozitën.

Nis shpërndarja e fletëve të votimit, KQZ fut ushtrinë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur shpërndarjen e fletëve të votimit në të gjithë Shqipërinë. Mësohet se shpërndarja ka nisur drejt bashkive që drejtohen nga të majtët, ndërsa për më vonë janë lënë për ato bashkitë që drejtohen nga opozita. Për shpërndarjen e tyre, KQZ ka kërkuar ndihmën e ministrisë së Mbrojtjes, ku makinat e ushtrisë janë nisur drejt qyteteve të ndryshme.

Qarkorja e PD për bllokim zgjedhjesh, Basha e mohon
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka mohuar se PD-ja ka shpërndarë një qarkore të posaçme për kryetarët e bashkive të opozitës ku kërkohet bllokimi i procesit zgjedhor të 30 qershorit. Me një dalje publike për median, kryedemokrati i cilësoi këto si lajme të botuara në media. “Është një prodhim i mercenarëve mediatikë të Edi Ramës. Mashtrim total dhe shërbim që i bëhet Edi Ramës dhe klikës së tij. S’ka zgjedhje më 30 qershor”, deklaroi Basha.

Krimi elektoral, Arta Marku: Prokurorët në gatishmëri gjatë zgjedhjeve
Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku ka firmosur sot urdhrin për prokurorët, për masat administrative dhe proceduriale për periudhën para dhe pas zgjedhjeve.
Në udhëzimin e firmosur nga kryeprokurorja Marku thuhet se do të hetohen dhe ndiqen penalisht me përparësi dhe efikasitet të gjithë ata persona që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve, si dhe kryejnë vepra penale që dëmtojnë procesin zgjedhor.
Në udhëzim ndër të tjera saktësohet se gjatë periudhës së zgjedhjeve, prokurorët do të jenë në gatishmëri nga ora 07:00 deri në 22:00 dhe do të kenë komunikim të vazhdueshëm me sallën operative të policisë.

Bardhi: Arta Marku po pengon dosjet “184” e “339”
Pas udhëzimit të firmosur nga kryeprokurorja Arta Marku ka ardhur edhe reagim nga Partia Demokratike. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi i ka bërë thirrje kryeprokurores Arta Marku të dërgojë para drejtësisë hajdutët e zgjedhjeve, që ndodhen në dosjet “184” dhe “339”. Bardhi deklaron se përfaqësuesja e Ramës në Prokurori i ka në tavolinë dy dosjet, por po pengon hetimin. Sipas tij, pa u ndëshkuar hajdutët e zgjedhjeve, nuk mund të zhvillohen zgjedhje të tjera.

Reja rrëfehet për aventurën shqiptare, nga vera me Dukën te telefonata me Ramën
Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Edi Reja ka dhënë një intervistë për Gazzetta.it në Itali, ku ka folur për aventurën në Shqipëri, e cila ka filluar prej disa muajsh. Në prononcimin e tij tekniku italian ka rrëfyer çdo gjë, duke filluar që nga gjendja e ekipit, raportin me presidentin dhe ambientin sportiv në Shqipëri. 73-vjeçari Reja ka folur edhe për të ardhmen e ekipit, duke thënë se elementët cilësorë nuk mungojnë, por do të duhet kohë deri në konsolidimin e plotë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë