Podcast

Audio-Lajme 24 shtator 2019

Shirat përmbytin dhjetëra shtëpi e godina biznesesh
Reshjet e shumta të shiut dhe me intensitet të lartë kanë rikthyer përmbytjet në disa zona të vendit, si në Tiranë, Durrës, Krujë, Laç dhe Lezhë. Dhjetëra e qindra banesa dhe biznese janë dëmtuar si rezultat i këtyre reshjeve. Situata më e rëndë paraqitet në zonën e Fushë Krujës ku lumi Derven ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur disa shtëpi dhe dhjetëra hektarë tokë. Kjo ka bërë që të ketë probleme në disa akse rrugore nacionale. Kreu i Emergjencës Civile, Haki Çako u shpreh se kanë marrë 2500 ankesa dhe se në Durrës dhe në Tiranë kanë shkuar forcat e zjarrfikëses kudo që ka pasur problem. Gjithashtu edhe forcat ushtarake janë përfshirë në zonën e Kamzës për të nxjerrë ujin e futur nëpër shtëpitë e banorëve. Ndërsa Autoriteti Rrugor veç masave për pastrimin e rrugëve nacionale bën apel për kujdes për qytetarët që udhëtojnë me makinat e tyre.

Turbullohet Bovilla, Tirana sot pa ujë të pijshëm

Banorët e Tiranës nuk do të kenë ujë në rubinetët e tyre ditën e sotme. Ujësjellësi i Tiranës njofton qytetarët se mungesa e ujit të pijshëm vjen si rezultat i turbullirës në ujëmbledhësin e Bovillës, nga reshjet e dendura që kanë rënë gjatë natës.
Thatësira prej më shumë se pesë muajsh dhe intensiteti i lartë i reshjeve prej 115 mm, kanë shkaktuar këtë gjendje në ujëmbledhësin, prej të cilit furnizohet me ujë një pjesë e mirë e qytetit.
Ujësjellësi Tiranë u kërkon qytetarëve të tregojnë kujdes me përdorimin e ujit të pijshëm gjatë ditës së sotme , deri në stabilizimin dhe kthjellimin në ujëmbledhës.
Sipas inxhinierëve dhe specialistëve të ujësjellësit në terren, furnizimi normal me ujë do të rinisë në orët e mbrëmjes.
Tërmeti, Lleshaj në Shijak: Banorët të zhvendosen në qendrat e pritjes
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj mesditën e sotme ka shkuar në zonat më të prekura nga tërmeti i së shtunës ku përfshihen fshatrat Bodinak, Karpen, Karreç dhe Bilalas në Bashkinë e Shijakut. I shoqëruar edhe nga drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, Ministrisë së Brendshme dhe pushtetit lokal, ka shpërndarë disa pako me ushqime dhe veshmbathje për familjet më në nevojë.
Ndërkohë, ministri u ka bërë apel familjeve që kanë banesat më të dëmtuara, të zhvendosen përkohësisht në qendrat e përkohshme pritëse dhe Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme në Durrës.
“Unë ftoj qytetarët, të cilët ndodhen në kushte të tilla, të mundohen të gjejnë mundësi për të bashkëpunuar dhe për t’u evakuuar drejt qendrave të pritjes që kemi krijuar në Durrës”, u shpreh ministri Lleshaj.

Tërmetet, Basha: 5 masa urgjente për të dëmtuarit

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha gjatë vizitës së tij në një nga familjet më të dëmtuara nga tërmeti në zonën e Durrësit ka propozuar marrjen e 5 masave urgjente të përballimit të kësaj situate. Sipas kryedemokratit duhet që të bëhet evidentimi dhe transparenca e dëmeve për çdo banesë dhe biznes; Të caktohet dhe shpallet publikisht fondi i posaçëm i buxhetit për riparimin e banesave të prekura; Të pezullohen pagesat e ujit dhe energjisë për familjet e dëmtuara, deri në stabilizimin e gjendjes; Pezullimin e taksës së pronës deri në rikuperimin e dëmeve të shkaktuara.
Një tjetër kërkesë e liderit të opozitës është edhe mbështetja me kredi të buta për bizneset që kanë pësuar dëmtime nga tërmeti. Edhe nënkryetari i LSI-së, Endrit Braimllari kërkoi që të qeveria të shpallë gjendjen e emergjencës për zonat e prekura nga tërmeti, por sipas tij, qeveria nuk e ndërmerr këtë vendim, për t’iu shmangur detyrimit ligjor për të dëmshpërblyer në masën 100 për qind të banorëve.

SHBA: Ndryshimi që po sjellim, lajm i keq për zyrtarët e korruptuar

Zëvendësambasadori i SHBA në Tiranë, Dan Koski, ka dhënë një paralajmërim të fortë për të gjithë zyrtarët e korruptuar në Shqipëri.
Koski ka njoftuar se Amerika ka një lajm të keq për këta zyrtarë, duke e cilësuar si rëra në ingranazhe, që sipas tij, shumë shpejt do të bëjë që aktivitetet e tyre korruptive të ndalen.
Gjatë aktivitetit mbi Projektin për Planifikimin dhe Qeverinë Vendore të USAID, Koski është shprehur se jo të gjithë në Shqipëri ndajnë qëllimet e SHBA për të përmirësuar zbatimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë, dhe se një pjesë do vijojnë luftën për të bllokuar këto qëllime të rëndësishme.
Zyrtari i lartë amerikan ju bën thirrje atyre që e duan Reformën në Drejtësi që të mos shkurajohen, por të vazhdojnë luftën për reformat që do të forcojnë shoqërinë shqiptare.
“Mos u stepni. Mos u shkurajoni. Vazhdoni të qëndroni në këmbë dhe të luftoni për reformat që do të forcojnë shoqërinë shqiptare për ju dhe brezat e ardhshëm. Ju besoni që në horizont është një e ardhme më e ndritur për Shqipërinë. Të njëjtën gjë mendojmë edhe ne, dhe do ta vijojmë këtë rrugëtim së bashku me ju”, u shpreh zv.Shefi i Misionit në Detyrë, Dan Koski.

Hungaria: Ne s’vendosim kushte për Shqipërinë, por disa vende te BE-së po

Ambasadori i Hungarisë në vendin tonë, Lorant Balla ka pohuar sot raportet që qarkullojnë gjerësisht ne media se Brukseli po mendon vendosjen e disa kushteve përpara hapjes së negociatave me Shqipërinë.
Ambasadori Lóránt Balla, vendi i të cilit do të marrë Portofolin e Zgjerimit, duke pasur kështu një rol kyç për integrimit europian të Shqipërisë, komentoi sot lajmet për një “po” me kushte për vendin tone, duke deklaruar se Budapesti ishte kundër këtij skenari.
Duke folur në kuadër të nisjes së Javën Hungareze, ai thotë se Hungaria kërkon që negociatat të hapen në tetor pa kushte si për Shqipërinë ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut.
“Dua të përsëris se në jemi për çeljen e negociatave pa kushte. Vendet e tjera mund të kërkojnë të tjera gjëra, por ne kemi kërkuar gjithmonë fillimin e negociatave”, deklaroi zoti Balla. “Megjithatë për hapjen e negociatave, mund të kërkohen gjëra që tani nuk funksionojnë, Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, pastaj edhe jeta parlamentare të rikthehet në vazhdën normale, edhe zgjedhjet të përmirësohen sipas kërkesave të OSBE-së”.

KPA lë në fuqi vendimin, shkarkohet gjyqtarja Alma Liçaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka lënë në fuqi vendimin e shkarkimit të gjyqtares Alma Liçaj nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Trupi gjykues i KPA-së, i përbërë nga Luan Daci kryesues, Natasha Mulaj relatore dhe anëtarët Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo, vendosi përfundimisht shkarkimin e Alma Liçaj, e cila ishte kryetare e Gjykatës së Apelit në Vlorë.
Gjyqtarja Liçaj është akuzuar për fshehje dhe mungesë burimesh financiare për pasurinë e saj që përbëhet nga një shtëpi dhe 5 apartamente në Vlorë dhe Tiranë.
Alma Liçaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000. Rreth 10 vjet, Liçaj ka punuar si gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë të Vlorës, ndërsa në vitin 2009 u komandua si kryetare e Gjykatës së Apelit të Vlorës, detyrë në të cilën u emërua më pas.

FIFA shpall Leo Mesin mbret, për inat të Kristiano Ronaldos

Lionel Mesi ka fituar çmimin e futbollistit më të mirë të vitit 2019 nga FIFA, edhe pse këtë vit ka fituar vetëm titullin e La Ligas në Spanjë. Argjentinasi ka mundur holandezin Virxhil van Dijk, i cili udhëhoqi Liverpulin në fitimin e Championsit dhe ishte afër titullit kampion në Angli, si dhe Kristiano Ronaldon. Portugezi nuk ishte prezent në ceremoninë e zhvilluar në “Scala” të Milanos, një mungesë që nuk i ka pëlqyer FIFA-s, që e injoroi, duke mos ia përmendur emrin në 11-shen më të mirë. “Corriere della Sera” ka zbuluar një prapaskenë: Fituesi duhej të ishte holandezi Van Dijk, fitues i Championsit, por pas mungesës së lojtarit të Juventusit, FIFA ia akordoi çmimin Lionel Mesit, për inat të Kristiano Ronaldos, pasi dihet rivaliteti mes të dyve. Kuptohet qartë tashmë se mes FIFA-s dhe portugezit ka një luftë të hapur. Ronaldo postoi një foto në rrjetet sociale, ku shfaqej duke u relaksuar në shtëpinë e tij. Ishte e sigurt ndërkohë fitorja e Megan Rapinoe si futbollistja e vitit. Ajo është kapitene e Amerikës, që fitoi titullin kampion bote. Siç mund të parashikohej lehtë, trajneri më i mirë u shpall Jurgen Klop.

Më Shumë