Podcast

Audio-Lajme 24 maj 2019

Letra e tretë, Rama: I dashur Lulzim, jam në pritje
Përmes një letre të tretë publike Kryeministri Edi Rama fton kreun e opozitës sërish për dialog. “Shkëputu nga krahët e mllefit që të ka çuar për pambuk logjikën, çlirohu nga paniku i humbjes dhe frika nga Reforma në Drejtësi” i shkruan Rama. Letra pason përgjigjen që kryeministri mori pas ftesës së dytë për dialog, ku kreu i PD-së kushtëzonte uljen në tryezë me largimin e Ramës nga posti i Kryeministrit duke e akuzuar si përgjegjësin kryesor të shkatërrimit të sistemit të drejtësisë, të mungesës së Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë.

Meta: Mund të shtyj datën e zgjedhjeve
Presidenti Ilir Meta po konsideron shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Përmes një komunikate publike kreu i shtetit përshëndet reagimin e grupit parlamentar gjerman CDU/CSU dhe duke iu referuar Kushtetutës sugjeron shtyrjen e datës së zgjedhjeve nëse palët politike bien dakord. “Shpreh gatishmërinë time institucionale, që në përputhje me kompetencën që më jep shkronja “gj” e nenit 92 të Kushtetutës, të rishikoj Dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore dhe të dekretoj një datë tjetër për zhvillimin e tyre, në përputhje me vullnetin e shprehur të palëve politike”, thotë presidenti.

Maxhoranca i përgjigjet presidentit: 30 qershorin nuk e luan topi
Pas deklaratës së presidentit që ka konsideruar edhe mundësinë e ndryshimit të datës së zgjedhjeve vendore vjen edhe përgjigjja nga ana e mazhorancës.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në një takim paraelektoral në zonat e Belshit dhe Cërrikut, është shprehur se më 31 maj starton fushata elektorale. Për datën e zgjedhjeve, Balla ka deklaruar se 30 qershori është afat kushtetues dhe nuk e luan topi, duke i kthyer në këtë mënyrë përgjigje edhe presidentit Ilir Meta.

Zgjedhjet për PE, Basha thirrje shqiptarëve: Votoni të djathtët!
Ndërsa pritej t’i kthente përgjigje letrës së tretë të kryeministrit Edi Rama për dialog, kryedemokratiLulzimBasha është shfaqur në selinë blu me një video selfie dhe një apel për shqiptarët që jetojnë në vendet e Bashkimit Europian, ku u kërkon të votojnë në zgjedhjet europiane për partitë e djathta, partitë simotra të Partisë Popullore Europiane.

Në apelin për shqiptarët që jetojnë në vendet e BE, ai ka theksuar se “Në Shqipëri po zhvillohet një betejë për jetë a vdekje për standardet dhe vlerat europiane të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të lirisë dhe demokracisë”.

Ambasadorja e OSBE: S’kam vëzhguar kurrë votime pa pakicën
Misioni i OSBE-ODHIR me mision vëzhgimin e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019 në Shqipëri mbajti një konferencë për mediat sot në Tiranë.
Drejtuesja e misionit të OSBE/ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve, ambasadorja AudreyGlover, paraqiti rolin e misionit dhe aktivitetet e ardhshme, ku tha se misioni do të ketë 10 vëzhgues bërthamë, 18 vëzhgues afatgjatë dhe 250 vëzhgues afatshkurtër.
Ambasadorja AudreyGlover e pyetur nga gazetarët sesi do ishte vëzhgimi i zgjedhjeve nëse opozita e bashkuar nuk pranon të jetë pjesë e tyre, është shprehur se misioni i OSBE-ODHIR do të bëjë atë që ka bërë gjithmonë, një vëzhgim teknik të procesit. Sipas saj, çështja e mospjesëmarrjes nuk i takon këtij misioni, ndaj nuk do të ndërhyjnë. Ndër të tjera, ambasadorja theksoi se nuk i ka ndodhur asnjëherë të vëzhgojë zgjedhje ku opozita nuk ka marrë pjesë.

Skënder Gjinushi, kryetari i ri i Akademisë së Shkencave
Akademiku Skënder Gjinushi është zgjedhur me shumicë votash kryetari i ri i Akademisë së Shkencave.
Rreth 44 akademikë e kanë votuar me 35 vota pro dhe 6 kundër. Gjinushi garonte i vetëm për pozicionin e kryetarit në këtë institucion. Ndërkohë që për pozicionin e zv.kryetarit të ASH-së, akademiku Vasil Tole, për pozicionin e sekretarit shkencor të ASH-së, akademiku Salvator Bushati, kurse në pozicionin e kryetarit të seksionit të Shkencave të Natyrës, Neki Frashëri.
Në fjalën e tij para votimit, Gjinushi theksoi se ky institucion kyç i vendit duhet të kryejë me rigorozitet misionin e tij, duke marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë dhe ka nevojë për reformim të thellë.

Theresa May, kryeministrja e rrëzuar nga Brexit!
Kryeministrja britanike TheresaMay njoftoi mes lotësh mëngjesin e të premtes dorëheqjen as vetëm tre vitesh në pushtet. Në një deklaratë të ngarkuar emocionalisht, May tha se do të japë dorëheqjen më 7 qershor, por do të mbetet kryeministre derisa të zgjidhet pasardhësi i saj.
Krah për krah me bashkëshortin, May tha se kishte qenë një nder i jashtëzakonshëm të shërbente si kryeministre e Mbretërinë e Bashkuar.
Ajo paralajmëroi Partinë Konservatore për të mos dalë nga Bashkimi Europian pa marrëveshje.
Koha i lejon May të presë vizitën shtetërore të presidentit amerikan Donald Trump në Mbretërinë e Bashkuar më 3-5 qershor.

Shiu do të na shoqërojë edhe javën e ardhshme
Në gadishullin e Ballkanit vazhdon të jenë aktive masat ajrore të paqëndrueshme, të cilat do të mbajnë mot me reshje shiu në territorin e Shqipërisë edhe javën e ardhshme. Dita e sotme do të jetë me vranësira mesatare dhe reshje shiu në pjesën e dytë të ditës, ditën e shtunë do këtë përmirësim të përkohshëm të motit, temperaturat do të jenë me rritje, ditën e diel do të rikthehet paqëndrueshmëria e motit, pra dita do të jetë e vranët dhe reshje shiu kryesisht në juglindje.

Bushi nxjerr listën e U-21, disa prurje të reja nga Superliga dhe Seria A
Trajneri i kombëtares shqiptare U-21, Alban Bushi ka bërë publike listën e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjet e qershorit. Për tre sfidat, me Turqinë dhe dy miqësoret me Uellsin, Bushi ka thirrur 25 futbollistë, mes tyre shumë talente dhe prurje të reja. Në konferencën për shtyp, trajneri Bushi tha se përballja eliminatore me Turqinë do të jetë shumë vendimtare për fatin e kualifikimit të ekipit kuqezi. Bushi tha se në tre ndeshje, ai do i provojë të gjithë lojtarët e thirrur, pasi dëshiron që t’ju jap të gjithëve një shans.

Flasin Basha dhe Dermaku: Me Rejan ndihemi më të lirë
Në ditën e dytë të grumbullimit të kombëtares shqiptare të futbollit në prag të ndeshjeve të qershorit, para medieve kanë dalë mbrojtësi, Kastriot Dermaku dhe mesfushori Migjen Basha. Të dy futbollistët kuqezinj, tek të cilët Reja mund të mbështet për dy sfidat me Islandën dhe Moldavinë janë shprehur shumë të kënaqur më atmosferën që mbizotëron në kombëtare. Sipas tyre me teknikun 73-vjeçar ndjehen më të lirë gjatë gjithë grumbullimit dhe se shpresojnë që kjo frymë pozitive në grup të çojë drejt fitoreve në dy ndeshjet eliminatore.

 

Më Shumë