Rama, letër tjetër Bashës: Po të pres…
Kryeministri Edi Rama i ka dërguar një letër të dytë publike kryetarit të opozitës Lulzim Basha ku e fton në dialog pa kushte. Me gjithë refuzimin e djeshëm nga kryedemokrati Basha, të cilin Rama e quan “brutal”, sot kreu i qeverisë i kërkon rivalit të tij politik të dialogojnë pa humbur kohë.
Lidhur me datën e zgjedhjeve, Rama sërish shprehet se nuk e ka në dorë ta ndryshojë, për sa kohë është caktuar me dekret të presidentit dhe nuk mund të dalë mbi Kushtetutën.
Kryeministri Rama shprehet se qëllimi i tij për dialog nuk lidhet aspak me fatin politik të PD-së, madje siç ai thekson, rrënimi me duart e tyre i partisë është ogur i mirë për të ardhmen e institucionit të opozitës.
KQZ rrëzon PD dhe LSI, jo anëtar komisionesh më 30 qershor
Me katër vota kundër dhe një pro, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rrëzuar kërkesën e PD dhe LSI-së për të pasuar anëtar në Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor.
Katër anëtarët e majtë në KQZ u shprehën në bllok kundër përfshirjes në këto komisione, pasi PD dhe LSI kanë deklaruar se nuk do të lejojnë zgjedhjet më 30 qershor dhe se këto parti nuk janë regjistruar si subjekte zgjedhore.
Pro kërkesës së tyre ishte kryekomisioneri Klement Zguri, i cili u shpreh se ajo ishte e bazuar në ligjin zgjedhor. Propozimi i tij u rrëzua nga 4 anëtarët Biba, Jorgaqi, Shkëmbi dhe Bitri.
PD nga ana e saj paralajmëroi ankimin e këtij vendimi në Kolegjin Zgjedhor.
Meta përplaset me BE: Do bëj çdo përpjekje kundër kapjes së sistemit
Presidenca ka reaguar lidhur me qëndrimet e shprehura dje nga ambasadori i BE dhe kryeministri Rama lidhur me Reformën në Drejtësi.
Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi, është shprehur për mediat se Meta i ka bërë të gjitha përpjekjet e mundshme për zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe do i bëjë të gjitha përpjekjet për të ndaluar sipas tij, kolapsin, zbatimin e njëanshëm dhe përçarjen e sistemit.
Ndërkohë, zëdhënësi i Presidentit duke përdorur dhe ironinë thekson se “Meta nuk do ndalojë askënd të këndojë këngët “nga fitorja në fitore”.
Pas deklarimeve të forta të bëra dje presidenti Ilir Meta në lidhje me Reformën në Drejtësi, delegacioni i BE-së u shpreh se Reforma po zbatohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Shqipërisë dhe legjislacionin kombëtar përkatës si dhe profesionalizmi, përkushtimi dhe integriteti i EURALIUS-it janë për t’u lavdëruar.
Hapja e dosjeve, përplasje Lleshaj-Braho në Kuvend
Prezantimi i raportit për punën vjetore të 2018 nga ana e Institutit për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit nuk kaloi pa debate në Kuvend. Kreu i këtij instituti, Agron Tufa, pasi foli për punën e realizuar në 2018 dhe objektivat e vendosura për 2019 pati disa rekomandime për Kuvendin.
Mes rekomandimeve ishin masat urgjente për mënjanimin e ish-oficerëve të Sigurimit të Shtetit në institucionet publike.
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj rrëzoi akuzën e Tufës për pengesat antiligjore, që sipas Tufës i janë shfaqur institutit. Ministri i Brendshëm tha se nuk ka asnjë pengesë, as për institucionin dhe as për qytetarët për t’u njohur me dosjet. Por, Spartak Braho tha se ligji nuk e jep këtë të drejtë për çdo dosje.
Ndërsa Institutin deputeti Spartak Braho e konsideron “çerdhe të Ballit Kombëtar”, duke shkaktuar replikën e Adriatik Alimadhit, i cili iu përgjigj duke e quajtur “budalla”.
Minatorët protestë para parlamentit, kundër ligjit të ri
Ndërkohë që zhvillohej seanca plenare e radhës, këtë të enjte mungoi protesta simbolike nga të rinjtë e FRPD dhe LRI, por ishin minatorët në sfond.
Një grup minatorësh dolën për të protestuar para godinës së parlamentit.
Ata kërkonin miratimin e statusit, ndërsa ishin kundër projektligjit që pritet të miratohet sot në Parlament.
“Ne kërkojmë djersën, ne kërkojmë hakun”, ishin disa nga thirrjet e minatorëve.
Po ashtu edhe minatorët e Korçës, Ersekës dhe Devollit u mblodhën para Prefekturës për të protestuar për dhënien e statusit të minatorit.
Video-skandali, kreu i PDK Kadri Veseli akuzohet për lidhje me krimin e organizuar
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është përfshirë në një skandal tronditës për fajde, mashtrim dhe lidhje me grupe kriminale.
Ai përmendet në disa video-incizime, ku shihen disa persona të dyshuar për vepra kriminale duke marrë para në emrin e tij.
Veseli mohoi akuzat dhe kërkoi përgjegjësi nga organet e rendit dhe drejtësisë.
Sipas videove të publikuara këtë javë nga mediat në Prishtinë, vërtetësia e të cilave nuk është konfirmuar ende, ngjarja ka ndodhur në vitet 2012-2013.
Një nga personat në video thotë se Veseli ka marrë 200 mijë euro ryshfet për ndërtimin e një spitali privat.
Ivica Daçiç i shpëton sulmit terrorist në Somali
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç i ka shpëtuar një sulmi terrorist në një vizitë në Somali, ku po lobonte kundër pavarësisë së Kosovës.
Kreu i diplomacisë serbe ndodhej në një takim me presidentin somalez në pallatin presidencial, kur një makinë plot me eksploziv shpërtheu përpara rezidencës.
Ky sulm ka lënë të vdekur të paktën 9 persona dhe më shumë se 15 të plagosur.
“Ne jemi mësuar me shpërthimet sepse jemi bombarduar nga NATO,” tha ministri serb pak pas ngjarjes së rëndë.
Por sikur të mos mjaftonte kjo, ministri i Jashtëm serb ka qënë në rrezik për jetën edhe pas largimit nga Somalia, avioni i tij ka pësuar një defekt dhe është detyruar të bëjë ulje emergjente në Athinë.
Shqiptari që do të drejtojë shërbimet sekrete maqedonase
Për herë të parë në historinë e Maqedonisë së Veriut, shërbimet sekrete të vendit do të drejtohen nga një shqiptar.
Presidenti Stevo Pendarovski ka hapur dyert e kabinetit të tij për shqiptarët duke emëruar Eroll Musliun në krye të Agjencisë së Kundërzbulimit.
Musliu, me origjinë nga Kërçova, ishte për një kohë të gjatë pjesë e agjencisë sekrete të vendit fqinj.
Përpara se të emërohej në krye të shërbimeve sekrete, Musliu shërbente si këshilltar i drejtorit të Agjencisë së Kundërzbulimit dhe përpara kësaj detyre kishte udhëhequr disa drejtori të rëndësishme në këtë agjenci.
Mediat në Shkup shkruajnë se Musliu u përzgjodh pas konsultimit të Pendarovskit me koordinim me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti.
"Përmbyset" Eurosong, Maqedonia fiton votimin e jurisë, ngjitet Shqipëria
Duke qenë se juria e Bjellorusisë shpalli votat e saj në gjysmë finale, gjë e cila është në kundërshtim me rregullat e Konkursit të Këngës në Eurovizion, Bashkimi Europian i Transmetimeve(EBU) ka nxjerr edhe një herë rezultatet e votimit. Rezultatet e reja kanë treguar se, Maqedonia e Veriu fitoi Eurosongun për sa i përket votave të jurisë. Në rezultatet fillestare ishte Suedia fituese, por duke i’u shtuar edhe pikët e jurisë bjelloruse, Maqedonia e Veriut fitoi me 6 pikë diferencë. Ashtu si e ka deklaruar edhe anëtarët e EBU, ky është rezultati më i mirë që Maqedonia ka arritur ndonjëherë.
Game of Thrones, Emilia Clarke: Kam parë videot e Hitlerit për t'u përgatitur në sezonin final
Që prej fillimeve në vitin 2011 filmi, “Game of Thrones” ka thyer rekorde në mbarë botën. Çmimet e shumta e kanë bërë atë serialin më të vlerësuar të HBO, i cili ka tërhequr mijëra fansa. 32 milion prej tyre janë vetëm në SHBA. Në një deklaratë për mediat aktorja kryesore e filmit Emilia Clarke ka thënë se ka parë video ku diktatorë si Adolf Hitler mbante fjalim përpara ushtarëve të tij.
“Kam parë videot dhe çuditërisht arrija t’i kuptoja se çfarë thoshin pa e ditur gjuhën e tyre. Kjo gjë është vërtet e mundur. Ju mund të kuptoni fare mirë se çfarë ka thënë Hitleri në fjalimin e tij të fundit nëse do të jeni të vëmendshëm. Kështu që mendova me vete; nëse do të flas në mënyrë të plotë çdo fjalë që do të them, publikut nuk do t’i duhet të shikojë serialin me titra,” u shpreh Clarke.
Me korrupsion “bleu” Botërorin e Atletikës, akuza për presidentin e PSG
Naser Al Kelaifi është akuzuar për korrupsion sipas gazetës franceze ‘Le Parisien’. Presidenti i PSG dyshohet se ka tentuar të “blejë” Kampionatin Botëror të Atletikës në vitin 2017. Ky është një rast që nuk krijon një imazh të mirë për presidentin e PSG, Nasser Al Kelaifi. Lideri i ‘Katar Investimets’ dyshohet se ka miratuar një pagesë prej 3.1 milionë euro nga ‘Oryx QSI’, kompani e themeluar dhe e drejtuar nga vëllai i tij, tek Lamine Diack, ish-presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Atletikës, me qëllim që Katari të fitonte të drejtën e organizimit të Kampionatit Botëror të Atletikës 2017. Avokati i sheikut arab, Francis Spiner, i ka cilësuar këto deklarata “krejtësisht të pasakta”.
FIFA bën prapakthehu, Botërori i Katarit me 32 skuadra
FIFA tërhiqet për Botërorin e vitit 2022, që do të zhvillohet në Katar. Projekti për ta zgjeruar këtë kompeticion madhor nga 32 në 48 skuadra pjesëmarrëse, ka rënë poshtë zyrtarisht. "Pas një procesi konsultimi të thellë dhe të kompletuar, me përfshirjen e të gjitha palëve të interesuara, është arritur në përfundimin se në kushtet aktuale propozimi ynë nuk mund të paraqitet në këtë moment”, - shkruhet në një njoftim zyrtar të qeverisë së futbollit botëror. Botërori i Katarit, përfundimisht do të jetë me 32 skuadra.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.