Podcast

Audio-Lajme 22 Prill 2019

Në fshatin që ‘strehoi’ grabitësit e Rinasit, ku askush nuk pa gjë…

Në fshatin Dritas, aty ku grabitësit e 10 milionë eurove të Rinasit u strehuan për një natë, askush nga banorët s’ka parë gjë. Asnjë të dyshuar, asnjë makinë të huaj e të dyshimtë, askënd të huaj që gjatë muajve të fundit të ketë frekuentuar lokalin e fshatit, aty ku ulen vetëm burra. Banorët ngrenë supet dhe të kujtojnë se është sezoni i mbjelljeve dhe secili shikon punën e tij. Në rrëzë të malit janë pesë tunele të ushtrisë, të pesta të dala jashtë përdorimit. Gazetarët e Gazetës Si takuan banorët që thonë se tunelet njihen si ish-rezervat e karburantit dhe të aviacionit. Katër prej tuneleve kanë një pjesë të ngritur, gjë që e vështirëson hyrjen me makinë në to, sikurse vepruan grabitësit. Vetëm njëri është më i lehtë për të hyrë. Pasi hyn në tunel, afër fundit dallohen ende shenjat e makinës së djegur.

Zgjerohet aksioni i policisë, një i arrestuar në Krujë për grabitjen në Rinas

Aksioni për identifikimin dhe kapjen e autorëve të grabitjes së 9 prillit në Aeroportin e Rinasit është zhvendosur në Krujë. Policia e Shtetit ka ndërmarrë një aksion të gjerë mbrëmjen e së dielës në lagjen Çitozë të këtij qyteti. Tre vëllezër janë shoqëruar dhe pasi janë marrë në pyetje njërit prej tyre i është komunikuar masa e arrestit si person i dyshuar si një nga autorët e grabitjes së fundit. Ata janë Ardit, Ermal dhe Oltjan Veseli. Ky i fundit, lindur më 1981, ka përfunduar në pranga si i dyshuar pjesëtar i grupit në grabitjen e parave të bankave. Aksioni nuk është i rastësishëm. Veseli është bashkëpronar me Dashamir Kupën në një piceri. Dash Kupa është dënuar si pjesë e grupit prej 8 personash që grabitën fugonin në Qafën e Kasharit në ngjarjen e ndodhur në shkurt të 2017.

Arrestimet për Rinasin, Rama: Policia po rrit forcën e saj goditëse

Pas aksionit të policisë ku u ndaluan 4 persona të përfshirë në grabitjen e 9 prillit në aeroportin e Rinasit, ka reaguar kryeministri Edi Rama.

Nëpërmjet një postimi në “Twitter”, Rama vlerëson punën e Policisë së Shtetit për aksionin e ndërmarrë. Kreu i qeverisë thotë se pavarësisht se policia herë pas here po sulmohet, po rritet forca e saj goditëse.

Opozita më 11 maj proteston para Kryeministrisë

Partitë e opozitës do të protestojnë më 11 maj përpara Kryeministrisë. Ashtu si herën e shkuar, protesta do të organizohet pasdite në orën 18:30.

Vendimi u mor gjatë takimit që kryedemokrati Basha zhvilloi me Kolegjin e kryetarëve të degëve të PD-së. Një tjetër vendim është edhe organizimi i protestave nëpër rrethe si pjesë e përshkallëzimit të aksionit opozitar.

Mësohet se Basha ka deklaruar në këtë takim se zgjedhjet pa opozitën janë fasadë dhe se nuk do të lejohet që ato të diktohen nga krimi. Kushti për dialog për opozitën është krijimi i qeverisë tranzitore.

Rudina Hajdari e mohon: Nuk jam liderja e partisë së re

Deputetja demokrate Rudina Hajdari mohon se do të jetë kryetarja e partisë së re “Bindja Demokratike”. Deputetja demokrate me anë të një deklarate ka hedhur poshtë zërat se ajo do të vihet në krye të kësaj lëvizje të re politike që u përfol në media se do ta drejtonin së bashku me ish-deputetin Astrit Patozi.

Gjithashtu Hajdari shprehet në qëndrimin e saj për nevojën e krijimit të një elite të re politike, duke e konsideruar si një obligim parësor, përgatitjen e një formule të përshtatshme përfaqësimi politik.

Bushati kritikon Ramën: Po bëhet gabim fatal me Holandën

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati del kundër qëndrimeve të mbajtura nga ana e qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama sa i përket vendimit të marrë nga Parlamenti holandez që kërkon që BE të rivendosë vizat shenjen me Shqipërinë.

Në një analizë të tij, ish-kryediplomati shprehet se “do të ishte gabim fatal që ta vizatonim Holandën, anëtare themeluese e kontribuuese kyçe në BE, mbështetëse e aspiratës europiane të Shqipërisë, si një vend racist ndaj nesh apo si një vend ku gëlon krimi e prostitucioni”.

Gjithashtu deputeti socialist i bën thirrje mazhorancës që vijojë punën me reformat dhe me rritjen e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si pjesë e kushteve të BE-së për çeljen e negociatave.

Shqipëria, destinacioni kryesor i kokainës që kalon nga Malta

Që prej muajit nëntor të vitit të kaluar e deri më tani, policia e Maltës ka sekuestruar në portet e saj rreth 1 ton kokainë me origjinë nga vendet e Amerikës së Jugut. Vetëm në dy javët e fundit, droga e sekuestruar shkon në 244 kilogramë, gjysma e së cilës, sipas njoftimeve të autoriteteve dhe medias malteze kishte si destinacion portet shqiptare. Aksionet kanë nxjerrë në pah larmishmërinë e skemave që po zgjedhin trafikantët për të kaluar drogën. Në pjesën më të madhe të rasteve, droga është kapur në pjesë të modifikuara kontenieresh, por nuk kanë qenë të rralla rastet kur ajo është maskuar brenda lëndëve të tjera, që nga vaji i palmës e deri tek çimentoja.

Gjoba të majme nëse s’paguan siguracionin e makinës 2 javë pasi mbaron afati

Nëse vonohesh deri në dy javë në pagimin e siguracionit vjetor të detyrueshëm për automjetin, do të gjobitesh me deri në 50 mijë lekë.

Ky është një nga ndryshimet që ka parashikuar projektligji i ri për Kodin Rrugor.

Për këtë, konfindustria do t’u kërkojë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë të mos miratojë në seancë plenare projektligjin në fjalë, për disa ndryshime në Kodin Rrugor.

Kërkesë e njëjtë do të bëhet edhe për Presidentin e Republikës për të mos dekretuar ligjin në rast të miratimit nga ana e Kuvendit të Shqipërisë.

Konfindustria gjykon se penalitetet për zotëruesit e mjeteve mund të shkojnë në vlera prej shumë miliona euro/vit, që do të shkojnë, sipas saj, në përfitim të dyfishtë të kompanive të sigurimit.

Së pari, rendit ajo, rrisin në mënyrë të padrejtë të ardhurat e operatorëve nga primet e sigurimit të detyrueshëm pavarësisht, nëse mjetet përdoren ose jo nga qytetarët dhe bizneset.

Së dyti, shkojnë për të plotësuar detyrimet ligjore financiare në miliona euro, që kompanitë e sigurimit nuk kanë derdhur prej vitesh në Byronë e Sigurimeve.

Shtrëngimi i kritereve nga bankat, konsumatorët drejt institucioneve financiare

Në tremujorin e parë të vitit 2019 është vënë re se ka rënë kërkesa për kredi si nga ana e bizneseve ashtu edhe nga ana e individëve.

Dokumenti i Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues të Bankës së Shqipërisë gjen se individët si rezultat i shtrëngimit të kritereve të kreditimit nga ana e bankave të nivelit të dytë, u janë drejtuar për kredi konsumatore, pavarësisht se me interesa më të larta, institucioneve financiare të mikrokredive.

Sipas raportit, kërkesa e individëve për kredi u raportua më e ulët në tremujorin e parë të vitit, kryesisht në sajë të një kërkese më të reduktuar për kredi konsumatore.

Sipas perceptimit të bankave, rënia e kërkesës për kredi në tremujorin e parë nga ana e individëve u shkaktua nga: përdorimi më i lartë i burimeve të brendshme të financimit; kreditë nga bankat dhe institucionet financiare jobanka; besimi konsumator; si edhe zhvillimet aktuale dhe të pritura në tregun e banesave. Në kahun rritës të kërkesës për kredi, ka ndikuar nevoja e shtuar për financimin e konsumit.

Edhe kërkesa për kredi e bizneseve u perceptua më e ulët në tremujorin e parë të vitit 2019.

Dita e Tokës, Ambasada e SHBA: Përfshihuni në mirëqenien e planetit

Në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, Ambasada Amerikane në Tiranë ka bërë thirrje ndërgjegjësuese për mbrojtjen e planetit Tokë.

Sipas Ambasadës, shqetësimi për mirëqenien e planetit sa vjen e rritet, sidomos në njohjen e shtrirjes së ndotjes nga plastika.

Ndërsa, presidenti Ilir Meta me anë të një postimi në “Facebook”, thekson se mbrojtja e tokës nuk duhet të trajtohet thjesht si propagandë në media, por të veprohet konkretisht në ruajtjen e biodiversitetit dhe ekosistemit për ta bërë Shqipërinë një vend edhe më të bukur.

Pa Champions Strakosha mund të largohet nga Lacio

Tomas Strakosha mund të largohet nga Lacio merkaton që po afron. Mediat përtej Adriatikut shkruajnë se portieri shqiptar mund të largohet nga Lacio, por me një kusht. Çdo gjë në ambientin bardhekaltër ka të bëjë me arritjen ose jo të Ligës së Kampionëve. Gardiani shqiptar vitin e shkuar u përfol për një kalim në Premier League, por këtë vit kjo mundësi duket pak më e vështirë. Gjithsesi Strakosha me paraqitjet e tij te Lacio nuk i ka të paktë adhuruesit në Europë, por për të parë diçka më konkrete duhet pritur muaji qershor, kur fillon edhe merkato.

PAOK-u kampion i Greqisë, tifozët djegin stadiumin me festime

PAOK i Selanikut është shpallur kampion i Greqisë për herë të tretë në historinë e tij. Një titull i fituar pas 34 vitesh. Fitorja 5-0 në ndeshjen e fundit ndaj Levadhiakosit, i rënë nga kategoria, i ka dhënë matematikisht titullin skuadrës selanikase një javë para mbylljes së kampionatit, pasi diferenca me Olimpiakosin është 5 pikë. Merr fund hegjemonia e skuadrave të Athinës, Panathinaikosit, Olimpiakosit dhe AEK-ut, që kanë dominuar futbollin grek prej vitit 1988, kur kampione ishte shpallur AEL Larissa.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë