Podcast

Audio-Lajme 21 qershor 2019

KQZ ndryshon Qendrat e Votimit, jo në shkolla në ambulanca
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të ndryshojë qendrat e votimit më 30 qershor, duke mos i lënë në ambientet e shkollave, por në Qendrat Shëndetësore. KQZ ka vendosur që ndryshojë disa qendra votimi kryesisht në bashkitë që drejtohen nga opozita. Këto objekte të reja administrohen nga Ministria e Shëndetësisë dhe jo nga bashkitë.
Kjo strategji e re ndërmerret pas tensioneve të forta të shkaktuara nga protestuesit e opozitës në bashkitë e drejtuara nga opozita ku kanë djegur edhe materialet zgjedhore në KZAZ.

Apeli i Gjermanisë para protestës së opozitës: Dhuna, e papranueshme
Pas Ambasadës Amerikane mbrëmjen e së enjës, edhe ambasada e Gjermanisë i ka bërë sot apel opozitës për zhvillimin e një proteste paqësore, duke paralajmëruar organizatorët e manifestimit që pritet të nisë në orën 20:00 se dhuna është e papranueshme.
“Liria e tubimeve dhe e drejta për të demonstruar paqësisht janë kolonat e çdo demokracie. Ndërsa dhuna e çdo lloj forme është e papranueshme! Prej organizatorëve pres të angazhohen me të gjitha mundësitë për një zhvillim paqësor të protestës si dhe të jenë në lartësinë e përgjegjësisë së tyre përmes apelit publik për protesta paqësore”, thotë në një njoftim zyrtar Ambasadorja gjermane në Tiranë.
Ajo thekson po ashtu se është duke ndjekur me shqetësim të madh edhe trazirat e dhunshme në qyteteve të ndryshme të Shqipërisë duke u bërë thirrje të gjitha palëve të heqin dorë edhe nga sulmet verbale e të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre për vendin.
Ambasada ka paralajmëruar po ashtu qytetarët gjermanë në Tiranë që të shmangin zonat ku do të mbahet protesta, duke theksuar se nuk përjashtohet përdorimi i dhunës dhe gazit lotsjellës.

Meta letër të dytë KQZ-së: Informacion si u zëvendësuan deputetët që lanë mandatet
Presidenti Ilir Meta i është drejtuar me një letër të dytë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ku i kërkon praktikën shkresore të zëvendësimit të deputetëve të opozitës në Kuvend.
Meta me anë të kësaj letre drejtuar kryetarit të KQZ-së, Klement Zguri, kërkon kopjen e njoftimit të Kuvendit dhe kopjen e dorëheqjes së deputetëve nga mandati.
Po ashtu, kreu i shtetit kërkon t’i vihet në dispozicion një kopje e vendimit të KQZ për dhënien e mandatit deputetëve pasues në listën shumëemërore.
Më herët, Presidenca iu drejtua KQZ-së me një letër ku kërkonte të dinte se cili është numri aktual i mandateve të deputetëve në Kuvend në shkallë vendi si dhe vënien në dispozicion të listës emërore të deputetëve aktualë.

Rama: Meta është me hënë, situata dje në Shkodër si enveristët e ’91
Kreu i qeverisë, Edi Rama, gjatë një takimi me banorët e Njësisë Administrative Nr. 6 në Tiranë, nuk la pa komentuar edhe presidentin Ilir Meta, për të cilin tha se ka bërë edhe punë të mira që nuk mund t’ia mohosh, ndërsa e konsideroi si njeri me hënë.
“Ka bërë edhe punë të mira, nuk mund t’ia mohosh, por ka gjithë këto ditë s’ka thënë asnjë gjë kundër dhunës. Sepse ai është si hëna, rrotullohet, herë e plotë dhe herë e qorruar komplet”, u shpreh ndër të tjera kryeministri Rama.
Sa i përket vendimit të anulimit të zgjedhjeve të 30 qershorit, Rama u shpreh se Meta, sipas tij, ka bërë një gabim fatal që nuk e bën asnjë president.
Rama ndër të tjera shtoi se një veprim të tillë e ka bërë për të nxitur dhunën e bëri një veprim të tillë për të nxitur dhunën, ndërsa shtoi se tani nuk thotë as një fjalë për të.
Gjatë takimit, kryeministri Rama komentoi edhe situatën dje në Shkodër dhe e ka krahasuar me atë që bënin enveristët e ’91.

PD, letër bashkisë Shijak: Zbatoni dekretin e Metës
Partia Demokratike në Shijak i ka dërguar sot një letër KZAZ dhe kryetarit të bashkisë, nëpërmjet së cilës kërkon zbatimin e dekretit të presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.
Mes të tjerash në letrën dërguar KZAZ-së, Partia Demokratike e degës së Shijakut bën thirrje që të ndalet menjëherë procesi zgjedhor.
“Ndalni procesin zgjedhor, zbatoni dekretin e Presidentit për anulimin e zgjedhjeve me 30 qershor”, thuhet në letër.

Konfirmohet në detyrë Saida Dollani, gjyqtarja e Shullazit. Shkarkohet Gurali Brahimllari
Një kërkesë e tillë është bërë dhe në bashkitë e tjera të djathta, të cilat kanë kërkuar që të zbatohet dekreti i presidentit dhe të ndalohet procesi zgjedhor.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë drejtuesen e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, Saida Dollanin.
Dollani është një prej kandidatëve për t’u emëruar në Gjykatën Speciale kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, një institucion i ri i drejtësisë që pritet të ngrihet së shpejti.
Në muajin maj, gjyqtarja Dollani u mor në mbrojtje dhe në ruajtje nga Policia e Shtetit së bashku me anëtarë të familjes së saj, pasi dyshohej se ishte kërcënuar nga anëtarë të bandës së Emiliano Shullazit.
Në adresë të gjyqtares janë bërë 7 denoncime dhe asnjë prej tyre nuk kishte indicie për shkelje, edhe denoncimi i bërë nga Emiljano Shullazi dhe 4 të pandehurit e tjerë nuk krijoi probleme për gjyqtaren Dollani.
Ndërkohë, po sot Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nga detyra ka shkarkuar Gurali Brahimllarin, gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda për shkak të problemeve me pasurinë. Brahimllari ishte kandidat edhe për Gjykatën Speciale kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Arma e vetëvrasjes së Van Gogh shitet në ankand. Ndizen polemikat
Arma me të cilën mendohet se Vincent Van Gog ka vrarë veten është shitur për 162,500 euro, gati tre herë më shumë se sa pritej. Revolja e ndryshkur u ble nga një koleksionist nëpërmjet telefonit. Por kjo ka shkaktua polemika për faktin se Instituti “Van Gog”, një organizatë jofitimprurëse i krijuar në vitin 1987, i cili vazhdimisht kanë mbikëqyrur shtëpinë ku artisti kaloi ditët e tij të fundit, ka kritikuar ankandin, duke u shprehur se asgjë nuk tregon që mbetjet e armës janë të lidhura zyrtarisht me vdekjen Van Gogut.
Ndërsa organizatorët e ankandit kanë pranuar se nuk ishte e garantuar se arma ishte e njëjta, por tha se tekstet teknike mbi armë kanë treguar se kjo është arma e përdorur në vetëvrasje.

Sot dita më e gjatë e vitit, tashmë jemi zyrtarisht në verë
Jemi zyrtarisht në stinën e verës. Dita e sotme shënon solisticin e verës në hemisferën veriore, kur dielli përgjithësisht del para orës 05:00 dhe perëndon mbas orës 21:00 të darkës.
Solistici është dita më e gjatë e vitit,ndërkohë që gjatësia e ditës ndryshon sipas vendeve. Solstici veror në Hemisferën e Veriut bie çdo vit, në varësi të vendndodhjes, nga data 20 në 22 qershor dhe është dita kur Dielli është në pikën më të lartë në Hemisferën e Veriut. Ndërsa në Hemisferën e Jugut kjo ndodh në po të njëjtat data, 20 deri 22, por në dhjetor. Fjala “Solistice” rrjedh nga latinishtja e cila do të thotë “qëndrimi i dielli”. Në vendin tonë solistici ka nisur në orën 05:08 në mëngjesin e sotëm.

Borxhe të mëdha, Flamurtari rrezikon falimentimin
Flamurtari duket të jetë një nga klubet me problemet më të mëdha bë Superligën shqiptare. Klubi vlonjat e mbylli sezonin pa i dhënë të paktën 6 muaj rroga futbollistëve të tij. Llogaritet që Flamurtari te këtë pa paguar diku te 450 mijë euro rroga pa paguar ndaj lojtarëve dhe stafit teknik për sezonin që u mbyll. Flamurtari do të ketë kohë deri në gusht për të shlyer këtë borxh të madh të akumuluar dhe në varësi të kësaj zgjidhje do të mendohet edhe për sezonin e ri. Te Flamurtari të gjithë duhet të bëhen bashkë dhe të gjejnë një zgjidhje sa më shpjet për të shmangur paditë e lojtarëve për rrogat, çka do të ishte shkatërrimtare për këtë klub, që mund edhe ta zbriste nga kategoria. Por, edhe kjo nuk është sërish skenari më i keq për Flamurtari, pasi në gjendjen që është edhe falimentimi nuk është një opsion shumë i largët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë