Podcast

Audio-Lajme 21 Prill 2019

Pse ndërtohet kaq shumë kur ka zgjedhje?
Megjithëse në një kohë jo optimiste për ekonominë, ku pritet rënie e ritmit të rritjes, kur kredia është e ulët, kursi i këmbimit luhatet dhe të ardhurat e individit nuk janë rritur; vihet re një bum i lejeve të ndërtimit. Gazeta “Si” ka analizuar faktorët kryesorë të tregut në sektorin e ndërtimit duke i kryqëzuar ato me të dhënat zyrtare të ekonomisë.
Në një anë kemi ofertën në rritje si pasojë e rritjes në mënyrë galopante të lejeve të dhëna dhe sipërfaqeve për të ndërtuar, nga ana tjetër ndërtuesit me eksperiencë thonë se pavarësisht lejeve të ndërtimit, ata nuk ndërtojnë për arsye të taksës së infrastrukturës.
Rritje ekonomike ka pasur vetëm për një grusht personash me qarkullim të madh parash, ndërkohë kreditimi ka pësuar vetëm një rritje modeste. Të dy këta tregues dëshmojnë se megjithëse po ndërtohet masivisht, pikërisht në një vit elektoral, individi ka pak mundësi për të blerë patundshmëri.

Nisma e re e qeverisë, tokat shtetërore pranë investitorëve tjetërsohen pa garë
Toka shtetërore pranë investimeve private do të shitet pa garë. Kjo është nisma më e fundit e qeverisë “Rama” e depozituar në Kuvend, që parashikon privatizimin e pronave me pronësi shtetërore në rastet kur janë pjesë e një plani vendor që parashikon një investim të rëndësishëm. Qeveria thekson se ndërmerr këtë propozim pasi investitorët hasin mjaft vështirësi në privatizimin e pronave.
Blerësi apo përfituesi i kësaj pasurie do të bëhet pronar i ligjshëm i saj që në momentin e nënshkrimit të kontratës, duke fituar të gjitha të drejtat dhe detyrimet që lidhen me qenien e tij si pronar mbi këtë pasuri.

Besimtarët katolikë kremtojnë ringjalljen e Krishtit, mesazhe dhe nga politikanët
Sot besimtarët katolikë festojnë Pashkët në mbarë botën. Besimtarët në Shqipëri u mblodhën në Katedralen e “Shën Palit” për të marrë pjesë në meshën e shenjtë. Për ta nuk kanë munguar urimet edhe nga krerët politikë. Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur një urim të veçantë për Pashkë nga Memoriali në Kuvendin e Troshanit, vendi ku mësoi, u rrit dhe më pas dha mësim At Gjergj Fishta. Ndërsa, kryedemokrati Lulzim Basha i ka uruar besimtarët katolikë për Pashkët nga Kisha e Shna Ndoit në Laç. Ai dha edhe një mesazh për çdo shqiptar, të cilët i ftoi të bashkohen me qëllim çlirimin e Shqipërisë nga padrejtësitë për një Shqipëri në paqe.

Presidenti Meta uron Pashkët dhe bën thirrje për reflektim
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka uruar të gjithë shqiptarët për festën e Pashkëve, me një mesazh që deri diku shkon edhe për palët politike, pasi thekson se duhet reflektim në ditën e Ringjalljes.
Meta thotë se ky është një moment reflektimi për t’i treguar Europës se vlerat tona triumfojnë mbi egon dhe interesat personale të gjithsecilit.

Përgjaken Pashkët, 160 të vrarë në Sri Lanka nga sulmet terroriste
Të paktën 160 vetë raportohen të kenë humbur jetën nga 7 sulme terroriste të njëpasnjëshme në Sri Lanka. Mediat ndërkombëtare shkruajnë se janë 7 sulme me bombë në 7 pika të ndryshme në kryeqytetin Kolombo dhe në qytezën Batikola.
Sulmet me bomba janë ndërmarrë në disa kisha dhe hotele të kryeqytetit që gjatë kësaj të diele Pashkësh ishin të mbipopulluara. Në zonat ku janë kryer aktet terroriste ka pasur një numër të lartë turistësh të huaj që vizitojnë Sri Lankën në këtë periudhë të vitit. Sipas BBC në orët në vazhdim pritet që bilanci i këtyre akteve terroriste të rritet edhe më shumë, pasi ka shumë të plagosur rëndë dhe shumë të tjerë që për momentin janë të shpallur të zhdukur.

Aksident në Malin e Tomorit, humb jetën 36-vjeçari
Një aksident i rëndë ka ndodhur sot në Malin e Tomorit, pikërisht në zonën e shpatit të malit, pranë një prej guroreve të nxjerrjes së gurit dekorativ. Shoferi i një prej këtyre firmave, ka humbur kontrollin e mjetit dhe është rrëzuar me kamionin që ishte i ngarkuar me pllaka guri. Mësohet se ka humbur jetën 36-vjeçari Besnik Sali Kanani, banues në fshatin Fushë-Peshtan të Poliçanit, babai i tre fëmijëve.
Ai punonte prej vitesh si shofer kamioni në firmat e nxjerrjes dhe përpunimit të pllakave e gurit dekorativ në Malin e Tomorit.

Maqedonia e Veriut voton sot për presidentin e ri
Këtë të diel në Maqedoninë e Veriut mbahet raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale. Në garë për kreun e ri të shtetit maqedonas janë tre kandidatë, mes të cilëve edhe një shqiptar. Stevo Pendarovski i LSDM, kandidatja e opozitës Gordana Siljanovska-Davkova dhe Blerim Reka, përfaqësuesi i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut kanë paraqitur po ashtu agjenda shumë ambicioze. Në rast se do të shkohet në raundin e dytë, ato janë përcaktuar se do të mbahen dy javë më pas, më datë 5 maj. Që nga shpallja e pavarësisë këto janë zgjedhjet e gjashta presidenciale, por të parat zgjedhje që mbahen me emrin e ri, Maqedonia e Veriut.

Largimi nga Juventus, Ronaldo shuan çdo dyshim
Juventusi ka lënë pas zhgënjimin e Champions-it dhe pas fitores 2-1 ndaj Fiorentinës, është shpallur zyrtarisht kampion i Italisë. Një titull i fituar 5 javë para mbylljes së kampionatit, i merituar plotësisht. Titulli i 35-të në historinë e lavdishme të skuadrës bardhezi, i 8-ti radhazi. Me titullin e 8-të radhazi, Juventusi vendos një rekord sa u takon titujve radhazi në 5 kampionatet më të fortë në Europë. Kampionët e Italisë thyejnë rekordin e Lionit në Francë me 7 tituj radhazi në periudhën 2001/02-2007/08.

 

Më Shumë