Podcast

Audio-Lajme 21 maj 2019

Misioni “Frontex” në Shqipëri, nesër nis operacioni
Frontex, Agjencia Europiane e Rojave Kufitare dhe Bregdetare, në bashkëpunim me autoritetet shqiptare, do të nisë operacionin e saj të parë të përbashkët në Shqipëri duke shënuar një fazë të re për bashkëpunimin kufitar midis BE-së dhe partnerëve të Ballkanit Perëndimor.
Objektivi i FRONTEX, që do të nisë që nesër, është kontrolli i fluksit të emigrantëve, lufta ndaj krimit dhe trafikut të qenieve njerëzore. Kjo është hera e parë që Frontex do të kryejë një operacion në territorin e një vendi jo të BE-së.
Dimitris Avramopoulos, Komisioner për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë e cilësoi nisjen e këtij operacioni si një hap historik, pasi do të shërbejë për afrimin e rajonit të Ballkanit me BE.
Kryeministri Rama tha se kjo marrëveshje ka shumë përfitime sepse i hap rrugë bashkëpunimit të shkëmbimit të informacionit, analizës së riskut, dhe përballimit të fluksit migratore nga vendet e tjera.

Thaçi takon Ramën në Tiranë, Haradinaj me Metën në Durrës
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi vjen në Tiranë dhe nuk ka takuar homologun e tij Ilir Meta, por kryeministrin Edi Rama. Ndërkohë brenda pak orësh edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ishte në Shqipëri dhe nuk takoi homologun, por presidentin Meta. Fotografitë që postuan në rrjetet sociale i tregojnë miqësorë me njëri-tjetrin sipas aleancave që kanë krijuar dhe në llogoret ku janë rreshtuar së fundmi në lidhje me çështjen e marrëveshjes dhe taksës me Serbinë, por çfarë është më e rëndësishmja, “korrigjimi” i kufijve. Edhe këto postime dhe foto kanë treguar ndarjen e madhe mes Ramës dhe Haradinajt, si edhe Thaçit dhe Metës, ashtu si edhe mes kryeministrit dhe presidentit në Kosovë dhe mes dy krerëve të shtetit në Shqipëri, që ia japin dorën njëri-tjetrit vetëm kur takohen nga “halli” rastësisht nëpër evente.

Ruçi në Holandë, kryeparlamentarja Aribi: Presim raportin e BE
Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi u takua me Kryetaren e Parlamentit të Holandës, Kadija Arib. Kryeparlamentari shqiptar shoqërohej në këtë takim nga deputetët Taulant Balla i PS-së dhe Rudina Hajdari e opozitës.
Në lidhje me hapjen e negociatave, Kryetarja Arib i ka deklaruar Ruçit se Parlamenti i Holandës pret publikimin e Raportit të Komisionit Europian si edhe të raporterëve të Komisionit parlamentar holandez për Europën.
“Holanda kërkon standarde të larta, sepse ato na çojnë përpara. Rritja e standardeve është e lidhur ngushtë edhe me interesat e Holandës për të shtuar investimet në Shqipëri. Shkëmbimet mes parlamentarëve kanë qenë intensive dhe ato do të shtohen në të ardhmen”, theksoi Arib.

Edhe kandidati për Kavajën braktis Bindjen, reagon Patozi
Është tërhequr nga gara një tjetër kandidat për kryetar bashkie nga radhët e Bindjes Demokratike. Bëhet fjalë për Bledar Sinella kandidat për bashkinë e Kavajës, i cili ka dërguar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën e tij për çregjistrim.
Në kërkesën dërguar KQZ-së është shprehur se i është vendosur emri në listë pa lejen dhe autorizimin e tij. Kandidati i BD-së, gjithashtu ka pohuar se zgjedhjet pa pjesën tjetër të garuesve tregojnë qartë se këtu ka një tentativë moniste, që nuk i shërben rendit dhe demokracisë në vend.
Pas largimeve të kandidatëve të Bindja Demokratike në disa qytete të Shqipërisë, kreu i Bindjes Demkratike, Astrit Patozi shprehet se me këto lëvizje, duke aluduar se prapa tyre qëndron Partia Demokratike, Bindja nuk do të ndalet, pavarësisht dëshpërimit të partive të vjetra.

Garon për bashkinë, KQZ zëvendëson deputetin e Gjirokastrës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur t’i japë mandatin e deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, kandidatit të radhës në listën shumëemërore të Partisë Socialiste, të Qarkut Gjirokastër, znj. Artemis Kosta Dralo (Malo).
Emri i kandidates Kosta vjen si rrjedhojë e dorëheqjes së deputetit Flamur Hoxha, i cili do të garojë për kryetar bashkie në Gjirokastër në zgjedhjet e 30 qershorit.

U dorëhoq gjatë vettingut, KPK referon në prokurori hetimin ndaj Petrit Fushës
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka gjetur shkelje të rënda në hetimin administrativ ndaj ish-prokurorit, Petri Fusha. Raportin përfundimtar të këtij hetimi, KPK njoftoi se e ka dorëzuar në Prokurorinë për Krimet e Rënda. Petrit Fusha u dorëhoq më 28 shkurt 2019. Në zbatim të Kushtetutës dhe interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, procesi i rivlerësimit iu ndërpre. Dorëheqja e përjashton automatikisht Petrit Fushën nga e drejta për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror për 15 vitet e ardhshme, por tashmë është në dorë të prokurorëve të Krimeve të Rënda të përcaktojnë nëse materialet e referuara nga KPK përbëjnë shkak për nisjen e një procesi penal ndaj ish-prokurorit apo jo.

Një fund ndryshe për “Game of Thrones”… në libër
Finalja e serialit të famshëm “Game of Thrones” la pas shumë fansa të pakënaqur. Vetë autorët kanë heshtur deri më tani përballë vërshimit të kritikave. Ai që ka folur është George R.R. Martin, autori i serisë së librave “A song of Ice and Fire”, mbi bazën e të cilëve është ndërtuar “Game of Thrones”. Shkrimtari 70-vjeccar ka përfunduar e publikuar vetëm pesë libra nga shtatë të planifikuar të kësaj serie. I fundit është publikuar tetë vite më parë. Kjo do të thotë se tre sezonet e fundit të “Game of Thrones” janë bazuar vetëm tek skriptet e shkurtra udhëzuese që George R.R. Martin u ka ofruar herë pas herë producentëve David Benioff dhe D. B. Weiss. Në blogun e tij, “Not a Blog” shkrimtari lë të hapur mundësinë e një fundi tjetër në libër. “Si do të përfundojë? Gjithmonë e dëgjoj këtë pyetje. A do të ketë të njëjtin fund si në serial, apo ndryshe? Epo, edhe po, edhe jo!”, shkruan ai.

Protesta shtyn Superioren dhe festën e Partizanit, kampionati mbyllet të enjten
Java e 35-të e Superiores, e programuar për t’u zhvilluar ditën e shtunë, është shtyrë për të dielën. Shkak për këtë shtyrje është bërë protesta që pritet të zhvillohet këtë të shtunë, sepse ajo kërkon angazhim maksimal nga ana e forcave të rendit dhe kështu do të krijoheshin probleme në stadiume për sigurinë, aq më tepër që janë ndeshjet e fundit dhe tensioni është i madh. Klubi i Partizanit kishte planifikuar që pas ndeshjes me Kukësin të bënte festën e titullit me tifozët, jo vetëm në stadium, por edhe në rrugët e kryeqytetit. Këtë festë tifozët e kuq mund ta bëjnë ditën e diel. Sakaq java e fundit e kampionatit shtyhet për ditën e enjte.

Reja nis punën me Kombëtaren, lista e lojtarëve të thirrur nga italiani
Shumë ditë para ndeshjeve të radhës në grup me Islandën dhe Moldavinë, Kombëtarja është grumbulluar në Durrës për të nisur stërvitjen. Trajneri i ri, Edi Reja, nuk ka dashur të humbë kohë dhe ka thirrur lojtarët, të cilët nuk janë më në aktivitet, pasi kanë përfunduar kampionatet ku ata aktivizohen. Bëhet fjalë për një listë paraprake lojtarësh, ndërsa lista zyrtare do të shpallet më 27 maj, kur trajneri italian do të dalë në konferencë shtypi. Në këtë grumbullim të parë të trajnerit Reja bien në sy 3 futbollistë nga Superiorja, të tre të Partizanit, Hoxha, Trashi dhe Telushi.

Formula 1 vajton Niki Laudan, kampionin që jetoi dy herë
Një lajm i hidhur për të gjithë dashamirësit e automobilizmit: ka ndërruar jetë në moshën 70-vjeçare ish-piloti austriak i Formula 1, Niki Lauda, i cili vuante nga një sëmundje në veshka. Lauda po kurohej në një klinikë në Zvicër, por nuk mundi ta mposhtte sëmundjen e rëndë. Lajmi është bërë i ditur nga familja e ish-pilotit. “Me trishtim të thellë ju njoftojmë se Niki ynë i dashur ndërroi jetë paqësisht me familjen e tij pranë ditën e hënë”, shkruhet në njoftimin e familjarëve. Tetë muaj më parë Lauda kishte kryer një transplant në mushkëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë