Podcast

Audio-Lajme 20 qershor 2019

Strategjia e re, bashkitë e PD s’japin leje për mitingjet e Ramës
Bashkia e Shkodrës nuk i ka dhënë leje Edi Ramës për të zhvilluar një takim elektoral në këtë qytet, parashikuar për pasditen e kësaj të enjteje. Përmes dy shkresave drejtuar Policisë së Shtetit dhe Partisë Socialiste, dega Shkodër, Bashkia thotë se në zbatim të dekretit të Presidentit Ilir Meta, zhvillimi i tubimeve elektorale është i paligjshëm dhe si i tillë nuk do të lejohet. Kryeministri dhe mazhoranca nga ana tjetër nuk e njohin dekretin e Metës dhe gjasat janë që të sfidojnë bashkitë opozitare duke vazhduar përpara me agjendën e tyre elektorale. Sfida ka nisur që me Shkodrën. Forca të shumta policore dhe të Gardës së Republikës kanë nisur që në paraditen e së enjtes patrullimin në Pedonalen e qytetit, aty ku pritet që pasdite të shkojë Edi Rama. Nuk përjashtohet që bashkitë vetë të reagojnë edhe duke u përpjekur që të ndalojnë këto tubime përmes përdorimit të policive bashkiake mbështetur nga protestues të opozitës.

Sulmet ndaj KZAZ-ve, 21 të arrestuar. Shoqërohet edhe ish-deputeti i PD Spahia
Që pas dekretit të Presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, prej tri ditësh vijon përplasja në Bashkitë e drejtuara nga PD dhe LSI. Drejtuesit e tyre kanë vijuar që të kërkojnë largimin e KZAZ-ve nga ambientet shtetërore dhe kjo është shoqëruar me tensione mes mbështetësve të opozitës dhe policisë deri në arrestime. Nuk ka munguar dhuna, zjarri dhe përplasjet me policinë.
Një ndër ndalimet e bujshme ishte ajo e ish-deputetit Bardh Spahia, i cili u shoqërua në komisariat gjatë një transmetimi direkt në televizionin Top Channel, teksa ishte nisur për të shkuar në studion e emisionit, një ditë pas përplasjeve në KZAZ Shkodër për të cilat ishte shpallur në kërkim policor. Pas sulmeve dhe përplasjeve nëpër KZAZ-të në bashkitë e djathta si në Burrel, Kavajë, Kukës, Berat dhe Kamëz policia deri më tani janë 21 të arrestuar.

Edhe në Bashkinë Përrenjas, ultimatum për lirimin e mjediseve të KZAZ-së
Pas përplasjes dhe tensioneve që ndodhën dje në shumicën e bashkive të djathta në vend, edhe në Përrenjas është lënë sot afati i fundit nga bashkia për lirimin e mjediseve të KZAZ-së. Nuk dihet nëse do të ketë përplasje edhe në këtë bashki, por mësohet se në zonë ka forca të shumta policie.

Rama: Negociata ka vetëm pasi të dënohen presidentë e kryeministra
Opozita thotë se Bashkimi Europian refuzoi të hapë negociatat me Shqipërinë për shkak të lidhjeve të qeverisë së Kryeministrit Edi Rama me krimin. Por Kryeministri Edi Rama mendon se refuzimi ka një tjetër arsye madhore. Për Kryeministrin, Bashkimi Europian refuzon të hapë negociatat sepse pret që drejtësia të çojë në burg peshqit e mëdhenj. "Kjo do të thotë që sistemi i drejtësisë të jetë i gatshëm që të provojë aftësinë e vet për të hetuar, gjykuar dhe ndëshkuar presidentë, ish-presidentë, ministra, ish-ministra e kështu me radhë”, deklaroi Rama.

Bushati, thirrje për dialog
Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati nuk e fsheh zhgënjimin mbi vendimin e Këshillit Europian, që e shtyu për në tetor vendimmarrjen për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Megjithatë, ai thotë se vendi nuk duhet të shpërqendrohet nga rruga e reformave. Sa i takon krizës politike aktuale, Bushati kërkoi reflektim dhe bëri thirrje për dialog. “Unë dua të besoj se ne në Shqipëri do të vijojmë me reformat, nuk do të humbasim durimin dhe sidomos do të fokusohemi te reformat në lidhje me sundimin e së drejtës, luftën kundër krimit të organizuar, vijimin e reformës në drejtësi. Si dhe çfarë është më e rëndësishme sot për sot, ne kemi nevojë të kapërcejmë ndasitë politike në mënyrë që të sigurojmë një mjedis të favorshëm politik për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë”, deklaroi Bushati.

Ambasadori austriak Sattler, thirrje për vetëpërmbajtje
Thirrje për vetëpërmbajtje dhe dialog bëri sot edhe ambasadori austriak në Tiranë, Johan Sattler. Duke folur nga Shkodra, ai tha se ndërkombëtarët janë të gatshëm që të ndihmojnë në këtë situatë, mjafton që t’u shtrihet dora për ndihmë. “Kryetarët e partive politike tani duhen ulur bashkë. Ajo që ndodhi në Shkodër, Bajram Curri, e qytete të tjera është një fatkeqësi e vërtetë. Personat me mendësi demokratike nuk djegin shkolla, nuk shkatërrojnë, përkundrazi janë krejt diçka tjetër. Plitikanët duhet të tërhiqen një hap prapa dhe të ballafaqohen në 10 ditët në vijim. Nëse keni nevojë për ndërkombëtarë, ne jemi këtu t`ju ndihmojmë”, tha ambasadori austriak.

Dosjet “339” e “184”, Marku: Prokurorët t’i drejtohen gjykatës
Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku, nga foltorja e Kuvendit foli edhe për dy dosjet e bujshme “339” dhe “184” për blerjen e votave në Durrës dhe Dibër. E pyetur nga deputetët, kryeprokurorja deklaroi në Kuvend se u ka kërkuar prokurorëve të dosjeve të nxjerrin sa më shpejt konkluzionet dhe të dërgojnë çështjet në gjykatë.
Marku po ashtu deklaroi se nxjerrja e sekretit përbën një vepër penale, që nuk mund të anashkalohet. Lidhur me 10 përgjimet e reja të publikuara dje nga gazeta prestigjioze “Bild” për dosjen “184”, Marku tha se nuk janë të dhëna, por një mjet për kërkimin e provave.
“Përgjimet nuk janë të dhëna, por një mjet për kërkimin e provës… unë jam për të raportuar mbi punën e Prokurorisë”, u shpreh ajo.

Përgjimet, Kosova nis “dezinfektimin” e politikës nga krimi
Edhe pse përgjimet e njëpasnjëshme të publikuara nuk kanë çuar ende në ndjekjen e asnjë zyrtari të lartë në Shqipëri, Kosova duket se ka ndërmarrë disa hapa për “dezinfektimin” e politikës nga krimi.
Pas publikimit të një video-përgjimi që e lidhte me grupe kriminale, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka vendosur të largojë nga radhët e partisë së tij PDK të gjithë zyrtarët e inkriminuar apo që hetohen nga drejtësia.
I pari që është përjashtuar nga Partia Demokratike e Kosovës ka qenë Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrjeve në Qeverinë e Kosovës, Besim Beqaj.
Në një konferencë, lideri i PDK-së bëri të ditur se përveç Beqajt, kishte liruar nga detyra edhe zëvendësministrin e FSK-së Agim Çeku dhe sekretarin e partisë Nijazi Kryeziu.
Vendimi drastik duket se ka ardhur tre jave pas publikimit të një video-inçizimi, ku shihen disa persona të dyshuar për vepra kriminale duke marrë para dhe duke përmendur emrin e zotit Veseli.

Shqipëria, e fundit në Europë për konsumin dhe PBB për frymë
Shqipëria renditet e fundit në Europë e rajon për konsumin për frymë e Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) për frymë. Konsumi Individual aktual dhe PBB për frymë në vitin 2018, në BE ishte 100, të dhënat e raportuara nga Eurostat tregojnë se në vendin tonë niveli i komsumit dhe PBB-së për frymë është alarmant; respektivisht 38% dhe 31%.
Krahasuar me vende si Norvegjia, një shqiptar konsumon 3.3 herë më pak. Norvegjia është dhe vendi me konsumin më të lartë individual, 25% mbi mesataren europiane.
Në renditjen për konsumin individual dhe PBB për frymë, Shqipëria është ndjekur nga Bosnje Hercegovina dhe nga Maqedonia e Veriut.

Argjentina përsëri në “errësirë”, e shpëtojnë Mesi dhe portieri
Që Argjentina nuk është në “terezi”, u pa që në ndeshjen e parë me Kolumbinë, ku humbi 2-0. U vërtetua në ndeshjen e dytë në grup kundër Paraguait, 1-1, nga e cila Mesi me shokë dolën me të njëjtat dyshime dhe pasiguritë e zakonshme. Pavarësisht katër ndërrimeve në formacion në krahasim me ndeshjen e parë, Argjentina ka çaluar në lojë dhe është kënaqur me një pikë, të marrë me “dhunë” pas një penalltie të kthyer në gol nga Mesi. Trajneri Skaloni sërish është kritikuar ashpër për ndërrimet, veçanërisht atë të Lautaro Martinez në mesin e pjesës së dytë. Argjentina duhet t’i falet portierit Armani, i cili e shpëtoi skuadrën nga humbja, që do ta eliminonte nga Kupa e Amerikës. Me një pikë pas dy ndeshjesh, ashtu si Katari, Argjentina duhet ta mundë këtë ekip në ndeshjen e tretë, duke shpresuar që Paraguai, me 2 pikë, të mos fitojë me Kolumbinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë