Podcast

Audio-Lajme 20 maj 2019

Biznesi i bashkuar apel politikës: Ndalni, po shkatërroni ekonominë
Forumi i Dhomave të Tregtisë dhe shoqatat e sipërmarrjes janë bashkuar sot për të ndërgjegjësuar klasën politike në vend. Ata mendojnë se mungesa e stabilitetit politik po shkatërron ekonominë dhe biznesin.
Në lidhje me turizmin shifrat raportojnë një rënie në katër muajt e parë të vitit me 9,3% krahasimisht me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipërmarrja në vend thanë se në tre vitet e fundit janë përpjekur për rritjen e cilësisë së sektorit, por tani janë skeptikë pasi “nëse Shqipëria futet në listën e të dyshuarve për turizmin, do të duhen shumë vite të kthehemi në pozicionin e tanishëm”.
Duke i bërë thirrje politikës të risjellë stabilitetin në vend në mënyrë urgjente, biznesi në vend tha se do të përshkallëzojë reagimet në vazhdim nëse nuk do të ketë reflektim nga palët e politikës.

Basha: Raportet e KE, joreale! Negociatat nuk hapen
Kryedemokrati Lulzim Basha thotë se nuk janë protestat e opozitës ato që do të shtyjnë hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian, por gjendja reale në të cilën ndodhet vendi, që sipas tij është shumë larg asaj që përshkruhet në raportet e progresit nga ana e Komisionit Europian. Në një intervistë për BBC, kreu PD-së foli për një shqetësim në rritje të Brukselit dhe i cilësoi si të “sheqerosura” raportet e hartuara prej institucioneve të BE-së për Shqipërinë. Ai kërkoi prej tyre që të heqin dorë nga gjuha standarde diplomatike. Sipas Bashës, shtyrja e hapjes së negociatave thuajse është vendosur dhe ky nuk është problemi më i madh për vendin. “Problemi më i madh është sesi të kapërcehet kjo krizë e thellë, e cila tani po shpërthen me zemërim nëpër rrugë dhe sheshe”, thotë Basha.

Negociatat, Tsipras paralajmëron të ndajë Shkupin nga Tirana
Kryeministri grek Aleksis Tsipras i ka kërkuar qeverisë shqiptare të mbrojë të drejtat e minoritetit grek në vendin tonë ose ndryshe rrezikon anëtarësimin në BE. Në një intervistë me gazetën britanike “Financial Times”, Tsipras ka folur rreth marrëdhënieve me Shqipërinë dhe kryeministrin Edi Rama. Ai bëri me dije se i ka shpjeguar kryeministrit shqiptar rëndësinë e të drejtave dhe lirive të minoritarëve grekë.
“Nëse Shqipëria i përmbush detyrimet e të drejtave të njeriut, Greqia dhe unë personalisht, do të mbështesim vendimin e duhur në qershor për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut që të hapin procesin e anëtarësimit të tyre në BE së bashku”, shprehet Tsipras. “Por ne nuk do të rrezikojmë procesin e anëtarësimit për Maqedoninë e Veriut, nëse ajo ka bërë përparim. Do të ishte e padrejtë”, thekson kryeministri grek.

Mbledhja e dy qeverive Kosovë-Shqipëri, mungojnë Rama e Haradinaj
Pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive në Pejë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj ka bërë bashkë në Tiranë disa nga ministrat e qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë. Limaj, zëvendëskryeministri Erion Brace dhe zyrtarë të tjerë të lartë kanë diskutuar implementin e marrëveshjeve të nënshkruara më 26 në nëntor 2018. Limaj i tha Braçes se muaji qershor duhet të jetë afati i fundit për zbatimin e këtyre marrëveshjeve. Ky fundit u përgjigj duke deklaruar se në kuadër të krijimit të një zone ekonomike të përbashkët në rajon, Shqipëria dhe Kosova po vijojnë të punojnë për të përafruar legjislacionin mes tyre, por edhe me legjislacionin e Bashkimit Europian.

KQZ regjistron kandidatët e Bindjes Demokratike
Arben Skënderaj për Tiranën, Valbona Mezini të Vlorës, Ylber Gjeta Kamëz, Leonard Olli për Korçën dhe Salvador Kaçaj për Lezhën; janë kandidatët e Bindjes Demokratike për kryetarë bashkie.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i miratoi mes debatesh emrat e këtyre kandidatëve të partisë më të re politike. Përfaqësuesi i PD-së, Ivi Kaso kërkoi mosregjistrimin e tyre, pasi kjo forcë politike nuk plotëson kriteret ligjore. Edhe kryetari i KQZ, Klement Zguri ishte kundër regjistrimit të kandidatëve të kësaj force politike, duke kërkuar që Parlamenti të rivlerësonte statusin e dy deputetëve mbështetës Lefter Koka dhe Andi Përmeti ndaj Bindjes Demokratike. Kërkesa e tij nuk u miratua nga 4 anëtarët e tjerë të KQZ-së.

Zgjedhjet rikthejnë Vasil Bollanon
Ish-kryebashkiaku i Himarës, Vasil Bollano rikthehet sërish për të kandiduar në zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Kësaj here Bollano kandidon si i pavarur, jo si kryetar por për një vend në anëtar të këshillin bashkiak të Himarës.
KQZ mori vendimin që të regjistrojë kandidatin pavarësisht se KZAZ-ja e Himarës kishte pasur kontestime.
Veç Bollanos, që kanë përfaqësues i shoqatës minoritare OMONIA, KQZ ka regjistruar dhe Edmond Themelkon, përfaqësues i minoritetit maqedonas si kandidat i pavarur për kryetar për Bashkinë e Pustecit.

Rama: Pas 30 qershorit, një fazë e re e trajtimit të problemeve nga bashkitë
Gjatë takimit të përjavshëm me koordinatorët e platformës “Shqipëria që Duam” kryeministri Rama përveçse njohu nga afër rastet që kanë marrë zgjidhje, u ndal edhe një herë te zgjedhjet e 30 qershorit. Ai u shpreh se pas kësaj date, trajtimi i ankesave të qytetarëve nga pushteti vendor do të hyjë në një fazë të re.
“Kam shumë besim se më 30 qershor ne ndër të tjera do të krijojmë mundësinë edhe për të hyrë në një fazë të re të trajtimit të ankesave për bashkitë qoftë në aspektin sasior, qoftë në atë cilësor”, tha kryeministri Rama.

“Banda e bagazheve” të Rinasit, 2 në pranga për vjedhjen e pasagjerëve
Katër punonjës të ngarkim-shkarkimit të bagazheve në Aeroportin e Rinasit janë proceduar penalisht nga ana e Policisë së Shtetit me akuzën e vjedhjes së udhëtarëve. Dy prej tyre u arrestuan, ndërsa dy të tjerë po hetohen në gjendje të lirë. Personat në fjalë kishin për detyrë transportin e bagazheve të pasagjerëve, pasi këta të fundit kontrolloheshin nga personeli aeroportual. Gjatë transportit të tyre, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, katër personat në fjalë hapnin e kontrollonin valixhet e udhëtarëve. Policia njofton se ndaj këtyre shtetasve kishte mbërritur denoncimi i një pasagjeri, të cilit i kishin vjedhur në bagazhet e tij 4800 euro. Policia thotë se ka sekuestruar 4550 euro, që mendohet se janë të denoncuesit, ndërkohë që dyshon se grupi në fjalë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë autorë edhe të paktën katër vjedhjeve të tjera të ndodhura në Rinas përgjatë dy muajve të fundit.

KPK konfirmon në detyrë gjyqtarin Sokol Binaj
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë Sokol Binajn, gjyqtar i Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda.
Gjyqtari Binaj sipas hetimeve të KPK, ka dalë i pastër në të tria kriteret.
Gjatë seancës së zhvilluar më 17 maj raporti i ILDKPKI konstatoi se deklarimet e Binaj janë të sakta. Edhe hetimi i KPK-së nuk ka gjetur shkelje nga Binaj. Edhe në raportin DSIK u konstatua se subjekti është i përshtatshëm për vazhdimin e detyrës. Sokol Binaj është një emër i njohur në fushën e drejtësisë dhe ka qenë i përfshirë në gjykimin e disa çështjeve të bujshme.

A duhet të konsumojmë insekte për të mbrojtur mjedisin?
Sipas disa ekspertëve britanikë, insektet duhet të jenë një ndër ushqimet kryesore në dietën e njerëzve në të ardhmen. Përdorimi i insekteve në ushqim nuk është diçka e re, pasi rreth dy miliardë njerëz i përdorin ato, por konsumi i tyre ka edhe përfitime të mëdha mjedisore. Një raport i OKB në vitin 2013 tregoi se insektet që janë të ngrënshme, mund të ndihmojnë në uljen e nivelit të ndotjes së mjedisit.

“Google ndahet nga Huawei”: Ndalon përditësimet e Android për celularët kinezë
Google tashmë ka tërhequr marrëveshjen e tij nga kompania Huawei dhe në orët në vazhdim të gjithë telefonat e kësaj marke, do të humbasin përditësimet që mundëson sistemin operativ Android, më anë të të cilit funksionon gjithçka në një telefon. Gjiganti i teknologjisë kineze, është bërë simbol i sfidës teknologjike midis Uashingtonit dhe Pekinit. Një “luftë” të cilën Shtetet e Bashkuara janë të vendosura ta fitojnë jo vetëm në tokën e tyre, ku tashmë Huawei është rrëzuar. Mesa duket, gjiganti kinez ishte i përgatitur për një ngjarje të tillë dhe prej një viti tashmë, thuhet se kompania po përpiqet të krijojë sistemin e saj operativ, të titulluar Huawei OS, një sistem i njëjtë me Android dhe IOS.

Atak në zemër gjatë lojës, ndërron jetë arbitri 31-vjeçar në Bolivi
Një arbitër 31-vjeçar u rrëzua përtokë gjatë një ndeshjeje të ligës superiore boliviane dhe vdiq pasi u dërgua në spital. Ndeshja mes klubeve “Always Ready” dhe “Oriente Petrolero” u luajt në Stadiumin Komunal në El Alto, që është në një lartësi rreth 3.900 metra mbi nivelin e detit. Loja ishte në minutën e 47 kur arbitri Victor Hugo Hurtado u rrëzua dhe ra në mes të fushës. Futbollistët dhe mjekët e ekipit nxituan drejt tij dhe pas pak minutash Hurtado u dërgua me ambulancë drejt spitalit. Paraprakisht mediet ndërkombëtare shkruajnë se përveç komplikacioneve shëndetësore të 31-vjeçarit, shkak për këtë atak në zemër mund të jetë bërë edhe lartësia e madhe, në të cilën luhet futboll në Bolivi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë