Podcast

Audio-Lajme 2 korrik 2019

Kriza, Meta propozon dy palë zgjedhje në një ditë
Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se nëse nuk pranohet dekreti i tij për zgjedhje lokale më 13 tetor, atëherë ai ofron një formulë tjetër për dakordësi mes palëve. Zgjedhje lokale dhe të përgjithshme njëherësh, si dhe ato presidenciale ishte propozimi i presidentit. Presidenti në konferencën për shtyp sulmoi edhe disa prej ambasadave që sipas tij, nuk po nxisin palët për dialog, por vetëm po nxisin sherr.
Kreu i shtetit sulmoi edhe miliarderin Xhorxh Soros që sipas tij po ndërhyn në demokracinë në Shqipëri. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se po vendos një juntë, duke marrë nën kontroll të gjitha pushtetet.

PS i përgjigjet Metës: Na binde për të të shkarkuar! S’ka dritë në fund të tunelit për ty
Mazhoranca i vlerëson si prova shtesë për t’u shkarkuar deklaratat e Presidentit Ilir Meta. Taulant Balla përmes rrjeteve sociale e cilësoi aktin e shkarkimit si provë vendosmërie për socialistët për të zbatuar ligjet e këtij vendi. Ministrja e Shtetit, Elisa Spiropali, ironizoi me deklaratën e Metës, duke e quajtur atë “Salvado Haxhi Qametaj”. Të enjten, Parlamenti pritet të mblidhet në seancë plenare për të ngritur Komisionin Hetimor. Balla shprehet i bindur se ky Komision do të dalë me një raport për shkarkimin e Metës. Për të hyrë në fuqi, shkarkimi duhet të vlerësohet nga Gjykata Kushtetuese.

Bashkitë ku numërimi ka mbaruar, shpallen 60 fituesit
Është mbyllur numërimi i votave në 61 bashki të vendit dhe janë shpallur dhe fituesit.
Sipas të dhënave që janë publikuar dhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk kanë surpriza sa u përket fituesve.
Në të shumtën e bashkive ata nuk kishin një rival, duke ua bërë konfirmimin apo rikonfirmimin si kryebashkiakë akoma më të lehtë.
Në Qarkun e Vlorës, njërën nga bashkitë, atë të Finiqit e merr partia MEGA. Ndërkohë vijon numërimi në Bashkinë e Shkodrës.

Rama nga Ministria e Brendshme: Mirënjohje policisë për punën në zgjedhje
Kryeministri Rama së bashku me ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj ka zhvilluar një takim me drejtuesit e policisë në ambientet e Ministrisë së Brendshme. Takimi vjen fill pas menaxhimit të sigurisë gjatë procesit zgjedhor.
Rama e nisi fjalën e tij duke falënderuar Policinë që e ka kryer me sukses misionin e saj si dhe ndau me ta shqetësimin e tij për periudhën e trazuar nga politika e rrugës, duke pasur parasysh opozitën.
Kryeministri Rama theksoi duhet të rritet paprekshmëria ndaj uniformave blu dhe se duhet më shumë mbështetje ligjore për ta. Po ashtu, kryeministri deklaroi se duhet të vendosen pensionet e parakohshme.
Ndërkohë, kryeministri Rama nuk bëri asnjë koment për deklaratat e forta të presidentit Ilir Meta, më herët në konferencën e mbajtur në Presidencë.

Strazimiri: Ramën po e mban policia në pushtet
Pas deklaratave të kryeministrit Rama për Policinë e Shtetit, vjen edhe një reagim nga ana e selisë blu. Ish-deputeti i PD-së, Gent Strazimiri në një konferencë për shtyp, dënoi deklaratat e bëra nga kryeministri Rama në krah të Policisë së Shtetit.
Ish-deputeti Gent Strazimiri tha se kjo kupolë është e njëjta bandë e Sigurimit të Shtetit që përdori diktatura më 2 korrik 1990.
Sipas tij, Rama rri në pushtet falë mjetit të tij të presionit, duke iu referuar kështu policisë. Strazimiri përmendi me emra shefat e policisë që sipas tij “u kanë siguruar mbrojtje kriminelëve që më pas t’i përdornin për të vjelë vota”.

Rama takon Merkel pas zgjedhjeve dhe shtyrjes së negociatave
Kryeministri Edi Rama dhe kancelarja gjermane Angela Merkel do të takohen në Poloni më 4 korrik, në samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ky është takimi i parë i saj me kryeministrin Edi Rama dhe Zoran Zaev pas shtyrjes së negociatave për në vjeshtë, ndërkohë që për kreun e qeverisë shqiptare pritet të jetë një takim i vështirë edhe për shkak të krizës politike në vendin tonë.
Në vizitën e tyre të fundit në Tiranë, më 12 qershor, përfaqësuesit e delegacionit gjerman ritheksuan se është Kushtetuta ajo që përcakton se kur duhet të mbaheshin zgjedhjet, por pas të dielës Ambasada Gjermane në Tiranë duket se ka ruajtur heshtjen.
Samiti në Poznan merr një rëndësi edhe më të madhe pas mbajtjes së zgjedhjeve, pasi të gjitha palët politike janë më sytë nga ndërkombëtarët për daljen nga kriza. Ai do të jetë gjithashtu edhe një mundësi e mirë për të parë qëndrimin e kancelares gjermane ndaj hapjes së negociatave me Shkupin dhe Tiranën në qershor.

Brazil-Argjentinë, Mesi lë pa gjumë trajnerin Tite
Gjysmëfinalja Brazil-Argjentinë, ose finalja e parakohshme e Kupës së Amerikës, luhet në orën 02:30 të datës 3 korrik dhe pritet me mjaft interes. Kjo pritshmëri e madhe krijon presion te Brazili, e pranon edhe trajneri Tite, i cili ka pohuar se do të jetë një ndeshje e madhe, por edhe se Lionel Mesi e ka lënë pa gjumë. "Po, jemi në ankth përpara ndeshjes me Argjentinën. Në ankth të madh madje. Kjo ndodh, sepse pritshmëritë për Brazilin janë shumë të mëdha. Rezultati? Nuk po arrij të fle natën. Megjithatë, jam i sigurt: do të jetë një ndeshje spektakolare. Dje u zgjova në orën 3:15 të mëngjesit dhe fillova të mbaja shënime. Për fat të mirë, kisha bashkëshorten në shtrat dhe më pas fjeta më mirë. Mesi? Ai mund të bëjë diferencën në çdo moment. Është një lojtar që nuk mund të neutralizohet, por mund të zvogëlojmë zonën e tij të veprimit për ta limituar në lojë”, - tha trajneri i Brazilit.

Adoleshentja amerikane shkruan historinë, mposht legjendën Venus Williams
15-vjeçarja amerikane Curi Gauff shkaktoi një start befasues të Wimbledon, pasi mposhti 5 herë kampionen e këtij Grand Slam-i, Venus Williams që në raundin e parë. E renditur në vendin e 313 të renditjes botërore, Gauff mposhti Williams pastër në të dyja setet 6-4 6-4. 24 vitet e diferencës mes të dyjave nuk u panë në asnjë moment, përkundrazi adoleshentja Gauff tregoi freski dhe një nivel më të lartë atletik se legjenda e tenisit, Venus Williams. Mes lotësh 15-vjeçarja ka treguar edhe urimet dhe mesazhet që i kanë dërguar dy idhujt e saj për këtë triumf. Gauff është bërë lojtarja më e re e kualifikuar në këtë raund të Wimbledon që nga viti 1968.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë