Podcast

Audio-Lajme 19 shtator 2019

Në pritje të vendimit, Tahiri me fotot e Ramës në gjykatë dhe akuza për Xhafajn
Pas pretencës më 10 shtator, ku prokuroria kërkoi dënimin e tij me 12 vite burg, sot Saimir Tahiri - teksa priste vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda – ka përmendur shpesh kryeministrin Edi Rama, ndërsa nuk ka lënë pa thumbuar ish-ministrin Fatmir Xhafaj. “Disa njerëz nuk përgjigjen as për vëllezërit e tyre”, i është referuar indirekt Tahiri çështjes së njohur si “Babalja”, ku pretendohej se ishte i përfshirë vëllai i ministrit Xhafaj.
“Unë kam qenë në drekë në Dajt me Edi Ramën dhe qeverinë në 23 prill dhe jo me Habilajt. Ja ku janë titujt e gazetave që e kanë publikuar dhe në foto unë me Ramën. Për mua është jeta ime në këtë proces, për ju është vetëm një proces. Më kanë vënë edhe bomba gjatë punës time. Iki në burg vetë nëse më vërtetohen akuzat”, ka thënë Tahiri.
Gjykata ka kontestuar disa nga provat e përmendura në seancën e kaluar nga Saimir Tahiri. Më konkretisht, e-maili dërguar prokurorit Dritan Prençi, shkresat e dërguara në drejtim të ish-ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe regjistri i hyrje-daljeve në Ministrinë e Brendshme. Sipas gjykatës, këto nuk janë pjesë e dosjes.

Skandali me “Gjoka Konstruksion” dorëhiqet kreu i ARRSH, Sonila Qato
Dorëhiqet Drejtoresha e Autoritetit Kombëtar Rrugor, Sonila Qato. Burime të afërta pranë saj e konfirmuan lajmin paraprakisht për Gazeta “Si”, lajm që u konfirmua nga vetë Qato pak më vonë përmes një njoftimi në Facebook.
Dorëheqja e Qatos ndodh pasi në medie u zbulua mashtrimi që kompania “Gjoka Konstruksion” ka bërë me fatura fiktive për punë të papërfunduara në Rrugën e Arbrit me qëllim që të përfitonte për të ndërtuar edhe tunelin e rrugës Kardhiq-Delvinë.
Pas përplasjeve mes dy institucioneve atë të ARRSH-së dhe Ministrisë së Infrastrukturës për favoritët e tenderit Kardhiq-Delvinë, e humbura doli znj. Qato e cila jo vetëm që nuk favorizoi “Gjoka Konstruksion”, por kërkoi hetimin e kompanisë për mashtrim dhe evazion me buxhetin e shtetit.
Kuvendi rrëzon dy dekretet e presidentit
Kuvendi me shumicë votash ka rrëzuar dy dekretet e presidentit Meta për rishqyrtimin e ligjeve “Për Kodin Penal” dhe “Akademinë e Shkencave”. Me 85 vota kundër; 11 pro; 2 abstenim për ligjin që parashikon ashpërsimin e dënimeve për veprat penale u rrëzua dekreti i parë i Metës. Ndërsa dekreti i dytë u rrëzua me 78 vota pro. Pro ligjit të “Akademisë” ishin 20 vota nga opozita dhe pesë abstenime. Në total mazhoranca ka refuzuar 10 dekrete të presidentit Meta, duke përfshirë ligje dhe propozimin për emërim të kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Kushti i PD-së, Gjiknuri i gatshëm të tërhiqet
Bashkëkryetari i komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore, socialisti Damian Gjiknuri ka qenë i gatshëm për t’u tërhequr nga posti që mban, por ai i ofroi një kusht opozitës. Sipas tij ai do të largohet në rast se opozita bëhet pjesë e komisionit për reformën zgjedhore. Pas këtij qëndrimi ka reaguar edhe sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, i cili u shpreh se “Gjiknuri duhet të ishte në burg, si dhe kushti është i BE-së për të dënuar ato që kanë kryer krime zgjedhore dhe jo i opozitës”. Ndërsa kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla e ka cilësuar si në debat pa kuptim, pasi Gjiknuri është ekspert i reformës zgjedhore dhe se PD nuk mund të vendosë kushte.
Pronat, PD: Rama, plan djallëzor për t’ua dhënë oligarkëve
Partia Demokratike mendon se çështja e pronave në Shqipëri është përkeqësuar qëllimisht nga qeverisja e Edi Ramës. Jorida Tabaku dhe Oerd Bylykbashi njohën me qëndrimin e opozitës ekspertët e Komisionit të Venecias që mbërritën në Tiranë për të dhënë një mendim mbi ligjin e ri të pronave. Ish-deputetja demokrate tha se ligjet po krijojnë norma të pashembullta jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjitha vendet e rajonit dhe kujtoi se çështja e pronave është pjesë e kritereve të vendosura nga Bashkimi Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Oerd Bylykbashi nga ana tjetër tha se pas të gjitha lëvizjeve, nismave, vendimeve dhe ligjeve të mazhorancës fshihen interesat e oligarkëve. Bylykbashi shpjegoi se në shërbim të këtij mekanizmi është eliminuar edhe Gjykata Kushtetuese dhe gjithë sistemi i drejtësisë. PD zotohet se me të ardhur në pushtet do të shfuqizojë këto ligje dhe do të ndërmarrë nisma ligjore, sipas saj, për të riparuar dëmet e shkaktuara në këto gjashtë vite çështjes së pronës dhe pronarëve.

Ekstradohet nga Gjermania Arbër Çekaj, pronari i firmës që iu kap 613 kg kokainë
Është ekstraduar nga Gjermania drejt Shqipërisë, Arbër Çekaj, pronari i firmës “Arbri Garden”, ku u sekuestrua kontenieri me 613 kg kokainë.
Lajmin e bëri me dije Zv/Drejtoresha e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj, në një deklaratë për mediat për kapjen e personave në kërkim kombëtar e ndërkombëtar.
Në shkurt të një viti më parë në një operacion me Doganat, Policinë e Shtetit dhe partnerët ndërkombëtarë në kontenierin me banane që vinte nga Kolumbia për llogari të “Arbër Garden” u sekuestruan 613 kg kokainë.
Pronari i mallit, Arbër Çekaj, pak ditë para sekuestrimit të sasisë së kokainës u largua nga Shqipëria për të humbur gjurmët për disa ditë. Aktualisht në Shqipëri të arrestuar për këtë ngjarje janë shoferi i kamionit, Armando Pezaku dhe menaxheri i kompanisë Arbri Garden”, Donaldo Lushaj.
Arba Kokalari zgjidhet zv/presidente e Parlamentit Europian
Shqiptarët morën një lajm të madh me zgjedhjen e Arba Kokalarit si eurodeputetja e parë në Parlamentin Europian në maj, por surprizat nga Brukseli duket se nuk kanë mbaruar me kaq.
32-vjecarja shqiptare është zgjedhur të mërkurën si Zëvendës Presidente e Parlamentit Europian për Partitë Popullore Europiane.
Në profilin e saj në rrjetet sociale, ajo ka njoftuar se do të jetë gjithashtu raportuesja përgjegjëse që do të udhëheqë punën e BE-së për Stambollin.
Arba Kokalari ka lindur në Tiranë më 27 nëntor 1986. Ajo është vajza e madhe e dy prindërve Bardh e Arjana Kokalarit si dhe mbesa e Musine Kokalarit.
Arba jeton prej vitesh në Stokholm, ku emigroi që fëmijë dhe duket se e ka “politikën në vena”, pasi është angazhuar që në moshën 16-vjeçare.
Fitorja me Islandën s’e ngre Shqipërinë, rekord për Kosovën në renditjen e FIFA-s
Shqipëria mbetet në vend të 64-t në renditjen e FIFA-s, pas dy ndeshjeve të luajtura nga ekipet kombëtare para disa ditësh. Fitorja 4-2 me Islandën nuk u ka bërë punë kuqezinjve, ose duket se ka shërbyer vetëm për të “mbuluar” humbjen e thellë me Francën, pasi mund të kishim edhe një rënie në këtë renditje.
Pas ndeshjeve me Francën dhe Islandën, Kombëtarja jonë ka 1372 pikë në renditjen e FIFA-s, 10 më shumë nga renditja e fundit, megjithatë vendi mbetet po ai, i 64-i. Kosova vazhdon ngjitjen, duke arritur një rekord në renditjen e fundit të FIFA-s. Skuadra e drejtuar nga trajneri Shaland tani mban vendin e 118-ë, me 1164 pikë. Më parë kishte 1149 pikë dhe mbante vendin e 119-ë.
Migjen Basha firmos në Australi, super ofertë për mesfushorin
Melburn Viktori është skuadra e re e Migjen Bashës. Mesfushori kalon kështu në Australi. Pak kohë më parë ai i dha lamtumirën Kombëtares së Shqipërisë dhe Arisit në Greqi dhe tani ka vendosur ta pranojë ofertën e majme financiare nga kontinenti i largët. Shkon te Melburn Viktori, ku më parë ka lënë gjurmë Besart Berisha, një tjetër ish-futbollist i Shqipërisë dhe më pas i Kosovës. Melburn Viktori është një nga klubet më seriozë në Australi dhe ka objektiva për titullin kampion, ndaj dhe ka vendosur ta përforcojë skuadrën me një lojtar me shumë përvojë në arenën ndërkombëtare si Migjen Basha. Më parë mesfushori ka luajtur në Itali, ku ka pjesën dërrmuese të karrierës, me skuadra si Torino, Atalanta e Frozinone, në Zvicër me Lucernën dhe në Greqi me Arisin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë