Podcast

Audio-Lajme 19 Prill 2019

“Krahu i djathtë” i Admir Muratajt! Policia shpall në kërkim Klement Çalën

Dy janë personat e identifikuar deri më tani nga ana e Policisë së Shtetit, të dyshuar si pjesëmarrës në grabitjen e 9 prillit brenda pistës së Rinasit të 10 milionë eurove. Në total, jozyrtarisht, burime policore thonë për gazetën “Si” se numri i autorëve të përfshirë në këtë ngjarje, së bashku me Admir Muratajn është pesë. Njëri prej personave të identifikuar mësohet se është ish-komando i forcave speciale të ushtrisë shqiptare. Identiteti i tij pritet të zbardhet në vazhdim. Personi tjetër sipas burimeve është shtetasi Klement Çala, 31 vjeç. Çala nuk është një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare. Ai, pas vdekjes së Admir Muratajt është i vetmi person që është ende në kërkim si autor i grabitjes së ndodhur në Qafën e Kasharit në shkurt të 2017-s.

Vettingu në Polici, Meta kthen ligjin për rishqyrtim në Kuvend

Presidenti Ilir Meta kthen mbrapsht ligjin për vettingun në radhët e Policisë së Shtetit. Në dekretin e drejtuar Kuvendit, presidenti argumenton disa fakte që sipas tij synojnë që qeveria të kontrollojë procesin e Vettingut me anë të strukturave që janë në varësi të ministrisë së Brendshme.

Në dekret theksohet se zgjatja pa afat e procesit krijon një terren të përshtatshëm për mbajtjen nën presion të vazhduar të forcave policore nëpërmjet forcës ndëshkuese të mekanizmit të vlerësimit kalimtar (vettingut) nga struktura e SHÇBA-së.

Olsian Çela zyrtarizon kandidaturën përballë Arta Markut

Prokurori i Krimeve të Rënda, Olsian Çela, është regjistruar këtë të premte pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke u bërë kështu emri i parë që zyrtarizon ambicien për postin e Prokurorit të Përgjithshëm të vendit. Këshilli i Lartë i Prokurorisë hapi më 1 prill zyrtarisht garën për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm. Veç Olsian Çelës janë edhe dy emra të tjerë që kanë shfaqur publikisht interes për këtë post. Një është prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku dhe tjetri është prokurori Adnan Xholi. Xholi, që mban edhe postin e drejtorit në Drejtorinë e Kontrollit të Hetimit dhe Ndjekjes Penale pranë Prokurorisë së Përgjithshme dhe Arta Marku e kanë kaluar vettingun. Ndërkohë, që Olsian Çela është në listën e prokurorëve ende në pritje për të kaluar në këtë proces. Kjo do të jetë “përballja” e dytë mes Arta Markut dhe prokurorit Olsian Çela. Ky i fundit ishte në listën e prokurorëve, që Arta Marku largoi nga Krimet e Rënda dhe e transferoi në rrethe. Çela e kundërshtoi vendimin dhe e fitoi gjyqin. Ai u rikthye te Krimet e Renda në janar të këtij viti.

Rama do të pyesë studentët për pedagogët: Karta, brenda majit

Kryeministri Rama gjatë një aktiviteti me studentët foli për sondazhin ku studentët mund të adresojnë e të shprehen mbi cilësinë e mësimdhënies dhe problematika të tjera të brendshme të universitetit. Ky sondazh do të jetë i hapur deri më 2 maj.

Kryeministri Rama tha se pas protestës së studentëve ka një këmbëngulje në plotësimin e kërkesave të studentëve, por duhet të kihet parasysh se të ndërtosh një sistem arsimor cilësor nuk është një fjalë goje, por është një proces transformimi që do kohën e vet.

Po ashtu, Rama ndau lajmin e shpërndarjes së kartës së studentit brenda muajit maj, në sajë të së cilës studentët do të përfitojnë një sërë shërbimesh.

Burri i deputetes Felaj bëhet prokuror, Alibeaj: Antikushtetuese

Partia Demokratike e cilëson si antikushtetuese vendimin e Kolegjit të Posaçëm të Prokurorisë ku kërkon rikthimin në detyrë Bledar Valikajt si prokuror, bashkëshorti i deputetes së PS-së, Ermonela Felaj.

Ish-deputeti Enkelejd Alibeaj deklaroi sot se me vendimin e marrë shkelet Kushtetuta, pasi Valikaj nuk ka përfunduar shkollën e Magjistraturës, si dhe nuk i është nënshtruar procesit të Vettingut, që kushtëzon KLP në marrjen e vendimit.

Konfirmohet në detyrë kryeprokurorja e Korçës, Dhorina Theodhori

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë kryeprokuroren e Korçës, Dhorina Theodhori.

Treshja gjykuese e KPK-së përbëhej nga Pamela Qirko kryesuese, Genta Tafa Bungo relatore dhe Etleda Çiftja anëtare.

Nuk u konstatuan probleme me pasurinë dhe pastërtinë e figurës, por pjesë e debatit në seancë u bë një nga gjashtë denoncimet nga publiku. Relatorja Bungo shpjegoi se denoncuesi pretendon se nuk është tërhequr një dosje nga gjykata civile, para vendosjes së mosfillimit të hetimit nga prokurorja Theodhori. Sipas relatores, duket sikur subjekti nuk ka kryer procedurat e duhura dhe pse ka interpretuar lidhur me këtë pretendim në vendimin e mosfillimit.

Drejtuesja e Prokurorisë së Korçës deklaroi se vendimi për mosfillimin e hetimeve për çështjen e denoncuar ishte konfirmuar nga eprori i saj dhe se denoncuesi nuk kishte ankimuar.

Alarmuan policinë, gjenden në fshatin Vuno dy turistët belgë

Pas kërkimeve të shumta përgjatë të gjithë natës, policia ka arritur të gjejë dy turistët belgë që humbën pa gjurmë ndërsa shëtisnin mes Llogarasë dhe Dhërmiut. Policia arriti t’i gjente dy turistët në një mal mbi fshatin Vuno të Himarës.

Ata raportohen të jenë në gjendje të mirë shëndetësore, por nuk dihet se përse “humbën” gjurmët.

Mësohet se dy turistët janë të moshës 56-58 vjeç, por identitetet e tyre nuk dihen ende. Policia i përqëndroi kërkimet në zonën malore Çikë-Iljaz.

Vritet gazetarja në Irlandën e Veriut

Një gazetare vra në orët e vona të së enjtes në Irlandën e Veriut, gjatë një aksioni policie. Ngjarja ka marrë përmasa edhe më të mëdha, pas raporteve se Lyra McKee u vra nga disidentë të IRA-s së Re.

Zëdhënësi i policisë, Mark Hamilton tha se IRA-ja e Re “ka të ngjarë të jetë ajo pas kësaj ngjarjeje të rëndë.

29-vjeçarja mbeti e vrarë pasi një person i armatosur hapi zjarr ndaj policisë në Londonderri.

McKee, e cila ishte duke qëndruar pranë një automjeti policie, u plagos për të ndërruar më pas jetë në spital.

Gega shuan aludimet për tolerime: Kampionati nuk ka mbaruar ende

Në këtë pikë të kampionatit, kur Partizani është në vendin e parë me 12 pikë më shumë se Kukësi i vendit të dytë, tema që flitet në rrethet futbollistike në vend është tolerimi nga ekipi i kuq. Por nuk është i këtij mendimi, trajneri i Partizanit Skënder Gega. Në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes me Kastriotin, Gega është shprehur se kampionati nuk është mbyllur akoma dhe se ekipi i tij duhet të jetë i kujdesshëm dhe t’i marrë ndeshjet me radhë. Tekniku i Partizanit tha se të dyja ekipet do të hyjnë në fushë me qëllimin që të arrijnë objektivat e tyre pa u ndikuar nga pozitat që kanë në tabelë.

Teuta dhe Flamurtari rrëmbejnë trofetë e parë në basketboll

Kampionati kombëtar në basketboll për meshkuj dhe femra është duke shkuar drejt fundit me ekipet pretendente që po përgatiten për sprintin final. Në pritje që të luhen finalet për të gjetur kampionet e sezonit, janë luajtur dy finalet e Superkupës. Fitueset janë shpallur Teuta për meshkuj dhe Flamurtari për femra. Nën drejtimin e trajnerit Bilali, basketbollistët e Teutës mundën në finale Tiranën me shifrat 86-85. Ndërkohë, në basketbollin e femrave Flamurtari i Viron Toskës vijon të mos njohë asnjë rival. Skuadra vlonjate ka triumfuar edhe këtë herë në Superkupën e Shqipërisë me shifrat 62-58 përballë ekipit të SH.B Tirana.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë