Podcast

Audio-Lajme 19 maj 2019

Raporti i Prokurorisë vetëm për 1 vit pati mbi 4 mijë përgjime
Raporti vjetor i Prokurorisë së Përgjithshme saktëson se vetëm për vitin 2018 janë realizuar rreth 4200 përgjime të ndryshme për shkak të hetimit të veprave penale. Raporti voluminoz prej 300 faqesh i dorëzuar në Parlamentin shqiptar thekson se janë 256 shtetas në kërkim ndërkombëtar dhe brenda vendit. Gjithashtu bëhet edhe ekspozeja e qyteteve më të kriminalizuara ku numrin më të lartë e Tirana.
Gjatë vitit 2018 janë ekzekutuar 8104 vendime penale të formës së prerë, ndërsa kanë mbetur pa u ekzekutuar 3916 vendime. Numri i vendimeve sipas llojit të tyre të mbetura pa ekzekutuar është 3 dënime me burgim të përjetshëm, 549 vendime me burgim, 1410 vendime për dënimin me gjobë, 59 dënime plotësuese dhe 1895 dënime alternative.

Basha mbyll takimet në Londër: Kriza zgjidhet me ndihmën e ndërkombëtarëve
Në mbyllje të vizitës së tij në Parlamentin Britanik dhe Dhomën e Lordëve, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte i ftuar i nderit në një darkë pune me anëtarë të Parlamentit dhe Dhomës së Lordëve në Londër.
Kryedemokrati Basha gjatë këtij takimi ka deklaruar se kriza politike në Shqipëri mund të zgjidhet me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve. Lideri i demokratëve i njohu bashkëbiseduesit me propozimet e PD dhe opozitës së bashkuar për daljen nga kriza përmes një procesi të lirë zgjedhor nën kujdesin e një qeverie tranzitore, e cila sipas Bashës, do t’i çlirojë duart drejtësisë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së politikanëvë të kapur në bashkëpunim me krimin për vjedhjen e zgjedhjeve dhe do të përmbushë të gjitha parakushtet e ngarkuara me ligj për të garantuar votën e lirë.

“Po hamë pesticide”, të rinjtë e PD sulmojnë me domate AKU-në në Durrës
Të rinjtë demokratë janë ngritur këtë të diël për të protestuar ndaj pasigurisë ushqimore pranë godinës së AKU-së, e cila ndodhet në Shkozet. Ata thanë se janë të pakënaqur nga roli i këtij institucioni në mbrojtjen e konsumatorëve. Sipas tyre ky institucion po lejon tregtimin e perimeve me pesticide, të cilat dëmtojnë shëndetin e konsumatorit.
Në shenjë proteste ata kanë qëlluar me domate dhe perime të tjera godinën e AKU-së.

Qeveria “konfuze” për qasjen ndaj plastikës, ul përsëri taksën për lëndët primare
Një vit pasi i shpalli luftë biznesit të plastikës me paralajmërimin se në vend për një kohë të shkurtër nuk do të kishte më fare qese plastike, e pasi në kuadër të paketës fiskale 2019 rriti taksën e lëndës primare për produktet e plastikës, në një kohë kur BE ka hequr nga qarkullimi takëmet plastike njëpërdorimshe; qeveria deklaroi se ka gabuar me biznesin e plastikës.
Qeveria pranoi se gaboi për rritje të taksës së lëndës primare për produktet e plastikës duke e shpënë 25 lekë/kg, ndërsa tani ka vendosur ta ulë sërish këtë taksë në 10 lekë/kg. Ligji do të hyjë në fuqi në gjysmën e dytë të vitit 2019. Në relacionin shpjegues të projektligjit që i ka shkuar kuvendit sqarohet se ky propozim ka për qëllim që të lehtësojë barrën e taksimit të lëndëve të para për prodhimin e aitikujve të plastikës.

Sot zgjedhje në katër komunat e Veriut të Kosovës
Prishtina ka deklaruar se nuk i ka dhënë leje shefit të Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, ndërsa në katër komuna në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, sot mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e këtyre komunave. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të gjitha vendvotimet janë hapur dhe se votimi është zhvilluar në rregull. Në zgjedhjet për kryetarë të këtyre komunave janë kandidatët nga Lista Serbe, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se janë 12 kandidatë në garë për kryetar në këto komuna, nga tre kandidat për secilën komunë. Në katër komunat ku mbahen zgjedhjet, të drejtë vote kanë 57 mijë e 938 votues.

Lajme të mira për Rejan, Çekiçi mesazh për kombëtaren e madhe
Trajneri i kombëtares Edi Reja ka ndjekur nga afër ndeshjen e Superligës, Tirana-Kastrioti, nga ku u shpreh se po ndjek me vëmendje të gjithë ecurinë e futbollistëve kuqezinj në ekipet e tyre. Një lajm të mirë Reja e ka marrë këtë javë nga Endri Çekiçi. Mesfushori pogradecar ka shkëlqyer këtë javë me ekipin e tij Olimpija Lubjana, duke shënuar dy gola. Kjo ndeshje ishte vazhdimi i një forme pozitive në dy muajt e fundit për Çekiçin, që ka bërë paraqitje shumë të mira me ekipin slloven. Pesë gola dhe tre asiste në fazën e dytë me nënkampionët e Sllovenisë besohet se do të jenë të mjaftueshme për Çekiçin që të marrë një ftesë në kombëtaren e madhe.

 

Më Shumë