Podcast

Audio-Lajme 18 Prill 2019

Rama: Jemi gati bisedojmë edhe me ata që hedhin kapsolla

Kryeministri Edi Rama nga foltorja e Parlamentit i ka shtrirë dorën për kompromis opozitës, duke kërkuar dialog sa i përket realizimit të reformës zgjedhore, duke ndryshuar ligjin elektoral.

Gjithashtu shefi i qeverisë u shpreh i gatshëm që të ndryshojë edhe Kodin Penal duke ashpërsuar ndëshkimet për shitblerjen e votës.

Rama dënoi edhe qëndrimet që mbajti opozita sa i përket vendimit të Parlamentit holandez për kërkesën për rivendosjen e vizave, duke shtuar se ky ishte një akt për efekte elektorale në Holandë.

Tri propozimet e Bashës për Kryesinë: PD hyn në zgjedhje, por me kushte

Në mbledhjen e përbashkët mes kryesisë së PD-së dhe ish-grupit parlamentar të PD-së për vijimin e aksionit opozitar, Lulzim Basha mësohet se ka propozuar marrjen e 3 vendimeve të rëndësishme.

Kryedemokrati Basha ka kërkuar që PD të regjistrohet për në zgjedhjet e ardhshme lokale, por me kushtin që të jetë krijuar terreni për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sipas tij, situata aktuale politike në Shqipëri nuk mundëson standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Më tej, Basha kërkon që PD të mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve fasadë, pasi do të shkatërronin demokracinë dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë.

Po ashtu ka kërkuar që të mandatohet ai dhe Sekretari i Përgjithshëm për të negociuar me partitë politike të opozitës marrëveshjen për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Hajdari: Nuk bojkotojmë zgjedhjet, Soreca: Shpresojmë që opozita të marrë pjesë në zgjedhje

Në cilësinë e kryetares së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Rudina Hajdari u shpreh nga foltorja e Kuvendit kundër bojkotit të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, duke paralajmëruar se do të ketë një tentativë për të marrë pjesë në zgjedhje dhe për të përfaqësuar demokratët.

Më tej, Hajdari shtoi se kërkesa e grupit që ajo përfaqëson është ulja dhe gjetja e një zgjidhjeje për ndryshimin e sistemit, me qëllim që përfaqësimi të vijë nga populli.

Pas krijimit të grupeve të reja parlamentare në Kuvend, reagon edhe ambasadori i BE në Shqipëri, Luigji Soreca.

Ai deklaroi se duhet që opozita e re parlamentare të marrë pjesë në zgjedhje, ndërsa tha se është koha për dialog jo vetëm brenda opozitës, por edhe me qeverinë në mënyrë që të ketë pjesëmarrje në zgjedhjet lokale.

Kriza vendos zgjedhjet në rrezik, OSBE: U prishën balancat politike

Klima e përgjithshme në vend e shkaktuar nga kriza dhe mosbesimi i thellë mes palëve politike vendos në rrezik serioz zgjedhjet e 30 qershorit. OSBE/ODIHR publikoi raportin mbi përgatitjet për zgjedhjet vendore që janë në prag. Raporti vë theksin te prishja e balancave politike në administratën zgjedhore, politizimin e institucioneve, lajmet e rreme përmes rrjeteve sociale dhe mosreflektimin e rekomandimeve pas zgjedhjeve të 2017-s në Kodin Zgjedhor.

KQZ jep 4 mandatet e deputetëve të “opozitës së re”, 3 kandidatë të tjerë dorëzojnë formularin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dha katër mandatet e deputetëve të rinj në radhët të opozitës. Tre deputetë i përkasin listës shumëemërore të PD-së dhe në nga LSI-ja.

Fatjona Dhimitri e renditur e shtata në listën e deputetëve të PD-së për qarkun e Gjirokastrës; Andi Përmeti i renditur i 12-ti në listën e PD-së për Korçën dhe Erion Piciri i renditur i 26-ti në listën e PD-së për Tiranën janë deputetët e rinj nga radhët e demokratëve. Ndërsa Eugen Bojaxhiu i renditur i 6-ti në listën shumëemërore të LSI-së mori mandatin si deputet i ardhshëm për qarkun e Beratit.

Ndërsa tre kandidatë të rinj sipas KQZ-së kanë depozituar formularin duke pranuar marrjen e mandatit të deputetëve.

Janë 3 aleatët e PD-së, Nikolin Staka, Artur Roshi dhe Zef Shtjefni që pritet të marrin mandatin e deputetit.

E enjtja e parë pa protestë, ‘opozita e re’ me dy grupe parlamentare

Sot u mbajt seanca plenare e radhës në Kuvend, por ajo që bëri ndryshimin nga herët e kaluara ishte mungesa e protestës nga ana e opozitës.

Pas protestës kombëtare të 13 prillit, Partia Demokratike ende nuk ka një njoftim zyrtar për protestën e radhës dhe se si do të vijojë aksioni opozitar.

Dje, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka zhvilluar një takim me kryedemokratin Lulzim Basha në selinë e PD-së për t’u bërë gati për betejën e radhës siç thanë ata kundër mazhorancës, por ende nuk ka një njoftim zyrtar. Ndërkohë edhe pse kishin njoftuar për protestë sa herë të ketë seancë, kjo nuk ndodhi sot, as me një protestë simbolike të disa të rinjve si herën e shkuar.

Ndërkohë në seancë kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, njoftoi se grupi parlamentar i deputetëve të rinj të PD-së do të kryesohet nga Rudina Hajdari, ndërsa ata të LSI-së do të drejtohen nga Nimet Musaj.

Grabitja në Rinas, Lleshaj: Nuk u cenua siguria kombëtare

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj u thirr në një interpelancë nga dy deputetët e opozitës Gjoni dhe Murrizi për të dhënë shpjegime në lidhje me grabitjen e ndodhur në pistën e aeroportit të Rinasit më 9 prill.

Për Lleshajn, ngjarja e rëndë nuk e cenon sigurinë kombëtare të Shqipërisë dhe se theksoi se nga hetimi janë pranë zbulimit të autorëve.

Ministri theksoi se policia nuk kishte përgjegjësi për sigurinë brenda aeroportit të Rinasit, pasi ligji ia jepte këtë të drejtë kompanisë private, duke e akuzuar se njoftoi me vonë për grabitjen e mbi 5 milionë eurove.

1.22 mld lekë për shpronësimet tek “Astiri”, por sa ndërtesa kompensohen?

Qeveria miratoi në VKM-në e mbledhjes së fundit shpronësimin e banorëve që preken nga zgjerimi i Unazës së Madhe në aksin nga Pallati me Shigjeta te rrethrrotullimi “Shqiponja”. Pika e parë e këtij vendimi nuk lë vend për interpretim: ata që do të shpronësohen janë banorët që gëzojnë pronën e tyre. Shuma e vendosur nga qeveria për këtë qëllim është 1.22 miliardë lekë. Por sa është numri i personave që përfitojnë nga ky vendim? Deri kur VKM-ja të publikohet e plotë në Fletoren Zyrtare, së bashku me listën me emrat që preken nga projekti kjo shifër nuk mund të thuhet e saktë. Autoriteti Rrugor Shqiptar foli për 317 ndërtesa që shembeshin. Pas kësaj, ARRSH doli me shifra të tjera duke deklaruar se numri i ndërtesave që shembeshin ishte 195. Më vonë, ARRSH doli me një vlerësim të ri, duke deklaruar se numri i banesave që do të shemben është 195. Në nëntor-dhjetor 2018, shifra e objekteve ndryshoi sërish. ARRSH nuk fliste më për 307 objekte, por për 242 që prekeshin nga ndërtimi i të tria loteve.

“Reporterët pa kufij”: Shqipëria bie 7 vende. Gazetarët kërcënohen

Rruga e Shqipërisë drejt BE-së duket e largët sipas “Reporterëve pa Kufij”. Organizata e njohur ka publikuar të enjten Indeksin botëror të lirisë së medias, në të cilin Shqipëria ka një rënie me 7 vende, duke u renditur në vendin e 82-të.

Duke iu referuar vendit tonë, “Reporterët pa Kufij” thonë se politikanët, të udhëhequr nga kryeministri Edi Rama, i quajnë gazetarët kazan dhe prodhues lajmesh të rreme.

Organizata thekson së sulmet ndaj medias si nga qeveria, ashtu edhe nga krimi i organizuar arritën në një nivel të paprecedent në 2018.

“Gazetarët iu nënshtruan fyerjeve, kërcënimeve me vdekje dhe procedimeve ligjore, që synojnë t’i frikësojnë dhe t’i frenojnë ata nga investigimi i korrupsionit”, shkruan “Reporterët pa Kufij”.

Komisioni i Disiplinës në FSHF izolon Besën dy muaj

Pas dhunës që shpërtheu gjatë ndeshjes me Bylisin disa ditë më parë, Komisioni i Disiplinës vendosi sot që skuadra e Besës të luajë 8 javë pa tifozë në stadiumin e saj, dhe humbet 3-0 në tavolinë. Dënimi shuan ëndrrën e kavajasve për ta parë Besën në Superiore sezonin e ardhshëm, pasi tashmë Bylisi nuk mund të arrihet në vendin e parë. Ndërkohë sulmuesit të Tiranës, Majkëll Ngo, i është refuzuar kërkesa për faljen e pjesës së mbetur të dënimit. Bie në sy edhe dënimi i futbollistes Paula Jaku e Juban Danjës me një vit, për shkak të dhunës ndaj zyrtarit të ndeshjes.

Strakosha pret penallti dhe uron Rejan: Paç fat, shihemi shpejt!

Mbrëmje e bukur për Tomas Strakoshën, portierin shqiptar të Lacios, që priti një penallti në ndeshjen me Udinezen, ndërsa në Kombëtare rigjen ish-trajnerin e tij, Edi Reja. Skuadra e tij fitoi 2-0 në kampionat dhe tashmë shpreson shumë për Championsin, që është vetëm 3 pikë larg. Strakosha, në prononcimet pas ndeshjes, i ka uruar fat në stolin kuqezi trajnerit Edi Reja, të cilin e njeh shumë mirë. Strakosha ishte një nga tre lojtarët më të vlerësuar për Lacion në këtë ndeshje. Bashkë me sulmuesin Kaisedo dhe mesfushorin Lukas Leiva, ai është vlerësuar me notën 7.            

 

Më Shumë