Podcast

Audio-Lajme 17 qershor 2019

PS kërkon zyrtarisht shkarkimin e Metës, depoziton kërkesën me 55 firma
PS kërkon zyrtarisht shkarkimin e presidentit Ilir Meta. 55 deputetë kërkojnë fillimin e procedurave të shkarkimit nga detyra të Metës, për shkelje të rëndë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla u shpreh se me dekretin për anulimin e datës së zgjedhjeve Presidenti i ka dhënë vetes atribute të paligjshme që nuk i takojnë. Sipas tij, presidenti ka detyrë të caktojë datën e zgjedhjeve, jo ta anulojë. Balla tha se me këtë akt presidenti po sillet si autoritet mbi kushtetutën e mbi sovranin. Sipas tij, Presidenti ka anuluar datën e zgjedhjeve, Kushtetuta nuk ia njeh këtë drejtë.

Lobimi rus, Basha refuzon të shkojë në Prokurori. PD: Po bëhet presion për arrestimin e tij
Kryetari i PD, Lulzim Basha dhe dy drejtuesit e tjerë, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi e kanë konsideruar në shkelje të ligjit thirrjen e tyre në Prokurori. Në një letër drejtuar Prokurorisë së Tiranës, kryetari i PD shpreh gatishmërinë për t’u paraqitur në Prokurori, sapo ajo të zbatojë me përpikëri ligjin.
Në njoftimin e prokurorisë së datës 12 qershor nuk është zbatuar kërkesa e ligjit për prezantimin e fakteve që kanë rezultuar deri tani nga hetimet për lobimin e PD në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për këtë arsye, kryetari i PD i ka kërkuar prokurorisë plotësimin e njoftimit për paraqitje sipas ligjit. Pas mesdite PD deklaroi se drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës me urdhra politikë po ushtron presion ndaj prokurorëve për arrestimin e kryedemokratit Basha, pasi ai nuk shkoi pranë organit të akuzës në mëngjes.
Më tej, selia blu thotë se një presion i tillë po bëhet me qëllim largimin e vëmendjes nga përgjimet e reja që do të publikojë gazeta gjermane BILD sot.

Thjesht procedurë! A do ta zvarrisë Basha hetimin e ri si te “Rruga e Kombit”?
Por pse Lulzim Basha refuzoi thirrjen e Prokurorisë për t’u njohur me akuzat dhe marrjen si i pandehur për dyshimet se Partia Demokratike ka lobuar në SHBA duke përdorur si burim financiar para ruse? Basha citon dy nene të Kodit të Procedurës Penale, nenin 308 dhe nenin 128, që të dy të lidhur me mosplotësimin e plotë të kërkesës nga ana e prokurorisë. Neni 128 është cituar edhe nga Gjykata e Lartë në vendimin mbylli hetimet ndaj Lulzim Bashës për akuzën e shpërdorimit të detyrës gjatë kohës që drejtonte Ministrinë e Transporteve, me një kosto të paktën prej të paktën 230 milionë eurosh në rastin e “Rrugës së Kombit”. Vendimi mban datën 10 prill 2009 dhe është marrë nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me kryesues gjyqtarin Spiro Spiro dhe anëtarë gjyqtarët Irma Bala, Perikli Zaharia, Besnik Imeraj dhe Aleksandër Muskaj. Në kohën që hetohej kjo çështje, Lulzim Basha veç deputet ishte edhe Ministër i Jashtëm i Shqipërisë, duke gëzuar imunitetin që i jepnin këto funksione.

Lleshaj thërret në zyra truprojën e liderit të opozitës. PD: Shantazh
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi i ka dërguar një letër ministrit të Brendshëm ku pretendon se është kërcënuar kryedemokrati Lulzim Basha.
Në shkresën drejtuar ministrit të Brendshëm e që mban firmën Bardhit, demokratët i referohen një takimi të ministrit Lleshaj me një prej punonjësve të Gardës së Republikës, Feim Dollapaj, truprojë e Lulzim Bashës, mbi rrezikun që i kanoset sipas Ministrisë së Brendshme kreut të opozitës.
Bardhi thotë se ministri duhet t’i informojë zyrtarisht, ndryshe do ta konsiderojnë manipulim për qëllime politike duke theksuar se nëse rreziku që i kanoset Bashës rezulton i pavërtetë, atëherë Lleshaj do të mbajë përgjegjësi.

Kërcënimi ndaj Bashës, Meta thërret shefin e SHISH dhe Komandantin e Gardës
Pas lajmit për kërcënimin e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, Presidenti Ilir Meta ka thirrur në një takim urgjent shefin e Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Komandantin e Gardës së Republikës. Helidon Bendo dhe Gramoz Sako po japin informacione te kreu i shtetit për këtë kërcënim, i cili u mësua pas letrës që sekretari i Përgjithshëm i PD-së i dërgonte ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, pasi ky i fundit kishte takuar në zyrën e tij truprojën e liderit të opozitës.

KQZ i përgjigjet Metës: Në parlament ka 122 deputetë
KQZ i është përgjigjur përmes një shkrese kërkesës së Presidencës lidhur me numrin e deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë, si edhe shpërndarjen e tyre në zonat elektorale.
“Numri aktual i mandateve të deputetëve të Kuvendit është 122 deputetë”, thuhet në përgjigjen e KQZ-së.
Nëpërmjet një shkrese zyrtare, kreu i shtetit iu drejtua Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke i kërkuar t’i vihet në dispozicion lista shumëemërore e deputetëve të Kuvendit, pas dorëzimit të mandateve të deputetëve të opozitës dhe zëvendësimit të tyre. Kërkesa e Metës në fundjavë u interpretua si lëvizje që Presidenti mund të shpërndajë parlamentin.

Shkodër, përplasje mes përfaqësuesve të PD dhe policisë në KZAZ nr. 2
Pas kërkesës që Bashkia e Shkodrës i bëri policisë për ta mbështetur në zbatimin e dekretit të presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit ka pasur përplasje pranë KZAZ nr. 2 në Shkodër mes përfaqësuesve të PD-së, Policisë Bashkiake dhe Policisë së Shtetit.
Pas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi në një shkresë drejtuar policisë së Qarkut të Shkodrës kërkon mbështetjen për lirimin e ambienteve të Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve, duke zbatuar kështu dekretin e Presidentit të Republikës se më 30 qershor nuk ka zgjedhje.
Përmes një letre dërguar Policisë së Shkodrës, kryebashkiakja Ademi kërkon prezencën e policisë në KZAZ nr. 2, 4 dhe 5 për lirimin e ambienteve.
Por kjo ka sjellë përplasjen. Policia ka tentuar të marrë në mbrojtje KZAZ-të në Shkodër, ndërsa kryebashkiakja Ademi dhe PD kërkojnë që ambientet të lirohen dhe kjo situatë ka sjellë konfliktin mes palëve.

KLP shtyn afatin për verifikimin e kandidatëve për kryeprokuror
Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi shtyrjen e afatit të Këshillit për verifikimin kandidatëve për kryeprokuror. KLP thirri mbledhje pikërisht, pasi sot përfundonte afati ligjor për verifikimin e plotësimit të kushteve nga kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm.
Kandidatët tashmë kanë dorëzuar dokumentet e nevojshme për verifikimin e plotësimit të kushteve ligjore për garën për Prokuror të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë.
Kreu i KLP, Gent Ibrahimi, u shpreh se do të pritet derisa të përfundojë vettingu për kandidatin Çela për vlerësimin e plotësimit të kritereve nga ana e kandidatëve.
KLP do të rendisë tri kandidatura dhe pritet që të rrëzohet një prej aplikuesve.
Deri tani konsiderohen si kandidatura të forta prokurorët Olsi Çela dhe Fatjona Memçaj, kjo e fundit për shkak të aftësive profesionale, por edhe avokati Lulzim Alushaj.

Avramopulos: BE do të marrë masa, po u shtuan hyrjet ilegale për azil
Komisioneri i BE për Emigracionin, Dimitris Avramopulos, ka paralajmëruar sot Shqipëri që të marrë masa kundër shtimit të emigrantëve ilegalë, ose do të rikthehet regjimi i vizave.
Komisioneri paralajmëroi se po të vazhdojë kjo tendencë emigrimi nga shtete si Venezuela, Kolumbia ose Shqipëria, BE-ja do të ndërmarrë masa të ashpra.
“Në qoftë se këto shtete nuk e pengojnë keqpërdorimin e vizave dhe rritet edhe më tej numri i kërkesave të paargumentuara për azil, BE-ja mund të pezullojë regjimin pa viza për shtete të veçanta”, tha ai.
Komisioneri për Emigrimin deklaroi se numri i hyrjeve pa viza të azilkërkuesve nga Shqipëria u rrit muajt e parë të 2019-ës me 30 për qind, duke arritur në 7,138 persona.
Paralajmërimi i Dimitris Avramopulos vjen disa javë pasi qeveria e Holandës ka dorëzuar zyrtarisht në Komisionin Europian kërkesën për rikthimin e vizave për shqiptarët.
Në letrën drejtuar Komisionerit për Emigrimin dhe Punët e Jashtme, Holanda kërkoi me shkrim që Komisioni Europian të konsiderojë pezullimin e vizave për vendin tonë, për shkak të rritjes se veprimtarisë së bandave shqiptare.

Partizani prezanton trajnerin e ri, italianin Franko Lerda
Partizani nuk heq dorë nga trajnerët italianë. Franko Lerda është zgjedhur nga drejtuesit e klubit të kuq si pasues i Skënder Gegës. Italiani 51-vjeçar është prezantuar nga drejtori i përgjithshëm i klubit kryeqytetas, Olsi Rama, i cili ka theksuar se Lerda është njeriu i duhur për stolin e Partizanit. Trajneri i ri i të kuqve, Lerda, u duk shumë entuziast për detyrën që ka marrë përsipër. Lerda tha se objektivi i parë është që Partizani të paraqitet sa më mirë në Champions League, të krijohet një mentalitet i ri, një stil i ri dhe një imazh i ri për këtë skuadër”.

“Minsk 2019”, Presidenti Meta i dorëzon flamurin ekipit shqiptar
Në Minsk të Bjellorusisë zhvillohen prej datës 21 deri më 30 qershor Lojërat Olimpike Europiane, ku Shqipëria përfaqësohet me një ekip prej 12 sportistësh, të cilët do të konkurrojnë në 6 disiplina të ndryshme: boks, qitje, xhudo, mundje, çiklizëm dhe hark. Presidenti i Republikës, Ilir Meta, priti sot në një ceremoni të posaçme ekipin që do të përfaqësojë Shqipërinë, duke dorëzuar flamurin kombëtar. Kreu i shtetit mbajti një fjalim të shkurtër, ku mes të tjerash theksoi se “ishte kënaqësi për të t’u dorëzonte Flamurin, me bindjen se ata janë më të mirët për ta ngritur atë sa më lart në këto Lojëra mjaft të rëndësishme”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë