FRONTEX nis ruajtjen e kufijve shqiptarë!
Kufijtë e vendit tonë do të ruhen tanimë zyrtarisht nga FRONTEX, duke e bërë kështu Shqipërinë e vendin e parë jo anëtar të BE-së ku do të vendosen rojet europiane
Agjencia Europiane Rojeve Kufitare dhe Bregdetar do të nisë zyrtarisht operacionin e saj në Shqipëri më 21 maj,duke shënuar kështu herën e parë që Frontex do të kryejë një operacion në territorin e një vendi jo anëtar i BE-së.
Marrëveshja do të lejojë Rojet Bregdetare Europiane të kryejë operacione të përbashkëta për të ndihmuar në ndalimit e emigracionit të parregullt.
Negociatat për Marrëveshjen e Statusit midis Bashkimit Evropian dhe Republikës së Shqipërisë u mbyllën në tetor 2018.
Sipas marrëveshjes, FRONTEX do të ngrejë një strukturë të posaçme në Shqipëri me qëllim luftën kundër emigracionit të paligjshëm drejt shteteve të Bashkimit Europian.
Meta, Ramës: Shqiptarët janë ndarë nga sistemet përjashtuese
Presidenti Ilir Meta nuk e përmendi asnjëherë në emër Kryeministrin Edi Rama, por mesazhi i përcjellë paraditen e së premtes qartësisht i drejtohej kreut të Qeverisë. Vendosmërisë së Kryeministrit Edi Rama për të zhvilluar zgjedhjet vendore më 30 qershor, edhe pa pjesëmarrjen e PD dhe LSI, Meta iu përgjigj para gazetarëve se Shqipëria nuk ka pse të shkojë në përplasje për interesa egoiste dhe okulte. Shqiptarët janë ndarë me sistemet përjashtuese që në vitet ‘90”, tha ai. Sa i takon deklaratës së Kryeministrit se nga Presidenti i Republikës nuk ka marrë asnjë ftesë për tryezë në përpjekje për të zgjidhur krizën politike, Meta e cilësoi përpjekje për t’i ikur përgjegjësisë. “Ata e dinë vetë se çfarë duhet të bëjnë dhe duhet të jenë të përgjegjshëm në rast se do ta çojnë vendin drejt konfrontimit”, vijoi presidenti.
PD “thyen” bojkotin dërgon përfaqësuesin e saj në KQZ
Pas vendimit për të dërguar komisionerë për zgjedhjet e 30 qershorit, Partia Demokratike ka thyer bojkotin duke dërguar përfaqësuesin e saj zyrtar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Pas 3 muajsh bojkot, përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti u shfaq në mbledhjen e KQZ-së. Prania e tij shkaktoi debat me nënkryetarin e Komisionit, Denar Biba i cili e pyeti se në çfarë cilësie ishte pranishëm në këtë institucion, pasi PD nuk është pjesëmarrëse në zgjedhjet lokale. Por përfaqësuesi i PD-së iu kundërpërgjigj se të drejtën e paraqitjes ia jep ligji zgjedhor, pasi është parti parlamentare.
Lleshaj paralajmëron opozitën: Kush saboton zgjedhjet do të ndëshkohet
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj i gjatë një takimi në prefekturën e Korçës paralajmëroi opozitën që të mos bllokojë procesin zgjedhor, pasi në të kundërt do të përballet me ligjin. “Kushdo që del nga binarët e arsyes dhe thjesht mendon që mund të cenojë të drejtën legjitime dhe sovrane të qytetarëve shqiptarë për të votuar ndëshkimi do të jetë i merituar. Sikur një rast i vetëm që dikush guxon të sabotojë ngjarjen më të rëndësishme, në momentin më të rëndësishëm të vendimmarrjes së popullit shqiptar që është votimi, do të japë llogari përballë ligjit”, theksoi Lleshaj.
Ministri Lleshaj është caktuar në krye të Task-Forcës për zgjedhjet lokale, e po zhvillon takime në çdo qark për masat që do të merren për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.
Ambasadori i OSBE: Sa herë nxehet debati, politikanët refuzojnë dialogun
Ambasadori i OSBE-së, Bernd Borchardt thotë se hijet e së kaluarës totalitare në Shqipëri vijojnë të jenë ende prezent, aq më shumë kur debati politik është i nxehur, në kohë krize si kjo që vendi ynë po kalon aktualisht me opozitën në protesta dhe bojkot të zgjedhjeve të 30 qershorit.
“Zgjedhjet e rregullta me pjesëmarrje të gjerë, institucionet e pavarura, shteti ligjor i pa korruptuar, shoqëritë e hapura,ku qytetarët kanë të drejtën e informimit, në mënyrë që të kontrollojnë pushtetin dhe të marrin vendimet duke pasur në dorë faktet - janë përgjigjet e tij thelbësore”, u shpreh ambasadori.
Ambasadori e mbajti këtë qëndrim gjatë fjalimit të mbajtur në konferencën ndërkombëtare shkencore “Fytyra e armikut të popullit gjatë diktaturës së proletariatit në Shqipëri, 1944-1990”. Kjo ishte dalja e parë e tij, pas kërcënimeve me parullën “Turp të kesh” që iu bë nga disa të rinj protestues të opozitës në banesën e tij.
Basha në Londër: Konservatorët britanikë, aleatë për modernizimin e PD
Kryedemokrati Lulzim Basha ndodhet në Britaninë e Madhe. Në selinë qendrore të Partisë Konservatore Britanike në Londër, Basha u prit nga Kryetari i saj, Brandon Lewis.
Basha i ka shprehur kryetarit Lewis mirënjohjen për mbështetjen e jashtëzakonshme që Partia Konservatore po i jep Partisë Demokratike për komisionin e përzgjedhjes së kandidatëve sipas modelit britanik, në kuadër të modernizimit dhe hapjes së PD dhe fuqizimit të mëtejshëm të anëtarësisë në procesin e organizimit të primareve.
Basha shprehu vendosmërinë e tij për ta modernizuar Partinë Demokratike sipas modeleve më të mira perëndimore, ku përvoja britanike në këtë drejtim është nga më të vyerat.
SHBA: Do iu mbështesim në parandalimin e ekstremizmit
Në ditën e luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm, e ngarkuara me punë e SHBA-ve në ambasadën amerikane në Tiranë, Leyla Moses-Ones, në një deklaratë për mediat u shpreh se Shqipëria është një shembull në këtë aspekt.
Gjatë fjalës së saj të mbajtur në shqip, Moses-Ones u shpreh se ambasada ka punuar me shkollat në projektin për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.
Ajo ndër të tjera tha se për të luftuar ekstremizmin, duhet të ketë bashkëpunim, duke cituar edhe një shprehje në gjuhën shqipe “Punë e mirë me shokë shumë”.
Prokuroria kërkon 1 vit e 6 muaj burg për ish-gjykatësin Admir Thanza
Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 1 vit e 6 muaj burg për ish-gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Admir Thanza, nën akuzën e falsifikimit të formularëve të dekriminalizimit.
Gjyqtari Thanza gjykohet për zbulimin e ONM-së, në të cilin rezulton i dënuar nga Gjykata italiane me 40 ditë burgim për vjedhjen e një supermarketi.
Seanca e parë gjyqësore për ish-gjyqtarin, më 10 maj, u shty pasi Thanza mungonte në gjykatë.
Thanza u shkarkua nga KPK më 17 korrik 2018, pasi nuk deklaroi një dënim që kishte marrë në Itali në 1999. Dhe më 18 prill, Kolegji i Posaçëm i Apelimit e shkarkoi përfundimisht nga detyra.
Lotaria, a do ta ndërpresë Trump në mes ëndrrën e shqiptarëve?
Ashtu siç edhe e kishte paralajmëruar, presidenti amerikan Donald Trump prezantoi të enjten një plan mjaft të ashpër për reformimin e sistemit të emigracionit.
Me anë të këtij plani ai synon t’i japë fund njëherë e përgjithmonë Lotarisë Amerikane, e cila i ofron mundësinë edhe shumë shqiptarëve që të emigrojnë drejt SHBA-ve.
“Nëse plani nuk miratohet nga ky Kongres, atëherë do ta miratojmë pas zgjedhjeve ku do të fitojmë” tha Trump.
Por pas zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, nëse Trump i fiton në 2020-ën, do t’i duhen edhe dy vite për të formuar shumicën në kongres përmes zgjedhjeve të mes-mandatit.
Pra nëse presidenti vendos t’i shkojë deri në fund planit të tij, Lotaria Amerikane do të mund të mbyllet në 2023-in.
Zyrtare, Alegri largohet nga Juventusi pas 5 vitesh
Në ditën e tretë të bisedimeve mes drejtuesve të Juventusit dhe trajnerit Masimiliano Alegri, vjen edhe vendimi zyrtar. Alegri largohet nga ekipi bardhezi pas 5 vitesh. Lajmi është bërë i ditur nga faqja zyrtare e klubit italian. Palët nuk arritën akordin ditën e enjte dhe sot pritej një tjetër takim, por me një njoftim të fundit klubi i Juventusit ka zyrtarizuar ndarjen. Nesër është programuar konferenca e shtypit, ku trajneri do të dalë para gazetarëve bashkë me presidentin Andrea Anjeli dhe të dy do të japin më shumë detaje në lidhje me “divorcin”. Ndahen kështu rrugët e Alegrit dhe Juventusit pas 5 vitesh, ku fituan 5 kampionate, 4 kupa dhe 2 superkupa. Tani drejtuesit e Juventusit duhet të intensifikojnë punën për gjetjen e trajnerit të ri. Emrat e përmendur deri tani nga shtypi italian janë Deshamp, Guardiola dhe Poçetino.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.