Lamtumira e major Tanushit, humbi jetën gjatë misionit në Letoni
Sot i është dhënë lamtumira major Klodian Tanushit, i cili ra në krye të detyrës në Letoni. Homazhet u zhvilluan në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar. Në nder të tij u mbajt një minutë heshtje edhe në Kuvend.
Gjatë ceremonisë shtetërore mbajtën fjalën edhe drejtuesit e ushtrisë dhe qeverisë. Ministrja Xhaçka u shpreh se major Tanushi u ka lënë një boshllëk të madh gjithë familjarëve, por edhe kolegëve. Ndër të tjera, Xhaçka ka zbuluar dhe amanetin e fundit të Tanushit, që është se “mbi interesat vetjake, duhen vënë interesat e shoqërisë”. Ndërsa, kryeministri Rama tha se major Tanushi i bashkohet familjes së Kombit, në “Varrezat e Dëshmorëve”. Ai shprehu dhimbjen e thellë dhe tha se major Tanushi u vetëflijua, duke dhënë jetën e tij që jetë të tjera mos të humbin.
Betohen deputetët e rinj socialistë dhe opozitarët nga listat e PD-LSI
Seanca e sotme plenare ka nisur me betimin e deputetëve të rinj. Nga Partia Socialiste janë futur katër emra si rrjedhojë e dorëheqjeve të Pjerin Ndreut, Rakip Sulit, Ilir Xhakollit dhe Nuri Belbës, të cilët do të garojnë për kryetarë bashkie në zgjedhjet e 30 qershorit. Si zëvendësues të tyre do të jenë kryetari i FRESSH-it, Eljo Hysko, që mori mandatin e Rakip Sulit që kandidon në Kamëz, Adriana Jaku të Pjerin Ndreut që kandidon në Lezhë, Florenc Spaho të Nuri Belbës në Përrenjas dhe Ardit Konomi të Ilir Xhakollit që do të garojë në 30 qershor në Pogradec.
Ndërsa nga listat e PD-së dhe LSI-së janë betuar 8 emra të rinj. Deri tani numri i deputetëve në Kuvend shkon 121.
Kuvendi jep 65 milionë lekë për fushatë, PD dhe LSI mbesin jashtë
Kuvendi mori sot vendimin që nga fondi i buxheti i shtetit të jepen 65 milionë lekë për partitë pjesëmarrëse në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.
Jashtë përfitimit të këtij fondi do të mbesin Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe aleatët e saj që refuzuan të regjistrohen në zgjedhjet vendore.
Sipas Kodit Zgjedhor, nga fondi shtetëror përfiton edhe partia më re e krijuar nga Astrit Patozi, Bindja Demokratike.
KQZ pritet të përcaktojë në mënyrë të detajuar fondet për 42 partitë politike që do t’i përdorin për fushatën elektorale.
Marrëveshje Rama-Basha? Hajdari e Gjoni: Po! PS e mohon
Rudina Hajdari dhe Ralf Gjoni kërkuan nga mazhoranca që të përgjigjet nëse ka një marrëveshje të fshehtë mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës, edhe për shtyrjen e zgjedhjeve vendore. Të dy deputetët e dalë nga listat e PD dhe LSI-së thanë se pakti i radhës nuk po bëhet për shqiptarët, por për kolltuqet e politikanëve. Shqetësimit të Hajdarit dhe Gjonit iu përgjigj kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla. Ai mohoi se ka një marrëveshje të fshehtë Rama-Basha dhe tha se Partia Socialiste nuk bën pazar me Kushtetutën dhe se zgjedhjet vendore do të mbahen më 30 qershor.
Rregullorja, PS këmbëngul për “provat” para arrestimit të deputetit
Me plotësimin e vendeve të lëna bosh nga PD dhe LSI në Komisionin e Ligjeve, mazhoranca ka rikthyer për shqyrtim projektvendimin për ndryshimin e rregullores së Kuvendit. Rikthimi, edhe pse me të tjerë emra opozitarë përballë, nuk ka shmangur debatet. Epiqendër e tyre kanë qenë ndryshimet e propozuara në nenin 118 të rregullores. Mazhoranca propozon riformulimin e pikës që ka të bëjë me autorizimin për procedim penal ndaj një deputeti. Në këtë pikë përcaktohet se kërkesa për të autorizuar arrestimin e një deputeti duhet të përmbajë një relacion të arsyetuar dhe të shoqëruar me provat që e mbështesin atë. Debati është përqendruar te pjesa që detyron prokurorin të paraqesë provat që zotëron para Kuvendit. Para djegies së mandateve, Partia Demokratike e cilësonte shkelje flagrante dhe përpjekje të mazhorancës për të bërë edhe prokurorin, edhe gjykatësin. Sipas PD-së, dorëzimi i provave nga ana e prokurorisë për të marrë autorizimin cenon sekretin hetimor dhe i jep Parlamentit padrejtësisht veton për të vendosur nëse duhet arrestuar apo jo një deputet.
Rreziku “Huawei”, SHBA shpall gjendjen e emergjencës kombëtare
Donald Trump deklaroi gjendjen e emergjencës kombëtare për të mbrojtur rrjetin kompjuterik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga armiqtë e jashtëm. Presidenti amerikan firmosi urdhrin ekzekutiv që ua ndalon kompanive vendase të teknologjisë që të përdorin pjesë të cilat besohet se janë kërcënim ndaj sigurisë kombëtare. Urdhri nuk përcakton se cilat pjesë prodhimi të huaja ndalohen, por gjerësisht ai shënjestron produktet e kompanisë kineze, “Huawei”. Kjo kompani është vendosur në listën e zezë të Departamentit të Tregtisë, i cili beson se “Huawei” është një zgjatim i shërbimeve sekret kineze.
Autostrada Tiranë-Durrës, me pagesë pas rikonstruksionit
Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku u është përgjigjur shqetësimeve dhe kundërshtimet ndaj pagesës për qarkullim në autostradën Tiranë-Durrës. Ajo sqaroi se ky “është një projekt afatgjatë, ndërsa po shikohet nga ekspertët e ministrisë për t’u vlerësuar dhe nuk ka një propozim sa i takon pagesës”.
“Kjo do ndodhë pas realizimit të projektit dhe flitet për një afat kohor të largët. Do ketë një pagesë të përshkallëzuar, jo çdo dalje do të paguhet, është në varësi të gjatësisë së rrugës që do përshkruajë çdo automjet. E dyta, kushdo të jetë fituesi duhet të rehabilitojë rrugën pa pagesë Tiranë-Plepa”, tha Balluku. Sipas saj, vetëm pas kësaj, do të fillojnë punimet në rrugën Tiranë-Durrës.
Në muajin shtator qeveria pritet të hapë tenderin për të zgjedhur fituesin i cili fillimisht do të duhet të zgjerojë rrugën Tiranë-Durrës; të rikonstruktojë rrugën e Ndroqit dhe në fund të nisë punimet për ta bërë me pagesë autostradën Tiranë-Durrës
Krijohet Bursa e Parë e Energjisë në vend
Shqipëria do të ketë një Bursë të Energjisë Elektrike. Bursa do të funksionojë si instrumenti më i rëndësishëm i këtij tregu, do të operojë dhe do të organizohet në bazë të një platforme elektronike të tregut. Bursa që do të quhet “Operatori i Tregut”, do të operojë në fushën e shkëmbimit të energjisë elektrike në Shqipëri në formën e një shoqërie aksionere, të ndarë financiarisht dhe ligjërisht nga shoqëria "Operatori i Sistemit të Transmetimit" Sh.a.
Pendarovski flet për negociatat: Shanset për Shqipërinë minimale!
Presidenti i ri i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovksi ka këshilluar Bashkimin Europian të mos i kthejë shpinën Shkupit dhe Tiranës.
Presidenti i sapozgjedhur thekson se vitin e kaluar Tiranës dhe Shkupit iu premtua se do t’u jepej një datë për negociatat, menjëherë pas zgjedhjeve europiane. “Ne po presim me padurim për këtë vendim”, tha Pendarovki. Ai pranon se trazirat e fundit politike në Shqipëri kanë dëmtuar perspektivën e vendit për t'u bashkuar me unionin europian.
“Sipas shumë vëzhguesve ndërkombëtarë dhe diplomatëve në Bruksel, shanset që Shqipëria të marrë një datë për negociatat në qershor janë minimale. Por ne mendojmë se kemi bërë gjithçka që na është kërkuar”, thotë Pendarovski.
Lacio fiton Kupën e Italisë, Strakosha vendimtar, natë e errët për Gjimshitin
Lacio është triumfatori në Kupën e Italisë, pasi mposhti 0-2 Atalantën në ndeshjen e zhvilluar në “Olimpico”. Sfida ishte një betejë edhe mes dy lojtarëve të ekipit tonë kombëtar, Tomas Strakosha i Lacios dhe Berat Gjimshiti i Atalantas. Me këtë fitore, Lacio ka shpëtuar sezonin që ishte në prag të dështimit dhe ka prerë një biletë për në Europa Ligës e sezonit të ardhshëm. Ndërsa për Atalantën shuhet ëndrra për një trofe këtë sezon fantastik, por ka ende shpresa për të luajtur në Champions Ligën e vitit që vjen. Gjimshiti është kritikuar, duke u vlerësuar me notën 5, ndërsa Strakosha ka marrë notën 6. Për portierin e dytë të kombëtares shqiptare, Etrit Berisha nuk ka pasur minuta në këtë ndeshje.
Festivali i Kanës, yjet dhe filmat pjesëmarrës
Mbrëmja e djeshme ishte tepër e veçantë për të gjithë të apasionuarit e filmit. Festivali i Kanës filloi për këtë vit dhe mirëpriti yjet e kinemasë botërore. Filmi horror me titull “The Dead Do not Die”, me një kast aktorësh të mrekullueshëm, hapi festivalin dhe regjisori Jim Jarmusch me ironi e përcaktoi veprën e tij aq të fuqishme sa do të zgjonte edhe të vdekurit. Rreth 21 filma do të jenë pjesë e festivalit, duke paraqitur talentin e regjisorëve dhe aktorëve të mbarë botës, për të fituar “Palmën e artë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.