Podcast

Audio-Lajme 15 maj 2019

Protesta e radhës më 25 maj? Opozita: Zgjedhje më 30 qershor nuk ka!
Pas mbledhjes me aleatët, Basha ka zhvilluar një mbledhje edhe me kryetarët e degëve të PD-së në rrethe. Mësohet se është diskutuar data 25 maj për protestën kombëtare të radhës. Por kryedemokrati Basha do ta konsultojë datën me kryetarët e djathtë bashkiakë, ish-grupin parlamentar demokrat dhe Këshillin Kombëtar. Ndërkohë, pas përfundimit të takimit me Bashën, aleatët e lanë zyrën e PD me bindjen se zgjedhje më 30 qershor nuk do të ketë. Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi theksoi se zgjedhjet e 30 qershorit janë të rëna moralisht, por edhe me dokumente sepse nuk ka më shumë se 25 kandidatë përballë.

Meta: Kriza politike po dëmton turizmin
Duke e parë krizën politike nga këndvështrimi ekonomik, presidenti Ilir Meta lëshoi alarmin se kriza e thellë politike po sjell pasoja tepër të rënda për turizmin. Nga Skrapari, ku mori pjesë në Panairin e Prodhimeve Bio, Meta tha se efektet e para kanë filluar të ndihen në turizëm dhe se operatorët turistikë e cilësojnë situatën dramatike.

Negociatat, Hahn optimist: Shpresojmë para vjeshtës
Komisioni Europian do të paraqesë në fund të muajit maj rekomandimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn e konfirmoi këtë dhe thotë se nuk e ka humbur shpresën se Këshilli Europian do të vendosë pozitivisht para pushimeve të verës. Në një intervistë dhënë për Radino Europa e Lirë, Hahn vlerëson reformën në drejtësi në Shqipëri. Sa i takon kërkesës së ngritur nga Holanda, Hahn deklaron se deri më tani nuk sheh asnjë lëvizje konkrete nga ndonjë vend tjetër anëtar për të rikthyer regjimin e vizave për shqiptarët. Edhe ministri gjerman i Shtetit, Michael Roth mendon se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave. Ai kërkon hapjen e tyre edhe për të treguar se BE i mban premtimet e dhëna.

Mbërrin në atdhe trupi i pajetë i major Klodian Tanushit
Ka mbërritur në atdhe trupi i pajetë i komandantit të kontingjentit shqiptar në Letoni, major Klodian Tanushi. Efektivë të nëntë vendeve pjesëmarrëse në misionin “Enhanced Forward Presence”, përfshirë Letoninë, përcollën në Aeroportin e Rigës arkivolin e mbuluar me flamurin kombëtar. Homazhet për majorin Klodian Tanushi zhvillohen paraditen e së enjtes në Muzeun Historik Kombëtar. Pas homazheve dhe ceremonisë shtetërore, major Tanushit do t’i jepet lamtumira e fundit në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë.

Nuk plotësohet trupa gjyqësore, shtyhet sërish seanca ndaj Shullazit
Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk ka marrë ende një vendim për kërkesën e drejtuar nga Gjykata për Krimet e Rënda për plotësimin e trupës së me tre gjyqtarë të Apelit në shqyrtimin e dosjes “Shullazi”. Mosplotësimi i trupës është bërë shkak për shtyrjen e radhës në procesin gjyqësor ndaj Emiljano Shullazit dhe grupit të tij. Aktualisht, trupa gjykuese përbëhet nga dy gjyqtaret, Saida Dollani dhe Albana Boksi. Dollani kryeson trupën gjykuese, pas largimit të Fehmi Petkut, i cili nuk kaloi në procesin e vettingut. Për të dyja këto gjyqtare, të pandehurit kanë kërkuar përjashtimin e tyre. Dosja ka ndërruar duar edhe në organin e akuzës. Isa Jata është prokurori i ri pas përjashtimit nga vettingu të prokurorit Artan Bajrami.

Problematikat nga aksidentet, kompanitë paguajnë 1 mld lekë në tre muaj
Pjesa më e madhe e dëmeve rezulton të jetë paguar në sigurimin e Jo-Jetës, rreth 1.44 miliardë lekë, ndërsa 60 milionë lekë në sigurimin e Jetës.
Pagesa e dëmeve në tregun e sigurimeve, sqaron AMF, ka ndjekur tendencën me të cilën u mbyll viti 2018, ku u paguan rreth 7 miliardë lekë, ose 26.2% më shumë se në vitin 2017. Pagimi i dëmeve nga kompanitë e sigurimeve ka rezultuar përherë problematik në tregun tonë. Raporti i pak kohëve më parë i Kontrollit të Lartë të Shtetit do të nënvizonte se tregu është i dominuar dhe se Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare nuk ka mundur ta ndryshoja këtë situatë. Nga ana tjetër kompanitë e sigurimeve ende u kanë “borxhe” qytetarëve. Sipas Raportit, kishin mbetur edhe rreth 277 milionë lekë pagesa dëmesh ose rreth 25% nga shlyerja e plotë e borxhit të akumuluar.

Sulmohet rezidenca e Ambasadës së SHBA në Athinë
Me motoçikleta, skafandra, shishe me bojë dhe tymuese, një grup anarkistësh kanë sulmuar vilën ku banon ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Athinë. Sulmi ka ndodhur gjatë orëve të natës dhe vetë grupi i anarkistëve e ka filmuar dhe më pas shpërndarë nëpër internet të gjithë aksionin, që ka zgjatur disa sekonda. Pasi godasin në drejtim të murit rrethues të rezidencës dhe hedhjes së disa sendeve të tjera në oborrin e saj, grupi i personave largohet me shpejtësi me motoçikleta. Videoja mbyllet me një mesazh në greqisht, ku kundërshtohen politikat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe rendi i mbrojtur prej tyre.

Nis Eurosong
Mbrëmjen e së martës ka filluar festivali i 64-të i Eurovizionit. Ashtu se e përcakton dhe tradita e këtij programi, evenimenti u mbaj në Tel Aviv, kryeqytetin e Izraelit, vendi i cili fitoi kompeticionin vitin e kaluar. Shfaqja e djeshme ishte e mbushur me performanca marramendëse, të shteteve të ndryshme si Australia, Islanda, Greqia, Bjellorusia, Serbia, Qiproja, Estonia, Republika Çeke, etj. Nata e dytë e festivalit do të zhvillohet në 16 maj, me vendet të tjera të cilat do të plotësojnë grupin, që do të shkojë në finalen e madhe. Pjesë e grupit të dytë do të jetë edhe vendi ynë, i cili përfaqësohet nga këngëtarja Jonida Maliqi me këngën “Ktheju Tokës”, të cilën këngëtarja është shprehur se ia ka kushtuar më së shumti emigrantëve shqiptarë kudo nëpër botë.

Leonardo pranë lamtumirës, Milani shënjestron Igli Taren
Kohë ndryshimesh te Milani. Braziliani Leonardo, një nga drejtuesit kryesorë të klubit kuqezi, është pranë largimit dhe ai që mund ta zëvendësojë është Igli Tare, drejtori sportiv i Lacios. Lajmi bëhet i ditur nga portali italian “Calciomercato.com”, që shpjegon se Tare është ndër kandidatët kryesorë për të zënë vendin e Leonardos, nëse ky i fundit i jep lamtumirën Milanit.

Grizman lë Atletikon pas 5 vitesh, prapa fshihet Barcelona?
Antuan Grizman zyrtarizoi largimin nga Atletiko Madrid me një video të shpërndarë në profilet e rrjeteve sociale të klubit spanjoll. Ndeshja me Levanten do të jetë e fundit për të me fanellën e ekipit spanjoll dhe tani e pret Barcelona, siç shkruan shtypi spanjoll, por edhe “NY Times”. “Pasi fola me klubin, dua të flas me ju për vendimin e largimit nga Atletiko Madrid. Kam dëshirë për sfida të reja. Atletiko është klubi që më ka dhënë trofetë e parë dhe tifozët më kanë dhënë shumë dashuri. Kanë qenë 5 vite të jashtëzakonshëm dhe ju falënderoj përzemërsisht”, shprehej francezi në videon e lajmit të largimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë