Meta paralajmëron dorëheqjen, nëse Venecia e quan fajtor për 30 qershorin
Presidenti Ilir Meta në një intervistë televizive ka deklaruar se do të japë dorëheqjen nëse Komisioni i Venecias e cilëson si shkelës të Kushtetutës me dekretin për shfuqizimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Kreu i shtetit la të nënkuptojë se një vendim të tillë do ta ndërmarrë edhe nëse vëren se drejt Venecias do të ketë ndërhyrje nga ana e qeverisë. Ky qëndrim i Metës mund të shihet edhe si një përpjekje për të shmangur shkarkimin nga Parlamenti dhe për t’iu rikthyer politikës shqiptare.
Bardhi: Të hënën nxjerrim prova për krye bashkiakun Babani
Partia Demokratike pritet të nxjerrë dokumente shtesë për të kaluarën e Mark Babanit, kryebashkiakut socialist të Vaut të Dejës. Këtë e paralajmëroi nga Shkodra, Gazment Bardhi gjatë një takimi me strukturat e PD-së. “Nga e hëna, nëse Babani nuk do të flasë se çfarë i kujton data 4 prill 1994, ne do t'ua bëjmë publike shqiptarëve këtë dhe dosjen e plotë që disponojmë për të”, theksoi Bardhi.
Katër fëmijë të asfiksuar, shkrumbohet kati i tretë i një pallati në Fushë Krujë
Katër fëmijë kanë mbetur të asfiksuar pas zjarrit që ka rënë në katin e tretë të një pallati në Zallë të Fushë-Krujës. Fillimisht zjarri ka rënë në një nga hyrjet dhe më pas është shpërndarë në të gjithë katin. Edhe pse shërbimi i zjarrfikëse ka ndërhyrë në kohë, nuk ka mundur të shuajë menjëherë flakët, ndërkohë që për fëmijët është kujdesur shërbimi i urgjencës. Ata janë arritur të shpëtohen nga një banor i pallatit, i cilit ka shqyer derën dhe i ka gjetur të pavetëdijshëm fëmijët. Pas trajtimit në spital, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Bllokohen 27 ton fileto pule me salmonelë. Gjobiten edhe supermarkete
Agjencia Kombëtare e Ushqimit ka bllokuar 27 ton fileto pule nga Brazili, në Portin e Durrësit, pasi kanë pasur përmbajtje të salmonelës. Gjithashtu, inspektorët kanë kthyer në vendin e origjinës edhe 19.2 tonë kafe kokërr të papjekur, pasi kishte mangësi dokumentacioni shoqërues. Bakteri i Salmonelës, gjendet tek kafshët dhe njerëzit dhe në habitate të përshtatshme nis të zhvillohet duke shkaktuar një sërë sëmundjesh. Ndërkohë, inspektorët e AKU kanë vënë gjoba edhe ndaj disa supermarketeve për mungesë etiketash dhe dokumentacioni.
Dy talentet shqiptare shkëlqejnë në Angli
Armando Broja është xhevahiri i ri që po prodhon futbolli shqiptar. Pjesë e ekipeve të moshave të Shqipërisë deri më tani, Broja e ka treguar veten e tij në disa ndeshje me kuqezinjtë, duke i djegur shumë shpejt etapat dhe shumë shpejt pritet të jetë pjesë e ekipit A. Sulmuesi 18-vjeçar shënoi golin e parë për Çelsin në ndeshjen kundër Brajton në Premier Ligën e të rinjve. Por kjo fundjavë perfekte për Brojën është prishur nga një tjetër shqiptar. Ishte pikërisht Lorent Tola, i cili shënoi golin e barazimit për Brajtonin. Tola në dallim nga Broja nuk është pjesë e ekipeve zinxhir të Kombëtares, por deri më tani ka luajtur me U-17 dhe U-18 të Zvicrës.
Sistemet e Rynair “përtokë”, kaos në aeroportet e Europës
Gjatë orëve të para të mëngjesit të së shtunës, pasagjerë që udhëtonin me Rynair në të gjithë Europën nuk kishin mundësi të kontrollonin fluturimet e tyre, për shkak të ndërprerjes së sistemeve që shkaktuan vonesa në të gjitha aeroportet. Udhëtarët shprehën shqetësimet e tyre në rrjetet sociale sepse nuk mund të kontrollonin fluturimet e tyre nëpërmjet internetit dhe nëse bëjnë rezervimin në sportelet e aeroportit do të paguajnë më shumë. Pak orë më vonë fluturimet u normalizuan dhe kompania ka kërkuar falje publike për pasagjerët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.