Podcast

Audio-Lajme 14 qershor 2019

Meta shkresë KQZ-së, kërkon numrin real të deputetëve
Një ditë pas mazhoranca paralajmëroi mbledhjen e firmave për shkarkimin e presidentit, kreu i shtetit i është drejtuar zyrtarisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të njohur me numrin real të deputetëve të Parlamentit.
PD dhe LSI dorëzuan mandatet në bllok dhe plotësimi i vakante të deputetëve nuk u realizua plotësisht, pasi aktualisht Parlamentit u mungojnë 18 deputetë nga radhët e opozitës. Kjo kërkesë e presidentit mund të shihet si një paralajmërim për shpërndarjen e Parlamentit dhe çuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme.
Presidenti: Data e re zgjedhjeve sa më shpejt
Presidenti Ilir Meta deklaroi se shumë shpejt do të nxjerrë një datë të re të zgjedhjeve lokale, pas dekretit të nxjerrë për anulimin e 30 qershorit. “Sa më parë të jetë e mundur për datën e re, po punojmë me shumë qetësi dhe me shumë përgjegjësi. Dekreti është në fuqi dhe është i detyrueshëm për të gjithë, e mban shënim me shumë vëmendje çdo institucion që shkel ligjin”, deklaroi Meta.

Anulimi i zgjedhjeve, Bashkitë e djathta dhe të LSI zbatojnë dekretin e Metës
Pas botimit në Fletoren Zyrtare të dekretit të presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, bashkitë e djathta dhe ato të LSI-së kanë nisur punën për zbatimin e dekretit.
Përmes një shkrese drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kryetari i bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu, kryetari i Bashkisë së Kavajës, Isa Sakja, kreu i Bashkisë së Matit Nezir Rizvani, si edhe kreu i bashkisë në Skrapar, Nesim Spahiu kërkojnë lirimin e KZAZ-ve. Lirimin e ambienteve të KZAZ me qëllim zbatimin e dekretit të Presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit e kanë kërkuar edhe kryetarja e Bashkisë në Gjirokastër, Zamira Rami. Dekreti i Presidentit është zbatuar edhe nga kryetarja e bashkisë Shkodër, e cila në letrën drejtuar KZAZ-ve në këtë qytet, kërkon prej tyre lirimin e menjëhershëm të ambienteve në funksion të procesit zgjedhor.

Arrestimet në Elbasan, Basha: Reprezalje politike, prokurorët mos u binden urdhrave
Pas arrestimeve të bëra dje nga policia të drejtuesve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike në Elbasan, Librazhd dhe Përrenjas, kryedemokrati Basha ka hedhur akuza mbi kreun e qeverisë, duke i cilësuar si arrestime politike me urdhër të tij.
Në fjalën e tij, Basha u bëri thirrje policëve dhe prokurorëve të mos u binden urdhrave të Ramës. Sipas Bashës, kryeministrit Edi Rama po i vjen fundi dhe u zotua se PD nuk do të bëjë asnjë hap pas në kauzën e saj për një Shqipëri europiane.
Menjëherë ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, pas akuzave të kreut të PD-së Lulzim Basha, i cili e akuzonte se ishte një vegël e kryeministrit Rama që përdorej për të arrestuar protestuesit.
Me anë të një postimi në “Twitter”, LLeshaj shprehet se kreu i PD-së Lulzim Basha është përgjegjës për çdo individ që aktivizon kundër ligjit dhe lirive politike në vend.
Më tej, ministri Lleshaj ka thënë se askush nuk do të tolerohet kur shkel ligjin.

Operacioni në Elbasan, arrestohen 8 punonjës të administratës, mes tyre 2 gazetarë
Pas aksionit blic të Forcave RENEA, zhvilluar ditën e sotme në qytetin e Elbasanit, bëhet me dije se janë arrestuar 8 punonjës të administratës mes të cilëve edhe 2 gazetarë.
Ndërkohë janë shpallur në kërkim edhe 4 shtetas të tjerë. Të arrestuarit akuzohen për shpërdorim detyre.
Forcat speciale të RENEA-s kanë ndërmarrë një aksion të gjerë këtë mëngjes, duke nisur nga ora 03:00 dhe ka zgjatur deri në 09:00, me kontrolle të shumta në qytetin e Elbasanit dhe në lagjet e konsideruara problematike në këtë qytet.
Që prej mëngjesit të sotëm, Forcat RENEA bllokuan të gjithë hapësirën ku ndodhet resorti “Univers” në pronësi të familjes Çapja dhe ushtruan kontrolle në të gjitha ambientet e resortit.
Një prej të shoqëruarve është dhe Ardjan Çapja, ndaj të cilit janë kryer më herët dhe disa atentate.

Gazeta gjermane: Rama kërcënon Merkel me krijimin e Shqipërisë së Madhe!
Një nga gazetat më prestigjioze gjermane “Frankurter Allgemeine Zeitung” ka zbuluar në një artikull të gjatë se kryeministri Edi Rama po kërcënon zyrtarët e Berlinit se nëse Maqedonia e Veriut shkëputet nga Shqipëria atëherë qeveria do të ringjallë çështjen e Shqipërisë së Madhe.
Artikulli nuk citon burime, por thekson se Edi Rama po luan me zjarrin, gjë që ka shkaktuar shqetësim në Shkup e në qeverinë “mike” te Zoran Zaevit.
Një aspekt që ndikon në çështjen e negociatave të anëtarësimit raportohet se ka të bëjë me rolin e Shqipërisë. Në Tiranë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka kërcënuar hapur pas skenave, se nëse Maqedonisë së Veriut i lejohet të fillojë bisedimet e anëtarësimit dhe vendit tonë, a do të ngrejë çështjen e Shqipërisë së Madhe”, shkruan gazeta e njohur gjermane.
Ajo thekson se “çështja e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën prek në mënyrë të drejtëpërdrejtë edhe Maqedoninë e Veriut. “Në rrethana të tjera, kjo mund të konsiderohet si kërcënim për një shtetet fqinje. Edhe pse Rama nuk e ka përdorure shumë në vitet e fundit retorikën e Shqipërisë së Madhe, në raste të ndryshme ai ka treguar se është me të vërtetë i gatshëm të luajë me zjarrin”, shkruan “Frankurter Allgemeine Zeitung”.

Presidenti maqedonas: Na shkëputni nga Shqipëria dhe na pranoni në BE!
Presidenti Stevo Pendarovski, ka kërkuar që Maqedonia e Veriut duhet të trajtohet e “veçuar” nga Shqipëria dhe t’i hapen sa më parë negociatat me Bashkimin Europian.
“Të shkëputësh rrugën europiane të Maqedoninë e Veriut nga ajo e Shqipërisë duke i dhënë dritën jeshile Shkupit dhe duke shtyrë fillimin e bisedimeve me Tiranën, nuk është një vendim i lehtë, por është e vetmja rrugë për të ecur përpara”, tha ai në një intervistë të enjten.
“Problemi më i madh tani është shkëputja me Shqipërinë. Ajo tani është në rrëmujë. Opozita është larguar nga institucionet dhe po bëhet më e tensionuar. Pra, çfarë mund të themi këtu?”, është shprehur presidenti maqedonas.
56-vjeçari kujton se procedura e “decouplage” është përdorur dy herë të tjera në dëm të Maqedonisë, në vitin 2011 dhe në vitin 2013.
“Ne kemi bërë detyrat tona të shtëpisë, kemi nënshkruar marrëveshjen me Greqinë, e cila ishte një mrekulli politike”, tha presidenti.

Shqiptarët sensibilizohen, çdo vit ka rritje të dhuruesve të gjakut
Që prej vitit 2004, kur 14 qershori u përcaktua si Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut, edhe në vendin tonë ashtu si në mbar botën çdo vit kryen aktivitete të shumta për të sensibilizuar njerëzit këtë akt human. Statistikat tregojnë se një përqindje e vogël e popullsisë është e edukuar për të dhuruar gjak, ndërkohë që nevojat janë shumë të mëdha.
Armando Pambuku koordinator në nivel nacional për dhurimin e gjakut në Kryqin e Kuq, është shprehur për Gazetën “Si”se nevojat për gjak rrotullohen mes numrit 60 deri në 65 mijë njësi gjaku në vit, ndërkohë që vetëm kryqi i kuq merr vetëm 7000 njësi gjaku. Pambuku gjithashtu shprehet se ka një tendencë rritje të vullnetarëve që dhurojnë gjak nga viti në vit dhe janë zvogëluar dhuruesit me pagesë.

Sërish italian, Partizani firmos me trajnerin e ri
Pas largimit të bujshëm të trajnerit kampion, Skënder Gegës që riktheu titullin pas 26 vitesh, Partizani ka gjetur më në fund trajnerin e ri. “Klubi i kuq” nuk i ndahet dashurisë me trajnerët italianë, teksa këtë herë emri që do të drejtojë “demat” do të jetë Franko Lerda. Ky i fundit në këto ditë ishte përfolur më pak nga të gjithë trajnerët e tjerë italian. Gjatë ditës së enjte, mësohet se Lerda ka qenë në Tiranë për tu takuar me presidentin Gaz Demi dhe drejtorin OIsi Rama, edhe pse më këtë të fundit një takim e kishin konsumuar në Itali. Lerda ka firmosur një kontratë 1-vjeçare me Partizanin me opsion rinovimi për vitin e dytë në sajë të arritjes së objektivave. Aventura me Partizanin do të jetë e para jashtë Italisë për Franko Lerdan. Pas Sormanit, Iulianos dhe Agostinelit, ky do të jetë trajneri i katër italian në krye të Partizanit që nga koha kur ekipi është në pronësi të Gaz Demit.

Kosova kalon Shqipërinë dhe në infrastrukturë, prezantohet projekti i stadiumit të ri
Kosova është duke mahnitur gjithë Europën me futbollin e saj. Talente pa fund dhe një dëshirë shumë e madhe për sukses kanë bërë që ekipi i ri Kosovës të marrë rezultate shumë të mira në eliminatoret e kampionatit europian 2020 dhe të jetë për 14 ndeshje radhazi i pamposhtur.
Por në Kosovë duket se kanë plane shumë serioze dhe afatgjata për zhvillimin e futbollit. Në shërbim të kësaj ideje, në Kosovë është prezantuar edhe projekti për stadiumin e ri kombëtar.
Impianti i ri i ngritur i gjithi nga e para do të jetë në qytetin e Drenasit raportojnë mediet kosovare. Ashtu si në fushën e lojës, ku Kosova e ka parakaluar Shqipërinë me rezultatet e marra, e njëjta gjë pritet të ndodhë shumë shpejt edhe në fushën e investimeve që bëhen për këtë sport.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë