Podcast

Audio-Lajme 14 maj 2019

“Turizmi i protestave”, shaka me zarar
Vendet nordike dhe ato të BE-së të shqetësuar për shetasit e vet në Shqipëri në këto ditë protestash dhe tensionesh të thekshme në rrugët e kryeqytetit. Departamenti i jashtëm suedez u sugjeron turistëve të vet në vendin tonë, t’u shmangen lagjeve rreth Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Të tregojnë vigjilencë, t’u ikin turmave të njerëzve, të kenë kujdes në çrregullime trafiku dhe të informohen rregullisht nga mediat për gjendjen në vend. Mesazhe pothuajse të njëjta kanë lëshuar edhe ministritë e jashtme të vendeve të tjera nordike dhe vendet e BE-së. Kliton Gërxhani, keru i Shoqatës ATOA, (Shoqates Shqiptare të Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike) thotë se më të tremburit ndër turistët janë ata italianë, austriakë dhe të vendeve nordike.

Rama: I mirëpres ndërkombëtarët, por 30 qershori nuk negociohet
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se është e mirëseardhur ndihma e gjermanëve, por nuk negociohet data 30 qershor, pra nuk do të ketë shtyrje zgjedhjesh lokale.
“Janë shumë të mirëseardhur, por negociata nuk ka, që të jemi të qartë. Në kuptimin e një procesi negociatash që lidhet me 30 qershorin, se nuk kemi asnjë mundësi të negociojmë Kushtetutën e Shqipërisë. Në një marrëveshje të 2017 kam refuzuar shtyrjen dhe u shtynë një javë. Qeveria nuk prodhohet me protesta dhe nuk zëvendësohet me dhunë”, deklaroi Rama.

Berlini, tjetër mesazh opozitës: Dhuna e papranueshme!
Pas reagimit të ashpër të Berlinit zyrtar mbi protestat në Tiranë një ditë më parë, Ministri gjerman për Çështjet Evropiane, Michael Roth ka dënuar sërish dhunën duke e cilësuar si të papranueshme.
Në një takim në Berlin me ministrin në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, Roth u shpreh se Tirana meriton hapjen e negociatave.
Ministri gjerman theksoi edhe njëherë se respektimi i institucioneve demokratike dhe kushtetuese është themelor për të ardhmen e vendit tonë.
Në një postim në Tëitter, Roth i dërgoi një mesazh opozitës shqiptare. “Jam shumë i shqetësuar nga dhuna e përdorur në protestën e fundit të opozitës. Një mesazh shumë i qartë për opozitën: Dhuna nuk është aspak e pranueshme”, shkruan Roth.

Kisha Katolike, thirrje Ramës e Bashës: Gjeni rrugën e dialogut
Pas situatës së trazuar politike në vend, Kisha Katolike bën apel për të gjetur zgjidhje duke kërkuar të mirën e përbashkët të njerëzve mbi interesat politike.
E mbledhur në Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme të Pesëdhjetepestë të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, Kisha Katolike i bën thirrje kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD-së, Lulzim Basha që të ulin armët e konfliktit dhe të gjejnë me patjetër rrugën e dialogut.
Në deklaratën e Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë thuhet gjithashtu se duhet të nxiten qytetarët që të heqin dorë nga dhuna, ndërsa theksohet se “kush përdor dhunë dhe vandalizëm nuk e do Atdheun”.

Protesta e opozitës, 7 të arrestuar dhe 15 të proceduar
Një ditë pas protestës së pestë kombëtare të opozitës, mësohet se policia ka arrestuar 7 persona, ndërsa 15 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.
Të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishje e qetësisë publike”, “Shkatërrim i pronës” dhe “Shkelje e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”.
Grupi hetimor po vijon punën për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar për kryerjen e veprimeve të kundërligjshme në këtë protestë të dhunshme.

“Bindja Demokratike” me 25 kandidatë për kryetar bashkie
Partia më e re opozitare, “Bindja Demokratike” e Astrit Patozit do të konkurrojë me 25 kandidatë për kryetar bashkie në zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Arben Skënderi për Tiranën, Valdona Sakollari për Durrësin, Leonard Olli për Korçën dhe Pavllo Shkarpa janë disa nga kandidatët e “Bindjes Demokratike”.
Nga të dhënat paraprake mësohet se nga 61 bashki në 30 prej tyre ka vetëm një kandidat dhe të gjithë ata janë të gjithë të Partisë Socialiste

Vdekja e major Tanushit, Ambasada e SHBA ngushëllon familjarët
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka përcjellë një mesazh ngushëllimi për familjarët e major Klodian Tanushit, i cili humbi jetën gjatë misionit të NATO-s në Letoni mëngjesin e 6 majit.
“Shtetet e Bashkuara shprehin ngushëllimet më të thella për familjen dhe miqtë e Majorit Klodian Tanushi, i cili humbi jetën në krye të detyrës gjatë misionit të NATO-s në Letoni. U bashkohemi qytetarëve shqiptarë në nderimin e sakrificës së tij dhe në vajtimin për humbjen e tij”, thuhet në mesazhin e ambasadës amerikane.
Shpërthimi i një mine më 6 maj në kampin “Adazi” në Letoni i mori jetën nëntetares Zarife Hasanaj, ndërsa major Tanushi mbeti i plagosur rëndë. Ai ndërroi jetë pas katër ditësh në një nga spitalet e Letonisë.

Krimet e Rënda konfirmojnë zyrtarisht vdekjen e Admir Muratajt
Gjykata për Krime të Rënda ka pushuar çështjen ndaj Admir Murataj, pas dorëzimit nga prokuroria të certifikatës së tij të vdekjes, aktit daktiloskopik dhe këqyrjes së kufomës.
Në seancën e sotme gjyqësore trupit gjykues i është dorëzuar certifikata e vdekjes nga gjendja civile e Tropojës, e kërkuar në seancën e mëparshme.
Sipas materialeve të dorëzuara nga prokuroria, Admir Murataj ka humbur jetën nga një plagë në kokë në datën 9 prill 2019.
Admir Murataj u vra të martën e 9 prillit në grabitjen në aeroportin e Rinasit, ku u grabitën rreth 6 milionë euro, ndërsa ishte akuzuar nga prokuroria si organizator i 3 grabitjeve të blindave me para në harkun kohor të 2015-2017.

Ministri serb i Mbrojtjes kërcënon Shqipërinë: Mos luani me zjarrin!
Ministri serb i Mbrojtjes Aleksandër Vulin ka paralajmëruar qeverinë shqiptare që të “mos luajë me zjarrin” duke kërkuar krijimin e “Shqipërisë së Madhe”.
Sipas tij, lehtësimi i kufijve me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut është provë e ambicieve ekspansioniste të Shqipërisë.
“Një kërcënim i madh për Ballkanin tani është krijimi i një Shqipërie të Madhe dhe përpjekja e saj për të fituar një terren në shtetet e tjera, duke filluar me Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe territorin e Kosovës”, tha Vulin.

Shpëtoi nga rënia, Luftëtari pezullon trajnerin Ahmataj dhe dy titullarë
Paradoksi i radhës në futbollin shqiptar vjen nga Gjirokastra. “Luftëtari” pothuajse e ka siguruar qëndrimin në Superiore, dukë lënë “Tiranën” dhe “Kastriotin” të vuajnë për të përcaktuar ekipin e dytë që zbret një kategori më poshtë, por në vend të mirënjohjes apo falenderimit, trajneri Julian Ahmataj ka marrë një pezullim dyjavor nga klubi. Bashkë me të janë pezulluar po dy javë ndihmëstrajneri Neritan Novi dhe lojtarët titullarë Albano Aleksi dhe Xhekson Ferreira. Lajmi është bërë i ditur nga klubi gjirokastrit, që ka dalë me një deklaratë për shtyp, ku ka theksuar se vendimi është marrë pasi është parë me shqetësim ecuria e skuadrës.

E ardhmja e Champions, Ceferin mbron formatin aktual
E ardhmja e kompeticionit më të rëndësishëm futbollistik europian, Champions League gjithmonë dhe më shumë po vihet në diskutim. Një herë SuperChampions dhe një herë tjetër Superliga Europiane, janë të gjitha propozime që vënë në diskutim formatin aktual. Për këtë çështje ka folur edhe presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin. Në një prononcim për agjencinë e lajmeve, “Associated Press”, Ceferin ka thënë se Champions është kompeticioni më i mirë futbollistik në botë dhe ende askush nuk di gjë nëse do të ketë ndryshime në formatin e tij apo jo. Numri një i futbollit europian nuk ka mohuar edhe se në të ardhmen mund të ketë sërish ndryshime në dizenjimin e dy kompeticioneve të mëdha të futbollit për klube.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë