Podcast

Audio-Lajme 12 qershor 2019

Kosova feston ditën e çlirimit
Kosova ka festuar sot me një ceremoni madhështore 20-vjetorin e hyrjes ushtarake të NATO-s në Prishtinë, duke i dhënë fund represionit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Kjo ditë historike ka bërë bashkë në Prishtinë ish-presidentin amerikan Bill Clinton, ish-sekretaren e shtetit Madeline Albright, gjeneralin amerikan Wesley Clark dhe shumë personalitete tjera që kontribuuan në çlirimin e Kosovës.
Ish-presidenti Clinton tha në fjalimin e tij se për të gjithmonë do të jetë një nder i madh që të qëndrojë në Kosovë”.
Ai tha se ndihej krenar edhe për faktin se ishte në krye të politikës botërore ndali gjenocidin dhe vrasjet në Kosovë, duke theksuar se SHBA e ka mbështetur Kosovën në çdo fazë të zhvillimit të saj.
Ndërsa në fjalën e saj, Madeleine Albright ritheksoi edhe njëherë se vendimi për të ndërhyrë në Kosovë, “ishte i drejtë”.
“Aleanca jonë ishte e bashkuar dhe e fortë dhe më e rëndësishmja është se ia dolëm për arsye se kauza e jonë ishte e drejtë dhe për arsye të qytetarëve të Kosovës përtej të gjitha pyetjeve, praktikave dhe politikave", tha ish-sekretarja Albright.

Meta dhe Rama shtrëngojnë duart në Prishtinë
Presidenti Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama janë përballur sot në Prishtinë në ceremoninë e zhvilluar me rastin e 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës. Pas një situate tensioni të lartë politik, ku presidenti Meta ka zhdekretuar datën e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe ku PS-ja ka nisur procedurën për shkarkimin e kreut të shtetit, ata kanë shtrënguar duart formalisht.
Në këtë ceremoni ka qenë prezent edhe zyrtari i lartë i DASH, Matthew Palmer, i cili ka pasur dhe bisedime edhe si me Ramën dhe Metën.

Meta thërret partitë në konsultime për datë të re zgjedhjesh
Presidenti i Republikës ka lajmëruar se do të nisë negociatat me partitë politike për caktimin e datës së re të zgjedhjeve lokale. Pavarësisht se mazhoranca socialiste e cilëson si antikushtetuese zhdekretimin e datës së zgjedhjeve, kreu i shtetit zhvilloi një takim konsultues me 5 krerët e partive aleate të PD-së, Fatmir Mediu i PR, Dashamir Shehi i LZHK-së, Nard Ndoka i PDK, Agron Duka i PAA-së dhe Vangjel Dule i PBDNJ-së për caktimin një date të re të zgjedhjeve lokale.

Deputetët gjermanë: Zgjedhjet sipas afatit. Parlamentin e keni bërë si treg!
Josip Juratoviç, deputeti i sociademokratëve gjermanë, shprehet se zgjedhjet lokale duhet të mbahen sipas afateve kushtetuese. Gjithashtu, ai dënoi bojkotin e Parlamentit nga opozita, duke theksuar se në një demokraci, Parlamenti ishte vendi më i shenjtë dhe nuk mund të përdoret si Pazar nga partitë. Juratoviç ishte së bashku me dy deputetë të tjerë Bundestagut, duke qëndruan dy ditë në Shqipëri, por që në axhendën e tyre nuk parashikohej takimi me liderët e opozitës Basha dhe Kryemadhi.

Refuzuan dekretin e Metës, merren në mbrojtje 4 anëtarët e KQZ
Pasi refuzuan dekretin e presidentit Ilir Meta për anulimin e 30 qershorit si datë të zgjedhjeve vendore, janë marrë në mbrojtje katër anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Mësohet se kërkesa është bërë në Ministrinë e Brendshme nga vetë katër anëtarët e KQZ. Pas kësaj kërkese anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u është vendosur truprojë nga Njësia Speciale e Policisë.
Në mbrojtje janë vënë nënkryetari i KQZ, Denar Biba dhe anëtarët Edlira Jorgaqi, Bledar Skënderi dhe Rezarta Bitri.
Ndërsa, anëtari i KQZ-së, Bledar Skënderi tha për Gazetën Si se nuk kanë pasur shqetësime, por në këtë kaos politike, siguria në institucion nuk ka asnjë gjë të keqe.
“Nuk kemi pasur asnjë shqetësim. E them për vete dhe për kolegët. Ndoshta në këtë situatë pak siguri në institucion s’ka asnjë gjë të keqe”, u shpreh anëtari i KQZ-së, Bledar Skënderi.

Vrasja e administratorit të Kotës, arrestohen tre autorët
Policia e Vlorës ka arritur të zbardhë ngjarjen e rëndë që ndodhi në dje në fshatin Petë të Selenicës, ku u vra me armë administratori i njësisë Kotë, Argjil Gjoka.
Policia arrestoi tre autorët e vrasjes dhe ka shpallur në kërkim një tjetër.
Në pranga kanë rënë 19-vjeçari, Arif Bejtja që dje mbeti i plagosur gjatë sherrit me armë, Namik Bejtja 30 vjeç dhe Jaçe Bejtja 22 vjeç. Të tre këta persona janë me banim në fshatin Mavrovë dhe kanë pasur lidhje gjaku me Argjil Gjokën, i cili mbeti i vrarë.
Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin për motive të dobëta kanë tentuar të vrasin me armë zjarri tip pistoletë dy vëllezërit F. O. dhe A. O., (70 dhe 65 vjeç), por pas ndërhyrjes për të shuar konfliktin humbi jetën Kryetari i Njësisë Administrative Kotë, shtetasi Argjil Gjoka.

I akuzuar për gjobëvënie, kapet në Rinas mafiozi kinez
Policia Kufitare në bashkëpunim me Interpol Tiranën ka vënë në pranga në Rinas një 25-vjeçar kinez, i cili ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Policia bën me dije se shtetasi me iniciale G. L ishte në kërkim që prej 23 prillit të këtij viti. 25-vjeçari është arrestuar me qëllim ekstradimin e tij drejt Kinës për veprën penale “Gjobëvënie”. Maksimumi i dënimit për këtë vepër penale është 10 vjet burg.
Në vitin 2013 dhe 2014, ky shtetas së bashku me pjesëtarë të tjerë të grupit, kanë rrëmbyer njerëz dhe kanë vënë gjoba.

Lista e Forbes, këta janë 10 sportistët më të pasur
Sportistët në vitet e fundit janë shndërruar edhe në milionerë. Kontrata faraonike, sponsorizime dhe biznese jashtë fushe kanë bërë që disa sportistë të kthehen në makineri parash dhe të arkëtojnë të ardhura jashtë çdo imagjinate. Revista amerikane ‘Forbes’ ka bërë një listë të 10 sportistëve më të pasur në botë, ku sigurisht ata që dominojnë janë futbollistët. Në krye të listës së Forbes qëndron Lionel Mesi, i cili fiton çdo vit 112 milionë euro. Pas tij janë Ronaldo dhe Nejmar, që renditen para disa sportistëve të regbisë apo lojtarëve të NBA.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë