Rama fton Bashën për dialog: Por zgjedhjet do të mbahen
“Miku im rrugëhumbur, kujtoje mesazhin që të kam çuar kur i ke hyrë kësaj rruge, shumë kohë më parë dhe po e përsëris prapë që nuk je vonë të kthehesh nga kjo rrugë”. Me këto fjalë, Kryeministri Edi Rama i parapriu ftesës për dialog me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Bashën.
“ Jam i gatshëm për dialog, për të diskutuar dhe fatmirësisht ata me Lulzim Bashën në krye thonë që nuk kanë nevojë për asnjë karrige. Nëse kjo s’është luftë e ulët për të bërë një Pazar, gjë që unë e besoj sepse e besoj gjithmonë çdo gjë që thotë Luli, atëherë jemi në rregull dhe të ulemi të flasim. Ta negociojmë dhe të vendosim, përndryshe turpi do t’i ndjekë pas gjithë kohës”, deklaroi kryeministri.
Basha: S’ka rrugë të mesme, o me juntën, o me ne!
Pak orë pas përleshjeve të mbrëmjes së të shtunës, mbështetësit e opozitës u rikthyen para drejtorisë së Policisë së Tiranës, për t’u solidarizuar me të arrestuarit dhe kanë kërkuar lirimin e tyre. Opozita akuzon drejtpërdrejtë Kryeministrin Edi Rama se me urdhër të tij Policia e Shtetit ka arrestuar persona që jo vetëm nuk kanë patur lidhje me dhunën, por as me vetë protestën. Kryetari i demokratëve Lulzim Basha pas vizitës foli për një skenar dhune të organizuar nga vetë Edi Rama, duke shtuar se tanimë nuk ka një rrugë të mesme, ose me opozitën, ose me juntën, siç e cilëson ai qeverisjen e Ramës.
Lleshaj : Një episod s’mbulon histerinë e zjarrit real e verbal ndaj institucioneve
Ministri i Brendshëm deklaroi se falë profesionalizmit dhe durimit, forcat e sigurisë ja dolën mbanë që të mbrojnë institucionet dhe rendin kushtetues. Lleshaj pranoi se arrestimi me forcë i Sait Dollapit ishte i gabuar, por e cilësoi episod prej pak sekondash humbjeje durimi që nuk mund të mbulojë histerinë e zjarrit real dhe verbal që u derdh mbi institucionet dhe forcat e rendit. Për organizatorët e protestës, ministri i Brendshëm tha se janë të njëjtët autorë të dhunës ndaj institucioneve dhe qytetarëve në vitet 1997, 1998 dhe në 2011, duke kujtuar trazirat e ’97, grushtin e shtetit të 1998 dhe vrasjen e katër protestuesve më 21 janar para Kryeministrisë në 2011.
Qeveria merr në mbrojtje Borchardt, opozita e sulmon
Ministri i Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj e cilësoi akt kriminal të orkestruar nga drejtuesit e opozitws protestën e një grupi mbështetësish të opozitës në shtëpinë e Ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt. Kryeministri Edi Rama foli për shantazh të drejtpërdrejtë ndaj ambasadorit, pse bëri një deklaratë kundër dhunës dhe organizatorëve të saj. Ndërsa përfaqësuesi i PD-së Oerd Bylykbashi dikur bashkëkryetar në Komisionin për Reformës Zgjedhore dhe në çështje të tjera ligjore ku përfaqësonte Partinë Demokratike, nuk përmend emrin e Borchardt, por tha se OSBE po po mban një qëndrim të qartë pro qeverisë.
Ngrohja globale i ka bërë të pasurit edhe më të pasur
Temperaturat mund të rriten në mbarë globin, por jo të gjithë e ndiejmë ndikimin në të njëjtën mënyrë.Gjatë gjysmës së shekullit të kaluar, ndryshimet klimatike kanë rritur pabarazinë në botë, duke ulur mirëqenien në vendet më të varfra, ndërkohë që ka gjasa të rrisin begatinë tek më të pasurit.Sipas një studimi në Universitetin e Stanfordit në Kaliforni, hendeku midis vendeve më të varfra dhe të pasurave është sot rreth 25% më i madh sesa do të kishte qenë pa ngrohjen globale.
Ideologjia “super grua” është e gabuar
Duke analizuar të dhënat nga më shumë se 20.000 nëna që u përgjigjën sondazhit të Institutit të Statistikave të Punës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës , në periudhën 2003-2012, u vërtetua se kur nënat jetojnë me bashkëshortët, ato shpenzojnë më shumë kohë për gatim, pastrim dhe shumë punë të tjera. Hulumtimet treguan se përpos karrierës, nënat e martuara janë shtylla e familjes dhe gjatë gjithë kohës janë të angazhuara me punë, por ideologjia “super grua” që i udhëheq, ka pasoja për shëndetin dhe mirëqenien e tyre.
Studimi: Gonorrea transmetohet nga puthja
Shkencëtarët kanë vetëtuar që gonorreja, sëmundja që të gjithë e njohim si një infeksion seksualisht i transmetueshëm, mund të shkaktohet edhe nëpërmjet puthjeve. Rezultati doli nga studimi i kryer nga një qendër shëndetësore në Melburn të Australisë. Më shumë se 3 mijë burra homoseksual dhe biseksual u ndan në dy grupe kur një grup do të kryente marrëdhënie seksuale ndërsa grupi tjetër do të shkëmbente vetëm puthje. Studiuesit zbuluan se grupi i dytë kishte më shumë probabilitet për t’u prekur nga gonorreja e gojës.
Prisni fundin e muajit për kohë me diell
Duke nisur nga dita e diel i gjithë Ballkani do të përshkohet nga masa ajri që vijnë nga veriu e Europës. Sinoptikanët i thanë gazetës se kjo do të sjell rreshje shiu dhe shkarkesa elektrike. Temperaturat do të fillojnë të zbresin. Reshje shiu do të ketë gjatë gjithë javës së vjen. Por në javën e fundit të majit i nxehti afrikan do të përfshijë vendi tonë dhe temperaturat do të rriten deri në 30 gradë celsius.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.