Meta sfidon mazhorancën, anulon “Live” 30 qershorin: Zgjedhjet i vendos unë
Presidenti Ilir Meta sfidoi mazhorancën dhe thirrjet e saj se dekreti për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit është nul, duke e firmosur këtë dekret drejtpërdrejt në fund të konferencës së paralajmëruar për mediat. Në fillim kreu i shtetit interpretoi kompetencën që i jep Kushtetuta për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe kujtoi se pa caktimin e një date të tillë nga ana e Presidentit të Republikës, zgjedhjet nuk mund të zhvillohen. Ndër arsyet pse nuk mund të zhvillohen zgjedhjet më 30 qershor, ai renditi disa duke nisur nga bojkoti i opozitës dhe mungesa e kandidaturave kundërshtare përballë kandidatëve socialistë në më shumë se gjysmën e bashkive, rreziku i konfliktit civil, rreziku që i kanosej pluralizmit dhe deri te shkelja e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe regresi në rrugën drejt integrimit europian.
PS: Të enjten nisim procedurat për shkarkimin e Ilir Metës
Në përfundim të mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste, që u mblodh fill pas firmosjes së anulimit zyrtar të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit nga ana e presidentit, mazhoranca njofton nisjen e procedurave për shkarkimin e Ilir Metës. Ndërsa, në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e qeverisë, Elisa Spiropali ka bërë me dije se Kryesia ka diskutuar dhe vendosur nisjen e procedurave për shkarkimin e presidentit Meta, duke filluar nga seanca e kësaj të enjteje. Ndërkohë, pa humbur kohë Partia Socialiste e Shqipërisë ka nisur edhe mbledhjen e firmave për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta. Duhen 35 firma për të iniciuar kërkesën për shkarkimin e presidentit. Mësohet se firmat e para janë hedhur nga deputetët e PS-së në Komisionin e Ligjeve.
Meta i përgjigjet PS-së: Kushtetutën do ta mbroj deri në fund me qetësi dhe shqiptari
Dhe, pas publikimit të lajmit për mbledhjen e firmave për shkarkimin nga posti i presidentit, Meta ka postuar në rrjetet sociale një takim me studentët nga trevat shqiptare të Kolegjit Universitar AAB të Prishtinës.
Meta shprehet Kushtetuta do të mbrohet deri në fund me qetësi dhe shqiptari. Kreu i shtetit me këtë deklaratë duket se i është kthyer “kohës” kur ishte kryetar Parlamenti dhe kur përsëriste shpesh në çështje të nxehta shprehjen e tij pikante “me qetësi dhe dashuri”.
KQZ refuzon Metën: Zgjedhjet më 30 qershor
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve refuzon të zbatojë dekretin e presidentit Ilir Meta për të shfuqizuar zgjedhjet e 30 qershorit, duke u shprehur për vijimin e procesit zgjedhor që finalizohet pas tri javësh me votim. Mbledhja nisi e tensionuar pasi Klement Zguri, kryetari i KQZ-së u shpreh në parim pro dhe se sipas tij nuk e ka tagrin ky institucion të vërë në diskutim dekretin e Presidentit, pasi nuk është Gjykatë Kushtetuese. Zguri është larguar nga mbledhja, duke lënë vetëm 4 anëtarët e majtë, të cilët në qëndrimet e tyre u shprehën kundër dekretit të presidentit. Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba u shpreh se dekreti për anulimin e zgjedhjeve nuk është një kompetencë e parashikuar në Kushtetutë dhe në ligj për Presidentin.
Konstitucionalistja Anastasi: Metën mund ta rrëzojë edhe Gjykata Administrative
Pas anulimit të datës së zgjedhjeve më 30 qershor, konstitucionalistja Aurela Anastasi thekson se vlefshmërinë ose jo të shfuqizimit të 30 qershorit si datë për zgjedhjet lokale e vendos vetëm Gjykata.
Në një intervistë për Deutsche Welle-n, Anastasi shprehet se Presidenti i Republikës ka kompetencë për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe jo shfuqizimin e datës.
Më tej, Anastasi deklaron se shfuqizimi i 30 qershorit në një datë të pacaktuar çon në një situatë të pabazuar në akte ligjore, pasi, sipas saj, jemi në kushtet kur përfundon mandati i organeve vendore.
Lidhur me vendosmërinë e kryeministrit Rama për të zhvilluar zgjedhjet më 30 qershor, ajo shprehet se ankimimi për dekretin e presidentit, në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, mund të bëhet në Gjykatën Administrative.
KPK shkarkon kryetaren e Gjykatës së Tiranës dhe gjyqtarin Fuat Vjerdha
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra kryetaren e Gjykatës së Tiranës, Enkeledi Hajro. Të njëjtin vendim Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka marrë edhe për gjyqtarin e Apelit Shkodër, Fuat Vjerdha.
Për kryetaren e Gjykatës së Tiranës u evidentuan mungesë burimesh financiare për disa vite si edhe paqartësi në deklarimin e një kredie dhe kërkesën për shtesën e një prone. Sipas raportit të ILDKPI, gjyqtarja Hajro ka kryer deklarim të pasaktë, por nuk ka kryer deklarim të rremë apo fshehje të pasurisë, nuk gjendet në kushtet e konfliktit të interesit dhe ka burime të ligjshme. Ndërsa, DSIK ka konstatuar përshtatshmërinë e Hajros për vijimin e detyrës.
Ndërkohë, gjyqtari Fuat Vjerdha që ngeci në Vetting sot njihet ndryshe si njëri nga gjyqtarët e Dritan Dajtit, për të cilin ai votoi kundër zbritjes së dënimit të tij. KPK theksoi se gjyqtari Vjerdha kishte probleme me profesionalizimin në punë. Po kështu edhe denoncimet mbi uljen e dënimit të një çifti të akuzuar për mashtrim në shuma të mëdha dhe pafajësia për dy zyrtarë të akuzuar për shpërdorim detyre, kanë qenë ndër problemet, me të cilat u përball gjatë seancës dëgjimore gjyqtari Vjerdha.
Hamilton fiton mes polemikash në Kanada, Ferrari apelon dënimin e Vetel
Ljuis Hamilton ka fituar Çmimin e Madh të Kanadasë dhe kjo është fitorja e tij e 5-të sezonale, e 7-a radhazi për Mercedesin. Por ka qenë një garë e mbushur me polemika, për shkak të dënimit prej 5 sekondash të Sebastian Vetel, i cili i shkoi shumë afër përplasjes me Hamilton. Piloti gjerman, edhe pse e kaloi i pari finishin, e mbylli në vend të 2-të dhe u shfaq tepër i nervozuar pas garës, duke u shprehur se dënimi i tij ishte i padrejtë. Në vend të tretë e mbylli Çarls Leklerk dhe në vend të katërt Valteri Botas. Edhe pas atij “pole position” të mrekullueshëm të Vetelit dhe në një pistë ku është favorit në letër, Ferrari nuk ia doli të ndërpresë dominimin e Hamiltonit dhe Mercedesit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.