Podcast

Audio-Lajme 10 Maj 2019

Përcillet në banesën e fundit nëntetarja Zarife Hasanaj

Është përcjellë sot në Varrezat e Dëshmorëve nëntetarja 32-vjeçare Zarife Hasanaj, e cila ra në krye të detyrës gjatë një misioni të NATO-s në Letoni. Homazhet për ushtaraken shqiptare u mbajtën më parë gjatë paradites në Pallatin e Kongreseve. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, që e shpalli të premten ditë zie kombëtare, në të gjitha institucionet shtetërore flamujt u ulën në gjysmështizë dhe në orën 12:00 u mbajt një minutë heshtje. Edhe në selinë e NATO-s flamuri shqiptar është ulur në gjysmështizë. Gjatë ceremonisë zyrtare kanë mbajtur fjalën e tyre shefi i shtabit të përgjithshëm, gjeneralbrigade Bardhyl Kollçaku, ministrja e Mbrojtjes dhe kryeministri Edi Rama.

Basha shfaqet me djalin e  Sokol Olldashit në takimin me të rinjtë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shfaq sot së bashku me  Glauk Olldashin, djalin e ish-rivalit politik për kreun  e partisë gjatë takimit me 300 të rinjtë studentë të forumit të Partive Popullore Europiane i zhvilluar në Tiranë.

 “Merita e tij është që në ditën e parë ka qenë krah studentëve shqiptarë në betejën për arsimin e lartë të standardeve europiane. Por natyrisht Glauk Olldashi nderon trashëgiminë e babait të tij, ish-kryetarit të FRPD, një miku dhe bashkëpunëtorin timin, një nga liderët e PD ndarë nga jeta tragjikisht para disa vitesh, z. Sokol Olldashi”, deklaroi Basha në këtë takim.

Protesta, ambasada: Mos ushtroni akte dhune

Një ditë përpara protestës kombëtare që ka paralajmëruar Partia Demokratike, sipas të cilës do të jetë kulmimi i betejës për një Shqipëri Europiane, ka ardhur reagimi i Ambasadës Amerikane në Tiranë.

Ndryshe nga protesta kombëtare e 13 prillit, ku ndërkombëtarët nuk dhanë asnjë deklaratë për mënyrën se si rodhën ngjarjet në protestë, edhe pse pati akte dhune, këtë herë ambasada vjen me një reagim ku bën thirrje për të mos ushtruar akte dhune në protestë. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ambasada shprehet se qëllimi demokratik i një proteste komprometohet në rast se përshkallëzon në dhunë.

Shkodër, studentët sulmojnë me bojë rektorin

Mbledhja e komisionit të etikës, në universitetin “Luigj Gurakuqi”, në Shkodër është shoqëruar me tensione. Ndërkohë që pritej të merreshin vendime për përjashtimin e disa studentëve që dhunuan ambientet e universitetit, disa të rinj kanë sulmuar me bojë rektorin Adem Bekteshi. Boja mësohet se i është hedhur nga një studente e Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Shkodrës.

Prokuroria e Tiranës përkujton Ditën Kombëtare të Drejtësisë

10 maji është Dita Ndërkombëtare e Drejtësisë. Në 10 maj 1913 qeveria e Ismail Qemalit dekretoi “Kanunin e Zhurisë”, si aktin e parë juridik për organizimin dhe funksionimin e sistemit juridik në shtetin e pavarur shqiptar. Në nder të kësaj dite Prokuroria e Tiranës zhvilloi aktivitetin “Open Doors” ku u ftuan edhe studentët e Fakultetit Juridik për të njohur nga afër këtë institucion.

Samiti në Rumani, BE nuk planifikon zgjerimin deri në 2025

Ballkani Perëndimor është lënë jashtë samitit të Këshillit Europian në Rumani, pavarësisht premtimeve të kancelares Angela Merkel në Berlin. Gjatë takimit në Sibiu të Rumanisë, zyrtarët e BE miratuan një deklaratë të përbashkët duke theksuar drejtimet kryesore të bllokut për ciklin e ardhshëm pesëvjeçare, e cila nuk thoshte asgjë për zgjerimin e BE-së në rajon. “Ne do të qëndrojmë të bashkuar. Ne do të tregojmë solidaritet për njëri-tjetrin”, thanë udhëheqësit e BE, duke mos e përmendur zgjerimin e bllokut gjatë pesë viteve të ardhshme. Pak përpara nisjes së samitit të Presidenti i Komisionit Europian Zhan-Klod Junker shpjegoi se BE do të ketë shumë punë për të bërë deri në vitin 2025 për perspektivën konkrete dhe reale në Ballkanin Perëndimor.

Tsipras përballet me tjetër votëbesim në parlament

Kryeministri grek, Alexis Tsipras, përballet me një tjetër mocion mosbesimi në parlamentin grek.

Ashtu si në dhjetor, ai pritet t’i mbijetojë edhe këtij votëbesimit, i cili është i pesti në parlamentin e vendit fqinj. Votimi i 10 majit vjen në kohën kur Tsipras synon të rrisë mbështetjen para tre zgjedhjeve që priten të mbahen muajt e ardhshëm: zgjedhjet lokale, zgjedhjet për Parlamentin Europian më 26 maj si dhe zgjedhjet kombëtare. Kjo është hera e dytë që kryeministri grek ka kërkuar proces votëbesimi dhe sipas gazetës mediave greke pritet të fitojë rreth 152 vota.

Tri mënyra për të shpëtuar Tokën. Në një dekadë do vendoset fati i 10 mijë viteve të ardhshme

Shkencëtarët në Kembrixh po planifikojnë të ngrenë një qendër kërkimore për të zhvilluar mënyra të reja për të riparuar klimën e Tokës. Ata do të kryejnë eksperimente për sa u përket ideve të ndryshme që kanë për qëllim largimin e dioksidit të karbonit nga atmosfera. Qendra është duke u krijuar për shkak të problemeve të shumta që po has bota nga ngrohja globale. Idetë premtuese të ekspertëve nisin me pastrimin e atmosferës duke vendosur disa pompa në fund të detit me anë të anijeve, për të mundësuar filtrimin e ujit. Një tjetër ide është kapja dhe ruajtja e karbonit. Ky proces përfshin grumbullimin e emetimeve të dyoksidit të karbonit, nga qymyri ose termocentralet me gaz. Ndërsa, ideja e tretë që qendra do të eksplorojë përfshin gjelbërimin e oqeaneve në mënyrë që ata të mund të “thithin” më shumë dioksid karboni.

Derbi anglez edhe në finalen e Europa League

Futbolli europian, si asnjëherë më parë, dominohet nga Anglia. Pas Ligës së Kampionëve, edhe në finalen e “Europa League” do të jetë një derbi londinez. Çesli mposhti Eintrahtin e Frankfurtit, ndërsa Arsenali fitoi edhe përballjen e dytë me Valencian. “Blutë” vuajtën, duke u kualifikuar vetëm pas gjuajtjes së penalltive, ndërsa për “topçinjtë” ishte pak më e lehtë, pasi edhe në përballjen e dytë arritën të fitonin 2-4 ndaj Valencias. Finalja e Europa League do të luhet dy ditë para Ligës së Kampionëve, më datë 29 maj.

Përkëdhelet Nejmar, tri ndeshje pezullim për grushtin ndaj tifozit

Mbyllet sezoni për sulmuesin e PSG-së, Nejmar. Futbollisti brazilian është dënuar me tri ndeshje, për shkak të goditjes me grusht të një tifozi të Renes në momentin kur po jepeshin medaljet e finales së Kupës së Francës, ku PSG-ja humbi pas gjuajtjes së 11-metërshave. Vendimi i Komisionit të Disiplinës në Federatën Franceze do të zyrtarizohet të hënën, por lajmi është mësuar që tani. Një dënim i lehtë, duke menduar se Nejmar rrezikonte një skualifikim deri në 12 javë. Klubi parizien ka bërë rekurs për këtë dënim, ashtu siç ndodhi me dënimin prej tri ndeshjesh nga UEFA, pasi Nejmar sulmoi në rrjetet sociale arbitrin e ndeshjes PSG-Mançester Junajtid në Champions.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë