Ngjarje

Aty ku telefoni nuk pushon nga thirrjet për ndihmë mjekësore

Nesida në Qendrën Kombëtarë të Urgjencave nis punën e saj në orën 07.00 dhe fillimisht bisedon me kolegët e saj për rastet e veçanta që mund të kenë ndodhur gjatë natës.
“Gjatë tre ditëve të fundit pasi doli mesazhi zanor, është shtuar shumë numri i telefonatave dhe njerëzit nisin të ankohen për simptoma të ndryshme, më pas kërkojnë informacion të detajuar për koronavirusin. Që nga mëngjesi deri në drekë unë kam pasur 22 telefonata intensive,” tregon mjekja.
Në njësinë e koordinimit të telefonatave në Qendrën Kombëtare të Emergjencave gjenden disa infermierë dhe mjekë që janë gjatë gjithë kohës në gatishmëri për t’iu përgjigjur telefonatave. Indriti një nga përgjegjësit e njësisë së koordinimit tregon se zakonisht janë 4 ose 5 infermierë që u përgjigjen telefonatave, ndërsa këto ditë numri i personelit është shtuar me 3 infermierë dhe 4 mjekë në turn, më shumë se ditët e zakonshme.

Mes infermierëve vërejmë edhe dy gra shtatzëna që iu përgjigjen telefonatave vazhdimisht edhe pse lodhja në fytyrën e tyre është tepër e dukshme, pasi gjatë këtyre ditëve telefonatat kanë arritur nga 1100 deri në 1700 në 24 orë.
Nesida tregon gjithashtu se shumë njerëz kërkojnë të bëjnë analizën për koronvirusin dhe i kanë treguar mjekëve se ndihen të paragjykuar , sepse janë kthyer nga Italia. Mjekja tregon se për çdo person ka një skedë të caktuar që plotësohet, në mënyrë që mjekët të kuptojnë më mirë nëse personat janë të prekur nga kjo sëmundje.
Së bashku me Indritin mjekët që janë gjithë kohës në tension tregojnë se njerëzit janë në panik dhe kjo ka krijuar më shumë “zhurmë” se në ditët e zakonshme të njësinë e koordinimit. Telefonatat më të shumta janë nga qyteti i Tiranës dhe nga personat që kanë udhëtuat nga zonat e prekura. Vetëm sot (e mërkurë) nga skedat janë përcaktuar 4 raste për të kryer analizën për koronavrus.
Në një sallë tjetër të njësisë së koordinimit e cila duket pak më e qetë gjenden veshjet e posaçme për mjekët që shkojnë pranë personave të cilët mendohen se mund të jenë të prekur. Veshjet janë për tre veta mjekut të urgjencës, mjekut të ISHP dhe mjekut të infektivit. Uniforma kapuçin e thjeshtë, syzet mbrojtëse prej plastike, maskat e duhura të cilat janë përcaktuar FFP3 e cila konsiderohet se krijon një mbrojtje maksimale, pjesa e kapuçit të madh , pjesa e veshjes trupore.
Kjo veshje përdoret nga çdo ekip nëse shkon në një rast të dyshuar. Indriti tregon se mjekët vishen në qendrën e urgjencave dhe më pas shkojnë drejt pacientit.

Skënder Bratja, drejtor i qendrës kombëtarë të urgjencës tregon se çdo ditë ndryshon protokolli i një rasti të dyshuar në bazë të gjeografisë që çdo ditë po ndryshon.
“Tek një person që vjen nga zonat e prekura (jashtë vendit) dhe ka simptoma si temperaturë, vështirësi në frymëmarrje e të tjera, do të dërgohet ekipi mjekësorë dhe më pas do të merret tamponi për të bërë analizën pranë laboratorit të ISHP dhe në harkun kohor të 8 deri në 12 orë do të jepet përgjigja, ndërkohë që pacienti mund të rrijë edhe në shtëpi e kështu të bëhet trajtimi simptomatik të sëmundjes,” thotë Bratja, ndërkohë që puna në njësinë e koordinimit vazhdon intensivisht.
Diçka tjetër e rëndësishme që mësojmë në qendrën kombëtarë të urgjencës, është se bërja e analizës në fazën fillestare nuk jep asnjë rezultat, nëse nuk shfaqen simptomat e para, pasi çdo virus ka periudhën e inkubacionit, kështu që mjeku Brataj këshillon që nuk kemi pse të insistojmë për bërjen e analizës, përpara ditëve të izolimit.

Është menduar që nëse ka një rast të mundshëm me koronavirus, do të kryhet edhe asgjësimi i veshjeve që mjekët kanë përdorur, por edhe për dezefiktimin e automjetit.
Në qendër thonë se aty punohet me intensitet edhe ditët kur janë virozat e stinës. Këto ditë kanë rritur vetëm raste të përziera me pak më shumë shqetësim të shtuar për shkak të përhapjes së koronavirusit edhe tek fqinjët.
“Kot nuk quhemi shërbim urgjence, ne kemi gjithnjë urgjencë, ne e dimë që në këtë periudhë do të kishim një fluks të shtuar thirrjes, sepse edhe vetë gripi shkakton një rritje të thirrjeve për ndihmë mjekësore dhe një rritje të misioni. Por që puna jonë nuk ndryshon dhe kjo do të jetë,” shtoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë